Nga tre në tetë milionë- Historiku i tenderit të dyshimtë për kurdisje i KOSTT’it për Hitachi Energy, drejtorin e së cilës VV’ja po e quan “baxhanak i Abdixhikut”

Nga tre në tetë milionë- Historiku i tenderit të dyshimtë për kurdisje i KOSTT’it për Hitachi Energy, drejtorin e së cilës VV’ja po e quan “baxhanak i Abdixhikut”

Written by

in

Nga tre në tetë milionë- Historiku i tenderit të dyshimtë për kurdisje i KOSTT’it për Hitachi Energy, drejtorin e së cilës VV’ja po e quan “baxhanak i Abdixhikut”

Shuma e planifikuar për furnizimin e Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) me një nënstacion mobil ishte rreth tre milionë euro. Kështu përcaktohej në aplikimin e miratuar për të hyrat maksimale për vitin 2026 të KOSTT’it. Megjithatë, shuma e planifikuar e tenderit ka shkuar në tetë milionë. Për këtë dyfishim e gjysmë të çmimit të shumës së planifikuar dhe mundësia për kurdisje të tenderit është dërguar një ankesë në Gjykatën e Tenderëve.

Gazeta Insajderi

Tenderi për nënstacion mobil në vlerë prej tetë milionë eurove për nënstacion mobil të KOSTT’it është pezulluar. Kjo, pasi që një kompani ka dërguar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), shkruan Insajderi.

Ankesën e ka dorëzuar kompania Kosmati SH.P.K., më 5 nëntor, kundër tenderit të KOSTT-it. Ajo kundërshton veçanërisht kriterin që kërkon nga prodhuesi i nënstacionit mobil të dëshmojë se gjatë tri viteve të fundit ka furnizuar së paku 20 nënstacione të këtij lloji, me tension 110 kV ose më të lartë.

Kompania pretendon se kërkesa për 20 referenca të tilla është joproporcionale me objektin e kontratës dhe mund të përjashtojë nga gara prodhues të tjerë ndërkombëtarë.

Sipas kompanisë ankuese, ajo ka komunikuar me prodhues globalë të interesuar për të marrë pjesë në këtë aktivitet të prokurimit, të cilët e kanë njoftuar se nuk mund ta përmbushin këtë kriter për periudhën e kërkuar trevjeçare.

“Gjithashtu, fakti se kriteri i drejtohet prodhuesit citat ”i cili autorizon operatorin ekonomik për ofertim” nuk e eliminon efektin kufizues në konkurrencë, ne te njejten kohe eshte deshmi e favorizimit te nje prodhuesi dhe nje operator ekonomik dhe pasi operatorët që bashkëpunojnë me prodhues të rangut boteror por që nuk i plotësojnë njëzet (20) referencat, përjashtohen praktikisht nga mundësia e ofertimit“, thuhet ndër të tjera në ankesë.

Kompania e konsideron këtë kusht si kufizues të konkurrencës dhe pretendon se mund të favorizojë një prodhues dhe operator ekonomik të caktuar.

Dyshimet për kurdisje të tenderit

Përveç kritereve të kontestuara, dyshime për favorizim të Hitachi Energy ngrihen edhe nga vetë specifikat teknike të tenderit. Sipas analizës së tyre, dy nga komponentët kryesorë të nënstacionit mobil që kërkon KOSTT-i përputhen me teknologjinë e kompanisë Hitachi Energy, çka ngre pikëpyetje nëse kërkesat janë hartuar në mënyrë që t’i përshtaten një prodhuesi të caktuar.

Një prej pajisjeve kryesore të këtij nënstacioni është moduli ndërprerës, i cili mundëson lidhjen dhe shkëputjen e furnizimit me energji elektrike, si dhe kontrollin dhe mbrojtjen e rrjetit në rast të defekteve.

Për këtë nënstacion, KOSTT-i ka kërkuar modul ndërprerës hibrid 145 kV të tipit PASS ose ekuivalent. PASS (Plug and Switch System) është emërtim tregtar i teknologjisë së ABB-së, e cila tashmë është pjesë e portofolit të Hitachi Energy.

Kjo përputhje ngre dyshime për favorizim të teknologjisë së një prodhuesi të caktuar, veçanërisht pasi Hitachi Energy ofron produktin PASS M0 për nivelin e tensionit 145 deri në 170 kV.

Kështu, dyshimet për përshtatje të specifikave nuk lidhen vetëm me kriteret e përvojës së prodhuesit, të cilat janë kundërshtuar në OSHP, por edhe me mënyrën se si janë përshkruar pajisjet që duhet t’i ofrojë operatori fitues.

