Nga fëmijëria e shënuar nga përndjekjet dhe shpërnguljet, te takimet me personalitete botërore, tragjeditë e luftës dhe sakrificat personale, një rrëfim për gazetarin që dëshmoi historinë, u përball me dilemat e profesionit dhe nuk deshi kurrë të bëhej heroi i ngjarjeve që raportoi
Intervistoi: Xheladin Rexhepi
Në banesën modeste të Ulpianës, mes librave, gazetave dhe makinës së shkrimit, Nehat Islami e kaloi jetën pa e ndjekur dëshirën për të ndërtuar shtëpi. “S’bëra shtëpi, mbeta vetëm gazetar!”, thotë ai. Pas kësaj përgjigjeje qëndron një rrugëtim i gjatë profesional, me reportazhe nga Kosova, dëshmi nga lufta në Liban dhe takime që lanë gjurmë në kujtesën e gazetarisë shqiptare.
I lindur më 18 tetor 1943 në Ferizaj dhe i rritur në Prishtinë, ai e njohu herët peshën e historisë familjare. I ati, Sahiti, kishte mbijetuar si foshnjë masakrën e vitit 1912 në Grackë të Vjetër dhe më vonë ishte burgosur. Nëna, Zekija, vdiq gjatë një vizite te familja në Turqi. Në rrëfimin e tij, fëmijëria përshkohet nga kujtimet e shpërnguljeve të shqiptarëve dhe të një lagjeje që zbrazej dalëngadalë.
Ndonëse diplomoi për drejtësi në Zagreb, më 1966 filloi punën si gazetar në “Rilindje”. Më pas realizoi, sipas kujtesës së tij, rreth 400 dokumentarë televizivë për jetën, arsimin, shëndetësinë dhe historinë e Kosovës. Rrugëtimet e çuan edhe përtej kufijve: intervistoi Zhak Preverin, Eqrem Çabejn, Jaser Arafatin, Nënën Tereze dhe personalitete të tjera, por u kushtoi vëmendje edhe njerëzve të zakonshëm, historitë e të cilëve rrallë arrinin në faqet e gazetave.
Në vitin 1974 u nis në Lindjen e Mesme si korrespondent i “Rilindjes”, pa e ditur se do të përfshihej në luftën civile të Libanit. Në Bejrut raportoi mes plumbave, hyri në kampe refugjatësh dhe humbi kolegë me të cilët kishte ndarë ditët e punës. Nga udhëtimet në vendet arabe solli edhe dëshmi të rralla për shqiptarët e larguar nga atdheu, mes tyre historinë e një njeriu që fliste shqip me një pemë hurme për të mos e harruar gjuhën e nënës.
Në vitet e represionit serb në Kosovë, Nehat Islami u angazhua në dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe përcjelljen e dëshmive në institucionet ndërkombëtare. Gjatë qëndrimit në Gjenevë, siç rrëfen, shiti edhe unazën e martesës për të përballuar shpenzimet e jetesës. Luftën e viteve 1998–1999 dhe çlirimin e Kosovës i përjetoi në Prishtinë. Më vonë, një pjesë të punës së tij ia kushtoi etikës dhe përgjegjësisë së medias.
Përtej ngjarjeve historike, kjo është edhe historia e një njeriu: raporti me prindërit, dashuria për familjen, humbja e miqve, frika përballë vdekjes, takimet me personalitete të rralla dhe kujtimet që nuk shuhen. Ai këmbëngul se gazetari duhet të jetë dëshmitar i ngjarjes, jo heroi i saj. Në fund të bisedës, edhe përgjigjet më të shkurtra zbulojnë diçka thelbësore për botëkuptimin e tij.
Monografia ime “Jeta me laps”, botuar nga Botimet “Drini”, është fryt i më shumë se tre vjetëve bashkëbisedime dhe përmban 462 pyetje e po aq përgjigje. Këtu paraqiten 60 prej tyre, të përzgjedhura dhe të renditura tematikisht, me përgjigjet autentike të Nehat Islamit. Nuk është një intervistë e re, por një pjesë e këtij rrëfimi të gjerë, që meriton hapësirën e vet pavarësisht gjatësisë.
“S’bëra shtëpi, mbeta vetëm gazetar”
Më kujtohet kur ju pyeta përse, pas kaq shumë vjetësh në gazetari, nuk ndërtuat një shtëpi, ndonëse kishit mundësi. U përgjigjët: “S’bëra shtëpi, mbeta vetëm gazetar!”. Çfarë nënkupton kjo?
Në kohën kur kam punuar në redaksinë shqipe të televizionit në Beograd, por edhe në gazetën “Rilindja”, njerëzit, ata të aparatit shtetëror, gëzonin privilegje të ndryshme. Ishte një periudhë e zhvillimit të hovshëm ekonomiko-shoqëror të Kosovës. Institucionet shtetërore kujdeseshin për kuadrot e reja, duke u siguruar kushte sa më të mira banimi. “Rilindja” punëtorëve të saj, sidomos gazetarëve, u ndante banesa, por njëkohësisht u siguronte edhe kredi “të buta”, me kushte shumë të mira, për ndërtim të shtëpive. Disa nga kolegët e mi më të zotët, edhe i kanë shfrytëzuar këto mundësi. Më duket kam qenë ndër të rrallët që nuk kam lakmuar të ndërtoj shtëpi. Gazetaria më merrte shumë kohë. Përtoja që njëkohësisht të merresha edhe me tulla me gëlqere, me mjeshtër, lëndë e tjegulla. Kështu e ashtu! Jetën e kam kaluar në këtë banesë modeste në lagjen “Ulpiana”, duke qenë rehat, me laps, notes e makinë shkrimi. Mes librash e gazetash. Kur i kujtoj këto, them kam vepruar drejt, ngase do të humbja shumë në gazetari. Kanë pasur të drejtë edhe ata që kanë ndërtuar shtëpi, sepse ashtu e kanë pasur interesin e vet. Unë nuk e kam parë atë interes për truall, tulla, beton e ndërtim. U bëra vetëm gazetar!
Xheladin Rexhepi gjatë bashkëbisedimit me Nehat Islamin
Filluat me punë në “Rilindje”, jurist apo gazetar?
U ktheva për punë si jurist dhe ditën e parë fillova si gazetar. Shefat më thanë ke për detyrë që me çantë në shpinë, laps e notes, të nisesh në terren si reporter. Më kujtohet ka qenë data e një korrikut 1966. Atë ditë ndjehesha paksa i lodhur, i pagjumë, sepse ajo Nata në Prishtinë qe bërë Ditë. Lajmi mori dhenë nga Plenumi i Brioneve: “Ra Aleksandër Rankoviqi, jehonin radiot, shkruanin gazetat”, “Tito e rrëzoi Rankoviqin”, qenë lajmet kryesore. Ishte ky një sihariq i jashtëzakonshëm për shqiptarët, kudo që ndodheshin. Ngjarje e befasishëme dhe tepër e gëzuar. Për shqiptarët filloi një Epokë e Re, dhe jo vetëm për ta. Ajo natë ka qenë e Shenjtë për ne shqiptarët. Brenda natës ndodhi ndryshimi kolosal. U përmbys një njeri shumë i poshtër dhe kriminel ndaj shqiptarëve. Filloi të shihet drita në fund të tunelit edhe për shqiptarët e përvuajtur. Për rreth dy muaj pritëm se çfarë do të jetë reagimi i Beogradit. Rankoviqi u varros për së “gjalli”. Redaktori i “Rilindjes”, Haki Hoxha më ngarkoi me detyra, si edhe disa kolegëtë tjerë, gjithashtu të rinj, të shkonim në terren dhe të raportonim për deformimet e Shërbimit Sekret të Brendshëm, siç njihej në popull UDB-a. M’u caktua rajoni i Suharekës.
Si shkoi dita e parë e punës si gazetar i “Rilindjes”?
Redaksia e “Rilindjes” sapo kaloi situatën e pritjes. Gazetarëve iu ndanë detyrat, duke i shpërndarë ata në të gjitha rajonet e Kosovës. Kanë qenë redaktorët: Masar Murtezai, Vehap Shita, Haki Hoxha, Mustafa Shala, Fadil Bujari, Gjon Shiroka e të tjerë. Ata na porositën fillimisht të regjistronim opinionet e njerëzve, të të gjitha shtresave dhe profesioneve. Ata që ishin viktima të UDBsë. Ndonëse mediet më tepër ndiqnin se çka po ngjet në Beograd. Drama e thyerjeve të mëdha zhvillohej në Beograd, ndërsa në komitetet e LKJ-së nëpër komuna filluan debatet rreth deformimeve të UDB-së, rreth asaj se çfarë kanë qenë pasojat e represionit rankoviqist, me theks ndaj shqiptarëve, në qytete e në fshatra. Partia filloi të bënte pastrimin e kuadrove të sigurimit shtetëror (UDB-së). E përditshmja “Rilindja” shtoi dhjetë faqe plus, të cilat për çdo ditë mbusheshin me shkrime nga gazetarët që raportonin nga mbarë Kosova. Tirazhi i gazetës dhe lexueshmëria e saj u rrit qind për qind. Unë ndiqja mbledhjet e komitetit të partisë në komunën e Suharekës, të Prishtinës, të Pejës… Gazetarët e “Rilindjes” raportonin me emra dhe mbiemra kriminelët e UDB-së, të cilët kishin keqtrajtuar shqiptarët deri në mbytje me torturë. Laheshin hesapet me mbeturinat e Rankoviqit. Nuk ishte punë e lehtë, sepse udbashët përpiqeshin t’i fshihnin krimet, duke u arsyetuar se “kështu, vetëm e kanë zbatuar ligjin”.
Gazetarë të “Rilindjes”: Ibrahim Kadriu, Nehat Islami, Dedë Berisha, Jusuf Buxhovi dhe Zenun Çelaj
Sikur të kthehej së prapthi koha, a do të zgjidhnit sërish profesionin e gazetarit?
Po, po, gjithsesi do ta zgjedhja profesionin e gazetarisë për shumë arsye: Të jesh gazetar në këtë kohë, mundësitë dhe kushtet për suksese profesionale janë shumëfish më të mëdha. Mundësitë për t’u zhvilluar e për t’u kompletuar s’kanë qenë asnjëherë si sot. Kuptohet, nëse punon dhe ëndërron të jesh një gazetar i vërtetë, i përkushtuar. E para, mundësitë e shkollimit përkatës, sprovimit praktik, mësimit të gjuhëve të huaja në Kosovën e pasluftës janë të hapura. Mundësitë teknologjike e digjitale janë avancuar, si në ëndërr. Hulumton, verifikon, krahason shpejt çdo të dhënë a fakt në kohë të shpejtë. Për shembull, unë kur kam qenë korrespondent i “Rilindjes” në Bejrut, nuk kam pasur as kamerë, as fotoaparat, as telefona satelitorë, madje as diktafon, bile-bile as telefona të zakonshëm. Kuptohet, ishte luftë, luftë civile, lidhjet telefonike vazhdimisht ndërpriteshin, dhe t’i vuaje në ato rrethana në pamundësi alternative për ta dërguar lajmin, artikullin, reportazhin, fotografitë… deri në redaksi. Duhej gjendur krejt rrugë të tjera, kuptohet më të bezdisshme. Do të thotë, mjetet e punës kanë qenë të papërshtatshme për raportim të shpejtë. Sa i lakmoj tash gazetarët që janë të pajisur me kamera, që kanë qasje të drejtpërdrejtë satelitore, telefona të mençur, fotoaparate digjitale, mundësitë për raportime të shpejta dhe cilësore janë të pakrahasueshme me kohën e punës sime. Prandaj, gazetari sot, kudo që ndodhet, shumë më shpejt e bën punën e vet. Këtë ia mundësojnë kushtet teknike, kuptohet edhe shkathtësitë, për të manipuluar me kompjuter. Gjithashtu, mundësitë e ngritjes profesionale janë më të shpejta. Mund të arrish të pajisesh shpejt, përmes internetit, me doracakë, libra gazetarie a literaturë të specializuar për mes një i-padi a laptopi me qasje direkte me krejt libraritë e botës. Të mësosh nga shembujt dhe eksperiencat e avancuara, varësisht nga afiniteti, talenti dhe dashuria ndaj profesionit. Gazetar nuk mund të bëhesh me urdhër, pse je i papunë, apo i motivuar nga ndonjë interes personal. Gazetaria është profesion i vështirë, i fisëm dhe i ndershëm. E sheh punën tënde, e analizon, e korrigjon. Gëzimi dhe zhgënjimi janë ajo çfarë bën vet. Ashtu si dhe impakti dhe efekti në publik. Kuptohet, sfidat dhe vështirësitë edhe sot për gazetarët e përkushtuar mbeten sfilitëse. Gazetari ka për obligim dhe duhet të përpiqet në çdo rrethanë ta respektojë Kodin e Etikës së Gazetarisë, rregullativat ligjoredhe profesionale. Këto janë parakushtet bazike për suksese. Në të kundërtën, duhet braktisur sa më shpejt që është e mundur këtë profesion të shenjtë, që cilësohet si ndërgjegje e publikut.
