Blog

  • Ekskluzive | Vëllai dhe axha i Auron Ferizit shoqërohen në Polici për dyshime për kanosje pas dënimit me 25 vjet burgim të Egzon Shallkit

    Ekskluzive | Vëllai dhe axha i Auron Ferizit shoqërohen në Polici për dyshime për kanosje pas dënimit me 25 vjet burgim të Egzon Shallkit

    Ekskluzive | Vëllai dhe axha i Auron Ferizit shoqërohen në Polici për dyshime për kanosje pas dënimit me 25 vjet burgim të Egzon Shallkit

    Vëllai dhe axha i të ndjerit Auron Ferizi janë dy personat që janë shoqëruar në Polici pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Egzon Shallkit, i cili u dënua me 25 vjet burgim për vrasjen e Ferizit.

    Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se dy familjarët e viktimës janë shoqëruar në Stacionin Policor në Gjilan, nën dyshimin për veprën penale të kanosjes, pas intervistimit janë liruar me urdhër të prokurorit

    Ngjarja ka ndodhur sot, më 20 tetor 2026, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Gjilan.

    Policia ka konfirmuar shoqërimin e dy personave, por pa bërë të ditur identitetin apo lidhjen e tyre familjare me viktimën.

    Sipas burimeve të dyshuarit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa rasti, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, do të procedohet në procedurë të rregullt gjyqësore.

    Ndërkohë, hetimet lidhur me dyshimet për kanosje do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë.

    Kujtojmë se Egzon Shallki është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit, i cili kishte ndërruar jetë më 10 shtator 2025, dy ditë pasi ishte goditur nga një veturë në Viti.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Wirtz dhe Barcola po zhgënjejnë te Liverpooli, Steven Gerrard me mesazh të qartë për drejtuesit

    Wirtz dhe Barcola po zhgënjejnë te Liverpooli, Steven Gerrard me mesazh të qartë për drejtuesit

    Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, u ka bërë thirrje stafit teknik të “Të Kuqve” që të kenë durim me Florian Wirtz dhe Bradley Barcolan, duke insistuar se të dy transferimet e kushtueshme meritojnë kohë dhe mbështetje për të treguar formën e tyre më të mirë.

    Wirtz, i cili iu bashkua Liverpoolit për një shumë që mund të arrijë deri në 116 milionë funte, ka regjistruar asistime në dy fitoret radhazi ndaj LASK-ut dhe Brentfordit.

    Gerrard beson se mesfushori 22-vjeçar mund ta kalojë fillimin e vështirë, ndonëse pranoi se në disa ndeshje nuk ka përmbushur pritshmëritë.

    “Ti je trajner i Liverpoolit dhe ke nevojë që Florian Wirtz të shkëlqejë”, ka thënë Gerrard në emisionin “Overlap Daily”, duke theksuar se klubi duhet ta ndihmojë mesfushorin ta rikthejë vetëbesimin, në vend që të heqë dorë prej tij.

    Edhe Barcola ka shfaqur shenja inkurajuese pas një fillimi të ngadaltë, pas transferimit për 123 milionë funte. Sulmuesi francez realizoi het-trik ndaj LASK-ut dhe më pas asistoi në ndeshjen kundër Brentfordit, duke bërë që Gerrard të besojë se ai po i afrohet nivelit të tij më të mirë.

    Të dy lojtarët do të synojnë ta vazhdojnë këtë formë pozitive në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Villarrealit, përpara përballjes me Brightonin në Ligën Premier./Telegrafi/

  • Pas dënimit të Egzon Shallkit për vrasjen e Auron Ferizit, dy persona shoqërohen në polici për kanosje

    Pas dënimit të Egzon Shallkit për vrasjen e Auron Ferizit, dy persona shoqërohen në polici për kanosje

    Dy persona janë shoqëruar në Stacionin Policor në Gjilan dhe janë intervistuar nën dyshimin për përfshirje në një rast kanosjeje, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Egzon Shallkit, i dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit.

    Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

    Sipas Osmanit, rasti është regjistruar më 20 tetor 2026, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Gjilan për rastin e vrasjes së rëndë.

    “Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj të akuzuarit nga Gjykata Themelore në Gjilan lidhur me një rast të vrasjes së rëndë, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me një rast të dyshuar të kanosjes. Si rezultat, dy persona janë shoqëruar nga zyrtarët policorë në Stacionin Policor në Gjilan”, ka deklaruar Osmani.

    Osmani ka bërë të ditur se të dyshuarit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti do të procedohet në procedurë të rregullt gjyqësore.

    Ndërkohë, hetimet do të vazhdojnë nga hetuesit policorë të Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

    Egzon Shallki është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit. /Telegrafi/

  • Ish-lojtari i Man Utd zbulon gjobat në Ligën Premier: Ja sa paguajnë yjet për një karton të verdhë

    Ish-lojtari i Man Utd zbulon gjobat në Ligën Premier: Ja sa paguajnë yjet për një karton të verdhë

    Ben Foster ka zbuluar se sa gjobiten futbollistët e Ligës Premier kur ndëshkohen me karton të verdhë gjatë një ndeshjeje.

    Ish-portieri i Manchester Unitedit ka treguar disa detaje pak të njohura nga jeta e futbollistëve profesionistë, duke zbuluar se gjoba për një karton të verdhë është e njëjtë në çdo nivel të futbollit anglez.

    Sipas rregullave të Federatës Angleze të Futbollit (FA), një futbollist paguan rreth 12 euro për një karton të verdhë, pavarësisht nëse luan në ligat amatore apo në elitën e futbollit anglez. Kështu, një yll që fiton miliona euro përballet me të njëjtën gjobë si një futbollist amator.

    Kjo temë u diskutua në episodin e fundit të podcastit të Fosterit, Fozcast, ku bashkëprezantuesi Tom Ochoa kritikoi futbollistët që, pas vërshëllimës së gjyqtarit, e largojnë topin disa metra dhe ndëshkohen me karton të verdhë.

    Foster, 43-vjeçar, iu përgjigj duke zbuluar shumën e gjobës.

    “Nëse do ta bësh, atëherë merre një karton të verdhë siç duhet. Duhet të paguash rreth 12 euro për të. Edhe profesionistët e paguajnë, sepse është gjobë e FA-së”, deklaroi ish-portieri i Manchester Unitedit.

    Ndërkohë, Ben Tozer, legjendë e Wrexhamit, ndërhyri duke zbuluar se gjoba për kartonin e kuq shkon në rreth 60 deri në 70 euro.

    Foster shtoi se gjoba duhet të paguhet në çdo rast, duke e cilësuar largimin e topit pas vërshëllimës si një veprim të papjekur./Telegrafi/

  • Britania dërgon avionë luftarakë për të mbrojtur Arabinë Saudite nga Houthitë

    Britania dërgon avionë luftarakë për të mbrojtur Arabinë Saudite nga Houthitë

    Britania dërgon avionë luftarakë për të mbrojtur Arabinë Saudite nga Houthitë

    Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë avionë luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) në Arabinë Saudite, në kuadër të një misioni mbrojtës që synon të parandalojë sulmet me raketa dhe dronë nga rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani.

    Vendimi është bërë i ditur nga sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, i cili ka konfirmuar se misioni do të përqendrohet në mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës saudite nga sulmet ajrore.

    Vendosja e avionëve vjen pas sulmeve me dronë dhe raketa balistike të Houthive ndaj kryeqytetit saudit, Riadit, si dhe objekteve energjetike përgjatë bregdetit të Arabisë Saudite.

    Në deklaratën e publikuar të martën, Streeting ka theksuar se avionët britanikë do të kenë vetëm funksion mbrojtës.

