Ndalimi i muralit të Nënës Terezë në Prishtinë, Rama akuzon për urdhra politikë, Ministria e Ekonomisë thote se ishte kunderligjshme

Ndalimi i muralit të Nënës Terezë në Prishtinë, Rama akuzon për urdhra politikë, Ministria e Ekonomisë thote se ishte kunderligjshme

Written by

in

Ndalimi i muralit të Nënës Terezë në Prishtinë, Rama akuzon për urdhra politikë, Ministria e Ekonomisë thote se ishte kunderligjshme

Ministria e Ekonomisë ka dalë me një reagim pas akuzave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të ndaluar vendosjen e muralit kushtuar Nënës Terezë në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke pretenduar se ndërhyrja ishte bërë me urdhër politik.

Në reagimin e saj, Ministria ka mohuar se bëhet fjalë për pengim të realizimit të veprës artistike, duke theksuar se Komuna e Prishtinës ka ndërhyrë në një objekt që nuk është në pronësi dhe as nën menaxhimin e saj, pa autorizim dhe pa koordinim paraprak me institucionet përgjegjëse.

Sipas Ministrisë, më 20 nëntor 2026, përfaqësues të Komunës, përmes një kontraktori privat, kishin ndërmarrë ndërhyrje në objektin e saj, duke larguar një baner informues dhe duke shkaktuar dëme materiale. Ajo pretendon se gjatë punimeve nuk ishin vendosur as masa mbrojtëse, duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

Ministria ka bërë të ditur se Prokuroria kishte vendosur pezullimin e punimeve, por, sipas saj, Komuna ishte paraqitur sërish të premten, më 27 nëntor, rreth orës 06:00, me makineri ngritëse për të vazhduar vendosjen e muralit. Për këtë arsye, Ministria thotë se ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila më pas ka ndaluar punimet.

“Ministria kërkon respektimin e ligjshmërisë dhe të vendimit të Prokurorisë, jo ndalimin e realizimit të veprës artistike”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Tutje, kjo ministri ka pretenduar se pëlqimi i lëshuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës është i kundërligjshëm dhe nuk mban nënshkrimin e drejtorit të kësaj drejtorie.

“Këto veprime Komuna e Prishtinës i ka bërë pa konsultuar dhe pa njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë për Dixhitalizim dhe Administratë Publike, ndonëse Komuna e Prishtinës as nuk është pronare e as nuk ka të drejtën e menaxhimit me objektin e Ministrisë se Ekonomisë”, thuhet në reagim.

Ministria ka theksuar se nuk është kundër realizimit të muralit kushtuar Nënës Terezë, por kundërshton mënyrën se si, sipas saj, Komuna ka vepruar, mungesën e koordinimit ndërinstitucional dhe mosrespektimin e vendimit të Prokurorisë.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte kërkuar nga Policia të sqarojë bazën ligjore të ndërhyrjes dhe të bëjë të ditur se kush e kishte dhënë urdhrin për ndalimin e punimeve, duke ngritur dyshime për ndikim politik.

Vendosja e muralit ishte mbështetur nga Asambleja Komunale e Prishtinës më 6 nëntor, ndërsa projekti ishte paraparë të kushtonte rreth 15 mijë euro. Drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoreci, kishte bërë të ditur më herët se murali pritej të vendosej deri më 28 Nëntor.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali