Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka pranuar se rritja e kostos së jetesës në Kosovë është problem, por ka thënë se shkaktarët e inflacionit janë zhvillimet globale, duke përmendur luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Gjirin Persik.
Murati i bëri këto deklarata gjatë prezantimit të Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2027, në përgjigje të kritikave të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, i cili ngriti shqetësimin për inflacionin dhe ndikimin e tij në mirëqenien e qytetarëve.
“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.
Para përgjigjes së ministrit, deputeti Lushtaku kritikoi Qeverinë për planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale, duke thënë se, pavarësisht shumave të mëdha të planifikuara, ekzekutimi i tyre ka mbetur i ulët.
Ai iu referua një raporti të Institutit GAP për periudhën 2021-2024, sipas të cilit, mbi një miliard euro nuk janë shpenzuar nga investimet e planifikuara.
“Madje në disa raporte, siç është ai raporti i GAP-it 2021-2024, mbi 1 miliard euro nuk janë shpenzuar në investimet e planifikuara. Kjo e ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, do të thotë me më pak rrugë, më pak ura, shkolla të pandërtuara, qendra të pandërtuara, dhe shumë projekte që e lehtësojnë jetën e qytetarëve. Sigurisht kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në ekonominë familjare, si dhe te shtrenjtimi i jetës qytetare”, tha Lushtaku.
Ai theksoi se rritja e vlerës nominale të buxhetit nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të mirëqenies së qytetarëve, duke përmendur edhe shifrat e inflacionit.
“Numri i madh i buxhetit, apo buxheti me shifra të mëdha, nuk do të thotë që është mirëqenia më e mirë, sepse inflacionin e kemi pasur tepër të lartë. Në disa raporte të ndryshme kemi të paraqitura shifra të ndryshme. Për shembull, rasti është 7.8% inflacioni, ndërsa të tjerat deri në 7.1% deri në tetor 2026. Projeksionet nominale me ato reale i bie që zhvillimi diku ka kapur rreth 1%, sepse paratë që i ke pasur në 2026-ën nuk janë shpenzuar, dhe sigurisht i kanë humbur vlerën edhe në vitet dhe ditët e vjet”, u shpreh ai.
Në përgjigje të kritikave për ekzekutimin e investimeve kapitale, Murati tha se kjo është një problematikë e përsëritur ndër vite dhe nuk lidhet vetëm me qeverisjen aktuale.
“Sa i përket ekzekutimit të projekteve kapitale, është një situatë kronike, nuk është vetëm në këtë vit, apo në disa prej viteve paraprake, që prej mbaj mend, dhe që prej secili që ka punuar në sektorin publik, dhe që është marrë me çështjen e financave publike e din që ekzekutimi i projekteve ka ngecur në vazhdimësi. Edhe në vitin 2010, 2011 edhe 2012, e kështu me radhë, çdoherë ekzekutimi ka qenë nën buxhetim”, tha Murati.
Ai përmendi si faktorë ndikues kapacitetet zbatuese të ministrive dhe komunave, si dhe procedurat që, sipas tij, shpeshherë nuk mund të parashikohen saktësisht gjatë planifikimit buxhetor.
Megjithatë, ministri tha se në ekzekutimin e investimeve kapitale ka përmirësim të trendit.
“Sa i përket çështjes së ekzekutimit të investimeve kapitale, mund të them se ka përmirësim të trendit”, deklaroi ai.
Burimi: Dukagjini