Kjo çështje rregullohet me Ligjin për Prokurimin Publik, i cili ua ndalon autoriteteve kontraktuese hartimin e specifikimeve teknike që favorizojnë ose diskriminojnë operatorë të caktuar ekonomikë.

Konkretisht, neni 28, paragrafi 2, përcakton se specifikimet teknike duhet të hartohen në përputhje me qëllimin e prokurimit dhe në atë mënyrë që t’u mundësojnë qasje sa më të gjerë operatorëve ekonomikë të interesuar. I njëjti paragraf ndalon shprehimisht hartimin e specifikimeve që favorizojnë ose diskriminojnë një apo më shumë operatorë ekonomikë.

Ndërkaq, paragrafi 7 i këtij neni ndalon vendosjen e specifikimeve që i referohen një prodhuesi, burimi, procesi, marke tregtare, patente, lloji apo origjine të caktuar. Përjashtimisht, një referim i tillë lejohet vetëm kur nuk mund të bëhet një përshkrim mjaftueshëm i saktë dhe i kuptueshëm i objektit të kontratës në mënyrë tjetër, me kusht që të shoqërohet me shprehjen “ose ekuivalent”.

Një tjetër element që ngre dyshime për mënyrën e hartimit të specifikave të tenderit lidhet me përmendjen e drejtpërdrejtë të emrit të një produkti të kompanisë ABB, vetëm në versionin shqip të dokumentacionit të tenderit.

Te pozicioni për kthinën modulare 24 kV – fusha hyrëse, KOSTT-i ka specifikuar produktin “UniGear ZS1”, i cili prodhohet nga ABB dhe përdoret për shpërndarjen dhe kontrollin e energjisë elektrike në rrjetet e tensionit të mesëm.

I njëjti produkt përmendet edhe te pozicioni për kthinën modulare 24 kV – fusha për transformatorin shtëpiak. Edhe në këtë rast, dokumentacioni i referohet konkretisht produktit “UniGear ZS1” dhe prodhuesit ABB, pa përfshirë formulimin “ose ekuivalent”.

Kjo është me rëndësi, pasi Ligji për Prokurimin Publik përcakton se referimet në marka apo produkte të veçanta lejohen vetëm në kushte të jashtëzakonshme, kur nuk mund të hartohen specifikime mjaftueshëm të sakta në mënyrë tjetër. Edhe në këto raste, ligji kërkon që referimi të shoqërohet me fjalët “ose ekuivalent”.

Dyshimet shtohen edhe nga fakti se Hitachi Energy e ka prezantuar publikisht përdorimin e këtyre paneleve në një projekt të realizuar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve 2021–2022, në kuadër të një nënstacioni modular.

Në njoftimin e publikuar në faqen e saj zyrtare, kompania e përshkruan pajisjen si pjesë të teknologjisë së përdorur në projekt.

“Nënstacioni i vendosur në kontejner përbëhet nga 26 panele të pajisjeve komutuese të tensionit të mesëm (MV) UniGear ZS1 të Hitachi Energy”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Historia e ndryshimit të çmimeve nga tre milionë në tetë milionë euro

Në fillim të vitit, KOSTT-i e kishte llogaritur në 3 milionë euro furnizimin me një nënstacion mobil, duke e paraqitur si investim të domosdoshëm për sistemin elektroenergjetik. Disa muaj më vonë, në dokumentet e brendshme të ndërmarrjes shfaqet një vlerë krejt tjetër: 8 milionë e 20 mijë euro. Gjatë kësaj periudhe, në dokumentacionin e dërguar te rregullatori projekti përmendet fillimisht për një nënstacion, pastaj për dy, për t’u rikthyer sërish në kërkesën për një të tillë.

Gjurmët e këtij projekti nisin më 28 janar, kur KOSTT-i ia dorëzoi ZRrE-së aplikimin për të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin 2026. Në mesin e investimeve të propozuara ishte edhe një nënstacion mobil për nivelin e tensionit 110/35/10(20) kV.

Në atë dokument, ndërmarrja e arsyetonte investimin me nevojën për të rritur sigurinë e furnizimit dhe për të pasur mundësi reagimi më të shpejtë në rast të avarive në rrjet. Projekti përshkruhej si investim strategjik, ndërsa kostoja e parashikuar ishte 3 milionë euro.

Kjo shumë, sipas KOSTT-it, mbulonte transformatorin e fuqisë, pajisjet e tensionit të lartë dhe të mesëm, sistemet mbrojtëse e komanduese dhe vendosjen e tyre në një platformë mobile, përkatësisht rimorkio.

