Blog

  • Pejë, vazhdon asfaltimi i rrugës Ura e Tranzitit-Qyshk-Pavlan

    Pejë, vazhdon asfaltimi i rrugës Ura e Tranzitit-Qyshk-Pavlan

    Vlera e përgjithshme e projektit është 285 mijë e 40 euro. Prej tyre, 250 mijë euro financohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa pjesa tjetër nga Komuna e Pejës.

    Ky investim synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve, duke krijuar lidhje më të mira ndërmjet fshatrave dhe qytetit të Pejës.

    Burimi: RTKLive

  • 51 aksidente dhe 2344 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

    51 aksidente dhe 2344 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 26 aksidente me të lënduar dhe 25 të tjera me dëme materiale. Policia brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2344 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 17 persona, 8 i ka dërguar në mbajtje.

    Burimi: RTKLive

  • Deimel: Kosova duhet të rikthejë besimin e BE-së përmes diplomacisë

    Deimel: Kosova duhet të rikthejë besimin e BE-së përmes diplomacisë

    Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë rrezikon të

    ndikojë në sundimin e ligjit, besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe procesin e integrimit

    evropian të Kosovës. Kështu vlerëson analistja austriake, Johanna Deimel, e cila në një intervistë për Radio Kosovën flet edhe për ndikimin politik të kësaj nisme, trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimet në Serbi dhe të ardhmen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Deimel thekson nevojën për një qasje të përbashkët ndërpartiake dhe për rikthimin e besimit të partnerëve

    ndërkombëtarë përmes rrugëve diplomatike.

    Radio Kosova: Si e interpretoni nismën e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit që

    rregullon Dhomat e Specializuara?

     

    Johanna Deimel: Së pari, do të doja të theksoja se vendimi u shpall në Hagë në një kohë kur

    Kosova po kalonte një fazë shumë të rëndë politike. Kriza politike, sipas këndvështrimit tim,

    kishte arritur një pikë absolutisht kritike, në të cilën gjithnjë e më shumë po vihej në pikëpyetje

    funksionimi i institucioneve shtetërore. Kjo nismë u paraqit në një periudhë të gjatë bllokade

    institucionale. Po të mos ishte zgjedhur presidentja në momentin e fundit, vendi do të përballej

    me zgjedhje të reja dhe do të gjendej në një situatë edhe më të rëndë politike, sociale dhe

    ekonomike. Në këtë aspekt, zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës ishte një zhvillim jashtëzakonisht i

    rëndësishëm politik, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Pika ime e

    radhës lidhur me këtë pyetje është se të dyja çështjet, pra ndryshimet e propozuara dhe zgjedhja e presidentes, u karakterizuan nga bashkëpunimi ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes. Kriza

    politike u shmang fjalë për fjalë në momentin e fundit. Kjo ndodhi sepse një nga kushtet e

    marrëveshjes për zgjedhjen e presidentes ishte që paraprakisht të miratoheshin këto ndryshime.

    Sipas mendimit tim, ky ishte një veprim politik shumë i guximshëm, por edhe mjaft i rrezikshëm.

    Megjithatë, ajo që mbetet tani është një çështje e rëndësishme, sepse ka të bëjë me sundimin e

    ligjit dhe kufijtë e pushtetit parlamentar në raport me një gjyqësor të pavarur. Në thelb, pyetja

    është nëse, në të ardhmen, çështjet gjyqësore do të zgjidhen përmes gjykatave të pavarura dhe

    mjeteve juridike, përkatësisht procedurave të ankimimit, apo nëse do të ndikohen nga presioni

    politik. Kjo është një çështje themelore për funksionimin e sundimit të ligjit dhe madje edhe për

    besimin e qytetarëve në të. Mesazhi politik i kësaj nisme është se ne mund t’i anashkalojmë

    detyrimet juridike ndërkombëtare që kemi marrë përsipër.

     

    Radio Kosova: A e shihni këtë nismë kryesisht si një lëvizje të brendshme politike, si një

    përpjekje për t’iu përgjigjur opinionit publik apo si një sfidë ndaj bashkësisë ndërkombëtare?

     

    Johanna Deimel: Pra, përshtypja ime është se pikërisht për shkak se Kosova ndodhej në një

    gjendje trazirash dhe pasigurie, dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për mua, ky

    aktgjykim goditi një shoqëri që ishte thellësisht e tronditur në themelet e saj për sa i përket të

    ardhmes së vendit. E ardhmja ishte më e pasigurt sesa kishte qenë për një kohë të gjatë. Për më

    tepër, u vu në pikëpyetje lufta e drejtë për pavarësi kundër terrorit serb. Të paktën, ky ishte

    interpretimi i përhapur, i shoqëruar me reagime tejet emocionale. Prandaj, protestat që pasuan

    aktgjykimet nuk ishin vetëm një shprehje e emocioneve, por, sipas vlerësimit tim, në një masë të

    konsiderueshme, ato shërbyen si një mënyrë për të shprehur emocionet e lidhura me dinjitetin

    dhe luftën e drejtë për pavarësi. Dhe më lejoni të bëj edhe një vërejtje, si kujtesë: ishte Qeveria e

    PDK-së ajo që, në vitin 2014, vendosi për themelimin e Dhomave të Specializuara, në

    marrëveshje me BE-në dhe SHBA-në, ose, nëse mund ta shpreh kështu, nën presionin e tyre.

    Ndërkaq, në rrethanat politike të dy viteve të fundit, për PDK-në, aktgjykimi përbënte një

    mundësi për të rifituar terren politik. Ajo, pa dyshim, ka llogaritur se mund ta shfrytëzonte valën

    e indinjatës në favor të saj, në prag të zgjedhjeve të reja. Në çdo rast, miratimi i ndryshimeve në

    Kuvend ishte rezultat i presionit maksimal politik ndaj deputetëve, si dhe i presionit që ishte

    krijuar në rrugë dhe brenda shoqërisë. Prandaj, sipas vlerësimit tim, ndryshimet ligjore kishin

    kryesisht për qëllim audiencën vendore, ndërsa reagimet ndërkombëtare kishin rëndësi dytësore.

    Radio Kosova: Si mund të ndikojë kjo nismë në debatin politik në Kosovë për trashëgiminë e

    Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën?

    Johanna Deimel: Vizitën time të parë në Kosovë e bëra në vitin 2000 dhe atëherë pashë plagët e

    thella që kishte lënë lufta kundër terrorit serb, ndërsa KFOR-i ishte i pranishëm kudo si garantues

    i sigurisë. Nga ajo kohë, Kosova kaloi një rrugë shumë të vështirë për të ndërtuar një shtet nga e

    para, me demokraci dhe sundim të ligjit. Një rrugëtim që, duhet thënë, Kosova e përshkoi me

    mjaft sukses. Pata gjithashtu privilegjin ta shoqëroja Kosovën në rrugën drejt pavarësisë në vitin

    2008 dhe në vitet pasuese. UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare kanë qenë gjithmonë të pranishme,

    qoftë përmes monumenteve, varrezave apo në vetë shoqërinë. Gjithashtu, ishte shumë e

    lavdërueshme që Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit në nëntor të vitit 2020 dhe,

    menjëherë pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij, u dorëzua para gjykatës në Hagë. Megjithatë,

    proceset gjyqësore kanë qenë të gjata. Po flasim për më shumë se dhjetë vjet, gati njëmbëdhjetë.

