E ardhmja e Alejandro Baldes te Barcelona është sërish në qendër të vëmendjes, pasi mbrojtësi i krahut të majtë ka humbur një pjesë të rëndësisë në planet e trajnerit Hansi Flick gjatë këtij sezoni.
Sipas mediumit Sport, agjenti i lojtarit, Jorge Mendes, tashmë po shqyrton mundësitë për t’i gjetur një klub të ri klientit të tij. Njëra prej tyre, që ka dalë në pah orët e fundit, çon drejt Italisë.
Gazeta italiane Il Messaggero raporton se Mendes ia ka ofruar Balden Romës, e cila po shqyrton mundësinë për ta transferuar atë gjatë afatit kalimtar të janarit.
Trajneri Gian Piero Gasperini dëshiron ta përforcojë krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa drejtuesit e Romës besojnë se Balde është profili i duhur për skuadrën.
Marrëveshja e propozuar parashikon huazimin e lojtarit deri në fund të këtij sezoni, me një klauzolë që do t’i mundësonte klubit italian ta blinte atë në mënyrë përfundimtare.
Kjo formulë do t’u përshtatej të dyja palëve. Roma do të siguronte shërbimet e Baldes pa paguar menjëherë një shumë të madhe, ndërsa Barcelona do ta mbante të hapur mundësinë e përfitimit të një shume të konsiderueshme nga shitja e tij gjatë verës së ardhshme.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Balde lidhet me një transferim në Serie A. Edhe Juventusi kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij disa javë më parë.
Në fund të shtatorit, Sport raportoi se Juventusi po konsideronte një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje. Megjithatë, vlerësimi prej rreth 50 milionë eurosh që Barcelona i kishte vendosur lojtarit ishte një pengesë e madhe për realizimin e marrëveshjes./Telegrafi/