Në arsyetimin e paraqitur te rregullatori, KOSTT-i e konsideronte investimin të arsyeshëm si nga ana teknike, ashtu edhe nga ajo ekonomike.

“Si përfundim, investimi në një nënstacion mobil 110/35/10(20) kV është i arsyetuar teknikisht dhe ekonomikisht, dhe përfaqëson një masë të rëndësishme për rritjen e besueshmërisë, fleksibilitetit dhe sigurisë së operimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës. Vlera e projektit është; 3,000,000.00€”, thuhej në dokument.

Më 10 prill, ZRrE-ja publikoi Raportin Konsultativ, në të cilin trajtoi edhe projektin e nënstacionit mobil. Rregullatori vuri në dukje se bëhej fjalë për një investim të ri, i cili nuk ishte përfshirë në planet zhvillimore të transmetimit.

Kjo ishte arsyeja pse ZRrE-ja vlerësonte se projekti nuk mund të miratohej në atë fazë të procesit tarifor, pa u përfshirë paraprakisht në planet përkatëse të zhvillimit të transmetimit.

“Për rrjedhojë, ZRrE vlerëson se projektet e mëposhtme nuk mund të konsiderohen për miratim në parim në këtë fazë të procesit tarifor, derisa të përfshihen dhe të aprovohen në planet zhvillimore përkatëse të transmetimit”, thuhej në raport.

Ndryshimi i parë në numrin e pajisjeve të kërkuara shfaqet në dokumentin që KOSTT-i ia dorëzoi ZRrE-së më 24 prill, si përgjigje ndaj Raportit Konsultativ.

Në këtë fazë, ndërmarrja nuk fliste më vetëm për një nënstacion mobil. Në komentet e saj kishte përfshirë kërkesën për furnizimin me dy nënstacione të tilla.

Duke u bazuar në vlerësimin fillestar prej tre milionë eurosh për një njësi, kostoja e përgjithshme për dy nënstacione do të arrinte në 6 milionë euro.

Por, në pjesën tjetër të dokumentit, ndërmarrja sërish i referohej furnizimit me një nënstacion mobil. Kësaj radhe, theksi vihej te rëndësia e tij për parandalimin e problemeve në rrjet dhe mbrojtjen e sistemit elektroenergjetik.

KOSTT-i argumentonte se pajisja do ta shkurtonte ndjeshëm kohën e reagimit në rast të një avarie, duke e reduktuar atë nga muaj në ditë ose javë. Gjithashtu, sipas ndërmarrjes, ajo do të mundësonte vazhdimin e furnizimit të përkohshëm me energji gjatë punimeve, pa qenë e nevojshme të priten periudha të gjata për ndërhyrje në rrjet.

Në mesin e përfitimeve të tjera përmendeshin fleksibiliteti më i madh në operim, mirëmbajtja e planifikuar pa ndërprerje të furnizimit, menaxhimi i ngarkesave sezonale dhe reagimi ndaj situatave të paparashikuara.

Për ta mbështetur kërkesën, KOSTT-i përdorte edhe argumentin financiar. Sipas tyre, një investim prej rreth 3 milionë eurosh ishte i arsyeshëm në krahasim me dëmet që mund të shkaktonte një ndërprerje e gjatë e energjisë elektrike.

“Realizimi i këtij projekti është një hap i domosdoshëm drejt garantimit të sigurisë energjetike, stabilitetit ekonomik dhe funksionimit të qëndrueshëm të infrastrukturës kritike të vendit”, thuhej në dokumentin e dërguar te rregullatori.

Në këtë pjesë, pra, KOSTT-i vazhdonte ta arsyetonte një nënstacion mobil me kosto prej 3 milionë eurosh, ndonëse në pjesën tjetër të komenteve kishte kërkuar financimin e dy njësive.

Më 5 maj, ZRrE-ja publikoi raportin përfundimtar lidhur me përshtatjet vjetore të të Hyrave të Lejuara Maksimale.

Edhe në këtë fazë, rregullatori nuk e kishte ndryshuar qëndrimin lidhur me mungesën e projektit në planet zhvillimore të miratuara. Kjo nënkuptonte se financimi i dy nënstacioneve nuk do të përfshihej në lejimet për vitin 2026.

ZRrE-ja megjithatë nuk e kishte përjashtuar mundësinë që këto investime të realizoheshin më vonë. KOSTT-it i ishin paraqitur dy rrugë: t’i financonte vetë projektet dhe më pas të kërkonte njohjen e tyre nga rregullatori, ose t’i propozonte në planin e ardhshëm zhvillimor dhe të priste miratimin për periudhën e ardhshme pesëvjeçare.

Në raport, ZRrE-ja e konsideronte në parim të nevojshëm investimin në dy nënstacione mobile, por nuk propozonte përfshirjen e tyre në këtë fazë, pasi nuk ishin pjesë e planeve të miratuara dhe pritej që të hynin në funksion pas vitit 2026.

“Projekti i dy nënstacioneve mobile, edhe pse aktualisht nuk është i përfshirë në planet zhvillimore apo investive të miratuara, në parim konsiderohet si investim i nevojshëm dhe pritet të përfshihet në planet përkatëse nga viti 2027 dhe RAB ku të hyjnë në operim. Megjithatë, ZRRE nuk propozon të përfshijë lejim për këto dy projekte në këtë fazë, pasi datat e planifikuara të vënies në funksion janë pas vitit 2026 dhe projektet nuk janë ende pjesë e një plani të miratuar”, thuhej në raport.

Më 7 tetor, KOSTT-i publikoi njoftimin për tenderin me titull “Furnizim me Nënstacion Mobil 110 10(20) kV me Transformator Fuqie 31.5 MVA”.

Në njoftim, vlera e parashikuar ishte 8 milionë e 20 mijë euro, ndërsa për realizimin e kontratës ishin paraparë 18 muaj.

Në një reagim të publikuar më 5 nëntor, pas raportimeve në media, KOSTT-i tha se vlerësimi fillestar ishte bërë mbi bazën e të dhënave të përgjithshme teknike dhe se në atë fazë nuk ishin përfshirë specifikimet e plota për të gjitha pajisjet përcjellëse.

Sipas kompanisë, aplikimi në ZRRE ishte përgatitur në kushte urgjence dhe brenda afateve të përcaktuara, ndërsa vlerësimi fillestar ishte përqendruar në komponentët kryesorë të nënstacionit. KOSTT-i shtoi se kjo ishte hera e parë që prokuronte një pajisje të tillë.

Kompania tha se pas përfundimit të procesit me ZRRE-në kishte formuar një komision profesional, i cili kishte analizuar më hollësisht nevojat e sistemit dhe kishte përgatitur specifikimet teknike. Në to, sipas reagimit, ishin përfshirë edhe sistemet e mbrojtjes, kontrollit dhe matjes, pajisjet përcjellëse, transportimi, integrimi dhe funksionimi i plotë i nënstacionit.

KOSTT-i e lidhi dallimin në çmim pikërisht me përfshirjen e këtyre kërkesave dhe pajisjeve, të cilat, sipas tij, nuk ishin vlerësuar plotësisht në fazën e parë.

Megjithatë, në reagim kompania pranoi se dallimi mes dy vlerësimeve kërkon shqyrtim të brendshëm për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë eventuale. KOSTT-i tha se deri në atë moment nuk ishte konstatuar ndonjë dëm financiar, por se çdo lëshim në procesin e vlerësimit duhet të adresohet.

Nga dokumentet e fillimit të vitit deri te njoftimi për tender, vlera e parashikuar është rritur për 5 milionë e 20 mijë euro, ose rreth 167 për qind. Pra, tenderi është publikuar me një vlerë rreth 2.67 herë më të lartë sesa ajo që KOSTT-i vetë e kishte paraqitur në aplikimin fillestar në ZRrE.

“Baxhanaku i Lumir Abdixhikut”

Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK), Besart Bajraktari figuron të jetë një nga katër drejtorët menaxhues si përfaqësues të autorizuar të kompanisë Hitachi Energy.

Bajraktari është përmendur më herët edhe në Kuvend nga deputeti i Vetëvendosjes, Ejup Ahmeti. Ky i fundit e kishte cilësuar si “baxhanakun e Lumir Abdixhikut” dhe kishte ngritur pretendime për tenderët që, sipas tij, i merrte Bajraktari.

“Baxhanaku i Lumir Abdixhikut, kryetarit tuaj, Besart Bajraktari, tregoni mirë qytetarëve se sa tenderë i merr ky. Po ashtu kompania e baballakut të kryetarit Abdixhiku, edhe gruaja e Lumir Abdixhikut ka themeluar kompani për tregtimin e energjisë”, kishte deklaruar në prill të këtij viti Ahmeti në një seancë të Kuvendit.

Gazeta Insajderi nuk ka arritur të sigurojë një afërsi të tillë familjare ndërmjet kryetarit të LDK’së dhe Besart Bajraktarit.

/Insajderi.org/

Burimi: Insajderi