Nehat Islami gjatë punës si reporter televiziv (1969)
Rrënjët e një fëmijërie mes përndjekjesh dhe shpërnguljesh
T’i kthehemi elementeve tuaja biografike. Cila është vendlindja juaj?
Jam i lindur në qytetin e Ferizajt (1943). Asokohe (Ditët e Shypnisë) babai im punonte si sekretar i Bashkisë së Ferizajt. Kryetar bashkie ka qenë Adem Selimi-Gllavica (personalitet i dalluar intelektual dhe atdhetar), shok i babait tim që nga fëmijëria. Ata bashkë i ndoqën mësimet në shkollën e Llugaxhisë (te daskal Uroshi), bashkë studiuan në Medresenë e Shkupit. Me të mbaruar studimet në Zagreb (1941), me dekret nga Tirana, Adem Selimi-Gllavica emërohet kryebashkiak i Bashkisë së Ferizajt. Ai nuk e harron shokun e vet Sahitin (babai im), e thërret dhe ia beson postin e sekretarit të Bashkisë së Ferizajt. Babai martohet me Zekije Akllapin, ndërsa u vendosën me qira në shtëpinë e Haki Sahitit – Kashtanjevës, të cilin ferizajasit e thërrisnin si Sahit Bioskopi, sepse lëshonte filmat në sallën e kinemasë së këtij qyteti. Shtëpia e Hakiut gjendej në një lagje të vjetër në Ferizaj (tash rruga “Zenel Hajdini”), përderisa objekti i Bashkisë ndodhej përballë Xhamisë së Madhe dhe Kishës Ortodokse, selia e administratës së dikurshme otomane. Kam lindur në shtëpinë e Haki Sahitit (më 18 tetor 1943), kurse motra Merfidja dhe vëllai Agimi kanë lindur në Prishtinë. Sa jemi duke folur për Ferizajn, dua të shtoj edhe diçka që ndërlidhet me biografinë e babait tim, Sahitit. Ai, duke qenë shok i Adem Selimit-Gllavicës dhe dhëndër i Rexhep Akllapit, një oficer i njohur i NDSH-së, burgoset për gjashtë muaj (1945) nga pushteti i atëhershëm komunist dhe burgun e vuan në katin e nëndheshëm të objektit të sotëm të Bibliotekës Publike të Ferizajt.
Babai juaj, Sahiti, thuhet ta ketë pasur një histori tepër interesante dhe me fat në jetë, për çka nuk është treguar asnjëherë deri tash. Koha kërkon të flitet edhe për nuanca dhe të pathëna biografike? Sahit Islami herët kishte mbetur jetim, i rritur në shtëpi të huaja?
Historia e babait tim Sahitit, vërtetë është një tregim i dhimbshëm dhe i parrëfyer asnjëherë deri në fund. Ai ishte i mbijetuar i masakrës së tmerrshme të ushtrisë serbe në fshatin Grackë e Vjetër e Lipjanit. Gjatë tetorit të përgjakshëm (të vitit 1912), ushtria serbe, gjatë marshit të përgjakshëm pushtues nëpër Kosovë, kreu krime të tmerrshme ndaj popullatës së pambrojtur civile. Pas pushtimit të Podujevës dhe të Prishtinës, ushtarët serbë u nisën në drejtim të Ferizajt dhe të Prizrenit. Gjatë kësaj rruge ata vranë e prenë këdo që hasën përpara. Në Grackë të Vjetër të Lipjanit ushtria serbe vrau të gjithë burrat e fshatit, pa kursyer as edhe foshnjat meshkuj. Pasi i dogjën të gjitha shtëpitë, shkatërruan krejt çka gjetën duke frymuar. Gjyshja ime, Fatimja, asokohe nuse e re, po e mbante foshnjën tremuajshe në krah (babanë tim, Sahitin). Duke parë se të gjithë po i vrasin, lokja e heq foshnjën nga krahu dhe e fsheh midis fshisave të gjelbra në kopsht. Fati i saj dhe i tim eti, foshnja nuk kishte lëshuar zë, kështu që ushtarët serbë nuk arritën ta gjejnë dhe ta vrasin. Gjyshja dhe gratë e tjera ikën për në gjini. Pas dytre ditësh nga largimi i ushtrisë serbe, banorët e fshatrave përreth shkojnë për t’i varrosur viktimat e mbetura udhëve dhe arave të Grackës së Vjetër. Një bijë e jona nga fshati Llugaxhi e gjen foshnjën e gjallë. E merr me vete dhe e çon në shtëpinë e saj, në Llugaxhi, po ashtu fshat i komunës së Lipjanit. Sahiti rritet jetim në Llugaxhi. Ditën tragjike të kasaphanës në fshatin Grackë, fati deshi të shpëtonte gjallë nga thikat serbe edhe xhaxhai plak i Sahitit, Hyseni, i cili kishte shkuar për pazar në Prishtinë. Me t’u kthyer në vendlindje, fshatin e gjen shkrumb e hi. Ndërkohë merr vesh se Sahiti i vogël ka shpëtuar dhe është i strehuar te miqtë në Llugaxhi. Shkon me vrap në Llugaxhi, dhe insiston ta marrë me vete foshnjën dhe të nisen për Turqi. Nëna dhe bijat refuzojnë t’ia japin foshnjën me vete kunatit, me bindjet se bebja tremuajshe do të vdiste për ushqim (në krah të xhaxhait) rrugës me tren për Turqi. Sahitit krye motmoti i vdes edhe e ëma. Për të vazhdoi të kujdesej familja Islami e Llugaxhijve. Përderisa fshati Grackë nuk është ribërë më kurrë, mbeti shkret. Tash pas njëqind vjetësh, të vetmet gjurmë të Grackës së dikurshme kanë mbetur disa varre të vjetra, shenja se dikur shqiptarët kanë jetuar këtu. Sahiti në vitit 1926 regjistrohet në shkollën katërklasëshe të fshatit Llugaxhi, të cilën e mbaron me sukses të shkëlqyeshëm, si njëri nga nxënësit më të dalluar. Me ndihmat materiale të fshatarëve arsimdashës të kësaj ane, Sahit Islami, si jetim që ishte, dërgohet në Medresenë e Shkupit, të cilën e mbaroi me sukses, edhe pse si maturant atje arrestohet nga xhandarmëria serbe. Gjatë një bastisjeje të rrufeshme, Sahitit i ishte gjetur një abetare e Shqipërisë. Sahiti me disa shokë abetaret e Shqipërisë i merrnin nga djali i konsullit shqiptar në Shkup, me qëllim që t’i sillnin dhe t’i shpërndanin ilegalisht nëpër Kosovë, ashtu siç kishte vepruar paraprakisht. Sahiti, me shokët e vet, Adem Gllavicën, Razim Coklin e Idriz Ajetin i kishin sjellë deri në Prishtinë, prej nga Riza Strellci, një rapsod i njohur (pjesë e grupit “Drita” nga Arllati i Drenicës, të cilën e drejtonte imami i këtij fshati, bashkëveprimtar i Vesel Pagarushës dhe i Shtjefën Gjeçovit), librat e ndaluar në gjuhën shqipe i shpërndante, me bashkëveprimtarë, nëpër vende dhe familje të besueshme të rajoneve më të largëta të Kosovës. Për shkak të abetareve shqipe, Sahiti u përjashtua nga shkolla në vitin e katërt. Për të mbijetuar financiarisht u shtrëngua të punonte një vit në Monopolin e Duhanit në Prilep. Gjersa erdhi afati për ta kryer shkollën.
U larguat nga Ferizaj, kaluat në Prishtinë, kur dhe pse?
Pas burgosjes së babës në Ferizaj, falë mbështetjes së disa miqve, me qëllim për të humbur gjurmë, u strehuam në Prishtinë, sepse atje në Ferizaj, ashtu-kështu, s’kishim shtëpi tonën, jetonim me qira, sikur edhe në Prishtinë. Të vetëdijshëm se ishim në sy të pushtetit, kështu që babai do ta kishte vështirë të gjente punë në Ferizaj edhe pasi të dilte nga burgu, vendosëm të vijmë në Prishtinë. Babai gjeti punë si arsimtar dhe kështu Prishtina, dalëngadalë, u bë qyteti im i dashur dhe i familjes sime për gjithë jetën. Babai më vonë mbaroi edhe Fakultetin e Historisë në Nish, dhe si arsimtar i diplomuar i historisë punoi deri në vdekje (1968) në shkollat e Prishtinës.
Keni shkëmbyer letra me dajën nga Stambolli?
Familja ime, babai dhe nëna, kanë pasur korrespondenca të rregullta me gjyshin dhe dajat; kuptohet në rrethana të fshehta, përmes miqve të besueshëm që shkonin e ktheheshin nga Stambolli, por porositë e tyre dhe përgjigjet e gjyshit Rexhë përcilleshin si fjalë bese edhe gojarisht mes miqsh. Nëna ime, pas shumë pritjesh, arriti ta merrte pasaportën dhe në vitin 1961 udhëtoi për në Turqi. Atje takoi babanë e saj (Rexhepin) dhe anëtarë të tjerë të familjes. Asokohe nëna ishte vetëm 40 vjeçe, por prej vitesh lëngonte nga sëmundjet. Gjatë asaj vizite në Turqi shëndeti i nënës përkeqësohet dhe ajo vdiq atje. Siç më treguan dajat, nëna Zekije vdiq në spital, në duart e babait të saj (Rexhepit), ndërsa u varros në dhe të huaj, sepse atëherë ishte e pamundur të bartej kufoma nga Turqia në Kosovë.
Prindërit e Nehat Islamitnëna Zekije Akllapi – Islami dhe babai Sahit Islami
Na tregoni pak më tepër për nënën tuaj Zekijen, nënën që rriti dhe edukoi me vështirësi tre fëmijë?
Nëna ime Zekia ka qenë nga fshati Akllap (vajza e Rexhep Akllapit), një atdhetari njohur. Si nënë për mua ka qenë më e mira në botë, siç thotë secili fëmijë për nënën e vet. Edhe unë kështu e kam parafytyruar dhe e kujtoj nënën time, ndonëse ajo vdiq fare e re, në moshën dyzetedyvjeçare. Ndaj kujtimet më të mira për të. Ka qenë shtëpiake shembullore, rrobaqepëse në zë. E mirë në kuzhinë dhe e sjellshme me fëmijë, familje e farefis. Na ka rritur dhe edukuar siç ishte më së miri, mua, vëllanë dhe motrën, për çka i jemi mirënjohës tërë jetën. Ajo vdiq në Turqi. Shkoi ta vizitonte të babanë Rexhepin (Akllapin), që s’e kishte parë prej vitesh, dhe u shua befas larg vendlindjes.
Nehat Islami gjashtëvjeçar (1949); Muharrem Qena – Balada për shokun e klasës që u dëbua në Turqi
E ndjenit ju këtë trysni edhe si fëmijë që ishit?
Po si s’e ndjenim, edhe fort bile. Në sokakun tim të ngushtë dhe me kalldrëm, për çdo ditë shpërnguleshin familjet shqiptare. Shtëpitë prej qerpiçi, ose ia shisnin dikujt për pak para ose i linin të shkreta. Burra e gra mbyllnin portat e oborrit, ndërsa përvaj shëm përshëndeteshin me fqinjët e tjerë. Rituali i shpërnguljes për Turqi u bë i përditshëm në sokakun tonë të ngushtë, duke u bërë skenë e një faji të përgjithshëm të lagjes. Kështu që njerëzit edhe e quanin “Sokaku i Vajit”. Kujtoj se si ne të vegjlit mbështeteshim për duvare të rrezbitura dhe shihnim shqiptarët se si braktisnin vendlindjen nga dhuna e Rankoviqit. Dikujt i jepnin pak para, ndoshta sa për biletat e trenit për familje dhe ndonjë shpenzim gjatë rrugës. Ata një natë më parë u blinin fëmijëve të vet nga një qese najloni me karamele. Bashkëmoshatarët dilnin në rrugë dhe na qerasnin me to neve që mbeteshim edhe ndonjë ditë në Prishtinë. Sa herë që dilte dikush në sokak për të na shpërndarë karamele, e merrnim vesh se edhe një familje tjetër po niset për Turqi. Ndodhte shpesh që bashkëmoshatarët tanë të vegjël dhe familjet e tyre t’i shoqëronim deri te stacioni i trenit. Në ndarje qanin ata, qanim dhe ne. Me ditë të tëra nuk na shkohej as në shkollë, nuk na dilej më as në sokak. Kështu dalëngadalë kjo lagjja jonë ndër më të vjetrat e Prishtinës, jo shumë larg nga Sahatkulla, po mbetej pa banorë shqiptarë. Ndërkohë, shtëpitë e braktisura të shqiptarëve mbusheshin me familje serbe të ardhura nga jugu i Serbisë. E di që familjet tona nuk flisnin fare me ardhacakët, por edhe ata dhe fëmijët e tyre, preferonin të rrinin brenda oborreve dhe nuk dilnin në sokak, pos kur dikush shkonte në punë, apo për t’u furnizuar me gjëra ushqimore. Herët, kur isha fare fëmijë, e kuptova sa vështirë ishte për ne shqiptarët!
