Meghan Markle, bashkëshortja e Princit Harry, ka vendosur të mos mbajë më fjalimin e planifikuar në një aktivitet të Parlamentit Evropian në Bruksel, që i kushtohet sigurisë së fëmijëve në internet.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Meghan ka vendosur të tërhiqet nga paraqitja publike si folëse pas zhvillimeve të fundit që lidhen me babanë e saj, Thomas Markle, i cili u arrestua në Florida dhe akuzohet për posedim të materialeve të paligjshme me abuzim seksual ndaj fëmijëve. Ai i ka mohuar akuzat.
Megjithatë, Dukesha e Sussex-it do të udhëtojë drejt Brukselit së bashku me bashkëshortin e saj dhe do të jetë e pranishme në aktivitet, por pa mbajtur fjalim.
Në vend të saj, Princi Harry do të mbajë fjalimin kryesor, ku pritet të flasë për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e rrjeteve sociale dhe internetit.
Çifti do të marrë pjesë gjithashtu në hapjen e instalacionit artistik “Lost Screen Memorial”, një projekt që përkujton fëmijët dhe të rinjtë që kanë humbur jetën si pasojë e dëmeve të lidhura me përdorimin e rrjeteve sociale.
Instalacioni përmban 50 ekrane në formën e telefonave inteligjentë, ku shfaqen fotografitë e fëmijëve dhe të rinjve që kanë humbur jetën.
Paraqitja në Bruksel vjen në një moment të ndjeshëm për Meghan Markle, e cila muajin e kaluar kishte deklaruar se ishte thellësisht e shqetësuar nga akuzat ndaj babait të saj.
Burimi: Dukagjini
