Netanyahu nënçmon Austrinë

Netanyahu nënçmon Austrinë

Written by

in

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka krahasuar situatën e sigurisë së Izraelit me atë të Austrisë, duke theksuar se vendi i tij ka nevojë për një udhëheqës me përvojë të madhe ndërkombëtare, në një kohë kur përballet me kërcënime të shumta.

Në një intervistë për median izraelite Arutz Sheva, Netanyahu tha se Izraeli nuk mund të drejtohet nga një lider që nuk ka ndikim në skenën ndërkombëtare.

“Ne nuk jemi, pa të keq, Austria me aeroplanë F-16. Austria është afërsisht sa ne për nga numri i banorëve, por ne nuk jemi si ata. Ne jemi në syrin e uraganit dhe duhet të jemi shumë të fortë, shumë të zgjuar dhe me shumë përvojë”, deklaroi Netanyahu.

Deklaratat e tij vijnë në prag të zgjedhjeve parlamentare në Izrael, ndërsa kryeministri pranoi se është i shqetësuar për mundësinë e humbjes së pushtetit, duke pasur parasysh se blloqet politike janë pothuajse të barabarta.

Netanyahu paralajmëroi se partitë e majta, me mbështetjen e partive arabe, mund të formojnë qeverinë e ardhshme. Ai e përshkroi këtë mundësi si një “katastrofë të Oslos me steroide”, duke iu referuar Marrëveshjeve të Oslos, të cilat synonin vendosjen e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Kryeministri u bëri thirrje votuesve të djathtë që të mos i shpërndajnë votat te partitë e vogla, të cilat mund të mos e kalojnë pragun zgjedhor. Ai kritikoi gjithashtu disa figura politike izraelite, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet dhe besnikërinë e tyre ndaj kampit të djathtë.

Duke folur për marrëdhëniet me presidentin amerikan, Donald Trump, Netanyahu tha se nuk e kishte kërkuar mbështetjen e tij publike dhe se ishte befasuar nga deklarata e presidentit amerikan në favor të kandidaturës së tij.

Në pjesën e intervistës që lidhej me sigurinë rajonale, Netanyahu pretendoi se regjimi iranian është dobësuar ndjeshëm, por paralajmëroi se Teherani mund të përpiqet të rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake.

Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se Izraeli duhet të vazhdojë veprimet kundër Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban, ndërsa kundërshtoi sërish krijimin e një shteti palestinez.

“Për sa kohë që unë jam kryeministër, nuk do të ketë shtet palestinez”, deklaroi Netanyahu, duke e cilësuar një mundësi të tillë si kërcënim për Izraelin. /Telegrafi/