Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka ashpërsuar kritikat ndaj presidentit Donald Trump, pak ditë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit amerikan.
Gjatë tubimeve elektorale në Cleveland dhe Detroit, Obama akuzoi administratën republikane për korrupsion, kritikoi strategjinë e saj ndaj Iranit dhe ironizoi ndryshimet që Trump ka bërë në Shtëpinë e Bardhë.
Duke bërë fushatë në Michigan për kandidatin demokrat për Senat, Abdul El-Sayed, Obama e cilësoi votimin e 3 nëntorit si një mundësi për të frenuar ato që i quajti veprime të pamatura të presidentit Trump.
Gjatë fjalimit të tij, Obama akuzoi Trumpin se po e përdor presidencën për përfitime personale.
“Nuk kemi parë kurrë një president që të përfitojë në këtë mënyrë, drejtpërdrejt në kurriz të taksapaguesve”, u shpreh Obama.
Ai kritikoi gjithashtu republikanët, duke pretenduar se partia po toleron korrupsionin, paaftësinë dhe mungesën e përgjegjshmërisë në qeverisje.
Obama vuri në pikëpyetje edhe pretendimet e administratës Trump për fitoren ndaj Iranit.
Sipas tij, konflikti ka rritur ndikimin ekonomik të Teheranit, pasi kërcënimet për sulme ndaj transportit detar në Ngushticën e Hormuzit kanë shtuar pasigurinë në tregjet e naftës.
“Irani tani ka fuqinë e vetos mbi Ngushticën e Hormuzit, nëpër të cilën kalon nafta për të arritur në tregjet botërore”, deklaroi ish-presidenti.
Në fjalimin e tij, Obama ironizoi edhe sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke e akuzuar administratën se përqendrohet në çështje të parëndësishme, në vend të problemeve kryesore të vendit.
Ai komentoi me ironi edhe rinovimet luksoze të Shtëpisë së Bardhë, duke i krahasuar ato me “stilin e shfaqur nga ish-diktatori irakian Saddam Hussein”. /Telegrafi/