Serbia nis hetimet ndaj zyrtarëve të ish-pushtetit, por a do të hapen edhe dosjet e Banjskës dhe të Radoiçiqit?

Serbia nis hetimet ndaj zyrtarëve të ish-pushtetit, por a do të hapen edhe dosjet e Banjskës dhe të Radoiçiqit?

Written by

in

Arrestimet e njëpasnjëshme të zyrtarëve policorë dhe të personave të lidhur me pushtetin e deritanishëm në Serbi, pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e 25 tetorit, kanë rikthyer në vëmendje një prej problemeve kryesore të sistemit politik serb: pandëshkueshmërinë dhe ndikimin e politikës mbi institucionet e drejtësisë.
Pa e marrë ende zyrtarisht pushtetin, Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet duke premtuar luftimin e korrupsionit dhe çlirimin e institucioneve nga ndikimi politik, po përballet me një zhvillim që mund të përcaktojë seriozitetin e premtimeve të saj. Prokuroritë kanë nisur të rihapin raste të pazgjidhura, ndërsa në mesin e të arrestuarve janë rreth 20 zyrtarë policorë, përfshirë drejtues të lartë të strukturave të sigurisë.
Megjithatë, përtej arrestimeve të deritanishme, mbetet një pyetje shumë më e ndjeshme politikisht: a do të shtrihen hetimet edhe te rastet ku dyshohet për lidhje mes strukturave shtetërore, sigurisë dhe njerëzve të afërt me Aleksandar Vuçiqin? Në këtë kontekst, rasti i Banjskës dhe roli i Milan Radoiçiqit përbëjnë një nga testet më të rëndësishme për drejtësinë serbe.

 

Institucionet që nisën të veprojnë pas humbjes së SNS-së

Dy javët e para pas zgjedhjeve në Serbi u karakterizuan nga një valë arrestimesh nën dyshimet për korrupsion, keqpërdorim të pozitës zyrtare, manipulime zgjedhore dhe dhunë ndaj studentëve.

Një prej rasteve më të rëndësishme është arrestimi i Marko Kriçakut, ish-drejtues i Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara, dhe nëntë pjesëtarëve të tjerë të kësaj strukture, të dyshuar për keqtrajtim dhe torturim të studentëve e qytetarëve në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, më 14 gusht 2025.

Studentët kishin raportuar për dhunë fizike dhe kërcënime gjatë ndalimit të tyre pas protestave kundër pushtetit. Prokuroria ka deklaruar se gjatë hetimeve ishte përballur me pengesa nga policia dhe institucionet shtetërore, përfshirë mosdorëzimin e pamjeve të kamerave të sigurisë nga garazhi.

Sipas prokurorisë, institucionet përgjegjëse kishin pritur deri në kalimin e afatit 30-ditor të ruajtjes automatike të incizimeve, ndonëse pamjet ishin kërkuar vetëm gjashtë ditë pas ngjarjes.

Një tjetër rast që po hetohet lidhet me vdekjen e Dalibor Dragijeviqit, i cili vdiq më 7 prill 2024, derisa mbahej në polici në Bor. Tetë zyrtarë të Policisë Kriminale janë arrestuar nën dyshimin për keqtrajtim dhe torturim të tij. Prokuroria kishte lëshuar edhe më herët urdhra për arrestimin e të dyshuarve, por ato nuk ishin zbatuar nga Sektori i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme.

Këto raste kanë nxjerrë në pah jo vetëm dyshimet për veprime të paligjshme të zyrtarëve, por edhe funksionimin e një mekanizmi institucional që, sipas pretendimeve të prokurorëve, kishte penguar hetimet.

Prokurori i lartë publik, Goran Illiq, ka deklaruar se pengesat kanë ardhur nga policia, prokurorët dhe gjykatat, duke shtuar se disa raste janë mbajtur në sirtarë, ndonëse mund të procedoheshin.

Për këtë arsye, dy ditë pas zgjedhjeve, Prokuroria e Lartë Publike formoi një komision prej pesë anëtarësh për të shqyrtuar punën e të gjitha 87 prokurorive në Serbi.

Kryeprokurorja Zagorka Dollovac ka deklaruar gjithashtu se pas zgjedhjeve janë hequr pengesat politike dhe institucionale që më parë kishin penguar punën e prokurorive.

Por nëse institucionet kanë filluar të hetojnë zyrtarët që dyshohen për dhunë ndaj studentëve dhe korrupsion, prova më e madhe e pavarësisë së tyre do të jetë mënyra se si do t’i trajtojnë rastet që prekin drejtpërdrejt interesat e ish-pushtetit.

Banjska: Dosja që ende nuk ka marrë epilog në Serbi

Një prej këtyre rasteve është sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjes u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.

Milan Radoiçiq, atëherë nënkryetar i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin. Megjithatë, pavarësisht peshës së këtij rasti dhe pranimit të tij, në Serbi ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj tij.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, ka konfirmuar se hetimet ndaj Radoiçiqit vazhdojnë. Hetimi lidhet me dyshimet për organizim të grupit kriminal, prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Megjithatë, një detaj që e bën edhe më të ndjeshme këtë çështje është fakti se prokurori Nenad Stefanoviq kishte paralajmëruar se aktakuza do të ngrihej në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025. Kjo nuk ndodhi dhe deri më tani nuk është bërë e ditur se çfarë ka përcaktuar konkretisht hetimi.

Ndërkohë, Radoiçiq nuk është mbajtur në paraburgim pas marrjes në pyetje në Beograd. Atij i janë shqiptuar masa që përfshijnë dorëzimin e pasaportës, ndalimin e largimit nga Serbia pa lejen e gjykatës dhe paraqitjen e rregullt në polici.

Çështja mori një dimension tjetër politik kur Radoiçiq u shfaq në tubimin parazgjedhor të SNS-së në Kragujevc, gjatë fushatës së Aleksandar Vuçiqit. Prania e tij në një aktivitet të partisë që atëkohë ishte ende në pushtet, ndërkohë që ndaj tij vazhdonte hetimi për Banjskën, riktheu pikëpyetjet për raportet e tij me strukturat politike në Serbi.

Madje, më 31 tetor, një komision i Prokurorisë së Lartë Publike nisi të shqyrtojë edhe rrethanat se përse Radoiçiqit nuk i ishte caktuar masa e paraburgimit pas marrjes në pyetje në vitin 2023.

Vëmendja e komisionit, sipas këtij raportimi, është përqendruar edhe te vendimi i prokurorit të atëhershëm, Nikola Panteliq, i cili kishte kërkuar paraburgim duke u mbështetur vetëm në rrezikun e arratisjes, pa përfshirë rrethana të tjera që mund të justifikonin një masë të tillë.

Ky zhvillim është veçanërisht i rëndësishëm, sepse tregon se tashmë nuk po shqyrtohet vetëm përgjegjësia e personit të dyshuar për organizimin e sulmit, por edhe mënyra se si institucionet serbe e kanë trajtuar rastin që nga fillimi.

A do të hetohet edhe përgjegjësia e strukturave shtetërore?

Çështja e Banjskës nuk kufizohet vetëm te përgjegjësia penale e Radoiçiqit dhe pjesëtarëve të grupit të armatosur. Për Kosovën, ky sulm përbën akt terrorist dhe institucionet e saj kanë pretenduar vazhdimisht se ai ishte planifikuar, financuar dhe organizuar me përfshirjen e shtetit serb.

Beogradi, në anën tjetër, ka mohuar se kishte dijeni për praninë e Radoiçiqit dhe grupit të armatosur në Kosovë. Vuçiq, në disa raste, e kishte cilësuar Radoiçiqin jo si kriminel, por si person që luftonte për të drejtat e serbëve në Kosovë.

Pikërisht këtu qëndron një prej sfidave më të mëdha për institucionet e Serbisë pas ndryshimit të pushtetit. Nëse hetimet e reja do të kufizohen vetëm te zyrtarët policorë dhe administrativë, ndërsa do të shmangin rastet që mund të çojnë drejt niveleve më të larta politike dhe të sigurisë, atëherë premtimi për çlirimin e drejtësisë nga ndikimi politik do të mbetet i paplotë.

Për më tepër, rasti i Banjskës ka edhe një dimension ndërkombëtar. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për sulmin të dalin para drejtësisë. Mungesa e një aktakuze në Serbi, më shumë se tri vjet pas ngjarjes, ka mbetur një prej çështjeve të pazgjidhura në raportet mes Beogradit dhe Prishtinës.

Testi i vërtetë për pushtetin e ri

Lista Studentore e ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të platformës së saj politike mbi luftën kundër korrupsionit, krimit dhe pandëshkueshmërisë. Por ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e mënyrës së funksionimit të institucioneve.

Arrestimet e para janë një zhvillim i rëndësishëm, por numri i personave të ndaluar nuk është matësi përfundimtar i drejtësisë. Rezultati do të varet nga ngritja e aktakuzave, zhvillimi i proceseve të pavarura dhe vendimet përfundimtare gjyqësore.

Njëkohësisht, mbetet të shihet nëse hetimet do të prekin edhe zyrtarët që kanë pasur ndikim në mënyrën se si janë trajtuar rastet e ndjeshme gjatë 14 viteve të qeverisjes së SNS-së.

Nëse komisionet e reja do të shqyrtojnë edhe përgjegjësinë e prokurorëve dhe zyrtarëve që kanë penguar procedurat, atëherë dosja e Banjskës do të jetë një prej rasteve ku kjo qasje mund të provohet në praktikë.

Për Kosovën, pyetja është edhe më konkrete: a do të kalojë Serbia nga hetimi formal ndaj Milan Radoiçiqit në një proces real gjyqësor, që do të përcaktojë përgjegjësinë e tij dhe të personave të tjerë të përfshirë në sulmin e armatosur?

Përgjigjja do të tregojë nëse largimi i SNS-së nga pushteti do të sjellë vetëm ndryshim të njerëzve në institucionet serbe apo edhe një shkëputje reale nga sistemi i pandëshkueshmërisë që ka shoqëruar qeverisjen e Vuçiqit./The GeoPost

Burimi: Dukagjini