
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, ka kritikuar gjendjen në sistemin shëndetësor në Kosovë, duke e akuzuar Qeverinë Kurti për dështim.
Gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës, Reshitaj ka ngritur një sërë shqetësimesh për shëndetësinë, duke përmendur mungesën e barnave onkologjike, listat e gjata të pritjes, mungesën e materialeve për operacione dhe dobësitë në kujdesin parësor.
“Qeveria nuk mund të masë suksesin me fotografi të objekteve të rinovuara, me aparatura para kamerave apo edhe konferenca për investime. Suksesi matet te pacienti, te qytetari që ka nevojë për mjekë, diagnozë, për terapi të duhur dhe në kohën e duhur. Sot dobësitë shtrihen pothuajse në çdo hallkë të sistemit shëndetësor, nga qendrat e mjekësisë familjare, te spitalet rajonale e deri te QKUK-ja.”, ka deklaruar Reshitaj.
Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë nuk mund të flasë për reforma të qëndrueshme përderisa baza e sistemit vazhdon të jetë e dobët.
Reshitaj ka kritikuar edhe mungesën e angazhimit për specializantët në këtë fushë, duke thënë se specializimi në mjekësinë familjare mund të zgjasë katër deri në shtatë vjet.
“Ministria nuk mund të flasë për reforma të qëndrueshme, kur baza e sistemit vazhdon të jetë e dobët. Qytetari që nesër mund të jetë pacient me një sëmundje malinje, takimin e parë e ka me mjekun familjar, prandaj kujdesi parësor shëndetësor është themeli i shëndetësisë. Por mungesa e angazhimit serioz dëshmohet edhe në rastin e specializantëve, të cilëve, ndonëse krijohen kushte dhe mundësi për specializimin në mjekësi familjare, u duhen katër apo shtatë vjet. Kjo tregon për mosmotivimin e kësaj qeverie që mjekët tanë ta zgjedhin këtë specializim shumë të rëndësishëm.”
Deputetja e LDK-së ka ngritur shqetësimin edhe për numrin e pacientëve në listat e pritjes në QKUK, raporton Klankosova.tv
Ajo ka deklaruar se në fund të vitit 2026, në 16 klinika të QKUK-së, ishin 12 mijë e 19 pacientë në pritje për trajtim.
Reshitaj ka thënë se pritjet e stërzgjatura po ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve.
“Në fund të vitit 2026, vetëm në 16 klinika të QKUK-së, 12 mijë e 19 pacientë ishin në listat e pritjes dhe, siç e dini, vazhdojnë deklaratat e mjekëve të cilët thonë se për shkak të pritjeve të stërzgjatura, pacientëve po u përkeqësohet gjendja shëndetësore. Kush mori deri sot përgjegjësi që kanë pritur me muaj e vite të tëra për një trajtim shëndetësor?”.
Reshitaj ka përmendur edhe raportimet e prillit të këtij viti, sipas të cilave pacientëve në QKUK u ishte kërkuar të blinin vetë materialet për operacione.
Ajo ka përmendur gjithashtu mungesën e elektrolitëve, analizave hormonale, profilit lipidik dhe tumor markerëve.
“Si është e mundur që pas kaq vitesh pushtet dhe me një buxhet afër dy miliardë euro për shëndetësi, pacienti ende të detyrohet t’i blejë materialet për operacion në spitalin publik?”, ka pyetur ajo, transmeton Klankosova.tv
Reshitaj ka përmendur edhe mungesën e terapisë për pacientët me sëmundje malinje. Ajo tha se gjatë këtij viti janë dokumentuar mungesa të terapisë kundër kancerit, duke përmendur rastin e pacientëve me kancer metastatik, të cilët në korrik kishin mbetur tre muaj pa palbociclib.
Sipas saj, vetëm pas reagimit publik të një pacienti, i cili kishte treguar se terapinë e kishte blerë vetë, QKUK-ja kishte konfirmuar mungesën e disa barnave onkologjike.
Ajo ka shtuar se edhe drejtori kishte treguar se terapia ishte vonuar nga shtatë deri në nëntë javë.
“Në Onkologji, përgjegjësia bëhet edhe më e rëndë, edhe gjatë këtij viti janë dokumentuar mungesa të terapisë kundër kancerit. Në korrik, pacientët me kancer metastatik kishin mbetur tre muaj pa palbociclib. Vetëm pasi një pacient reagoi publikisht, ashtu siç kanë reaguar shumë pacientë publikisht dhe vetëm atëherë ka filluar transparenca e zbehtë, pasi pacienti ka treguar se e ka blerë vetë terapinë, QKUK-ja ka konfirmuar mungesën e disa barnave onkologjike në atë kohë. Edhe drejtori ka treguar se terapia është vonuar shtatë deri në nëntë javë.”
Duke iu drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Reshitaj ka thënë se Qeveria nuk mund të arsyetohet me procedura, porosi apo probleme me operatorët ekonomikë, kur bëhet fjalë për barna jetike.
“Qeveria s’mund të arsyetohet me procedura, me porosi, operatorë ekonomikë. I nderuar ministër, s’po flasim për porosi të ëmbëlsirave, po flasim për ilaçe, barna jetike për qytetarët e Kosovës. Shtatë deri në nëntë javë nuk janë thjesht vonesë administrative. Mund të jenë javë vendimtare për jetën e tyre.”
Në fund të fjalës së saj, deputetja ka përmendur edhe rastin e marsit 2026, kur për shkak të mungesës së materialeve në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, nga Spitali i Prizrenit ishin marrë 231 stenta, 130 kateterë diagnostifikues dhe 115 balona.
Ajo e ka cilësuar këtë situatë si dështim menaxherial, duke kërkuar përgjegjësi për gjendjen në sistemin shëndetësor.
“Në mars 2026, për shkak të mungesës së materialeve në Kardiologji, QKUK-ja mori nga Spitali i Prizrenit 231 stenta, 130 kateterë diagnostifikues dhe 115 balona. Tani më thoni, a nuk është ky dështim menaxherial?”, ka përfunduar Reshitaj. /Klankosova.tv