Shufra për matjen e nivelit të vajit të motorit, e cila për dekada ka qenë pjesë e zakonshme e pajisjeve të veturave, po zhduket gradualisht nga modelet e reja.
Në vend të saj, prodhuesit po përdorin gjithnjë e më shumë sensorë elektronikë që e matin nivelin e vajit dhe i shfaqin të dhënat në ekranin e automjetit.
Sipas prodhuesve, shoferët e sotëm gjithnjë e më rrallë e kontrollojnë vetë nivelin e vajit. Ata presin që vetura t’i njoftojë automatikisht nëse diçka nuk është në rregull, pa pasur nevojë të hapin kapakun e motorit apo t’i ndotin duart.
Andrew Brudnicki nga Mercedes-Benz ka shpjeguar se matja elektronike mund të ndihmojë në parandalimin e dëmtimeve të mundshme të motorit. Sistemi i njofton shoferët në kohë nëse niveli i vajit bie nën kufirin e lejuar ose tejkalon vlerat normale.
Një tjetër arsye është shmangia e gabimeve gjatë matjes manuale. Për shembull, nëse vetura qëndron në një sipërfaqe të pjerrët ose matja bëhet në kushte të papërshtatshme të temperaturës, shoferi mund ta lexojë gabimisht nivelin e vajit.
Michael Crossen nga organizata Consumer Reports ka paralajmëruar gjithashtu se shoferët mund të shtojnë më shumë vaj sesa duhet, duke menduar se niveli është i ulët. Kjo mund të shkaktojë probleme me motorin. Për më tepër, shumë vetura moderne kërkojnë lloje të veçanta të vajit, ndaj përdorimi i një produkti të papërshtatshëm mund të sjellë pasoja.
Sensorët elektronikë e matin nivelin e vajit dhe ia dërgojnë të dhënat njësisë së kontrollit të automjetit, e cila i paraqet ato në panelin e instrumenteve ose në ekranin qendror.
Siguria është një tjetër arsye e rëndësishme për këtë ndryshim. Gjithnjë e më shumë vetura kanë sisteme hibride dhe komponentë me tension të lartë, çka mund ta bëjë ndërhyrjen nën kapakun e motorit më të ndërlikuar dhe potencialisht të rrezikshme për personat pa njohuritë e duhura.
Megjithatë, sistemi elektronik nuk është pa të meta. Ndryshe nga shufra metalike, e cila mundëson kontrollin e drejtpërdrejtë të nivelit të vajit, ai varet nga funksionimi i sensorëve dhe pajisjeve elektronike. Në rast defekti, shoferi mund të mos ketë mundësi ta kontrollojë vetë nivelin e vajit në mënyrën tradicionale.
Pavarësisht përparësive të teknologjisë së re, kontrolli manual mbetet një mënyrë e thjeshtë dhe praktike për mirëmbajtjen e veturës. Për këtë arsye, kombinimi i sensorëve elektronikë me shufrën tradicionale do t’u mundësonte shoferëve të përfitonin nga të dyja metodat. /Telegrafi/