Nga: Hasan Bello
Në literaturën shqiptare ekziston një korpus i madh artikujsh mbi veprimtarinë politike të Ismail Qemalit. Para viteve ‘90-të, për lexuesit shqiptarë, kujtimet e tij rrëfyer gazetarit britanik Sommerville Story dhe të botuara në Londër në vitin 1920 ishin krejtësisht të panjohura. Kjo për shkak se në këto kujtime theksi bie mbi kontributin e tij si funksionar i lartë i shtetit osman. Gjithsesi, ky libër është edituar nga gazetari britanik dhe ka një rëndësi të madhe për studiuesit.
Por, libri që mban direkt autorësinë e Ismail Qemalit është shkruar në gjuhën osmane në vitin 1900 me titull “Çështja e Transvaalit” (“Transvaal Me`selesi”). Në kohë rekord ai u përkthye në gjuhën frënge “La Question du Transvaal ou le Rôle Civilisateur de l’Angleterre Jugé au Point de vue Musulman” (“Çështja e Transvaalit ose roli qytetërues i anglisë i gjykuar nga pikëpamja myslimane”) 1901; në të njëjtën kohë ai u përkthye në anglisht dhe arabisht.
Ky libër u shkrua gjatë Luftës së Dytë të Boerëve (1899-1902) në Afrikën e Jugut. Ai ishte një konflikt ushtarak midis Britanisë së Madhe dhe dy republikave: Republikës së Transvaalit dhe Shtetit të Lirë të Oranzhit. Boerët ishin kolonë kryesisht me origjinë holandeze, të cilët kishin krijuar republika të pavarura. Shkaku kryesor i luftës ishte zbulimi i depozitave të mëdha të arit dhe diamanteve në territoret boere; si dhe interesat ekonomike dhe strategjike britanike në këtë rajon. Në këtë libër Ismail Qemali mbron fuqishëm politikat dhe praninë e perandorisë britanike. Ai e paraqet atë si një fuqi liberale dhe qytetëruese, sundimi i së cilës ishte i drejtë. Sipas tij, ai përputhej me parimet islame dhe mbronte të drejtat e popullsive vendase myslimane, në krahasim kjo me administrimin e boerëve. Ky botim ishte një lëvizje strategjike e politike e Ismail Qemalit për të fituar mbështetjen e simpatinë e diplomacisë britanike.
Ismail Qemali përpiqej që t`i tregonte myslimanëve në Perandorinë Osmane se armiq kryesorë kishin Rusinë, Holandën dhe Francën e jo Britaninë e Madhe në territoret e së cilës jetonin më tepër myslimanë. Në këtë periudhë ky ishte një fakt i pakontestueshëm (në territoret britanike kishte mbi 62 milionë myslimanë, ndërsa në ato osmane 14-15 milionë). Sipas tij, ishte meritë e britanikëve që rusët nuk e kishin pushtuar Perandorinë Osmane në Luftën e Krimesë (1853-1856) etj.
Ky libër binte ndesh me politikën panislamiste të perandorisë dhe sulltan Abylhamidit II, i cili përpiqej që të siguronte lidershipin e botës islame. Prandaj, ai u censurua nga autoritetet zyrtare. Megjithatë, fakti se ai u përkthye në disa gjuhë, në një kohë rekord, tregon se ka gjetur mbështetjen e diplomacisë britanike.
Lufta e Boerëve u mbyll me fitoren e britanikëve dhe nënshkrimin e marrëveshjes së paqes së Vereningut më 31 maj 1902, por me humbjen e 22 000 ushtarëve britanikë dhe miliona stërlinave.
Për arsye se Ismail Qemali konsiderohej filobritanik – në studimet e para viteve ‘90-të – ekzistenca e këtij libri as që përmendej fare.