
Tri protesta do të mbahen sot në Prishtinë, ku në fokus do të jenë financimi i shërbimeve sociale, pagat e punëtorëve të KEK-ut dhe shqetësimet e studentëve për kërcënimet e pretenduara.
Protesta e parë nis në orën 10:00 në sheshin “Ibrahim Rugova”, e organizuar nga KOMF dhe Rrjeti i Grave të Kosovës.
Organizatat kërkojnë rritjen e buxhetit për shërbimet sociale në vitin 2027, duke vlerësuar se financimi aktual nuk i mbulon nevojat e sektorit.
Në orën 11:00, para drejtorisë së KEK-ut, në objektin Toskana, do të protestojnë punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.
Kërkesat e tyre përfshijnë rritjen dhe nivelizimin e pagave, pagesën e pagës së 13-të dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Ndërkaq, në orën 11:30, protesta e tretë do të mbahet para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, e organizuar nga Parlamenti Studentor.
Studentët kanë paralajmëruar reagim pas një emaili që, sipas tyre, përmban kërcënime nga rektori, duke kërkuar respektimin e sigurisë, lirisë së shprehjes dhe autonomisë akademike.
Të tri protestat janë paralajmëruar të mbahen brenda një intervali prej 90 minutash, në lokacione të ndryshme të kryeqytetit./Klankosova.tv