Ndalohen për 48 orë tre të dyshuarit për sulmin ndaj ekipit të Kiks Kosova

Ndalohen për 48 orë tre të dyshuarit për sulmin ndaj ekipit të Kiks Kosova

Written by

in

Ndalohen për 48 orë tre të dyshuarit për sulmin ndaj ekipit të Kiks Kosova

Tre personat e dyshuar për sulmin ndaj ekipit të emisionit investigativ Kiks Kosova në Klan Kosova janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Ferizaj, në një përgjigje për Kiks Kosova.

Sipas Prokurorisë, ndalimi i tyre është bërë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Lëndimi i lehtë trupor”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Manipulimi me prova”.

Prokuroria ka konfirmuar gjithashtu se ndaj tre personave tashmë është ngritur aktakuzë për këto vepra penale.

Kujtojmë se më 7 tetor 2026, rreth orës 11:40, ekipi i Kiks Kosova ishte sulmuar fizikisht në lagjen “Vanesa Residence”, në Ferizaj, derisa po realizonte një storie lidhur me një kontest pronësor.

Sipas aktakuzës, dy automjete ua kishin bllokuar rrugën gazetarëve, ndërsa personat e dyshuar kishin dalë nga veturat dhe i kishin sulmuar fizikisht.

Si pasojë e sulmit, anëtarë të ekipit kishin pësuar lëndime trupore dhe kishin kërkuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Gjatë incidentit ishte dëmtuar edhe kamera e ekipit televiziv.