Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka analizuar humbjen 3-0 ndaj Republikës së Irlandës, duke theksuar se kartoni i kuq i Kreshnik Hajrizit në minutën e 26-të ndikoi ndjeshëm në rrjedhën e takimit.
Foda tha se Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe ishte skuadër më dominuese në minutat e para, por përjashtimi i Hajrizit e vështirësoi dukshëm vazhdimin e përballjes.
“Filluam mirë. Në 20-25 minutat e parë ishim më të mirë dhe më dominantë. Është dashur të kalojmë në epërsi. Pas kartonit të kuq ishte vështirë të luajmë me një lojtar më pak. Pas golit të dytë ishte shumë e vështirë, pasi Irlanda bëri edhe më shumë presion”, deklaroi Foda pas ndeshjes.
Përzgjedhësi theksoi se në këtë nivel të garave është shumë e vështirë të luash me një futbollist më pak, aq më tepër në dy ndeshje radhazi. Ai shtoi se skuadra duhet të nxjerrë mësime nga këto përballje.
“Në këtë nivel nuk mund të luash dy ndeshje rresht me një lojtar më pak. Nuk është dashur të ndodhë kartoni i kuq. Skuadra mori mësim nga këto lojë. E pamë që Liga B është nivel tjetër me Ligën C”, u shpreh trajneri gjerman.
Një tjetër çështje që Foda e veçoi pas përfundimit të ndeshjeve ishte minutazhi i futbollistëve në ekipet e tyre. Sipas tij, një numër i lojtarëve të Kosovës nuk po luajnë mjaftueshëm me klubet, prandaj është e rëndësishme që kjo situatë të ndryshojë.
“Shumë lojtarë kanë luajtur pak në klubet e tyre. E rëndësishme tani është që lojtarët të luajnë më shumë në klubet e tyre”, përfundoi Foda.
Kosova e mbylli Grupin 3 të Ligës B në vendin e tretë, pas humbjes 3-0 në Dublin, duke mbetur pa mundësinë për të siguruar play-offin për promovim në Ligën A. /Telegrafi/