Dogana e Kosovës ka zbuluar 150 mijë euro të padeklaruara në një veturë në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës, gjatë një kontrolli të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur rreth orës 19:00, kur zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës kanë ndaluar për kontroll një veturë që po hynte në Kosovë.
Drejtuesi i veturës, i pyetur nga zyrtarët doganorë, kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar, në veturë janë gjetur para të padeklaruara.
Fillimisht, drejtuesi kishte deklaruar se shuma ishte 120 mijë euro, por pas numërimit është konstatuar se bëhej fjalë për 150 mijë euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh.
Nga kjo shumë, 37 mijë e 500 euro, apo 25 për qind, janë konfiskuar për mosdeklarim, ndërsa 112 mijë e 500 eurot e tjera janë mbajtur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave përkatëse.
“Lidhur me rastin është njoftuar Sektori i Hetimeve i Doganës së Kosovës, zyrtarët e të cilit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren.
Burimi: Dukagjini