    “Këta avionë do të veprojnë në rol mbrojtës dhe nuk do të kryejnë sulme kundër Houthive”, thuhet në deklaratë.

    Përveç avionëve luftarakë, Londra do të dërgojë edhe këshilltarë ushtarakë dhe një avion transporti A400M të Forcave Ajrore Mbretërore, ndërsa do të vazhdojë ta mbështesë Riadin me pajisje ushtarake për mbrojtjen nga sulmet ajrore.

    Mbështetja britanike përfshin gjithashtu furnizimin me karburant në ajër për operacionet mbrojtëse saudite. Kjo mbështetje është zgjatur edhe për 90 ditë të tjera.

    Në një deklaratë të veçantë, Streeting ka kritikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite, duke vlerësuar se ato tregojnë përshkallëzimin e situatës në rajon.

    “Prandaj, sot kam miratuar mbështetje të mëtejshme ushtarake nga Mbretëria e Bashkuar”, ka shtuar ai.

    Houthitë janë të përfshirë në luftën civile në Jemen kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, e cila mbështetet nga Arabia Saudite. Grupi ka kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj aeroporteve, objekteve të naftës dhe gazit, si dhe bazave ushtarake saudite, në shenjë hakmarrjeje për sulmet ndaj territoreve që kontrollon në Jemenin perëndimor, përfshirë kryeqytetin Sana.

    Përfshirja e mëtejshme ushtarake britanike vjen në një kohë kur sulmet dhe kundërpërgjigjet po shtojnë tensionet në rajon.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • LEX | Nuk u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Auron Ferizit – Gjykata tregon arsyen pse Egzon Shallki mori 25 vjet burgim

    LEX | Nuk u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Auron Ferizit – Gjykata tregon arsyen pse Egzon Shallki mori 25 vjet burgim

    LEX | Nuk u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Auron Ferizit – Gjykata tregon arsyen pse Egzon Shallki mori 25 vjet burgim

    Gjykata Themelore në Gjilan ka sqaruar arsyet pse Egzon Shallki, i dënuar për vrasjen e Auron Ferizit në Viti, është dënuar me 25 vjet burgim dhe jo me burgim të përjetshëm.

    Sipas Gjykatës, gjatë përcaktimit të dënimit është konstatuar se Shallki, në kohën e kryerjes së veprës penale, kishte aftësi esencialisht të zvogëluar mendore, rrethanë që sipas Kodit Penal të Kosovës përjashton shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.

    Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 8 shtator 2025, në sheshin “Bafti Haxhiu” në Viti, ku Shallki, duke drejtuar veturën, kishte goditur një grup personash që qëndronin pranë një tavoline.

    Nga goditja ishin lënduar disa persona, ndërsa Auron Ferizi kishte ndërruar jetë më 10 shtator 2025 në QKUK.

    Gjykata ka bërë të ditur se gjatë shqiptimit të dënimit janë vlerësuar rrethanat rënduese dhe lehtësuese, duke u mbështetur në nenin 41, paragrafin 3, të Kodit Penal.

    Përveç 25 vjetëve burgim, Shallkit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues i marrjes së lejes së vozitjes për pesë vjet.

    Ndaj tij do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit, ndërsa palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i vendimit me shkrim.

    Shënim: Aktgjykimi nuk është ende i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ankese.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Barcelona dhe Bayerni vihen pas yllit të Zvicrës

    Barcelona dhe Bayerni vihen pas yllit të Zvicrës

    Barcelona dhe Bayerni vihen pas yllit të Zvicrës

    Barcelona dhe Bayern Munichu kanë nisur ta përcjellin nga afër mesfushorin e ri Johan Manzambi, i cili po spikat me paraqitjet e tij te Aston Villa, raporton mediumi spanjoll “Marca”.

    Reprezentuesi i Zvicrës ka tërhequr vëmendjen e skautëve të disa prej klubeve më të mëdha evropiane, të cilët e shohin si një futbollist me potencial të madh dhe një yll të mundshëm të së ardhmes.