Sokaku i vajit në dy pamje
Ju dhe bashkëshortja juaj Batua keni tre fëmijë dhe nipa e mbesa. Ku jetojnë sot dhe me çfarë merren fëmijët tuaj?
Me bashkëshorten time, Baton, i kemi tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Njomëza dhe Mrika janë në Amerikë, punojnë atje. Njomëza është mjeke, Mrika ka një punëtori makijazhi, djali Dardani, prej vitesh me familje jeton në kryeqytetin e Anglisë, në Londër. Mbesa dhe nipa i kam gjithsej gjashtë.
Stand Up televiziv i Nehat Islamit para se të niset për terren (1969)
Dokumentarët që nxorën në dritë jetën e Kosovës
Gjatë gjashtë vjetëve në Redaksinë Shqipe të TV Beogradit, sa dokumentarë televizivë realizuat në Kosovë, ndër të tjera me regjisorin Ekrem Kryeziu?
Nuk i kemi numëruar sa janë gjithsej, por kujtoj numri sillet rreth shifrës katërqind. Mund të jenë më shumë ose më pak. Fatmirësisht këto dokumentarë të realizuar në shirita filmikë 16 mm janë ruajtur dhe gjenden në ambientet e Arkivit Shtetëror të Kosovës. Këto asete të Kosovës nuk janë shkatërruar gjatë luftës së fundit, ndërsa paraqesin vlera të paçmueshme të trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës. Një pjesë të këtyre dokumentarëve, për dhjetë vjet, vazhdon t’i ritransmetojë RTK-ja, në emisionin “Arkivi” me debate plotësuese të mysafirëve të caktuar. Ndonëse kam informata që shumë nga këto filma ende nuk janë digjitalizuar, për mungesë të fondeve financiare.
Redaksia e parë shqipe e TV Beogradit (1967)
Gjatë vitit 1969, ju kishit realizuar dokumentarin rreth analfabetizmit në Kosovë. Më kujtohet se si një autoritet politik (serb), i intervistuar në terren, i cili qe shprehur se Kosova është “nëna e vakive”, mijëra fëmijë nuk e vijojnë shkollimin fillor, ndërsa në anën tjetër qindra mësues të kualifikuar vazhdojnë të jenë pa punë. Si i shpjegoni tash këto fakte të nënvizuara?
Për ta xhiruar një dokumentar, duhej kaluar vështirësi të theksuara. Shembull, ai për analfabetizmin në Kosovë. Kam shtegtuar nga fshati Belle i Deçanit deri te Kokajt e Malësisë së Gjilanit. Të shkruash një reportazh në gazetë, përmes përshkrimit me fjalë të zgjedhura, edhe arrin ta tërheqësh emocionin e lexuesit, për një ngjarje a fenomen të caktuar. Kjo nuk ndodh me shkrimin për televizion, prandaj raportimi vizuel kërkon mund të madh. Shpesh mbetesh pykë, siç thuhet, në tavolinën e montazhit, vetëm për një kuadër asnjënës, apo fotografi tipizuese, “arnime” të domosdoshme. Dokumentari kërkon invencion dhe strukturë kuptimore, informacione të verifikuara, fotografi dhe vendngjarje shenjëzuese. Vetëm një fakt po e nënvizoj. M’u desh të pres disa ditë për t’i xhiruar punëtorët e një kombinati ndërtimor në Prishtinë, derisa ata në rreshta të gjatë prisnin t’i merrnin pagat mujore. Kur pjesa dërmuese e tyre, në vend të nënshkrimit, ngjyenin me bojë gishtat dhe vulosnin dëshmitë në letra, se i morën lekët. Kjo pamje televizive ishte pasqyrimi më besnik i së vërtetës rreth shkallës enorme të analfabetizmit në Kosovë. Gjendja ndër shqiptarët e Kosovës, ku ta prekësh, ka qenë pus. U desh të kalonte shumë kohë të kishim mjekët, inxhinierët, profesorët tanë. Hapja e Universitetit të Prishtinës (1970) ka qenë ngjarje e paharrueshme.
Një nga dokumentarët tuaj tregonte për Rakinicën, fshatin që kërkonte “nxënës hua” për të hapur shkollën. Çfarë ndryshoi pas transmetimit?
Fëmijët e Rakinicës udhëtonin me kilometra dhe orë të tëra nëpër shi dhe borë për të arritur në shkollën e fshatit më të afërm në Orllan, ndonëse prindërit e tyre me vetëkontribut kishin bërë zgjerimin e objektit të shkollës fillore, por një inspektor i arsimit nuk jepte leje të hapeshin paralele shtesë, me justifikimin se nuk ishin 23 nxënës, ashtu siç e precizonte ligji, por vetëm 21 nxënës. Prindërit dolën të kërkonin hua dy-tre nxënës nëpër fshatra të tjera, që ta hapnin shkollën. Pas emetimit të emisionit dokumentar për nxënësit e Rakinicës, autoritetet e komunës së Podujevës e dënuan me shkarkim nga puna atë inspektorin, ndërsa fshati u bë me shkollë të plotë fillore.
Bashkë me regjisorin Ekrem Kryeziu keni trajtuar portrete historike, ngjarje domethënëse zhvillimore, duke filluar nga hapja e Fakultetit të Mjekësisë, Universitetit të Prishtinës, themelimin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, themelimin e Kosova Filmit, deri te objektet kapitale të infrastrukturës, rrugët, urat, objekte shkollore, kulturore, ndërtim fabrikash, pa harruar edhe problematikat në shëndetësi, si dokumentarët për pasojat e fëmijëve kosovarë nga sëmundja e Fruthit, Kollës së Mirë, Tuberkulozit, sëmundja Variola Vera (Lia) në Kosovë (1972). Ka ndonjë të pathënë për këto tematika të realizuara në një kohë të rëndë për Kosovën?
Ka qenë një vendim i redaksisë, me Masar Murtezain në krye, që pavarësisht mundësive të angazhohemi dhe të punojmë sa më shumë. Të prekim shqetësimet e dhimbshme dhe ëndrrat e shqiptarëve të vonuar në histori. T’i zgjidhim problemet që ko nsideroheshin vështirësi të zhvillimit të përshpejtuar. Mbi të gjitha, të krijonim një vetëdije, se pa shkollim nuk ka mundësi përparimi, me theks të veçantë shkollimin e vajzave. Sepse, ndikimi i televizionit për ndryshime shoqërore ishte shumë i fuqishëm. Këtë dëshironim ta shfrytëzonim. Një reportazh, kronikë e qëlluar televizive ndikonte shumë në opinion. Sidomos kemi ngritur problematika dhe primitivizma, me dokumentarët tanë kemi prekur vëllavrasjen dhe gjakmarrjen, si plagët më të dhembshme shoqërore, fenomen që sillte vazhdimisht tragjedi dhe pamundësi përparimi.
Nehat Islami dhe Ekrem Kryeziu gjatë punës për dokumentarët televizivë (1969)
Dokumentari “Kroi i Martinit” tregonte për dy fshatra shqiptare të ndara nga kufiri, që merrnin ujë nga i njëjti krua. Si ndodhi që xhirimet shkaktuan edhe reagim diplomatik?
Ishte viti 1969, nuk e kujtoj saktë muajin. Kërkova leje nga përgjegjësit e ruajtjes së kufirit me Shqipërinë, që ta realizoja dokumentarin për një fenomen dhe tregim të rrallë jete. Kroi i Martinit ndodhej në tik të kufirit, afër një peme, degët e së cilës në njërën anë lulëzonin në Shqipëri, e në anën tjetër në Jugosllavi. Frutat e saj u takonin si pronësi dy shteteve. Përgjegjës këndej kufirit në Jugosllavi ishte një major shqiptar. Ai pa hezitim na dha leje të xhironim krejt afër kroit. Kur vinin fshatarët e Martinajve me bucela të mbushnin ujë në krua, i shoqëronin nga afër ushtarët shqiptarë, kurse pas largimit të tyre, shkonin të mbushnin ujë banorët e Gorozhubit, nga ana e Kosovës, të shoqëruar po ashtu nga ushtarët jugosllavë. Pikërisht, duke mbushur ujë te kroi banorët e Gorozhubit flisnin me zë të madh, derisa dhjetëra metra matanë ecnin me ujë ngarkuar pala tjetër. Flitej me zë të ngritur, me qëllim që t’i dëgjonin ata të Martijanve, tek ngjiteshin shpatit. “Filani a Fistekja” martohet këtë javë. Filanja shkon nuse javën tjetër në këtë fshat. Filanit i ka lind djalë a vajzë, kurse në filan familjen ka vdekur ky burrë apo kjo grua…“. Kur heshtnin Gorozhubi, matanë nga Shqipëria gratë e Martinajve ia fillonin këngës dhe, përmes tekstit të saj, jepnin mesazhe dhe lajme për krejt ngjarjet e fundit që kishin ndodhur në fshatin përbri. Në këto rrethana të trishta jete shkëmbeheshin informatat lidhur me zhvillimet e jetës së njëri-tjetrit, njerëzve të një gjuhe, të një kombi, të një gjaku. Ata i përkisnin rrënjëve të së njëjtës familje, kushërinj mes veti, që i kishte ndarë pamëshirshëm një gardh i hekurt kufiri. Dhe ata nuk ishin takuar për dekada më. Dyzet vjet po mbushnin ujë në të njëjtin krua, të privuar nga e drejta që t’ia shtrëngojnë duart njëri-tjetrit dhe të përqafohen përmallshëm, siç bëjnë njerëzit e një gjaku. Kur është transmetuar dokumentari te “Shkëndija”, e paskëshin ndjekur edhe njerëzit matanë në Shqipëri. Autoritetet e sigurimit shqiptar e paskëshin veneruar se kamera e Rudolf Sopit kishte kapur pamje të fshatit Martinaj matanë kufirit me gjemba. Për këtë shkak diplomacia shqiptare bën një demarsh ndaj Jugosllavisë, se kamera e “TV Beogradit” ka bërë shkelje, duke marrë pamje në shtetin tjetër, pa leje të autorizuar”, sipas tyre kështu qenka “dhunuar” e shkelur territori shqiptar, pra i një shteti tjetër. Krejt këto ankesa të Shqipërisë m’i ka treguar më vonë ai majori shqiptar i Kosovës, që na pati dhënë leje xhirimi. Sepse kishte qenë në atë komisionin e përbashkët ndërshtetëror për shqyrtimin e problemit. Me kaq mbaroi kjo punë.
Shqipëria përtej kufirit: pamjet dhe dilemat e gazetarit
Keni qenë ndër gazetarët e parë shqiptarë nga Kosova që vizituat me punë Tiranën. Çka e karakterizonte asokohe Shqipërinë si shtet i mbyllur (në vitet e shtatëdhjeta)?
Për herë të parë për Shqipëri kam udhëtuar pasi ekipit televiziv të redaksisë shqipe në Beograd iu dha viza të shoqëronin delegacionin e parë të Universitetit të Prishtinës, i cili shkonte në Tiranë për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit ndëruniversitar. Kjo marrëveshje mundësoi ardhjen e profesorëve eminentë dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës, për ndihmë mësimdhënësve dhe studentëve të Prishtinës. Para meje disa herë në Tiranë kishin udhëtuar kolegët e mi: Veli Vraniqi, Ekrem Kryeziu dhe Ali Llunji. Ata në Tiranë kanë ndjekur e regjistruar ngjarje të rëndësishme kulturore, përfshirë edhe Kongresin e Ilirologëve (1968), Kongresin e Drejtshkrimit, aktivitete sportive dhe të tjera. Akti i nënshkrimit të marrëveshjes ndëruniversitare Tiranë-Prishtinë vërtet ka qenë një ngjarje domethënëse për historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Shfrytëzova rastin që, gjatë atyre dhjetë ditëve sa kisha vizë qëndrimi në Shqipëri, të xhiroja edhe disa reportazhe: për Universitetin e Tiranës, për Vaun e Dejës, disa qytete shqiptare, intervista me artistë, si sopranon e njohur Marije Kraja. Këto xhirime, ndër të parat nga Shqipëria, u pritën me një interesim të jashtëzakonshëm në Kosovë dhe kudo që kishte shqiptarë. Popullatës i bëhej sikur ua sollëm Shqipërinë në Kosovë.
