
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar në kuadër të hetimeve për përgatitjen e një vrasjeje të rëndë në bashkëkryerje, si dhe për armëmbajtje pa autorizim.
Operacioni është realizuar më 28 nëntor, në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Gjatë kontrolleve dhe bastisjeve janë arrestuar dy persona, ndaj të cilëve, me vendim të prokurorisë, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar edhe armë dhe municion. Në automjetin e të dyshuarve është gjetur një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej tyre është gjetur një armë e shkurtër e llojit TT, me shtatë fishekë.
Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat pritet të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejmë të hetimeve.
Operacioni është mbështetur edhe nga Njësia për Mbështetje Speciale (NJSO), ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe lokalizimin e personave të tjerë të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali