
Profesori dhe opinionisti Rrahman Paçarizi, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka folur për dallimet mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, duke thënë se ato burojnë kryesisht nga trashëgimia e ndryshme historike dhe përvojat e ndryshme politike e shoqërore.
Paçarizi ka thënë se ndonëse shqiptarët kanë pasur gjuhë, folklor dhe lidhje të përbashkëta, ndarja politike dhe sistemet e ndryshme në të cilat kanë jetuar, veçanërisht gjatë 50 vjetëve të komunizmit në Shqipëri dhe periudhës së Jugosllavisë në Kosovë, kanë ndikuar në krijimin e dallimeve të mëdha.
“Dallimi kryesor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë buron te trashëgimia e ndryshme, te e kaluara e ndryshme. Secili kemi në familje dikë që ka punuar në Shqipëri, ose dikush nga Shqipëria që ka jetuar këtu. Ajo njohja, ai kontakt, ka ekzistuar para 100 vjetësh, nuk ka pasur dallime. Gjakova dhe Shkodra kanë komunikuar bashkë, edhe me Tiranën etj.
Kemi pasur një folklor, një gjuhë, kemi pasur shumë të përbashkëta, por mënyra e jetesës dhe ndarja e thellë, sidomos gjatë 50 viteve të komunizmit në Shqipëri dhe këndej në Jugosllavi, e ka bërë të vetën dhe ne kemi jetuar ndryshe”, ka deklaruar Paçarizi, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka theksuar se dy shoqëritë janë zhvilluar në sisteme të ndryshme politike dhe shoqërore, duke ndikuar edhe në kulturë, arsim dhe mënyrën e të menduarit.
“Duke u takuar botëve të ndryshme, sepse Shqipëria ka qenë një vend i bllokuar, Jugosllavia ka qenë diçka ndërmjet. Kemi jetuar në planin kulturor, në planin arsimor, kemi jetuar shumë më ndryshe”, ka thënë ai.
Paçarizi ka folur edhe për dallimet në modelin e mediave në Kosovë dhe Shqipëri, duke thënë se mediat në Shqipëri janë më të orientuara drejt spektaklit dhe sensacionit, ndërsa në Kosovë më shumë drejt politikës dhe ekonomisë.
“Modeli i medias në Shqipëri është mesdhetar, që ka në plan të parë spektaklin, sensacionin. Media e Kosovës është media e cila është rritur dhe zhvilluar edhe para kësaj lufte, me idenë e medias publike para së gjithash, të cilës i intereson politika, ekonomia e tek më pas argëtimi”, ka deklaruar Paçarizi.
Sipas tij, përvojat e ndryshme historike kanë bërë që shqiptarët e të dy vendeve të mos arrijnë gjithmonë t’i kuptojnë vuajtjet dhe përjetimet e njëri-tjetrit.
“Kemi jetuar krejt ndryshe dhe për pasojë ne shqiptarët e Kosovës nuk ua dimë hallin shqiptarëve të Shqipërisë që kanë jetuar në diktaturë dhe ne nuk mundemi me besu qysh shqiptarët e Shqipërisë nuk na besojnë neve për çka kemi përjetuar ne nga Millosheviqi. Na nuk e kuptojmë hallin e njëri-tjetrit sepse kemi pasur halle të ndryshme”, ka theksuar Paçarizi në “Rubikon”./Klankosova.tv.