Duke parë nga afër Shqipërinë e viteve ’70, të idealizuar nga shumë shqiptarë të Kosovës, me çfarë realiteti u përballët dhe si e përjetuat?
Jo vetëm ne gazetarët, por edhe studiuesit e albanologjisë, letërsisë, historisë, po ballafaqoheshim me një realitet tjetër. Shihnim se narrativa propagandistike për një Shqipëri siç na e donte zemra nuk ishte e vërtetë. Nuk kishte jetë të lumtur, nuk kishte ekonomi të zhvilluar, nuk kishte brende cilësore që prodhonin shqiptarët. Ne ndodheshim mes kudhrës dhe çekanit. Ta tregonim të vërtetën lakuriqe që e shihnim, i zhgënjejmë njerëzit, që edhe ashtu ishin keq, si të robëruar, përderisa propaganda e UDB-së fliste zi e terr për shqiptarët dhe për Shqipërinë. I paraqiste si vend e njerëz të prapambetur. Njëkohësisht shqiptarët nga jashtë dritën mbështetëse e shihnin përtej Drinit…
Cilët personalitete keni intervistuar në Shqipëri? A ka pasur biseda prapa kamerës apo të vërteta që njerëzit hezitonin t’i shprehnin publikisht?
Njerëzit në Tiranë ruheshin në të folur. Ishin të kujdesshëm, rrethanat duhej kuptuar. Kam intervistuar inxhinierin e shquar, Stafo Bërdha, i cili planifikonte digat e hidrocentraleve. Kam intervistuar disa nga profesorët e Universitetit të Tiranës, mes tyre edhe Çabejn, Kadarenë, pastaj edhe udhëheqës të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Intervista kam bërë me kolegë gazetarë dhe redaktorë të TVSH-së, pikërisht në kohën kur atje ndërtohej objekti i televizionit. Të gjitha muhabetet kanë qenë të ftohta, profesionale. Por, me profesor Çabejn kam pasur një miqësi të veçantë. Në ato rrethana ndërtuam një mirëbesim të ndërsjellë. Atë e njoha për herë të parë në Prishtinë, kur ai ligjëronte në universitetin tonë. Zhvillova një intervistë, të fokusuar kryesisht rreth të arriturave shkencore në fushën e albanologjisë. Jam takuar me të edhe në Insbruk të Austrisë, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së albanologut Robert Jokli, ngjarje që kishte tubuar në një vend gjithë albanologët më të njohur të botës. Profesor Çabej ishte drejtuesi kryesor i simpoziumit. Kosovën e përfaqësonte Rexhep Ismaili. I bëra dy emisione me të dhe intervista me albanologë të tjerë nga bota dhe shqiptarë. Ngjarje kjo madhore për albanologjinë, por që Shqipëria nuk e regjistroi me asnjë lajm të vetëm.
Gjatë intervistës me Zhak Preverin (1974)
Takimi i pazakontë me Zhak Preverin
Një rëndësi të pakapërcyeshme në listën tuaj të dokumentarëve televizivë (që ruhet si një vlerë e veçantë në arkivin filmik të RTP-së), paraqet edhe intervista me bardin e poezisë franceze në Paris, shkrimtarin me vlera botërore, Zhak Prever. Në ç’rrethana ndodhi ky bashkëbisedim?
Kur e kam bërë intervistën me Zhak Preverin, kam qenë gazetar i ri. Isha në vitin e dytë të punës në televizion. Më kujtohet se pata shkuar në Francë për të gjurmuar dosjen e Avni Rrustemit dhe vrasjen e Esad Pashës në Paris. Një ditë shkova në Mortmater, ku gjendej një lokal i njohur (kabare), në të cilin preferonte ta kalonte ditën poeti Zhak Prever. Fatmirësisht shkrimtarin e gjeta në atë ambient dhe pa farë paragjykimi iu ofrova dhe kërkova ta bëja një intervistë me të. Ai filloi të qeshte ngapak me mua, ndërsa më tha se ai e kishte të prerë përgjigjen se nuk preferonte të bisedonte asnjëherë me gazetarë. Ashtu, me atë portretin e tij karakteristik, me llullën e duhanit në gojë, me një buzëqeshje të lehtë më tha: “Pasi qenke i ri, pate guximin të më ofrohesh, dhe i takuake tokës së Skënderbeut, tri ditë do të jesh mysafiri im dhe pyet çka të duash”. Për tre ditë kemi ndejtur bashkë dhe kemi zhvilluar biseda të ndryshme. Ishte një eksperiencë e re edhe për mua kjo bisedë dhe më frymëzoi shumë, sepse Zhak Prever ka qenë aq i thellë, ndërsa shprehjet i dukeshin të rëndomta. E tillë është edhe poezia e Preverit. Ka shkruar thjesht me një domethënie të thellë. Në esencë shkrimet e Zhak Preverit, poezia, dramat, skenarët për film, kritika i ka cilësuar shumëkuptimëshe. Ai dukej se po shkruante për dashurinë, por theksin estetik e kishte krejt kundër luftërave dhe për paqe në botë. Kështu e kupton dhe e do bota. Prever më dha me dedikim librin me poezi “Parole”, ndërsa pos emrit tim dhe nënshkrimit të vet, e vizatoi edhe përkrenaren e Skënderbeut.
Dokumenti i identitetit të Nehat Islamit si korrespondent në Bejrut (1975)
Bejruti: katër vjet mes plumbave dhe humbjeve
Në Bejrut shkuat si korrespondent i “Rilindjes”, por u gjendët në mes të luftës civile. Si e përjetuat këtë ndryshim të papritur të detyrës suaj?
Të kuptohemi, unë nuk shkova në Bejrut që të bëhem reporter lufte, por korrespondent i “Rilindjes” me akreditim për njëzet e dy shtete arabe. Lufta filloi ndërkohë dhe unë u gjenda pa dëshirën time në vendin ku fishkëllenin plumbat nga të gjitha anët. Për këto zhvillime pa hezitim fillova të raportoja në “Rilindje”. Në Bejrut herë pas here i merrja edhe familjen.
Patët mundësi ta braktisnit Libanin e trazuar nga lufta dhe të ktheheshit në Prishtinë?
Po, menjëherë mund të kthehesha në Prishtinë, por nuk e bëra këtë. Punova atje për katër vjet (1974-1978) dhe mirë bëra. Nuk i bie pishman edhe tash. Nga Prishtina në Bejrut rrugën e bëra me veturën time. Udhëtova vetëm. Më duhet të gjeja banesë dhe pastaj të merrja me vete edhe familjen. Shumë gazetarë të huaj ikën me të shpërthyer lufta. Unë mbeta për katër vjet në Bejrut me dëshirën time, pavarësisht rreziqeve të përditshme…
Nehat Islami në Bejrut, gjatë viteve të luftës civile
Ju ishit ndër të parët gazetarë nga bota që arritët të hynit nëpër fishkëllima plumbash në kampin famëkeq Tal-Al-Zatar, ndërsa shpërfaqeshin përmasat e tragjedisë që shkaktoi lufta. Çka patë nga afër?
Tal Al Zatari ka qenë një katastrofë njerëzore (tragjedi), aty njerëzit vriteshin mizorisht, brenda një kampi të rrethuar. Forca falangiste dhe ushtri nga shtetet e tjera, pasi ngrenin rrethoja të hekurta me tela gjemborë, së pari refugjatëve palestinezë: gra, pleq e fëmijë, ua ndalnin furnizimet me ujë dhe ushqime, gjërat elementare dhe bënin sehir. Kushdo që tentonte të dilte nga ai rrethim e vrisnin pa fije mëshire. Si të jetonte njeriu pa bukë e ujë, pa gjërat elementare për jetë? Kjo gjendje nuk zgjaste një ditë apo dy, por me muaj të tërë. Shtetet arabe, që bënin politikë ndërmjet veti, nuk arrinin që ta zhbllokonin situatën, përkundrazi, e vështirësonin gjendjen, duke e bërë të pazgjidhur në aspektin humanitar, për çka angazhohet bota demokratike. Njerëzit brenda rrethojave me tela gjemborë vdisnin nga plumbat, vdisnin nga uria, vdisnin nga etja e sëmundjet virale. Falangat përreth vrisnin pa paralajmërim edhe mjekë dhe aktivistë humanitarë nga bota. Arabia Saudite udhëhiqte politikë të caktuar në raport me refugjatët palestinezë, duke qenë kundër politikës së krerëve të Irakut, të cilët gjithashtu nuk i ndihmonin njerëzit në nevojë. Siria, si shtet i fuqishëm, zhvillonte politikën e vet mbi tragjedinë e palestinezëve, duke qenë dorë e zgjatur, edhe e Rusisë. Siria me ushtarët e vet erdhi si njëfarë çlirimtari, me mijëra trupa, duke rrethuar edhe ata kampin Tal Al Zatar. Sirianët u dëshmuan të njëanshëm dhe pjesëmarrës në këtë dhimbje njerëzore, duke qenë kundër Lëvizjes Çlirimtare Palestineze, kundër palestinezëve. Kundër, sepse ata nuk dëshironin symbylltas të zbatonin çdo urdhër që vinte nga Damasku, nga babai i presidentit të sotëm të Sirisë, Bashar Al Asadit.
Cilat fotografi brenda kampit Tal Al Zatar kanë qenë më të trishta për sytë tuaj?
Kampi Tal Al Zatar ka qenë ferri mbi tokë. Gjithçka që shihja brenda kampit ka qenë e llahtarshme. Por, kanë qenë disa pamje që të linin pa mend. Për shembull, përpjekjet e nënave që deri në frymën e fundit të jetës pa bukë e ujë, mundoheshin t’i mbronin foshnjat e tyre. Pamje të paharrueshme kanë qenë ato, kur nënat kishin vdekur të përlotura dhe foshnjat ua pinin lotët nga etja, ose nëna afër ende ishte gjallë, e palëvizshme nga uria, ndërsa afër qentë ia hanin foshnjën e vdekur, e ajo s’mund t’i largonte. Të vdekurit varroseshin cektë nën dhe, ndërsa kufomat e tyre qentë e uritur i nxirrnin nga varret. Eshtrat e të vdekurve shpërndaheshin nëpër kamp. Kam parë se si qentë e uritur hanin gjymtyrë fëmijësh të vdekur. Kjo ndodhte para syve të shumë prindërve, të cilët s’kishin çka bënin. Kjo ishte tragjedia e këtij kampi me përmasa biblike e Libanit, ndërsa shtetet arabe krejt gjakftohtë luftonin njëri-tjetrin për interesa tepër meskine, dhe banale.
Vendngjarja për juve si gazetar ishte vendi ku fishkëllenin plumbat, që nuk dihej prej nga vinin, vendi ku derdhej gjaku dhe vriteshin njerëz të pafajshëm. Si e përjetonit këtë punë?
Ishte ndjenjë e keqe, sepse e dije kur niseshe për vendngjarje, por kurrë nuk e dije kur dhe a do të ktheheshe më, ashtu siç nuk u kthyen në shtëpitë dhe në familjet e tyre shumë gazetarë, kolegë të mi, me të cilët për çdo ditë raportonim nga lufta civile e Libanit. Më kujtohet një rast, derisa kthehesha nga kryeqyteti i Jordanisë, Amani, ku kishim ndjekur një ngjarje të rëndësishme. Ishim me veturë bashkë me një gazetar tjetër, por në hyrje të Bejrutit, pikërisht te lagjja ku gjendet varri i Pashko Vasës, Hazmije i thonë libanezët asaj mëhalle, rrugës nga ktheheshim përherë, për një moment i dëgjova krismat e plumbave në veturën time. Ishin gjuajtje nga snajperistë të panjohur. Kishim hyrë pa ditur ndërmjet dy fraksioneve që po gjuanin njëri-tjetrin në Bejrut. Pa një pa dy ndërrova marshin e shpejtësisë dhe e mbusha gaz veturën, duke arritur shpejtësinë në 180 kilometra në orë dhe, për fat, i shpëtuam rrezikut të vrasjes. Kur na ndali ushtria në një vend më larg, na tha se kishim qenë me fat se gjatë ditës në këtë rrugë ishin vrarë tetëmbëdhjetë veta.
A të kujtohet sa kolegë tuaj u vranë në luftën civile të Libanit?
