Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka parashikuar që gjatë javës së ardhshme, nga 26 deri më 30 tetor, në Kosovë të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pjesshme.
Sipas parashikimit, të hënën në disa zona mund të ketë riga shiu, ndërsa të martën dhe të mërkurën pritet të krijohen kushte për mjegull gjatë orëve të para të ditës.
Temperaturat minimale gjatë kësaj jave do të lëvizin nga 0 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 9 deri në 15 gradë Celsius.
Të hënën temperaturat minimale do të jenë nga 1 deri në 4 gradë, ndërsa maksimalet nga 9 deri në 12 gradë Celsius. Të martën dhe të mërkurën, temperaturat minimale do të zbresin deri në 0 gradë, kurse maksimalet do të arrijnë nga 11 deri në 14 gradë Celsius.
Të enjten parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara, me temperatura maksimale nga 11 deri në 14 gradë. Ndërkaq, të premten moti do të jetë kryesisht i vranët, me temperatura minimale nga 1 deri në 4 gradë dhe maksimale nga 11 deri në 15 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimet veriperëndimore dhe verilindore, me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.
Sa u përket kushteve biometeorologjike, IHK-ja vlerëson se ato do të jenë përgjithësisht të favorshme. Megjithatë, mëngjeset e ftohta dhe ndryshimet e temperaturave gjatë ditës mund të ndikojnë te personat me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore. Për këtë arsye, rekomandohet veshje e përshtatshme, veçanërisht gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes.
Ndërkaq, në aspektin agrometeorologjik, IHK-ja rekomandon vazhdimin e mbjelljeve vjeshtore në zonat ku kushtet e tokës dhe mundësitë e lejojnë, veçanërisht në tokat e lehta. Në zonat e larta ekziston mundësia e paraqitjes së brymës dhe mjegullës, kryesisht gjatë orëve të mëngjesit.
Burimi: Dukagjini