    Gazetari Graeme Bailey, në një deklaratë për “TEAMtalk”, bëri të ditur se disa klube të njohura kanë nisur ta vlerësojnë zhvillimin e mesfushorit dhe perspektivën e tij afatgjatë.

    “E dimë se skautët e disa prej klubeve më të mëdha evropiane janë impresionuar nga paraqitjet e Manzambit, me disa prej tyre që e konsiderojnë një superyll të së ardhmes. Klubet e interesuara tashmë kanë nisur të vlerësojnë zhvillimin e tij dhe perspektivën afatgjatë”, deklaroi Bailey.

    I lindur në Gjenevë në vitin 2005, Manzambi është reprezentues i Zvicrës dhe dallohet për shkathtësinë, aftësinë për të depërtuar me top, për t’u futur në zonën kundërshtare dhe për të krijuar raste shënimi.

    Bayern Munichu e kishte ndjekur zhvillimin e tij që gjatë kohës kur luante te Freiburgu, ku regjistroi shtatë gola dhe nëntë asistime në 47 paraqitje.

    Pas transferimit te Aston Villa për 60 milionë euro, mesfushori ka vazhduar të lërë gjurmë me paraqitjet e tij. Sipas raportimit, ai ka kontribuar me gol ose asistim në çdo ndeshje nën drejtimin e trajnerit Unai Emery.

    Manzambi ka spikatur edhe në arenën ndërkombëtare, ku gjatë Kupës së Botës realizoi tre gola dhe dhuroi dy asistime në katër ndeshje. Megjithatë, një lëndim e detyroi të mungonte në fazën e 1/8 së finales dhe në çerekfinale.

    Interesimi nga Barcelona dhe Bayern Munichu pritet ta vendosë mesfushorin në qendër të vëmendjes gjatë afatit të ardhshëm kalimtar, ndërsa dy gjigantët evropianë do të vazhdojnë ta përcjellin zhvillimin e tij.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • 'Gjithçka është shkatërruar', thotë pronarja e një farmacie - pas protestave në Paris

    ‘Gjithçka është shkatërruar’, thotë pronarja e një farmacie – pas protestave në Paris

    Të shtunën, Franca u trondit nga disa prej trazirave më të rënda të viteve të fundit, vetëm gjashtë muaj para se vendi të zgjedhë pasuesin e presidentit Emmanuel Macron.

    Pamje të përleshjeve dhe ndërtesave publike të vëna në zjarr apo të vandalizuara qarkulluan në mbarë botën, duke bërë që disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Gjermaninë, të lëshonin njoftime për qytetarët e tyre që ndodhen në Francë.

    Ndërkohë, mes banorëve vendas ka mbizotëruar zemërimi, pasi u bë e ditur se të paktën 3,000 dyqane në mbarë vendin janë vandalizuar ose plaçkitur.

    “Përmasat e dëmeve janë të jashtëzakonshme. Gjithçka është shkatërruar, gjithçka. Nuk më ka mbetur asnjë mall, e dogjën të gjithën”, ka thënë për Euronews, Odelia, pronare e një farmacie në Paris.

    – YouTube www.youtube.com

    “Nuk e kuptoj dot se si dikush mund t’i vërë zjarrin një ndërtese, kur sipër saj ka banesa”.

    “U sollën si kafshë. Shkulën ngrohësen e ujit. Shkatërruan ndriçuesit. A kështu protestohet kundër kostos së lartë të jetesës?”.

    Ndërkaq, të martën, Franca do të vendosë masa të reja kufizuese të lëvizjes (orë policore) në zonat ku është e nevojshme, deklaroi Sébastien Lecornu, duke shtuar se masat e marra një ditë më parë në disa qytete “ndihmuan që nata të kalonte e qetë”.