Sa kam qenë unë, në Bejrut (sa isha për katër vjet) janë vrarë rreth 30 gazetarë dhe kameramanë. E kam vështirë tash t’i kujtoj me emër e me mbiemër. Ndër ta u vranë edhe dy miq të mi të ngushtë, gazetarë të shquar. Ka qenë Ibrahim Ameri, një gazetar shumë i njohur nga Egjipti, të cilin e gëlltiti flaka që shpërtheu në objektin e gazetës “Al Bajrak”, nga predha e hedhur nga Siria. Ibrahimit i qenë djegur duart dhe sytë. Më kujtohet, kur shkova ta vizitoj në spitalin amerikan në Bejrut, ashtu me sy të zbardhur krejtësisht nga zjarri, më tha: “Nehat, sapo të forcohem pak e të dal nga spitali, prapë do të shkruajmë bashkë”. Ibrahim Ameri vdiq pas dhjetë ditësh. Nuk i mbijetoi plagët e zjarrit. Tjetri ka qenë korrespondent i gazetës “Mond”, Eduard Saab. Ai raportonte edhe për gazetën “24 orë”. U vra, derisa po ecnim bashkë. Më kujtohet, gjithherë më këshillonte të ruhesha nga rreziqet e luftës. Më thoshte: “Nehat, kujdes, se je i ri dhe nuk e di nga të të vijnë plumbat”. Po bisedonim rreth marrëzisë së luftës, kur e qëlloi në trup një plumb, që s’di nga erdhi, dhe ra në tokë i vdekur. U mundova ta ndihmoja, por kot. Saab nuk foli më. gjithë gazetarët e vrarë në këtë luftë janë shpallur Martirë të Libanit. Edhe unë kam mundur lehtë të jem mes tyre. Vetëm fati më ka shpëtuar.
Ju s’frikësoheshit nga vdekja?
Frikësohesha, si s’frikësohesha, sepse edhe unë isha prej mishi e gjaku si të gjithë të tjerët. Por, kur njeriu gjendet në vendin ku vdekja është prezente çdo sekondë, bëhesh edhe ti një me vdekjen. Njeriu mësohej me fatalitetin në ato rrethana lufte dhe gjithçka të duket e ftohtë, bash si vdekja. Po, sikur një fije shprese të mbante gjallë, se ndoshta mua s’më rrok plumbi. Me një ndjenjë dhe shpresë si timen janë ballafaquar edhe gazetarët dhe kameramanët e vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Ia vlente të vdisej për një kauzë lufte që s’ishte jotja?
Asnjëherë dhe për asgjë nuk ia vlen që njeriu të vdesë nga plumbat. Gazetaria është një profesion me rrezik permanent në rrethana të ndryshme, sidomos në fronte lufte. Isha gazetar i ri dhe si i tillë me plot dëshirë që të jetoj dhe që të mësoj më tepër, ndonëse nganjëherë gjërat nuk i peshoja mirë. Mirëpo, vdekja nuk të pyet asnjëherë. Dhe jeta nuk varet prej teje, ti nuk e ke zgjedh të jetosh a të vdesësh. Jeta varet prej rrethanave të shumta. Vdekja të zë në punë, në rrugë, në shtrat, asaj askush nuk i ikën dot. Kjo është pak edhe punë fati. Më kujtohet, ka qenë një librari shumë moderne afër lagjes ku jetoja në Bejrut, e cila shiste botimet më të njohura nga Franca, nga Anglia, nga Amerika. Pronari quhej Antuan. Një ditë e kishte goditur raketa nga njëra palë luftuese. Shkova të shihja pasojat e bombës, përderisa kaloja rrugën. Po e shoh Antuanin, se si nëpër flakë përpiqej t’i shpëtonte librat, të mos i digjeshin të gjitha. Sa mundej i gjuante jashtë. Në trotuar e pash romanin e Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” (frëngjisht). Kopertinat thuaja i ishin djegur. U mundova t’ia qetësoj shpirtin mikut dhe njëkohësisht e pyeta se a mund ta blija librin e shkrimtarit shqiptar, që po digjej. “Jo ta blesh”, tha. “Po ta fali! Libri që digjet nuk shitet. Ta kesh dhuratë timen dhe ta kujtosh gjithmonë atë çka kemi përjetuar në Bejrut në kohë luftë…”. Librin e Kadaresë gjysmë të djegur e kam sjell në Kosovë dhe ende e ruaj…
Gazetari Nehat Islami shpëton nga zjarri “Gjeneralin” e Kadaresë (1975)
A ju ka ndodhur në situata të caktuara gjatë luftës civile në Liban t’i luteshit Zotit?
Po më ka ngjarë. I jam lutur Zotit në momente të vështira. I kam ngritur duart drejt qiellit dhe kam pëshpëritur: “Zot na ndihmo”! Kjo më ka ndodhur bile shumë herë. Ndoshta edhe ka qenë kjo që më ka ndihmuar, sa herë kam mbijetuar duke kaluar nëpër breshëri plumbash dhe kam shpëtuar pa asnjë plagë në trup.
Si i dërgoje nga Bejruti lajmet, artikujt, reportazhet për gazetën “Rilindja”?
I vetmi mjet me të cilin kam shkruar dhe i kam dërguar informacionet e luftës në Prishtinë ka qenë teleprinteri. Ajo lenta e letrës me vrima, sepse gjatë raportimit tim nga Libani nuk kemi pasur mjete të tjera të komunikimit dhe lidhjes me redaksitë. Nuk kemi pasur kamera, as aparatura digjitale, as celularë. Telefoni më shumë nuk punonte sesa që punonte. Ka pasur raste kur në krejt Bejrutin lidhjet telefonike me botën shkëputeshin për muaj. Kishim vetëm një lidhje teleksi.
Dokument akreditimi i Nehat Islamit si korrespondent i “Rilindjes” në Siri
Ju kanë shoqëruar “pamjet e luftës”, keni përjetuar ankthe, gjumë të parehatshëm?
Çdo përvojë në jetën e njeriut lë gjurmë. Ndërkaq përvoja e luftës gravohet keq në shpirtin dhe në psikën e njeriut. Prandaj, ata që kanë pasur fatin e keq të kalojnë nëpër fronte të luftës, këtë “anatemë” të pashkruar, disa janë të dënuar ta bartin me vete tërë jetën. Kam ndrydhur shumë të “pathëna” nga Bejruti, që s’i shpreha kurrë. Të pathëna që do t’i marr si pengje në varr. Fotografitë e fëmijëve, të grave dhe të pleqve palestinezë, të vdekur nga uria dhe etja. Le t’i bartin në ndërgjegje ata që ishin fajtorë. Ata sërish gjejnë forcë në vete të të buzëqeshin. Shkojnë në shtëpi të vet dhe festojnë e kënaqen me familje, madje kremtojnë Bajram e Pashkë… Njeriu është qenie e çuditshme, bën krime dhe mësohet me këto mëkate në vetvete. Në anën tjetër, ti si gazetar bëhesh dëshmitar “i ftohtë” i atyre dramave njerëzore dhe detyrohesh të heshtësh. Shpesh nuk e beson as vet çka të shohin sytë. Refuzon ndoshta për një kohë të caktuar, por jo gjithmonë, sepse për nga natyra je emotiv. Duhet të jemi të qartë, me kohën, secili person vjen duke u bërë më i dobët, më i dhimbshëm, ndonëse i vetëdijshëm se asgjë nuk varej dikur nga ai, në rrethana lufte. Prapë s’ia falë vetvetes atë pjesë të keqe jete. Shkak pse shumë gazetarë nëpër botë kanë bërë vetëvrasje, apo kanë vdekur fare të rinj. Gjurmët e kujtimeve nuk shlyhen derisa të ekzistojë si vetëdije humane. Të përjetosh luftën, më kurrë nuk do të jesh si më parë. Trauma rritet me vite, t’i nuk e sheh, nuk e vëren. Heshtja të ha për së gjalli…
Nuk na treguat historinë e veturës së “plagosur në Bejrut” që e sollët në Prishtinë. Ku treti ai “GOLF 1-shi i luftës”?
Haaaaa haaaa haaaa. Vetura ime e plagosur në Bejrut s’u mbijetoi dot “plagëve” të luftës. Veturën time të dashur, që e solla dhe më solli nga Libani, e hëngri “kanceri” i ndryshkut me kohë në Prishtinë. Golfi im një ditë mbaroi në varrezën e mbeturinave. Nuk e kam ruajtur edhe për faktin se më kujtonte një kohë dhe ngjarje të trishtueshme. Ndoshta për veturën time ka qenë dashur të interesohej dikush tjetër. Institucione përkatëse shteti nuk kishte, që të merreshin me restaurime të eksponateve interesante. U plak vetura dhe shkoi. U plaka dhe unë…
Nehat Islami me veturën Golf të shpuar disa herë nga plumbat (1978)
Personalitetet botërore dhe shqiptarët e harruar në Lindjen e Mesme
Për katër vjet në Bejrut, keni takuar e intervistuar autoritete të shumta libaneze, palestineze, liderë të njohur politikë, figura publike, udhëheqës fetarë, shkrimtarë, artistë, shumë nga të cilët tashmë i takojnë historisë. Çka veçoni nga spektri i këtyre intervistave?
Interesante! Këto autoritete gjithkah i kam takuar në shtetet të ndryshme, nga Lindja e Mesme dhe jo vetëm. Ata nuk kanë hezituar të më japin intervista, të përgjigjen në pyetjet e mia. Për shembull, Jaser Arafat, udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), pavarësisht ngarkesës me përgjegjësi për shkak të rrethanave të luftës dhe lëvizjeve të shumta nga një vend në tjetrin për shkaqe sigurie, më ka pritur sa herë i kam bërë kërkesë. Megjithatë, gjente kohë dhe vullnet për të biseduar me gazetarë. Zhorxh Habashi, kryetar i Partisë Demokratike Palestineze, edhe ai kishte përherë disponim të më priste për intervistë. Me të kam biseduar shumë herë. Ai ka qenë dashamir i madh i shqiptarëve. Gjithmonë më pyeste a po përparon Shqipëria. “Shyqyr, shyqyr“, thoshte. Kam intervistuar edhe liderin e Druzëve, Valid Xhumblatin. Gazetarët e huaj kanë qenë të mirëpritur në Liban, autoritetet atje kishin nevojë të shpreheshin dhe të komunikonin me opinionet e jashtme. Kishin vullnet që në çdo kohë t’i intervistonim rreth temave jo vetëm të aktualitetit.
Nehat Islami mes kolegëve gazetarë në Bejrut
Arafati ju njihte si shqiptar apo jugosllav?
Më njihte mirë, para së gjithash si shqiptar. I pata treguar që në takimin e parë se jam shqiptar. Me Arafatin shpesh bisedonim për shqiptarët dhe të kaluarën e tyre historike tepër të rëndë. Ai i çmonte shqiptarët. Shqipëria e Enver Hoxhës, asokohe, fshehtas trajnonte komandosët palestinezë për luftë guerile. Shqipëria ndihmonte edhe me armatim, kështu që palestinezët ishin mirënjohës ndaj shqiptarëve.
Ju keni pasur fatin që të intervistoni edhe nobelistin e vetëm arab, shkrimtarin Naguib Mahfuz, çfarë u kujton ky personalitet?
Mahfuz është një personalitet i rrallë, i cili ka qenë nismëtari i romanit modern në letrat arabe, ndërsa ishte kronisti më interesant i shekullit të kaluar. Ai arriti që përmes artit të hyjë thellë në jetën dhe sfidat e monarkisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës dhe pasardhësve të tij buzë Nilit, vlerat shumështresore shpirtërore të njerëzve në Kajro dhe përgjithësisht Egjipt. Nobelisti Mahfuz vdiq në moshën 96-vjeçare, duke lënë pas vetes mbi pesëdhjetë romane dhe dhjetëra skenarë filmash. Gati të gjitha këto shkrime janë të ndërlidhura me Kajron, qytetin-shtet të botës arabe, ku edhe u shkrepën xixat e para të nacionalizmit arab, ndonëse e udhëhoqën shqiptarët për rreth një shekull e gjysmë. Pasi kreu filozofinë në universitetin “Fuadi i Parë”, shkroi Trilogjinë e Kajros, opus ky që e bëri shkrimtar të famshëm jo vetëm në botën arabe, por e afirmoi edhe në botë….
Nehati me familje në Bejrut (1975)
Përkundër vështirësive të shumta gjatë punës për shkak të luftës civile në Liban, ju megjithatë arritët që për gazetën “Rilindja” të përgatitnit e botonit (pas hulumti meve të shumta) disa fejtone për disa nga personalitetet e përveçme shqiptare, që ndër shekuj vepruan në shtetet e Lindjes e Mesme, siç ishin ato për Vaso Pashë Shkodranin, Filip Shirokën, dinastinë e mbretërve të Egjiptit, Ibrahim Pashën, arnautët e Sirisë?
