Mungesa e përvojës apo e një kualifikimi profesional nuk duhet të jetë arsye për të hequr dorë nga një drejtim i ri në karrierë. Në sektorë që po zhvillohen dhe po kërkojnë vazhdimisht staf të aftësuar, trajnimet profesionale mund të shërbejnë pikërisht si ura mes interesimit dhe punësimit.
Duke folur për të rinjtë që ende nuk kanë përvojën apo përgatitjen e duhur, Ylber Gjocaj nga SHEHU Academy thekson se sektori i përpunimit të drurit në Kosovë po shënon rritje të konsiderueshme dhe bashkë me të po krijohen edhe mundësi të reja për aftësim dhe punësim.
“Mesazhi ynë kishte me qenë për gjithë ata të cilët, për ndonjë arsye ose tjetrën, nuk kanë kualifikim profesional, që të informohen dhe të bëjnë një hap në karrierën e tyre.”
Sipas tij, përvoja e viteve të fundit tregon se në trajnim mund të përfshihen kandidatë me prejardhje të ndryshme profesionale, pa qenë domosdoshmërisht të lidhur më herët me këtë sektor.
“Të gjithë ata të cilët e kanë kry trajnimin tek ne, tani janë në aspekt ekonomik tejet të pavarur e stabil, me paga të cilat janë dinjitoze.”
Mesazhi është i qartë: mungesa e një kualifikimi të mëparshëm nuk e përjashton mundësinë për të nisur një rrugë të re profesionale. Informimi, aftësimi praktik dhe gatishmëria për të bërë hapin e parë mund të hapin mundësi konkrete për punësim dhe zhvillim në karrierë.
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
Përmes bashkëpunimeve me kompani dhe organizata vendore, projekti mbështet iniciativa që afrojnë zhvillimin e aftësive me kërkesat e bizneseve dhe të tregut të punës. /Telegrafi/