Në një reagim në Facebook, Nagavci ka rikujtuar kontekstin historik të kësaj kënge, duke thënë se ajo daton nga viti 1989, në kohën kur regjimi i Slobodan Millosheviqit po cenonte autonominë e Kosovës dhe po përjashtonte shqiptarët nga institucionet arsimore, shëndetësore dhe vendet e punës.
Sipas saj, kënga përcjell një mesazh nacionalist që Kosovën e paraqet si tokë serbe.
“Mesazhi i saj është i qartë: një diskurs nacionalist që e paraqet Kosovën si tokë serbe që nuk dorëzohet”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se kjo narrativë historikisht i parapriu luftës, dëbimeve dhe masakrave në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje përzgjedhjen e saj në një aktivitet të organizuar nga institucionet evropiane.
Nagavci ka kërkuar që Bashkimi Evropian të tregojë konsistencë në qëndrimet e tij, duke mos kërkuar vetëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor të distancohen nga retorika nacionaliste, por duke zbatuar të njëjtat standarde edhe në organizimet e veta.
Ajo ka shprehur gjithashtu mbështetjen për reagimin e institucioneve të Kosovës, të cilat kanë kërkuar sqarime nga Komisioni Evropian lidhur me interpretimin e këngës.
“Ne e duam Evropën, dhe pikërisht për këtë i kërkojmë të jetë në lartësinë e vlerave të saj”, ka shkruar Nagavci.
Në fund, ajo ka ritheksuar se Kosova do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian, duke nënvizuar rëndësinë e reformave dhe dinjitetit.
“Evropa duhet të jetë hapësirë e së vërtetës dhe jo e këngëve që mohojnë Kosovën”, ka përfunduar ajo.
Burimi: RTKLive
