Blog

  • "Tani jam një njeri tjetër", ylli i Tottenhamit flet pas rikthimit në fushë pas 526 ditësh

    “Tani jam një njeri tjetër”, ylli i Tottenhamit flet pas rikthimit në fushë pas 526 ditësh

    Dejan Kulusevski ka thënë se ndihet si një “njeri tjetër” pasi u rikthye në ekipin e Tottenhamit pas një pushimi të gjatë për shkak të lëndimeve. Reprezentuesi suedez luajti minutat e tij të para për 526 ditë në fitoren ndaj Coventry Cityn të hënën mbrëma.

    Suedezi, i cili e përshkruan veten si një “njeri më të zgjuar” dhe “të ndryshëm”, hyri në fushë në minutën e 86-të. Ishte paraqitja e tij e parë që nga 11 maji 2025, kur pësoi një dëmtim të rëndë në gju. Rikthimi i tij erdhi në ndeshjen në të cilën Tottenham regjistroi fitoren e parë të sezonit të ri të Ligën Premier, duke mposhtur Coventry City 3-1.

    Kulusevski theksoi se koha e tij larg fushës i ka ndryshuar perspektivën për futbollin, por edhe për identitetin e tij si sportist profesionist.

    “Jam shumë mirënjohës që më është dashur të kaloj nëpër këtë. Tani jam gati për futbollin. E shoh veten ndryshe. Mendoj se jam një person tjetër. Jam ende i njëjti fëmijë që dëshiron të luajë futboll, por jam pak më i zgjuar, kështu që jam i lumtur”, ka thënë fillimisht Kulusevski për Sky Sports.

    Rritja personale gjatë rikuperimit

    Ish-lojtari i Juventusit reflektoi mbi tendosjen mendore dhe fizike të rikuperimit të tij dhe theksoi rritjen personale që ka përjetuar gjatë asaj kohe. Ai tha se është krenar për qëndrueshmërinë që ka treguar gjatë mungesës së tij të gjatë nga fusha. Kthimi i tij është një nxitje e madhe për klubin londinez, të cilit i ka munguar depërtimi dhe kreativiteti i tij në krah.

    Suedezi foli me qetësi për 17 muajt e fundit të rikuperimit. “Do t’u tregoj të gjithëve për këtë udhëtim. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, edhe pse ndonjëherë ka qenë e vështirë; e vështira është në të vërtetë e bukur”, tha ai.

    Lëndim kompleks dhe rikuperim i gjatë

    Kulusevski pësoi një dëmtim kompleks në gju kundër Crystal Palace, me dëmtime të rënda të kërcit. Edhe pse iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale shpejt, rikuperimi i tij ishte i ndërlikuar, duke kërkuar ndërhyrje kirurgjikale shtesë korrigjuese dimrin pasardhës. Ish-lojtari i Juventusit humbi të gjithë sezonin 2025/26 për shkak të këtyre problemeve.

    Rimëkëmbja zgjati një vit e gjysmë dhe përbëhej nga stërvitje e pavarur në palestër dhe rehabilitim intensiv. Performanca kundër Coventry shënoi fundin e një mungese pothuajse 18-mujore nga fusha, e cila ishte një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij. /Telegrafi/

  • Banorët e Albertës kanë zgjedhur qartë të mbeten pjesë e Kanadasë, thotë kryeministri Carney

    Banorët e Albertës kanë zgjedhur qartë të mbeten pjesë e Kanadasë, thotë kryeministri Carney

    Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka deklaruar se banorët e provincës së Albertës kanë bërë një “zgjedhje të qartë” kundër pavarësisë, pasi rezultatet e para tregojnë se rreth tri të katërtat e votuesve kanë mbështetur qëndrimin e provincës në përbërje të Kanadasë.

    Sipas BBC-së, votuesit në Alberta po vendosnin nëse provinca duhej të mbetej pjesë e Kanadasë apo të vazhdonte drejt një referendumi për pavarësi.

    “Alberta zgjodhi Kanadanë”, ka deklaruar Carney, duke reaguar ndaj rezultateve paraprake të votimit.

    Megjithatë, pavarësisht epërsisë së kampit që mbështet qëndrimin në Kanada, separatistët kanë pretenduar se kanë arritur një fitore të tyren. Udhëheqësi i lëvizjes separatiste, Jeffrey Rath, i ka thënë BBC-së se lëvizja e tij nuk do të ndalet.

