Musmurati: Ministria e Financave po e pengon projektin për menaxhimin e mbeturinave

Musmurati: Ministria e Financave po e pengon projektin për menaxhimin e mbeturinave

Written by

in

Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, e ka ftuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, në debat publik lidhur me projektin për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.

Në një konferencë për media, Musmurati ka thënë se Komuna e Prishtinës, Kompania Rajonale e Pastrimit “Pastrimi” dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) janë në një linjë dhe se të gjitha obligimet nga këto palë janë përmbushur.

Sipas saj, pengesa e vetme për realizimin e projektit është Ministria e Financave, e cila ende nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e kredisë.

“Kompania ‘Pastrimi’, Komuna e Prishtinës dhe KfW-ja gjermane jemi të gjitha në një linjë. Ne i kemi kryer të gjitha obligimet tona. Nuk ka asnjë vërejtje nga KfW-ja, as për komunën, as për ‘Pastrimin’. Vërejtja e vetme nga KfW-ja është për Ministrinë e Financave që nuk po e nënshkruan kredinë”, ka deklaruar Musmurati.

Ajo i është drejtuar drejtpërdrejt ministrit Murati, duke e ftuar që në një debat publik të diskutojnë për këtë projekt, të cilin e ka cilësuar si çështje me rëndësi për qytetarët e Prishtinës.

“E ftoj ministrin në debat politik, kudo dhe kurdo që do, për t’u ballafaquar për këtë temë, sepse me të vërtetë është tema kryesore sot për gjithë qytetarët e Prishtinës. Qytetarët e Prishtinës nuk e meritojnë një trajtim të tillë”, ka thënë ajo.

Burimi: Dukagjini