    Nën presion, qeveria ka planifikuar një tjetër seri takimesh urgjente për të martën, përfshirë bisedime me përfaqësues të platformave kryesore të rrjeteve sociale. /Telegrafi/

  • Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës në dy gjuhë është racional

    Kambovski: Propozimi për provimin e jurisprudencës në dy gjuhë është racional

    Propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për të dhënë provimin e jurisprudencës në të dy gjuhët, maqedonisht dhe shqip, është racional, tha akademiku Vllado Kambovski, pasi studentët shqiptarë e refuzuan pardje dhe këmbëngulin që i gjithë provimi të jetë në gjuhën shqipe, përndryshe do të protestojnë përsëri.

    Kryeministri Hristijan Mickoski është i vendosur që pjesa me gojë e provimit të mbetet në gjuhën maqedonase, pra që “lingua franca” në sistemin gjyqësor të jetë maqedonishtja. Nga ana tjetër, Kambovski për “Sloboden Peçat” thotë se më e rëndësishme është të ketë terminologji ligjore të harmonizuar, si dhe kurrikula të harmonizuara në fakultetet e drejtësisë, ndërsa ka propozuar një iniciativë për terminologji dhe literaturë të detyrueshme të harmonizuar.

    “Në kushtet aktuale, ky propozim duket racional nëse marrim parasysh se këto janë fushat më të ndjeshme në fushën e drejtësisë, ku është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi terminologji ligjore të harmonizuar, përdorimin e asaj terminologjie në gjuhë të ndryshme, etj. Se terminologjia ligjore në vendin tonë nuk është mjaftueshëm e përpunuar dhe e zhvilluar në lidhje me të gjitha gjuhët e kërkuara për dhënien e provimit dhe, nga ana tjetër, harmonizimi i kurrikulave në përgjithësi është i nevojshëm në të gjitha fakultetet juridike, jo vetëm për këto dy lëndë, por edhe për lëndët e tjera, prandaj i propozova Ministrit të Drejtësisë dhe kolegëve të tjerë që të nisin iniciativën e mëposhtme në të gjitha fakultetet juridike, pavarësisht gjuhës që studiohet, të kenë një fond të vetëm të njësive të detyrueshme programore, lëndëve, që përputhen me përmbajtjen e atyre programeve, të kenë literaturë të detyrueshme që është e harmonizuar për të gjitha ato lëndë, pavarësisht nëse është në maqedonisht, anglisht, shqip apo në ndonjë gjuhë tjetër”, tha Kambovski.

    Akademiku beson se kjo do të kapërcejë problemet, dhe jo vetëm çështjen se në cilën gjuhë duhet dhënë provimi. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është se çfarë njohurish të përdorshme do të kenë ata studentë nesër kur të hyjnë në sistemin gjyqësor dhe të angazhohen në një nga profesionet ligjore, në një mënyrë që do të mundësojë arritjen e qëllimeve të ligjit, që është drejtësia./Telegrafi/

  • Publikohen detajet e "Marrëveshjes së Mekës" - Turqia, Arabia dhe Pakistani

    Publikohen detajet e “Marrëveshjes së Mekës” – Turqia, Arabia dhe Pakistani

    Qeveria turke ia ka dorëzuar të martën parlamentit të vendit tekstin e Paktit të Mbrojtjes së Mekës, marrëveshje që Turqia e nënshkroi në gusht me Arabinë Saudite dhe Pakistanin.

    Të tria vendet nënshkruan më 7 gusht në Mekë një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje, përmes së cilës zotohen ta mbrojnë njëra-tjetrën, në mënyrë të ngjashme me nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, që rregullon mbrojtjen kolektive të anëtarëve të NATO-s.

    Teksti i marrëveshjes, të cilin e ka siguruar portali Middle East Eye, zbulon hollësitë e këtij zotimi.