    Ndërkohë, kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, ka deklaruar se qytetarët kanë “votuar për një Alberta më të fortë”. Ajo pritet t’u drejtohet qytetarëve për të komentuar rezultatet e votimit dhe hapat e ardhshëm për provincën.

    Përveç çështjes së pavarësisë, votuesit janë pyetur edhe për një sërë çështjesh të tjera, përfshirë imigracionin dhe identifikimin e votuesve.

    Reagime ndaj rezultateve priten edhe nga liderë të tjerë politikë kanadezë. Kreu i Partisë së Re Demokratike, Avi Lewis, pritet të mbajë një konferencë për media, ndërsa edhe lideri konservator Pierre Poilievre, deputet nga Alberta, pritet të komentojë rezultatet.

    Sipas BBC-së, votimi nuk nënkupton domosdoshmërisht se debati për sovranitetin e Albertës ka përfunduar, pasi çështja e marrëdhënieve të provincës me qeverinë federale mbetet pjesë e diskutimeve politike.

    Burimi: Dukagjini

  • Motra e modeles Sahara Ray me dedikim prekës për të: Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë këtë dhimbje

    Motra e modeles Sahara Ray me dedikim prekës për të: Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë këtë dhimbje

    Motra e vogël e modeles dhe sipërmarrëses Sahara Ray, e cila ndërroi jetë në moshën 34-vjeçare, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen e saj.

    Ruby Ray publikoi disa fotografi me motrën e saj të ndjerë, duke e përshkruar Saharën si një person plot jetë, inteligjente, të dashur dhe me një shpirt të jashtëzakonshëm.

    Ajo tha se bota tashmë i duket shumë më e errët pa praninë e saj.

    Foto: Instagram

    “Është mizore ta duash dikë kaq shumë dhe më pas të mos dish ku ta çosh gjithë atë dashuri”, shkroi Ruby, duke shtuar se nuk ekzistojnë fjalë që mund ta përshkruajnë dhimbjen që po përjeton.

    Sahara ishte vajza e sërfistit profesionist Tony Ray. Ajo u lind në Australi dhe u rrit në Kaliforni, ku krijoi markën e saj të rrobave të banjës, Sahara Ray Swim.

    Foto: Instagram

    Emri i saj tërhoqi vëmendjen e mediave edhe në vitin 2016, kur u përfol për një lidhje me këngëtarin Justin Bieber.

    Në vitin 2024, modelja kishte bërë të ditur se ishte diagnostikuar me sindromën Guillain-Barre, një çrregullim i rrallë neurologjik, e më vonë kishte treguar se simptomat po fillonin të zbuteshin.

    Në fillim të këtij viti, Sahara u bë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë vajzën e saj, Snow. /Telegrafi/

  • Kapet duke peshkuar me rrjeta në Drinin e Bardhë, i konfiskohen varka dhe peshqit

    Kapet duke peshkuar me rrjeta në Drinin e Bardhë, i konfiskohen varka dhe peshqit

    Një person dyshohet se ka ushtruar peshkim ilegal me rrjeta krahu në lumin Drini i Bardhë, në Krushë të Madhe.

    Sipas njoftimit të Federatës së Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës (FPSRK), rasti është raportuar më 20 tetor, rreth orës 14:40, pas së cilës janë aktivizuar rojet e peshkimit, të cilat kanë ndërhyrë dhe e kanë ndaluar personin gjatë aktivitetit të dyshuar ilegal.

    Gjatë aksionit janë konfiskuar varka, rrjetat dhe peshqit, ndërsa ndaj personit është ngritur kallëzim penal, sipas procedurave përkatëse.

    Kryetari i FPSRK-së, Milaim Vitia, ka bërë të ditur se federata do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e ujërave të Kosovës dhe parandalimin e peshkimit ilegal.

    “Ujërat e Kosovës janë pasuri e përbashkët dhe duhet të mbrohen!”, thuhet në njoftimin e FPSRK-së. /Telegrafi/

  • Van Dijk i gatshëm për epokën e re te Liverpooli nën drejtimin e Iraolas

    Van Dijk i gatshëm për epokën e re te Liverpooli nën drejtimin e Iraolas

    Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka shprehur vendosmërinë për ta udhëhequr skuadrën drejt një kapitulli të ri, nën drejtimin e trajnerit Andoni Iraola.

