Ndahet nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare në Zvicër, Adem Islami

Ndahet nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare në Zvicër, Adem Islami

Written by

in

Ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare atdhetari dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Islami, i cili për dekada ishte i angazhuar për Republikën e Kosovës në Gjenevë të Zvicrës.

Islami ndërroi jetë më 29 tetor 2026, në Spitalin Universitar “Inselspital” në Bernë.

I lindur më 6 maj 1954 në fshatin Stanishor të Gjilanit, ai që nga viti 1976 jetoi dhe veproi në Gjenevë të Zvicrës.

Pas demonstratave të vitit 1981, Islami iu bashkua angazhimit për çështjen kombëtare dhe Republikën e Kosovës. Ai ishte pjesëmarrës dhe një nga organizatorët e demonstratave dhe manifestimeve të para për Kosovën në Zvicër.

Ishte ndër anëtarët e parë të Klubit “Ikballe Prishtina”, me numër rendor 17, si dhe veprimtar i Lëvizjes për Republikën e Kosovës (LPRK).

Gjatë veprimtarisë së tij, ai kontribuoi në organizimin e aktiviteteve kombëtare në Gjenevë dhe qytete të tjera evropiane, përfshirë Dyseldorfin, Parisin e Shtutgartin. Gjithashtu, ndihmoi veprimtarët që përballeshin me rrezik në Kosovë.

Për shkak të angazhimit të tij atdhetar dhe ndjekjes nga UDB-ja, për shumë vite nuk pati mundësi të kthehej në vendlindje.

Familja Islami ka njoftuar se homazhet për të ndjerin do të mbahen të premten, më 30 tetor, nga ora 10:00 deri në 11:00, në Spitalin Universitar “Inselspital” në Bernë, në katin e katërt.

Ndërkaq, të dielën, më 1 nëntor, në orën 11:00, në sallën e Teatrit të Gjilanit do të mbahet mbledhja komemorative.

Varrimi i Adem Islamit do të bëhet po të dielën, në orën 14:00, në varrezat e fshatit Stanishor të Gjilanit.

 

Burimi: RTKLive