Në Dardhë të Korçës mbahet edicioni i 14-të i “Rrethit Liberal të Dardhës”

Written by

in

Në Dardhë të Korçës po mbahet edicioni i 14-të i “Rrethit Liberal të Dardhës”, i organizuar nga Instituti Liberal Pashko, me temën “Gjeopolitika 2026: Impakti në rendin liberal dhe shqiptarët në Ballkan”.

Aktiviteti, i cili zhvillohet nga 23 deri më 25 tetor, ka në fokus zhvillimet gjeopolitike, sigurinë, tregtinë, energjinë dhe investimet në një rend botëror në transformim.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë studiues shqiptarë, sipërmarrës, profesorë, hulumtues dhe publicistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Takimi synon të krijojë hapësirë për diskutim dhe shkëmbim idesh mbi sfidat politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe mbi perspektivën e shqiptarëve në rajon.

Programi përfshin diskutime mbi gjeopolitikën e re dhe ekonominë globale, ndikimin e inteligjencës artificiale në ekonomi, teknologjinë dhe lirinë ekonomike, si dhe raportin mes tregtisë së lirë dhe proteksionizmit. Një pjesë e veçantë i kushtohet Ballkanit Perëndimor, integrimit evropian, konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe investimeve strategjike.

Në ditën e fundit të aktivitetit, më 25 tetor, është paraparë edhe një diskutim mbi një dokument politikash (Policy Paper), që trajton rëndësinë e lirisë ekonomike dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare në Ballkan.

“Rrethi Liberal i Dardhës” është një forum intelektual dhe akademik i themeluar në vitin 2014, me synimin për të nxitur debatin mbi lirinë individuale, demokracinë, ekonominë e tregut të lirë dhe rolin e shtetit në shoqëri. Përmes takimeve dhe diskutimeve të përvitshme, forumi synon të kontribuojë në zhvillimin e mendimit kritik dhe në promovimin e ideve liberale në Shqipëri.

Burimi: Dukagjini