    Pas largimit të Arne Slotit dhe përfundimit të sezonit të kaluar në vendin e pestë në Ligën Premier, Liverpooli po përgatitet për një fazë të re, me ndryshime në përbërjen e skuadrës dhe synime të qarta për t’u rikthyer në nivelet më të larta.

    Në një intervistë për revistën Man About Town, mbrojtësi holandez ka theksuar se motivimi i tij për të fituar mbetet i njëjtë, pavarësisht ndryshimeve që po ndodhin në klub.

    “Jam në fushë, në palestër dhe në shtëpi, gjithmonë me të njëjtën uri për sukses”, deklaroi Van Dijk.

    Duke folur për ndryshimet në skuadër dhe periudhën e re që po nis te Liverpooli, 35-vjeçari theksoi se e ndien përgjegjësinë për të dhënë maksimumin, si ndaj tifozëve, ashtu edhe ndaj vetes.

    “E kam këtë përgjegjësi ndaj tifozëve tanë, por edhe ndaj vetes. Nuk dal në fushë për të dhënë vetëm gjysmën e mundësive të mia apo për të menduar se gjithçka është ndryshe tani. Unë luaj futboll dhe stërvitem për të fituar. Kjo nuk do të ndryshojë kurrë”, u shpreh kapiteni i Liverpoolit.

    Van Dijk vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të skuadrës angleze dhe një lider i rëndësishëm në repartin defensiv.

    Sezonin e kaluar, ai regjistroi gjashtë gola në 38 paraqitje në Ligën Premier, duke dëshmuar se mbetet një element me ndikim edhe në fazën ofensive.

    Tashmë, me një kapitull të ri që po hapet në ‘Anfield’, Liverpooli do të mbështetet edhe te përvoja dhe lidershipi i kapitenit holandez për t’u rikthyer në garën për objektivat më të mëdhenj. /Telegrafi/

  • Ekskluzive| Përleshje me çekan mes shtetasve turq në Pejton – arrestohen tre persona, njëri përfundon në QKUK

    Ekskluzive| Përleshje me çekan mes shtetasve turq në Pejton – arrestohen tre persona, njëri përfundon në QKUK

    Ekskluzive| Përleshje me çekan mes shtetasve turq në Pejton – arrestohen tre persona, njëri përfundon në QKUK

    Tre persona raportohet se janë arrestuar pas një përleshjeje fizike që dyshohet se ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Sejdi Kryeziu”, në lagjen Pejton të Prishtinës.

    Sipas informacioneve ekskluzive që ka siguruar Gazeta Sinjali, në përleshje dyshohet se janë përfshirë disa shtetas turq, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se është goditur me çekan.

    I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se lidhur me këtë incident janë arrestuar tre persona.

    Motivi dhe rrethanat e përleshjes mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar nga Policia e Kosovës.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Haxhiu priti në takim drejtoreshën e NDI-së në Kosovë

    Haxhiu priti në takim drejtoreshën e NDI-së në Kosovë

    Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg, me të cilën diskutoi për prioritetet e agjendës legjislative të Kuvendit, për mbështetjen që NDI do t’i ofrojë Institutit Parlamentar, si dhe për avancimin e një agjende ligjvënëse që merr parasysh nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave në mënyrë të barabartë.

    Sipas njoftimit nga Kuvendi, duke falënderuar Soderbergun për përkushtimin e saj personal dhe për mbështetjen e vazhdueshme që NDI i ka dhënë Kuvendit ndër vite, kryeparlamentarja Haxhiu tha se i gëzohet vazhdimit të këtij bashkëpunimi, me bindjen se institucionet e Kosovës bëhen më të forta kur përfitojnë nga dija, përvoja dhe partneritetet e qëndrueshme.

    “Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve”, tha Haxhiu.

    Burimi: RTKLive

  • Ambasadori britanik pas takimit me Ramën: Diskutuam për Lojërat Mesdhetare

    Ambasadori britanik pas takimit me Ramën: Diskutuam për Lojërat Mesdhetare

    Hargreaves përmendi edhe mundësitë që mund të krijohen për investitorët britanikë.

