Në pritje të Unazës së Jashtme të Prishtinës

Në pritje të Unazës së Jashtme të Prishtinës

Written by

in

Unaza e Jashtme e Prishtinës, e cila synon ta lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe të shkarkojë kryeqytetin nga kolonat e gjata, vazhdon të mbetet projekt në pritje të realizimit, ndonëse për të është folur tash e shumë vite.

Një zhvillim i ri është përfshirja e tij në planifikimet buxhetore të Qeverisë për vitet e ardhshme.

Për vitin 2027, Qeveria ka paraparë ndarjen e 1 milion eurove, për vitin 2028 – 10 milionë euro, ndërsa për vitin 2029 – 50 milionë euro.

Në Komunën e Prishtinës e kanë vlerësuar si shenjë pozitive përfshirjen e projektit në planifikimet buxhetore të Qeverisë, por thonë se mjetet e parapara nuk janë të mjaftueshme për realizimin e tij.

“Unaza e Jashtme e Prishtinës është një projekt madhor infrastrukturor, me rëndësi të veçantë jo vetëm për qytetarët e Prishtinës, por edhe për të gjithë Kosovën. Duke pasur parasysh përmasat dhe koston e këtij projekti, është e qartë se vlera e investimit tejkalon buxhetin e planifikuar nga Ministria për vitin 2027. Për realizimin e plotë të tij nevojitet një mbështetje më e gjerë financiare, përfshirë mundësinë e financimit përmes kredive dhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, marrëveshje e cila ende nuk është konkretizuar”, thotë Zyhrije Pllana, drejtoreshë e investimeve kapitale.

Në anën tjetër, nga opozita në Prishtinë thonë se për Unazën e Jashtme është folur vazhdimisht gjatë qeverisjes së Përparim Ramës, por se Komuna nuk e kishte përfshirë projektin në buxhetet e viteve paraprake.

“Qe 5 vite në qeverisje z. Rama e ka përmendur Unazën e Jashtme të qytetit, por asnjëherë nuk e ka vendosur si pjesë të buxhetit për vitet në të cilat ka qeverisur. Tani e kemi parë që Qeveria e ka futur në projektbuxhet. Janë të ndara për vitin e parë 1 milion, vitin e dytë më duket 13 milionë dhe vitin e tretë 50 milionë. Tashmë është e qartë se Unaza e Jashtme do të bëhet me buxhet të Republikës së Kosovës. Uroj që Komuna ta bëjë pjesën e vet për shpronësimin e pronave”, thotë Gëzim Sveçla, asamblist i LVV-së.

Kritika ndaj qeverisjes komunale ngre edhe Bekim Salihu nga Instituti GAP. Ai thotë se në Komunën e Prishtinës ka mungesë të planeve konkrete urbane.

“Po flasim për mangësi serioze që i ka Komuna e Prishtinës për hartimin dhe finalizimin e planeve konkrete urbane, të cilat i mundësojnë zhvillim dhe qartësi në lidhje me atë se çfarë planifikohet”, thotë Bekim Salihu, nga Instituti GAP.

Unaza e Jashtme e Prishtinës, e planifikuar të ketë gjatësi prej rreth 23 kilometrash, synon të krijojë një lidhje alternative rrugore përreth kryeqytetit dhe të lehtësojë trafikun, duke u mundësuar automjeteve të qarkullojnë pa pasur nevojë të kalojnë nëpër qendrën e qytetit.

 

Burimi: RTKLive