    Dhe që nga fillimi nuk ka qenë aspak e përjashtuar mundësia që të pasonin dënime. Edhe pse nuk

    janë gjetur prova që mbështesin dyshimin fillestar për trafikim organesh, lista e krimeve të luftës

    për të cilat janë dënuar të akuzuarit është serioze dhe e rëndë. Megjithatë, gjatë viteve të fundit,

    nuk ka pasur një debat të mirëfilltë politik dhe shoqëror për rolin e UÇK-së. Lufta e saj legjitime

    për çlirim nuk është vënë në pikëpyetje nga aktgjykimi i Hagës. Por trauma është shumë e thellë

    te veteranët e UÇK-së, familjet e tyre dhe viktimat. Çdo shqyrtim i ngjarjeve të dhunshme duhet

    të jetë në gjendje t’i trajtojë edhe anët e errëta të luftës. Dhe pikërisht këto janë ngritur tani në

    aktgjykimin e gjykatës, ku bëhet fjalë për krime të pretenduara individuale të luftës. Prandaj,

    pyetja thelbësore është nëse Kosova mund ta nderojë luftën e saj çlirimtare si themel të

    shtetësisë, duke pranuar njëkohësisht mundësinë që individë të caktuar të kenë kryer krime.

    Politikanët dhe shoqëria duhet ta trajtojnë këtë çështje. Procesi i apelit ofron një mundësi të

    vonuar, por të domosdoshme, për ta bërë këtë. Do të doja të shihja një strategji të matur dhe

    gjithëpërfshirëse, përtej dallimeve partiake, mes qeverisë dhe opozitës për procesin e apelit. Kjo

    është e rëndësishme. Po aq e rëndësishme është që qytetarët të informohen në mënyrë

    transparente. Dhe në këtë pikë pajtohem me Fatmir Malokun: duhet të parandalohen tensionet

    mes Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, si dhe protestat e reja qytetare.

    Radio Kosova: Si mund të ndikojnë ndryshimet e propozuara në marrëdhëniet e Kosovës me

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian?

    Johanna Deimel: Mendoj se Bashkimi Evropian, për të filluar me të, ishte shumë i qartë në

    deklaratën e tij. BE-ja ka paralajmëruar se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, si

    pjesë e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentes së re, shkelin detyrimet ndërkombëtare tëvendit. Komisionarja e BE-së për Zgjerim e bëri shumë të qartë se, sipas vlerësimit të saj,

    ndryshimet në ligj bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ajo

    madje i cilësoi këto ndryshime si të papranueshme. Sipas asaj që kuptoj, Kosova nuk mund të

    bëjë ndryshime thelbësore pa u konsultuar paraprakisht me Bashkimin Evropian dhe pa arritur

    një marrëveshje për to. Prandaj, nëse institucionet e Kosovës vënë tani në pikëpyetje pavarësinë

    e gjykatës, kjo mund të dëmtojë edhe besimin e partnerëve evropianë. Kjo, natyrisht, ngre edhe

    pyetjen nëse Kosova mund të vazhdojë afrimin e saj me Bashkimin Evropian pa u shndërruar

    mosmarrëveshja për Dhomat e Specializuara në një përballje të vazhdueshme me partnerët

    evropianë. Së fundi, ndryshimet e propozuara gjithashtu nuk ka gjasa të ndihmojnë në bindjen e

    pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Për Sa i përket Shteteve të

    Bashkuara, këtu e shoh situatën ndryshe. Nën udhëheqjen e Donald Trumpit, vetë SHBA-ja

    aktualisht po përpiqet ta çmontojë, pjesë-pjesë, Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, siç

    deklaroi pak ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Vërejtjet ironike të

    presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me nominimin e gjyqtarit Nhabiti për Çmimin Nobel

    për Paqe, dëshmojnë për përçmimin e tij ndaj angazhimit për të drejtat e njeriut dhe luftës kundër

    krimeve të luftës. Për Donald Trumpin, Kosova do të kishte qenë me interes vetëm si një mjet

    për të siguruar Çmimin Nobel për Paqe. Fakti që Kosova nuk pajtohet me vendimin e gjykatës në

    Hagë dhe madje vë pjesërisht në pikëpyetje legjitimitetin e saj, i shkon drejtpërdrejt për shtat

    narrativit të Trumpit. Këto ndryshime janë gjithashtu shumë të rrezikshme edhe për procesin e

    anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, një synim për të cilin Kosova kishte shprehur

    interesim të madh dhe që lidhej edhe me funksionalizimin e Kuvendit dhe zhvillimet e tjera

    institucionale. Edhe në këtë rast, çështja kryesore është besimi. Sundimi i ligjit luan një rol

    thelbësor për anëtarët dhe shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Për rrjedhojë, këto ndryshime e

    bëjnë edhe më të vështirë për Kosovën arritjen e këtij synimi.