    “Prishtina është një qytet në lëvizje. Ishte kënaqësi të takohem me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për të diskutuar rreth Lojërave Mesdhetare, planeve ambicioze të Prishtinës për investime dhe zhvillim të ri, si dhe mundësive që këto mund të krijojnë për bizneset dhe investitorët britanikë”, ka thënë ai.

    Burimi: RTKLive

  • Fëmija juaj është i zemëruar? Qetësojeni duke ndjekur këto hapa

    Fëmija juaj është i zemëruar? Qetësojeni duke ndjekur këto hapa

    Kur u mësojmë fëmijëve si ta menaxhojnë zemërimin e tyre që në moshë të vogël, i ndihmojmë ata të zhvillojnë aftësi rregullimi emocional që do t’u shërbejnë gjatë gjithë jetës së tyre.

    Është e rëndësishme të vendosni kufij dhe të pranoni ndjenjat e tyre në mënyrë që ata të kuptojnë se është në rregull të jenë të zemëruar, por jo të lëndojnë të tjerët. Terapistët dhe psikologët e fëmijëve shpjegojnë gjashtë mënyra efektive se si prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre përmes këtij procesi, shkruan Parents.com.

    Pranoni zemërimin e fëmijës suaj

    Kur fëmija juaj ka një shpërthim zemërimi, pranojeni atë. Thuaj diçka si: “E shoh që je i mërzitur”. Nëse e dini arsyen e frustrimit, mund të shtoni: “E shoh që je i mërzitur sepse të pëlqen të lëkundesh, dhe tani duhet të ikim nga parku”. Pas kësaj, është e rëndësishme ta pranoni atë zemërim dhe t’i thoni fëmijës suaj: “Është në rregull të jesh i mërzitur”. Qëllimi është që fëmija juaj të ndihet rehat duke shprehur emocionet e tij, jo duke i shtypur ato.

    Shkencëtarët pohojnë se pranimi i emocioneve mund të zvogëlojë intensitetin e tyre dhe ta bëjë më të lehtë për një fëmijë të qetësohet. Nga ana tjetër, t’i thuash një fëmije se ndjenjat e tij janë “të gabuara” vetëm sa mund ta përkeqësojë situatën dhe ta intensifikojë reagimin.

    Inkurajojini ata të përdorin fjalë

    Fëmijët nuk e dinë automatikisht se çfarë fjalësh të përdorin kur janë të mërzitur, shpjegon terapistja e fëmijëve Meri Wallace, dhe kjo është një aftësi që prindërit duhet t’ua mësojnë atyre. Për shembull, mund të thoni: “Kur je i zemëruar, duhet të përdorësh fjalë” ose “Dua të dëgjoj se çfarë të shqetëson. Nëse më thua me fjalë, do të të kuptoj më mirë dhe do të jem në gjendje të të ndihmoj”. Nëse fëmija juaj po përpiqet të shpjegojë zemërimin e tij, ofrojini një model të gatshëm: “Kur je i zemëruar, thuaj: ‘Jam i zemëruar’ dhe unë do të të ndihmoj”.

    Me kalimin e kohës, ata do t’i përvetësojnë këto fraza, si dhe rregullat që ju vendosni për ta me shembullin tuaj. Hulumtimet tregojnë se fëmijët që përvetësojnë rregullat e prindërve të tyre shpesh janë më kompetentë shoqërisht dhe më të përshtatur. Fëmijë të tillë kanë tendencë të kenë një kuptim më të mirë të koncepteve morale dhe janë më efektivë në situata shoqërore.

    Gjeni një zgjidhje pozitive

    Për breza me radhë, shpërthimet e zemërimit janë parë si përpjekje për manipulim dhe ekspertët i këshillonin prindërit t’i linin fëmijët e tyre “të qanin me të madhe” në mënyrë që të mos i prishnin. Kjo qasje ka ndryshuar që atëherë. Sot, pediatrit rekomandojnë trajtimin e shpërthimeve të zemërimit me qetësi dhe përdorimin e strategjive që ndihmojnë në qetësimin e situatës.

