
Ministria e Ekonomisë ka akuzuar Komunën e Prishtinës për ndërhyrje të paautorizuar në objektin e saj, në kuadër të punimeve për vendosjen e muralit kushtuar Nënë Terezës.
Përmes një reagimi publik, Ministria ka pretenduar se Komuna ka ndërmarrë veprime pa marrë paraprakisht pëlqimin e institucioneve përgjegjëse për pronësinë dhe menaxhimin e objektit.
Sipas Ministrisë, më 28 shtator 2026, Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës kishte lëshuar pëlqim për realizimin e projektit, ndonëse objekti nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të komunës.
Ky pëlqim, sipas saj, është i kundërligjshëm dhe nuk mban nënshkrimin e drejtorit të drejtorisë përkatëse. Ministria pretendon gjithashtu se për projektin nuk ishte konsultuar paraprakisht as ajo dhe as Ministria për Dixhitalizim dhe Administratë Publike.
Në reagim, Ministria ka paraqitur edhe një kronologji të zhvillimeve. Ajo thotë se më 20 nëntor, në orën 09:17, përfaqësues të Komunës, përmes një kompanie private, kanë ndërhyrë në objekt dhe kanë larguar banerin informues të institucionit.
Sipas pretendimeve të saj, gjatë punimeve nuk janë vendosur masa të nevojshme mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve. Ministria pretendon se nga ndërhyrja janë shkaktuar edhe dëme materiale në pronën e saj.
Përplasja, sipas Ministrisë, ka vazhduar edhe pas vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve.
Ajo bën të ditur se të premten, më 27 nëntor, rreth orës 06:00, përfaqësues të Komunës janë paraqitur sërish para objektit me makineri ngritëse, me qëllim të vazhdimit të punimeve.
Kjo ka bërë që Ministria të kërkojë ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, e cila, sipas saj, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndaluar punimet.
Ministria ka sqaruar se kundërshtimi i saj nuk lidhet me vetë muralin kushtuar Nënë Terezës, por me procedurën e ndjekur nga Komuna për realizimin e tij.
“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, thuhet në reagim.
Në fund, Ministria i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të mos vazhdojë punimet deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.
Burimi: Insajderi