Një vajzë 8-vjeçare u sulmua nga të paktën një ujk brenda hapësirës së kafshëve në një kopsht zoologjik gjerman dhe pësoi lëndime të rënda, bënë të ditur zyrtarët.
Sulmi ndodhi të mërkurën gjatë një aktiviteti të veçantë për fëmijë në Parkun e Kafshëve të Egra “Johannismühle”, në jug të Berlinit, njoftuan zyrtarët e distriktit Teltow-Fläming përmes një deklarate për shtyp, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Vajza u dërgua me urgjencë në spital, thuhet në njoftim.
Një punonjës i kopshtit zoologjik ndërhyri para se të sulmoheshin edhe dy vajza të tjera, të cilat ndodheshin gjithashtu brenda hapësirës së ujqërve të Arktikut.
Në atë moment, ujqërve u ishte dhënë ujë.
Kopshti zoologjik është mbyllur deri në një njoftim të dytë, ndërkohë që po zhvillohen hetimet.
Më herët gjatë këtij viti, një ujk kafshoi një grua në një zonë tregtare në Hamburg, sipas autoriteteve.
Ky besohet të jetë sulmi i parë i këtij lloji që kur ujqërit u rikthyen në vend në vitin 1998. /Telegrafi/