
Aktorja e njohur Natalie Portman ka rrëfyer se, gjatë adoleshencës, u përpoq me vetëdije të krijonte imazhin e një vajze të mirë dhe serioze, pasi rolet e saj të para në film e kishin “seksualizuar” që në moshë të vogël.
Portman, e cila u bë e njohur në vitin 1994 me filmin “Léon: The Professional”, kur ishte vetëm 12 vjeçe, ka treguar se përpiqej të merrte nota të mira dhe të vishej në mënyrë modeste, me rroba të përshtatshme për moshën e saj.
“Meqë më portretizonin si një Lolita të seksualizuar, bëra përpjekje të tregoja se isha serioze, e zgjuar, studente dhe vajzë e mirë. Kjo ishte një mënyrë për t’u mbrojtur”, ka thënë ajo në një intervistë për revistën “Harper’s Bazaar”.
Aktorja, e cila fitoi çmimin “Oscar” në vitin 2011 për rolin e saj në filmin “Black Swan”, ka folur edhe për mënyrën se si ky sukses ndikoi në perceptimin e publikut për personalitetin e saj.
Portman mendon se roli në këtë film bëri që shumë njerëz ta shihnin si një person tejet serioz dhe perfeksionist, ndonëse, sipas saj, kjo nuk përputhet me karakterin e saj të vërtetë.
“Jam shumë gazmore, më pëlqen të qesh dhe të bëj shaka. Njerëzit mendojnë se jam perfeksioniste për shkak të ‘Black Swan’, por në të vërtetë jam e kundërta. Jam tolerante me veten. Në universitet kishim një shprehje: ‘Mjafton të përfundosh, jo të jetë e përsosur’”, u shpreh Portman.
Ajo ka treguar gjithashtu se e ka pasur të vështirë të shkëputet nga imazhi i një aktoreje fëmijë dhe të fitojë një perceptim tjetër nga publiku, pavarësisht karrierës së gjatë në industrinë e filmit.
“Jam 45 vjeçe, pra shumë larg të qenit fëmijë. Mendoj se njerëzit të trajtojnë ndryshe edhe për shkak të shtatit të vogël, dhe kjo bëhet edhe më e ndërlikuar kur ke qenë aktore që në fëmijëri”, ka thënë ajo.
Portman ka kujtuar edhe kritikat e ashpra që mori për filmat “Star Wars”, në të cilët luajti personazhin Padmé Amidala. Ndonëse filmat patën sukses financiar, ajo dhe aktorët e tjerë u përballën me reagime të shumta negative.
Aktorja thotë se këto përvoja i mësuan që në fillim të karrierës se si të përballonte kritikat dhe të vazhdonte përpara, pa lejuar që ato ta ndalonin.
“Ishte një mësim i rëndësishëm që herët në karrierë: të lexosh gjëra shumë të këqija për veten dhe pastaj të thuash: ‘Do të bëj një film tjetër dhe do t’u tregoj se gabojnë’”, ka thënë Portman.
Ajo ka pranuar se nuk dëshironte t’u tregonte të tjerëve se sa shumë e lëndonin kritikat, por zgjodhi t’i shndërronte ato në motivim për të vazhduar karrierën e saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali