
Me ardhjen e dimrit dhe shkurtimin e ditëve, vëmendja ndaj vitaminës D dhe rëndësisë së saj për shëndetin bëhet edhe më e madhe. Ekspozimi më i vogël ndaj rrezeve të diellit gjatë muajve të ftohtë mund të ndikojë në uljen e nivelit të kësaj vitamine në organizëm.
Vitamina D ka rol të rëndësishëm në funksionimin e trupit, veçanërisht në shëndetin e kockave dhe muskujve, pasi ndihmon në përthithjen e kalciumit dhe fosforit.
“Vitamina D ndihmon në thithjen e kalciumit dhe fosforit, gjë që e bën atë thelbësore për shëndetin e kockave dhe muskujve”, shpjegon nutricionistja Katie Sanders e Doctify.
“Ajo gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit imunitar”, shton ajo, sipas The Independent.
Burimi kryesor natyror i vitaminës D është ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit, për këtë arsye ajo njihet edhe si “vitamina e diellit”.
Gjatë pranverës dhe verës, trupi mund të prodhojë sasi të mjaftueshme të vitaminës D nëse kalojmë rregullisht kohë jashtë. Por, gjatë dimrit, ekspozimi më i kufizuar ndaj rrezeve UV ndikon që nivelet e saj në organizëm të kenë tendencë të bien.
“Gjatë pranverës dhe verës, trupi zakonisht mund të prodhojë mjaftueshëm vitaminë D nëse kalojmë kohë jashtë rregullisht. Megjithatë, për shkak të ekspozimit më të vogël ndaj rrezeve UV dhe rrezeve të diellit në muajt e dimrit, nivelet e vitaminës në trup kanë tendencë të bien”, thotë Sanders.
Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor Britanik (NHS), mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë probleme serioze me shëndetin e kockave. Te fëmijët mund të çojë në rakitizëm, ndërsa te të rriturit mund të shkaktojë dhimbje të kockave si pasojë e osteomalacisë.
Sa vitaminë D na nevojitet çdo ditë?
Sasia e rekomanduar ditore e vitaminës D ndryshon sipas moshës. Sipas nutricionistes Sanders, rekomandimi zyrtar i NHS-së për fëmijët mbi një vjeç dhe të rriturit është 10 mikrogramë në ditë.
“Rekomandimi zyrtar i NHS për fëmijët mbi një vjeç dhe të rriturit është 10 mikrogramë vitaminë D në ditë”, thotë Sanders.
Ky rekomandim përfshin edhe gratë shtatzëna, nënat që ushqejnë me gji dhe personat që kanë rrezik më të lartë për mungesë të kësaj vitamine.
“Për foshnjat nën një vjeç, rekomandimi është tetë e gjysmë deri në 10 mikrogramë”, shton ajo.
Cilat ushqime janë të pasura me vitaminë D?
Përveç ekspozimit ndaj diellit, një pjesë e vitaminës D mund të merret edhe përmes ushqimit. Ndër burimet më të pasura natyrore janë peshqit me vaj, veçanërisht salmoni dhe skumbria.
Filetoja e salmonit është një nga ushqimet që përmban sasi të konsiderueshme të kësaj vitamine. Sipas Fondacionit Britanik të Zemrës, 100 gramë salmon i zier në avull përmbajnë rreth 9.3 mikrogramë vitaminë D.
Sanders rekomandon konsumimin e peshkut me vaj disa herë në javë, duke theksuar se ai është gjithashtu i dobishëm për shëndetin e zemrës.
Një tjetër alternativë është skumbria, e cila gjithashtu përmban sasi të konsiderueshme të vitaminës D. Sipas Fondacionit Britanik të Zemrës, 100 gramë skumbri i pjekur në skarë përmbajnë mesatarisht 8.5 mikrogramë të kësaj vitamine.
Edhe skumbria e konservuar mund të jetë një alternativë më e përballueshme për ta përfshirë në ushqimin e përditshëm.
Për një vakt të ekuilibruar, Sanders sugjeron që pjata të ndahet në tri pjesë, në mënyrë që të përfshihen ushqime të ndryshme dhe vlera të nevojshme ushqyese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali