Nagavci kërkon llogaridhënie për vrasjen e Arlinda Zekajt: Çfarë ndodhi me letrën e saj?

Nagavci kërkon llogaridhënie për vrasjen e Arlinda Zekajt: Çfarë ndodhi me letrën e saj?

Written by

in

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ajo ka ngritur pyetje për veprimet e institucioneve pas kërkesës së Zekajt për ndihmë dhe paralajmërimeve të saj për rrezikun ndaj jetës.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur për këtë rast, Nagavci tha se Zekaj i ishte drejtuar me një letër urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar veprime të menjëhershme.

“Është një tragjedi që kërkon drejtësi, përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale. Sot nuk jemi këtu vetëm për të dënuar një krim të rëndë, jemi këtu për të kërkuar përgjigje nga institucionet që kanë pasur përgjegjësi ligjore të veproj për mbrojtjen e saj. Ajo kishte kërkuar ndihmë, kishte paralajmëruar, e kishte besuar se institucionet e Kosovës do ta dëgjonin dhe do vepronin. Ajo ishte drejtuar me një letër urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë duke kërkuar veprime të menjëhershme”, tha Nagavci, raporton KosovaPress.

Duke cituar një pjesë të letrës, Nagavci tha se Zekaj kishte paralajmëruar mundësinë që institucionet të jepnin llogari vetëm pasi asaj t’i merrej jeta.

Shefja e deputetëve të LVV-së kërkoi përgjigje se kush e kishte shqyrtuar letrën, çfarë veprimesh kishte ndërmarrë prokuroria dhe nëse ishte ekzekutuar urdhri gjyqësor i përmendur në të. Ajo theksoi se prokuroria duhet të veprojë me urgjencë kur ekzistojnë paralajmërime konkrete për rrezikun ndaj jetës.

“Në fund të asaj letre gjendet një fjali që sot na rëndon në ndërgjegjen e secilit prej nesh, veçanërisht atyre që kanë përgjegjësi zbatimin e ligjit. Ajo shkruante “uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse, të detyroheni të jepni llogari, vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, sa e dhimbshme dhe tronditëse është që sot po diskutojmë pikërisht për atë që ajo kishte paralajmëruar. Çfarë ndodhi me letrën e saj, kush e shqyrtoj, çfarë veprimesh ndërmori Prokuroria, a u vlerësua seriozisht rreziku që ajo kishte paralajmëruar, a u ekzekutua urdhri gjyqësorë që ajo e përmendte dhe nëse jo kush ishte përgjegjës për mos zbatimin e tij. Prokuroria nuk mund të jetë vetëm institucion që vepron pasi krimi të ketë ndodhur, ajo ka përgjegjësi të veproj me urgjencë kur ekzistojnë paralajmërime konkrete për rrezikun ndaj jetës”, tha Nagavci.

Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj.

Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.