Ka qenë një punë mjaft e lodhshme. Gjatë tërë ditës raportoja nga frontet e luftës, ndërsa në mbrëmje me të arritur në banesë, duhej shfletuar dokumente arkivore të filmuara, referenca të ndryshme, rezultatet e hulumtimeve personale për histori të ndryshme shqiptare të lidhura me Lindjen e Mesme, siç ishte Mehmet Ali Pasha, dhe të tjera. Kryesisht kam shfrytëzuar disa periudha më të qeta, ndërmjet luftimeve. Shfrytëzoja njëkohësisht kohën edhe për hulumtime të reja arkivore në Bejrut. Dosja arkivore e Vaso Pashë Shkodranit në Bejrut ka qenë voluminoze, për faktin se ai për shumë vjet shërbeu si guvernator i Libanit, ndërsa i ka sjell shumë të mira atij shteti. Dokumentet flisnin se ai ka filluar me gazetën e parë në Liban, ka ndërtuar shumë objekte për nevojat e qeverisë dhe të institucioneve shtetërore. Ka ngritur infrastrukturën shëndetësore. Ka ndërtuar urat kryesore në Liban, duke e lidhur këtë vend malor, me pjesë të shkëputura, me qendra të botës. Ka ndërtuar objektin universitar dhe numër të madh të ndërtesave shkollore, ashtu edhe për banim të popullatës. Ka luftuar edhe kolerën në Liban. Ka krijuar aparatin shtetëror me një administratë moderne. Historia dhjetëvjeçare e Vaso Pashë Shkodranit në Liban është e shndritshme, me suksese të shumta. Vaso Pashë Shkodrani ditën punonte për Libanin, natën punonte për Shypninë e tij të zemrës. Gjysmën e pagës së vet që e merrte nga Porta, si guvernator i Libanit, ia dërgonte Komitetit Shqiptar të Stambollit, dedikuar veprimtarisë atdhetare, kryesisht për fondacionin e botimit të librave në gjuhën shqipe.
Nehat Islami shpallet gazetari më i mirë i “Rilindjes” (1976)
Ju keni identifikuar në Liban varrin e Vaso Pashë Shkodranit ashtu si edhe atë të poetit Filip Shiroka. Si ndodhi kjo?
Filip Shiroka ka qenë kushëri i afërt i Vaso Pashë Shkodranit. Vaso Pasha, me t’u emëruar si guvernator i Libanit, mori me vete edhe Filip Shirokën, i cili me profesion ishte inxhinier. Vaso Pasha në Liban ka tërhequr me punë shumë shqiptarë të zotë nga vendlindja. Filip Shiroka ka qenë kryeinxhinieri që ka ndërtuar Portin e njohur të Libanit. Ka ndërtuar hekurudhën Bejrut-Damask. Ka ndërtuar shumë ura në Liban dhe projekte të tjera jetike të infrastrukturës së këtij shteti. Ne shqiptarët, Filip Shirokën e njohim për shkak të poezive të bukura që ia ka dhënë historisë së letërsisë, duke e cilësuar me epitetin “Poeti i Mërgimit”, por në Liban ka lënë emër si ndërtues i infrastrukturës bazike të këtij shteti. Prandaj, kujtimi dhe kontributi i tij është i paharruar ndër libanezët.
Një herë më patët treguar për një shqiptar që fliste me hurmën në bahçe?
Mirë që nuk e paske harruar. Rasti ka qenë në Arabi Saudite. Shkova të ndiqja një konferencë të rëndësishme dhe një ditë dola në një fshat. Aty takova një shqiptar me prejardhje nga Peja. Ishte shumë i moshuar. Më tregoi se gruaja i kishte vdekur kaherë, fëmijë nuk kishte pasur dhe më s’ishte martuar. Po jetonte prej dekadash si i vetëm në fshat ndërmjet arabëve. Kur e pyeta se si kishte arritur të mos e harronte gjuhën shqipe në ato rrethana vetmie, plaku më tregoi diçka tepër interesante, storie e denjë për skenar filmi. Shqiptari refugjat i migruar në Arabi nga dhuna serbe, në fund të oborrit kishte mbjell një hurmë, dhe tri herë në ditë, më tha se dilte e fliste me të në shqip, sikur me motrën. Në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje. “Me hurmën bajmë muhabet vetëm në gjuhën e nanës dhe babës tim. Në gjuhën e vëllait dhe motrës. Hurmës ia tregoja hallet e mija dhe herë-herë ndalesha dhe më dukej se edhe hurma më përgjigjej e mërzitur shumë nga ajo që dëgjonte nga unë. Më duket se më përgjigjej. Ka ndodhur që kam qajtur me orë pranë hurmës, duke folur vetmevete. M’bëhej se edhe asaj i lageshin gjethet nga lotët. Vazhdoj ta bëj këtë muhabet me hurmën edhe tash çdo ditë. Hurma ka bërë që unë tash e shtatëdhjetë vjet të mos e harroj gjuhën e nanës time. I vetëdijshëm se eshtrat do t’më treten larg atdheut tim, që e kujtoj me mall dhe s’e harroj asnjëherë Kosovën derisa të jem gjallë. S’do t’i harroj edhe varret e t’parëve të mi. Hurma herë më bahet si fytyra e nanës, herë si fytyra e babës, sytë e jeshiltë të vëllait, shpeshherë si faqet e kuqe të motrës, të ujshme nga rigat e lotëve”.
Shqiptarët e Arabisë, sa dhe si e kujtonin Kosovën?
Në Siri kam intervistuar poetë dhe artistë që mbanin mbiemrin Arnauti dhe krenoheshin me prejardhjen nga Kosova, por takimin me një shqiptar të Sirisë nuk e harroj dot. Po udhëtoja me tren në relacionin Damask-Arabi Saudite, përmes hekurudhës së Hixhadit. Makinistët që drejtonin lokomotivën ndërroheshin shpesh. Përderisa njëri nga ta po çlodhej pak, filloi të bënte muhabet me mua. Pasi u prezantova, edhe ai më tregoi se ishte shqiptar. Si fëmijë tetëvjeçar ushtria serbe e kishin dëbuar dhunshëm me familje nga fshati Dobërllukë i Mitrovicës. Kur e zuri në gojë Kosovën, u kaplua nga emocionet. Më tha se asnjëherë nuk e harronte vendlindjen, Dobërllukën. I ishte fiksuar në mendje momenti kur për herë të fundit kishte dalë nga oborri i shtëpisë. Nëna e tij e kishte mbushur një bohçe me molla nga oborri, t’i merrte me vete dhe t’i hanin gjatë rrugës. I ofrohet një ushtar dhe e urdhëron që mollët t’i zbrazë nga bohçja në tokë. “Krejt jetën e kam kaluar larg vendlindjes, pa u kthye asnjëherë atje. Jemi tretur me familje nëpër vende të ndryshme të Arabisë, por aromën e mollëve nga oborri im e ndjej edhe sot. Ishte një erë molle aq e mirë sa s’e kam harruar asnjëherë. Era e mollëve të mia mbeti në duart e ushtarit serb”, më tha arnauti plak derisa lotët i rridhnin faqeve.
Nënën Tereze e takuat në Kosovë? Si ndodhi takimi?
Po, në qershorin e vitit 1980. Të takosh Nënën Tereze, një personalitet tepër i veçantë në botë, ishte fat i madh në jetë, sidomos për çdo shqiptar. Unë Nënën Tereze e takova vetëm pak muaj pasi ajo u shpall laureate e Çmimit Nobel për Paqe, kur ajo erdhi në Prishtinë. Kjo ishte vizita e saj e tretë në Kosovë. Populli i Kosovës nuk kishte përjetuar gëzim më të madh viteve të fundit, andaj i madh e i vogël dëshironin ta pritnin, t’ia puthnin dorën dhe ta përgëzonin për Çmimin Nobel, që na bëri shumë krenarë dhe për aq shumë bamirësi të saj. Nënë Tereza vizitoi shumë vende të Kosovës, duke i bekuar njerëzit dhe tokën, kurse më 28 korrik 1980, Ekzekutivi i Kosovës mori vendim që ta ftojë Nënën tonë të Madhe për vizitë në Prishtinë, ku iu organizua një pritje shumë e përzemërt. U vendos që dr. Mehmet Begraca, sekretar për Shëndetësi, dhe unë të shkonim në Letnicë dhe ta shoqërojmë për në kryeqytet. Kur arritëm në Letnicë, Nënën Tereze e gjetëm në takim me shumë vendas dhe shqiptarë të ardhur për ta përshëndetur nga shumë anë të Kosovës. Takimi i Nënë Terezës me ekzekutivin e Kosovës u zhvillua asaj mbrëmjeje në objektin e Kuvendit të atëhershëm, ku ishin prezentë kryeministri Bahri Oruçi, nënkryetari Pajazit Nushi, anëtarë të tjerë të ekzekutivit, përfaqësues të Parlamentit etj. Më kujtohet, një atmosferë shumë e ngrohtë që u krijua që nga ardhja e saj dhe zgjati mbi një orë. Ishin përgatitur edhe disa dhurata. Ato, Shenjtorja e ardhshme Terezë, i mori, por tha se do t’i shiste në Indi për të blerë qumësht e ushqime të tjera për të varfrit e të sëmurët.
Nehat Islami me Nënën Tereze në Kosovë (1980)
“Rilindja”, represioni dhe përpjekjet për Kosovën
Pas tre ditësh (5 korrik 1990) Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), forcat policore serbe ia vunë drynin, punëtorët shqiptarë u dëbuan nga objekti, transmetimet shqip u ndalën. Pas një muaji u mbyll edhe e përditshmja “Rilindja”. Çfarë kujtoni për ato rrethana?
Pas nmbylljes së RTP-së dhe “Rilindjes” u bë keq, shumë keq. Ndodhi terri i plotë informativ për shqiptarët në Kosovë. Vështirë me ta mbyll derën e shtëpisë, ku ke punuar e je rrit si gazetar. U detyruam t’i marrim ato pak letra dhe shkrime nga tavolinat e punës dhe dolëm dhunshëm. Për ta zbutur këtë gjendje, gazetarët e “Rilindjes” vendosën të dalin për ditë me titullin e një reviste të caktuar, duke e improvizuar si ditore, herë “Shkëndija”, herë “Zëri”, herë “Fjala” e “Bujku”… Por, edhe kjo u ndalua. Vendosëm që gazetën “Bujku”, të vetmen revistë të lejuar, ta nxirrnim për çdo ditë. Si titull, nuk provokonte organet serbe. Kështu, nuk shkuam në Beograd për ta regjistruar sërish. Ndërsa mediet elektronike ishte e pamundur të zëvendësoheshin. Për një kohë Radio Zagrebi jepte pesë minuta lajme në gjuhën shqipe. Dëgjuesit shqiptarë njëzet e katër orë prisnin për t’i dëgjuar lajmet shqip nga Radio-Zagrebi. Nga mijëra kilometra larg, të mësonin për ngjarjet, madje edhe nga ato që ndodhnin brenda lagjeve të tyre. Derisa u arrit që Televizioni Shqiptar (TVSH), përmes satelitit, të transmetonte ditarin special në mbrëmje me ngjarjet nga Kosova, duke zbutur mbase pak gjendjen e informimit edhe në Kosovë. Në çatitë e shtëpive shqiptare kudo shiheshin antenat (saçet) satelitore, për t’i dëgjuar lajmet e TVSHsë në mbrëmje, por edhe nga agjencitë dhe televizionet e njohura nga Evropa dhe Amerika. Më kujtohet se antenat satelitore kushtonin mbi 200 marka gjermane. Familjet shqiptare jetonin në varfëri ekstreme, por dosido gjenin mundësi të blinin antenat për ta ndjekur TVSH-në, si një dritare shprese. Këto ditë, derisa po kaloja nëpër rrugën B të Prishtinës, në kulmin e një shtëpie pash një antenë të ndryshkur satelitore, të mbetur prej vitesh. Thashë: “O Zot, pse nuk ua bëjmë këtyre (saçeve) një përmendore, për të kujtuar ndër gjenerata se si e kemi mbijetuar terrin e plotë informativ, në ditët më të vështira për Kosovën”!
Pse u botua me tri ditë vonesë lajmi për shpalljen e Kushtetutës në Kaçanik më 7 shtator 1990?