    Ndërsa është joshëse të dorëzohesh ndaj çdo kërkese për të shmangur kaosin, metoda “t’i lësh të qajnë” nuk u mëson fëmijëve mekanizma të shëndetshëm përballimi. Fëmijët kanë nevojë për udhëzime për të kapërcyer zemërimin e tyre dhe është më efektive t’i udhëzosh ata përmes këtij procesi sesa t’i lësh të zhyten në frustrim.

    Ka disa mënyra se si mund t’i ndihmoni gjatë një krize të çastit. Sugjeroni një zgjidhje: “Është e vështirë të ndash lodrën tënde të preferuar. Le ta lëmë mënjanë ndërsa shoku/shoqja jote është këtu dhe mund të luash me të më vonë.” Gjithashtu mund t’i shpërqendroni: “E di që je i/e trishtuar/a sepse po bie shi dhe nuk mund të shkojmë në park. Po sikur të ngremë një tendë në dhomën e ndenjes?” Ndonjëherë një kompromis funksionon: “Nuk mund të hamë akullore para darkës, por ti mund të hash disa feta molle.” Të gjitha këto strategji e ndihmojnë fëmijën tuaj të zhvendosë fokusin nga frustrimi në diçka më pozitive.

    Gjeni një vend të qetë

    Nëse ndodheni në një vend publik, përpiquni të largoheni nga turma. Përqendrohuni te fëmija juaj dhe te vetja, jo te ajo që mendojnë të tjerët. Kur e largoni vëmendjen nga vëzhguesi, zvogëloni presionin dhe krijoni një hapësirë private ku mund të lidheni me fëmijën tuaj. Sa më pak zhurmë dhe shpërqendrime të ketë, aq më e lehtë do të jetë për të dy të rifitoni paqen.

    Kapeni fëmijën tuaj për dore dhe i thoni butësisht: “Ejani në prehrin tim dhe do të flasim për këtë.” Ky moment i qetë e ndihmon fëmijën tuaj të ndihet i sigurt dhe i mbështetur ndërsa përballet me një emocion të fortë. Është e rëndësishme që vetë të qëndrojë i qetë. Fëmija juaj do të kërkojë udhëzime nga ju se si të reagojë. Merrni frymë thellë dhe qëndroni të qetë.

    Vendosni një kufi të qartë

    Ndërsa është e rëndësishme të pranohet se është në rregull të ndihesh i zemëruar, sjellja agresive nuk është e pranueshme. Për shembull, nëse një fëmijë godet një vëlla/motër, mund të thoni: “Është në rregull të jesh i zemëruar. Zemërimi yt është në rregull, por goditja jo.” Pastaj shtoni: “Ne nuk godasim ose shqelmojmë askënd.”

    Pastaj, drejtojeni fëmijën drejt një përgjigjeje pozitive dhe shpjegoni kufirin: “Goditja dhemb. Ne nuk po lëndojmë askënd.” Fëmijët do ta kuptojnë dhe do të bashkëpunojnë më lehtë kur arsyeja është e qartë për ta.

  • Haxhiu takohet me drejtoreshën e NDI-së, diskutojnë për agjendën legjislative dhe barazinë gjinore

    Haxhiu takohet me drejtoreshën e NDI-së, diskutojnë për agjendën legjislative dhe barazinë gjinore

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg.

    Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për prioritetet e agjendës legjislative të Kuvendit, mbështetjen që NDI do t’i ofrojë Institutit Parlamentar, si dhe avancimin e një agjende ligjvënëse që merr parasysh në mënyrë të barabartë nevojat dhe përvojat e grave dhe burrave.

    Haxhiu e ka falënderuar Soderbergun për përkushtimin e saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme që NDI i ka ofruar Kuvendit të Kosovës ndër vite.

    Ajo ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, duke vënë në pah se institucionet e Kosovës forcohen përmes shkëmbimit të dijes, përvojës dhe partneriteteve të qëndrueshme.

    “Besoj se ligjet e mira fillojnë nga njohja e mirë e nevojave të qytetarëve. Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi të ketë kapacitete të fuqishme profesionale dhe që barazia gjinore të jetë pjesë e vetë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të ligjeve”, ka thënë Haxhiu.

    Takimi u fokusua në forcimin e kapaciteteve profesionale të Kuvendit dhe në përfshirjen e barazisë gjinore në procesin ligjvënës. /Telegrafi/