    Marrëveshja nuk e përcakton asnjë shtet apo rajon si kërcënim të drejtpërdrejtë. Në nenin e parë thuhet se, nëse kërcënohet integriteti territorial, sovraniteti apo kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të cilitdo prej vendeve nënshkruese, palët do të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme” për ta eliminuar kërcënimin.

    Sipas nenit të dytë, një sulm i armatosur nga jashtë ndaj cilitdo prej vendeve nënshkruese do të konsiderohet sulm ndaj të gjitha palëve.

    Nëse njëri prej shteteve përballet me sulm të armatosur ose agresion ushtarak nga një shtet tjetër apo nga një grup shtetesh, dy të tjerat obligohen t’i ofrojnë menjëherë ndihmë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e mbështetjes së ndërsjellë që kanë në dispozicion.

    Shtrirja dhe lloji i ndihmës do të përcaktohen pas një vlerësimi objektiv të nevojave të vendit të sulmuar dhe në përputhje me burimet e disponueshme, përfshirë mjetet dhe kapacitetet ushtarake. Kjo bëhet me qëllim të garantimit të së drejtës për vetëmbrojtje, të parashikuar në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

    Shkëmbimi i inteligjencës, armëve dhe karburantit

    Marrëveshja parasheh bashkëpunim në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, prodhim të përbashkët, kërkime shkencore, shkëmbim të personelit, si dhe organizimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.

    Vendet do të shkëmbejnë informacione të inteligjencës përmes kanaleve të sigurta, të dakorduara paraprakisht.

    Në kohë paqeje, lufte dhe situatash të tjera të jashtëzakonshme, ato do t’i ofrojnë njëra-tjetrës mbështetje logjistike, përfshirë armë, municion, karburant dhe pjesë rezervë.

    Informacionet konfidenciale të siguruara në kuadër të marrëveshjes nuk do të mund të ndahen me shtete, kompani apo persona jashtë këtij bashkimi.

    Palët janë zotuar gjithashtu të luftojnë së bashku terrorizmin, përfshirë bashkëpunimin në nivel operacional, si dhe të zhvillojnë konsultime të rregullta për çështjet e sigurisë ndërkombëtare.

    Sekretariati do të vendoset në Arabinë Saudite

    Marrëveshja parasheh krijimin e një Komiteti Strategjik Politik dhe të Mbrojtjes, në përbërje të të cilit do të jenë ministrat e jashtëm, ministrat e mbrojtjes dhe shefat e shtabeve të përgjithshme të tri vendeve.

    Komiteti do të mblidhet dy herë në vit, me takime që do të organizohen me rotacion në secilin prej vendeve anëtare.

    Udhëheqësit e shteteve mund të takohen një herë në vit, nëse e vlerësojnë të nevojshme.

    Komiteti do të përcaktojë, me konsensusin e tri vendeve themeluese, edhe rregullat për anëtarësimin e shteteve të tjera në marrëveshje.

    Sekretariati i komitetit do të vendoset në Arabinë Saudite dhe do të udhëhiqet nga një sekretar i përgjithshëm, me mandat trevjeçar. Emërimi do të bëhet me rotacion ndërmjet vendeve themeluese.

    Sekretari i parë i përgjithshëm do të jetë shtetas i Pakistanit.

    Marrëveshja përbëhet nga 16 nene dhe nuk ka afat të përcaktuar për përfundimin e saj. Ajo do të hyjë në fuqi pasi vendi i fundit nënshkrues të depozitojë dokumentin e ratifikimit.

    Megjithatë, një shtet mund të tërhiqet nga marrëveshja vetëm pasi të kenë kaluar dhjetë vjet nga hyrja e saj në fuqi. Për këtë duhet t’i njoftojë me shkrim vendet e tjera, të paktën tre muaj përpara.

    Dokumenti është nënshkruar në gjuhën turke, arabe dhe angleze. Në rast të dallimeve në interpretim ndërmjet versioneve, përparësi do të ketë teksti në gjuhën angleze. /Telegrafi/