Kjo ndodhi me marrëveshje të delegatëve, sepse lajmi nuk duhej transmetuar derisa ata të largoheshin nga Kosova dhe të shkonin në Slloveni, sepse pritej të arrestoheshin, dhe kështu të ndërpritej aktiviteti i mëtutjeshëm. Në vendngjarje ishte gazetari Zenun Çelaj dhe fotoreporteri Enver Bylykbashi që raportuan pas tre ditësh. Së pari lajmi është transmetuar përmes një gazete italiane. E etshme për dhunë, tashmë Serbia nuk zgjidhte mjete për t’i pastruar punët me shqiptarët autoktonë. Prandaj, për të vepruar e lirë dhe për t’ia mbyllur sytë publikut në vend dhe në botë, ndaloi çdo mjet informimi për shqiptarët. Në vend të mediave fjalën tani e kishin policia dhe sigurimi shtetëror (UDB). Ishte koha kur u rrënua Muri i Berlinit, ndërsa Beogradi dëshironte të forconte mure të reja.
Greva e urisë së gazetarëve, kur dhe pse ndodhi, sa ka zgjatur dhe kush ishin pjesëmarrësit?
Greva e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë u zhvillua nga 24 maj deri më 3 qershor 1993. Grevën e filloi Adem Demaçi, asokohe kryeredaktor i revistës javore “Zëri”. Grevës menjëherë iu bashkuan Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Bajram Kosumi, Nehat Islami, Idriz Ulaj, Halil Matoshi, Gani Gashi, Blerim Shala, Shaip Beqiri, Milazim Krasniqi, Shpend Vinca, Besim Rexhaj, Abdullah Konushevci, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Safet Zejnullahu, Vezir Ukaj, Shkëlzen Stublla, Muhamet Ahmeti e të tjerë. Greva u mbajt në lokalet e Pallatit të Shtypit, të uzurpuar nga ndërmarrja e dhunshme serbe “Panorama”, e cila kishte marrë për detyrë ta shkatërronte ekonomikisht dhe juridikisht ndërmarrjen botuese “Rilindja”. Drejtori i “Panoramës” kërkonte t’i dorëzoheshin vulat e revistave, si dhe listat e të punësuarve shqiptarë, duke i cilësuar ata si punonjës të ndërmarrjes serbe. Krejt me qëllim që “Panorama” t’i përjashtonte ata nga puna një nga një, me justifikim se ata “nuk po respektojnë rregullat e punës dhe për mosnjohje të shtetit serb”. Ato pak të ardhura që siguronte “Rilindja”, ndërmarrja serbe e instaluar dhunshëm i kishte futur në xhirollogaritë e veta. Këtë gjendje tepër të rëndë dhe të padurueshme gazetarët dhe shkrimtarët shqiptarë u shtrënguan ta kundërshtonin përmes grevës së urisë.
Që në fillim ishit anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (KMDLNJ). Në ç’rrethana u themelua ky asociacion?
Ky këshill u themelua në dhjetor të vitit 1989, në zyrën e avokatit të njohur shqiptar, Jusuf Hakaj, i cili edhe ka qenë nismëtar i punës së këtij asociacioni. Rrethanat e kohës kanë qenë tepër të rënda, sepse regjimi i Beogradit ushtronte një dhunë dhe terror sistematik ndaj shqiptarëve, duke i privuar ata nga çdo e drejtë civile, duke filluar nga puna, organizimi arsimor, kulturor, sportiv, politik. Thënë më troç, shqiptarët nuk e gëzonin të drejtën elementare, atë për jetë. Këtë të drejtë nuk e gëzonin mbi njëqind shqiptarë të vrarë brenda vitit, pa folur për dhjetëra mijëra të tjerë që kalonin nëpër biseda informative të operativistëve të Sigurimit të Brendshëm Shtetëror, arrestimet dhe burgosjet e çdoditshme të intelektualëve, rinisë, madje edhe tinejxherëve me akuza të shpifura dhe të kurdisura nëpër procese të montuara gjyqësore. Pastaj, vrasjet e ushtarëve shqiptarë në Armatën Jugosllave. Dëbimet kolektive nga puna, eksodi masiv i shqiptarëve në drejtim të Evropës.
Cili ka qenë angazhimi juaj konkret?
Unë kam punuar në KMDLNJ deri në çlirimin e Kosovës, duke dhënë kontributin tim modest për një kauzë që kujtoj të ketë qenë e fisme. Puna ime konkrete ka qenë si e shumicës së anëtarëve në këshill, të përpunoj dhe të verifikoj informata dhe t’i përgatis ato siç kërkohej, që të shpërndaheshin sa më shpejt nëpër botë. Mbi të gjitha, parësore për mua ka qenë çështja e informimit të asociacioneve dhe institucioneve botërore për shkeljen e të drejtave elementare njerëzore të shqiptarëve të Kosovës. Kam marrë pjesë në trajtimin dhe në përgatitjen e raporteve që kishin të bënin me çështjen e shkeljes së të drejtave të njeriut, rreth lirisë së shprehjes, shtypjes, ndjekjes së gazetarëve e të tjera.
Gjatë këtij aktiviteti rreth dhjetëvjeçar, a u ka rënë anëtarëve të Këshillit të udhëtonit në shtete jashtë Kosovës, për punë zyrtare. Nëse po, kush ua mbulonte shpenzimet?
Po flas për vete. Unë kam qenë një herë në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë (Departament i OKB-së) të Zvicrës, së bashku me Flaka Surroin. Kemi qëndruar atje për pesëdhjetë ditë. Kemi pasur një donacion në vlerë nga pesëqind euro, që na pati dhënë pronari i një pike të karburanteve në Kosovë. Gjithashtu, biletat na i ka siguruar gratis një agjenci (Mustafa) nga Zvicra. Ndërsa, kemi fjetur e jemi ushqyer në zyrat e ministrit Xhafer Shatri. Tavolinat e punës që i shfrytëzonim gjatë ditës, në mbrëmje i shfrytëzonim si shtretër për të fjetur. U desh që unë një ditë ta shes unazën e martesës për t’i mbuluar shpenzimet për ushqime. Tash po më kujtohet edhe një udhëtim që e kam bërë në Austri, me avokatët Bajram Kelmendi dhe Fazli Balaj. Jemi pritur në Parlamentin Austriak, ndërsa i kemi informuar deputetët e atjeshëm rreth asaj që po ngjante në Kosovë. Në takim asistonin përfaqësues të komisioneve parlamentare, diplomatë dhe përfaqësues të qeverisë, që shpjegimet tona i ndoqën me interesim të theksuar. Ata na shtruan pyetje nga më të ndryshmet dhe ne iu përgjigjëm. Austria, mund të them, ka qenë një përkrahëse dhe mbështetëse shumë e madhe për Kosovën dhe për shqiptarët. Gjithashtu, kam marrë pjesë edhe në një konferencë për të drejtat e njeriut, që qe mbajtur në Moskë. Nga Këshilli përfaqësues kam qenë unë, ndërsa nga LDK ka qenë mjeku, kirurgu i njohur i njohur, Sali Krasniqi. Kemi lobuar shumë për çështjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, që shkeleshin në Kosovë, duke zhvilluar një sërë takimesh me delegacione nga shtete të ndryshme të botës. Kemi shpërndarë materiale, kemi biseduar e shpjeguar të vërtetën tonë, përmes bisedave sy më sy. Kjo konferencë në Moskë pati zgjatur dhjetë ditë (1994).
Cili ishte rezultati i punës suaj në Gjenevë?
Puna jonë pesëdhjetëditore në Gjenevë rezultoi me një Rezolutë të OKB-së për Kosovën. Këto kanë qenë aktet e para zyrtare të OKB-së për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, që realisht ia hapën dyert Kosovës edhe në instancat më të larta botërore të vendosjes.
Kur shpërthyen bombat e NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe, ku ndodheshit ju dhe familja juaj?
Unë kam qëndruar në Kosovë, jo pse kam qenë trim, por pse kam qenë frikacak i madh. Jam frikësuar se në ato rrethana jeta ime është më e rrezikuar në rrugë sesa në shtëpi. Vendosëm me bashkëshorten time të qëndrojmë në banesën tonë në Ulpianë. Pas një kohe, na u bashkua edhe kolegu im Ibrahim Kadriu. Policia serbe e kishte dëbuar nga banesa. Tri herë na kanë hyrë brenda policia serbe. Na ka kontrolluar, kush jemi, sa vjeç jemi, mos kemi armë, mos mbajmë të strehuar refugjatë… dhe iknin…
Si e përjetuat çlirimin e Kosovës?
Me një ndjenjë të papërshkrueshme. Ishim me fat ne të gjallët në Kosovë që përjetuam hyrjen e ushtarëve të NATO-s dhe ushtarëve të UÇK-së. E pash se si iku për gjithmonë çizmja serbe nga Kosova, pas pushtimit 100-vjeçar. Ajo ditë në Prishtinën e dymbëdhjetë qershorit ka qenë diçka madhështore, gjithçka na dukej ëndërr, edhe pse kemi pritur se do të vijë. Ai që nuk ka qëlluar atë ditë në Kosovë, s’ka çka tregon. Mbi kodrën nga fryn Prishtina, erdhi një diell i ri. Nuk ka artist në botë që mund ta pikturojë atë ngjyrë, përzier me copa diamanti, gjaku, dritë paqeje, ndjenjë gëzimi. Kështu dukej çlirimi. Më kujtohet një natë më parë (nata para çlirimit të Prishtinës), nga pjesa veriore e qytetit marshoi papritmas kolona me mjete të blinduara e ushtrisë ruse. Kisha informacion se ushtarë të UÇK-së (Brigada 153 e Zonës Operative të Llapit), i vëzhgonin me shënjestra pushkësh në lagjen Kodra e Trimave, duke qenë në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm. Në këto rrethana edhe ithtarët serbë të Rusisë u befasuan, duke gjuajtur me rafalë pushkësh në ajër. Ndoshta edhe kjo ardhje e rusëve në Prishtinë ishte e fatshme, sepse krijoi një udhëkryq të çuditshëm, kishte rrezik që ushtria dhe policia serbe në ikje të zbatonte planet për vrasje masive të shqiptarëve, ashtu edhe në të kundërtën, shqiptarët të gjuanin pa pardon. Me bindje mashtruese se Rusia do të pengonte me forcë trupat paqësore të NATO-s. Rusët i ngritën çadrat (e përkohshme) te Aeroporti e Prishtinës, përderisa kryeqyteti i Kosovës, Prishtina u shndërrua në “tokën e lirë amerikane” të trupave paqësore me emblemën e NATO-s. Isha i lodhur për gjumë, i sfilitur nga vetmia trishtuese e 78 ditëve të bombardimeve dhe shkëlqimit të thikave serbe. Ashtu dola i vetëm te sheshi afër hotel Grandit. Ishte çudi e madhe prej nga vluan aq shqiptarë, të gëzuar e të lumtur, fëmijë me lule në dorë e brohoritje korale, në pritje të tankeve amerikane, britanike. Nën zhurmën e helikopterëve, tek ateronin në udhëkryqin qendror të Prishtinës (Udhëkryqi afër shkollës “Xhevdet Doda”, tash Katedralja “Shën Tereza” dhe në anën tjetër, ndërtesa e Fakultetit Filozofik). Njerëzit e fshehur nëpër bodrume, tavane shtëpish, duartrokisnin në grupe. Unë u takova me një fotoreporter amerikan, të nesërmen filluam shtegtimin e reporterëve nëpër fshatra e qytete të Kosovës, duke kaluar edhe nëpër Kaçanik deri në Shkup.
A ju kujtohet takimi dhe emocionet pas kthimit në shtëpi të djalit tuaj të vetëm Dardanit, me uniformë të UÇK-së, si pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramadani”?
Nuk di si të shprehem. Dardani dhe shumë çlirimtarë u kthyen në shtëpi me lirinë e Kosovës. Ishte ndjenjë e përzier për mua dhe Baton si prindër, bashkë me vajzat, sepse kishin rënë mijëra dëshmorë dhe martirë për këtë kauzë. Liria e Kosovës u la me gjak të djemve dhe vajzave më të mira nga Kosova dhe gjithë trojet shqiptare. Ai gjak i derdhur për liri ruhet i freskët vetëm në ngjyrën e flamurit.
Gazetaria, e vërteta dhe besimi i publikut
Shpesh nënvizohet një urtësi e moçme, sipas të cilës “e para në luftë vdes e vërteta”. Sa janë të besueshme shkrimet e gazetarëve nga frontet e luftës, sidomos nga konfliktet civile?
Ajo varet nga njerëzit dhe rrethanat. E para, gazetarët, reporterët e luftës, që i pasqyrojnë luftërat, duhet të jenë, para së gjithash, njerëz të ndershëm. E dyta, ata duhet të çmojnë, të respektojnë dhe të zbatojnë me përpikëri etikën e gazetarisë, si profesion ndër më fisnikët në botë. Kur nuk je i sigurt për një të vërtetë, se si ka ndodhur një ngjarje e caktuar, duhet ta potencosh dhe ta paralajmërosh gjithsesi, se si “nuk je i sigurt çka ka ndodhur me saktësi, rreth kësaj që po e thua, por e ke dëgjuar nga të tjerët”. Nëse më vonë gjen fakte mbështetëse që e përgënjeshtrojnë përmbajtjen apo e konfirmojnë atë, e ke për obligim t’ia thuash audiencës. Çka dua të them: nuk është turp të tregosh se nuk ke informatë të besueshme në një moment të caktuar. “Po punojmë, po presim fakte të reja, të mësojmë vërtet çfarë ka ndodhur”. Nuk guxon assesi të deklarosh gjëra të prera sepse ato më vonë mund të rezultojnë si të pavërteta. Gazetarët e vërtetë, gazetarët profesionistë, flas nga përvoja e punës në Bejrut, sidomos anglezët po dhe francezët, ndonëse përpiqeshin të jenë sa më ekskluzivë, gjithnjë paraprakisht ngrisnin dilema, hamendje, rreth të asaj “të vërtete” që e tregonin, duke nënvizuar se kjo nuk është e “vërteta qind për qind”, kjo nuk është “e vërteta absolute”. Do të shohim nesër se cila mund të jetë e vërteta e faktuar. Gazetari asnjëherë nuk bën të ngutet, të rrëmbehet, të jetë emocional. Ata vinin nga shtetet me traditë në gazetari. Gazetaria është shkrim për ngut, ama assesi me gjysmë të vërteta. Raportoje atë që e ke konfirmuar paraprakisht. Gazetari nuk është ai që në një moment duhet të dijë të gjitha informatat rreth një ngjarjeje. Gazetari nuk është ai që e flet fjalën e fundit.
Si njëri nga gazetarët më të përveçëm, përtej gardhiqeve administrative shqiptare, si e vlerësoni stadin e zhvillimit të këtij zanati. Gazetaria vazhdon të jetë sipas interesit publik apo në raste po udhëhiqet nga algoritme të interesave politike, materiale?
Gjithmonë, çdo regjim është përpjekur që gazetarët t’i bëjë për vete sa më shumë. Edhe në kohërat e diktaturave më të egra, diktatorët më të mëdhenj e kanë pasur stafin (tarafin) e gazetarëve të vet. Natyrisht, ata që kanë zgjedhur të jenë të tillë, të trumbetojnë për ta. Por, kur flas për shoqëritë demokratike, gazetarët shpesh tundohen nga interesa partiake. Disa liderë, me metoda të ndryshme, shpesh arrijnë t’i bëjnë për vete disa nga gazetarët, ose me ndonjë ofiq, ose me ndonjë shpërblim apo motiv tjetër. Por, ata që vendosin ta ushtrojnë këtë profesion ashtu siç duhet, duke qenë ndërgjegjja e publikut, janë të vetëdijshëm dhe koshientë se: nëse njëherë e humbin fytyrën para audiencës së vet (dëgjuesit, shikuesit, lexuesit), e kanë humbur besimin përgjithmonë! Kur audienca e konstaton në ndërdijen e vet, se ky apo ai tjetri gazetar janë shitur, po gënjejnë për një arsye a tjetër, është më mirë ta braktisin këtë profesion, të kërkojnë punë tjetër, sepse kredibiliteti i humbur publik nuk rikthehet më kurrë. Gazetari, mbi të gjitha, duhet të ketë parime. Të jetë i vendosur dhe i ditur, i përkushtuar në raport me të vërtetën që i intereson publikun. Gazetari “i shitur” paraqet rrezik në shoqëritë demokratike.
Nehat Islami para objektit të dikurshëm të “Rilindjes” në Prishtinë
Profesorë eminentë të Gazetarisë dhe të Marrëdhënieve Publike, janë të mendimit se opinioni i është nënshtruar një “bombardimi” marramendës me informacionet e ndryshme, shpesh edhe të panevojshme, çka nuk ka qenë praktikë e mëhershme (sa i informuar, aq edhe i painformuar). Prandaj, në këtë “stuhi totale”, e vërteta ndodh të mjegullohet, të mbështillet me tise misteresh propaganduese, me përmbajtje të paverifikuara, shpesh edhe të panënshkruara, me të dhëna joformale, në medie elektronike pa adresë. Në fakt s’ndahet lehtë cili është lajmi i vërtetë nga ai i rrejshmi?
Më kujtohet, në kohën kur unë kam qenë gazetar i ri, Kosova ka pasur një gazetë të përditshme. Kemi pasur Programin e Parë dhe Programin e Dytë të Radio Prishtinës, më vonë edhe TV Prishtina. E vërteta ishte ajo çka shkruante “Rilindja” apo çka transmetonte RTP-ja, ndërsa tash kemi një mal, siç thuhet, mediesh elektronike. Vetëm në Kosovë i ke mbi 600 portale elektronike të regjistruara, s’po i numëroj ato që nuk u dihet adresa dhe gjeografia prej nga vijnë. Kemi shumë radio dhe televizione, shikuesi sikur është stërgoditur nga të gjitha anët nga rrufetë e lajmeve. Ai nuk ka as kohë e as mundësi të vlerësojë e të verifikojë se cili është lajmi i vërtetë dhe cili është lajmi i rrejshëm. Kjo që ndodh me shpërndarjen e stuhishme të lajmeve bën që publiku të dorëzohet në fakt nga ky realitet i paqartë. Shpesh humb edhe aftësia e publikut për të gjykuar çka është e vërteta dhe cila është e pavërteta. Prandaj, në këtë oqean lajmesh, shumë njerëz mbyten nëse nuk e kanë përvetësuar shkathtësinë e “notit” paraprakisht. E për t’u ballafaquar me larushinë e informatave të manipuluara, duhet njohje më e thellë e rrethanave zhvillimore, me burime të verifikuara lokale dhe botërore. Këtë “luks” e kanë pak njerëz. Kështu që, mundësia e manipulimeve me lajme të rrejshme mbetet e madhe me këtë edhe mundësia e abuzimit enorm, me të pavërteta e gjysmë të vërteta. Qytetari i rëndomtë e ka vështirë të formojë një qëndrim të vet, mbi bazën e informatave që merr nga mediet rreth zhvillimeve, kudoqofshin ato. Ndonëse shtetet bëjnë përpjekje të miratojnë dhe të zbatojnë ligje mbrojtëse për interesin e publikut, prapëseprapë lajmet e rrejshme po përhapen gjithandej.
Viteve të fundit në Kosovë afarojnë qindra portale elektronike. Si e vlerësoni punën e tyre?
Kosova është ndër vendet e para në Ballkan që e ka themeluar Këshillin e Medieve të Shkruara, ndërsa janë shqyrtuar me mijëra ankesa dhe është vendosur lidhur me to. Por, ky asociacion ka pasur efekt vetëm sa i përket vetërregullimit etik, nuk ka kompetenca të tjera të vendosjes. Duke vënë në pah gënjeshtrën, shpifjet, me qëllim të krijimit të rregullit, dhe edukimit të gazetarëve që të udhëhiqen në punën e vet, me norma etike. Organe të tjera janë si gjykatat, ato që dënojnë dhe gjobisin materialisht “gabimet” apo lëshimet e gazetareve, me mundësi të caktimit të dëmshpërblimeve për palët e lënduara. Gazetaria e mirëfilltë nënkupton paanshmëri, mundësi që secila palë ta thotë mendimin e vet. Mjerisht kjo nuk po ndodh me portalet kosovare, ku punën e gazetarëve e bëjnë edhe jogazetarë. Shtrohet pyetje, ku është dhe nga po shkon gazetaria jonë profesionale. Kosova, para së gjithash, duhet zbatuar pa hezitim infrastrukturën ligjore dhe me përpikëri në interes të publikut. Çdo lajm i transmetuar duhet të përmbushë rregullat e parapara, çdo medium duhet të jetë përgjegjës para ligjit. Për shkelje eventuale përgjegjësi mbajnë para ligjit, gazetari, redaktori dhe mediumi si subjekt juridik.
Për 12 vjet keni qenë drejtor ekzekutiv i Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës. Si e vlerësoni atë periudhë dhe punën për vetërregullimin e mediave?
Këshilli i Medieve të Shkruara i Kosovës ka qenë rrjedhë e asociacioneve të njëjta në shtetet evropiane. Mund të vlerësoj se Këshilli ka luajtur një rol të madh në aspektin e zbatimit të normave etike nga gazetarët e medieve të ndryshme në Kosovë. Mbi të gjitha, është krijuar kodi etik, me specifika tonat dhe mbi përvojën vetërregulluese ndërkombëtare. Anëtarët e Këshillit të Kosovës e kanë respektuar këtë kod, duke u përpjekur që çdo gazetar të jetë së pari i edukuar profesionalisht dhe pastaj, gjatë shkrimeve, të kujdeset të mos bëjë edhe shkeljet më të vogla. E kemi trasuar një rrugë të qartë se kah duhet ecur gazetaria e Kosovës në rrethana lirie. Me qëllim të vetëm që të kemi një gazetari që respekton normat themelore etike. Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës ka punuar me ato gazeta që kanë dashur të respektojnë rregullat më pozitive të botës. Por, nuk patëm fuqi dhe nuk arritëm të vëmë rend dhe rregull në aspektin e respektimit të etikës në mbi treqind portale, apo faqe interneti, gjysmës së të cilave nuk u dihej as adresa. Nuk kishin as numër telefoni, as certifikatë biznesi. Ishin portale të “egra”, që mbijetonin duke kopjuar e duke botuar informata nga të tjerët, bënin plagjiatura klasike, pa ndërruar asnjë pikë e presje. Ose duke botuar lajme të një partie të caktuar apo organizate të ndryshme, shpesh duke ushqyer veten dhe publikun me lajme të rrejshme. Kështu u krijua një hapësirë mediale e pakontrollueshme, ku nuk zbatoheshin kriteret themelore profesionale të gazetarisë, lëre më respektimi i kodit etik. Këto portale vazhdojnë t’i bëjnë dëm edhe Kosovës edhe opinionit më të gjerë.
Xheladin Rexhepi gjatë intervistës me Nehat Islamin
Një jetë ia keni falur gazetarisë, keni shkruar për fatet e mijëra personazheve. Jeni të motivuar në këtë moshë të shkruani me shkronja të zeza në fletët e bardha, për jetën tuaj, në vetën e parë, si një borxh me interes, dobi dhe domosdoshmëri, për gjeneratat që vijnë, apo mjaftojnë arkivat e “Rilindjes”, shiritat filmikë të RTP-së?
Mendoj se gazetari është vetëm dëshmitar i ngjarjeve, nuk është as subjekt dhe as heroi ingjarjes. Prandaj, gazetari kurrë nuk guxon ta rrisë e ta ngrisë vetveten mbi fatet e tjera. Nuk guxon ta nx jerrë veten në plan të parë, sepse ai nuk është meritori, hisedari, as fajtori e përgjegjësi i atij zhvillimi. Ti si reporter ke për obligim ta prezantosh ngjarjen, assesi vetveten, përjashto rastet kur nuk ke mundësi të largohesh dhe të tregosh diçka për cilën e ke me patjetër për ta thënë me gojën tënde. Unë e preferoj shkrimin, kur gazetari nuk duket. Gazetari është si xhami i ftohtë, ose i reziston secilës temperaturë ose pëlcet.
Nehat Islami si pensionist, para “Rilindjes”, shtëpisë ku e kaloi tërë jetën
A mbani ditar ose shkruani kujtime?
Jo, jo, kurrë nuk kam mbajtur ditar, nuk shkruaj më! Ndoshta kishte qenë mirë, por faktikisht vet puna ime në njëfarë forme është një ditar, jo vetëm personal, në kuptimin e zhvillimeve të ngjarjeve në Kosovë dhe përtej saj. Kur i merr në dorë kompletet e gazetës “Rilindja”, aty gjendet ditari më i mirë i penës sime të çdoditshme dhe e kolegëve të mi. Artikujt e shkruar për dekada kujtoj janë më tepër se ditar personal.
Përtej profesionit: çfarë mbetet nga një jetë
Ju mbetet ndonjë peng në jetë?
Ndihem i realizuar plotësisht, megjithatë është në natyrën njerëzore që gjithsecili të përpiqet deri në frymën e fundit të lë një shenjë më tepër nga jeta.
A i frikësoheni vdekjes?
Jo, assesi. Pse të frikësohem? Ma gjeni një qenie të lindur që nuk është shuar si rrjedhë logjike e gjërave dhe kohës në këtë botë, siç ka thënë Omar Khajami: Natyra vazhdon të mbetet një çudi e madhe!
Krejt në fund, na thoni një fjalë që ju pëlqen më së shumti dhe që është më kuptimplote?
Dashuria. Vetëm dashuria është kredoja dhe arsyeja e këtij universi dhe asgjë tjetër…!? /Telegrafi/