     

    Radio Kosova: A mund të ndikojnë përpjekjet për ndryshimin e mandatit të Dhomave të

    Specializuara në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe në ambiciet e saj për integrim evropian?

     

    Johanna Deimel: Natyrisht, kjo do të ketë ndikim, sepse Bashkimi Evropian e konsideron

    pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore si

    kritere kyçe në përgatitjet për anëtarësim. Këto ndryshime paraqesin, mbi të gjitha, një problem

    të besueshmërisë dhe të sundimit të ligjit në procesin e afrimit të Kosovës me Bashkimin

    Evropian. Prandaj, sipas mendimit tim, çdo përpjekje për të ndryshuar mandatin mund ta

    dobësojë gjithashtu mbështetjen politike për hapat e mëtejshëm drejt integrimit dhe mund të hapë

    rrugën për vendosjen e kushteve shtesë ose për shtyrjen e procesit. BE-ja mund t’i shtojë

    gjithashtu kërkesat për sqarime ligjore, garanci efektive dhe respektim të detyrimeve

    ndërkombëtare.

    Radio Kosova: Çfarë mendoni se duhet të bëjë Kosova në fazën e ardhshme, atë të apelit?

    Johanna Deimel: Kosova, si shtet, duhet të gjejë një strategji, siç e thashë edhe më herët. Është

    e rëndësishme që, para së gjithash, të hartojë një strategji të vetën, e cila të jetë ndërpartiake, e

    matur dhe të përfshijë ekspertë ndërkombëtarë, por, mbi të gjitha, të zhvillojë konsultime me

    Bashkimin Evropian. Sepse, edhe një herë, çështja është që përmes rrugëve diplomatike dhe një

    qasjeje diplomatike të rikthehet besimi te shteti i Kosovës si një partner i besueshëm. Kjo është

    jashtëzakonisht e rëndësishme.

    Radio Kosova: A ekziston rreziku që tensionet lidhur me Dhomat e Specializuara të lënë në hije

    marrëdhëniet me Serbinë dhe dialogun mes dy vendeve?

    Johanna Deimel: Siç e shihni, edhe dialogu me Serbinë është i ngrirë. Dialogu ndërmjet

    Kosovës dhe Serbisë është pezull prej një kohe mjaft të gjatë. Natyrisht, qeveria serbe e mirëpriti

    aktgjykimin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa pala serbe mund të rikthejë edhe një

    herë pretendimet e saj lidhur me atë që e konsideron trajtim të pamjaftueshëm të krimeve dhe

    çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me mbrojtjen e komunitetit serb. Megjithatë, Serbia

    tani ndodhet në një periudhë parazgjedhore dhe, për aq sa mund të vërej, Kosova sërish luan një

    rol në diskursin politik serb, por kryesisht në mënyrë simbolike dhe me tone nacionaliste.

    Aleksandar Vuçiqi dhe përkrahësit e tij kanë ngritur mundësinë që një qeveri e opozitës t’i

    kërkojë Kosovës të bëjë lëshime të mëtejshme. Në të vërtetë, do të thosha se ekziston mundësia

    që Vuçiqi të largohet nga pushteti përmes zgjedhjeve. Kjo është një mundësi, ndonëse mbetet të

    shihet nëse do të ndodhë. Deri më tani nuk kemi dëgjuar ndonjë qëndrim konkret të opozitës

    lidhur me Kosovën. Pavarësisht kësaj, mendoj se Prishtina duhet të përgatitet për mundësinë që

    së shpejti të përballet me udhëheqës të tjerë politikë në Beograd.

    Radio Kosova: E keni fjalën për ndryshimin e klasës politike atje?

    Johanna Deimel: Po, e kam fjalën për ndryshimin e qeverisë. Pra, nëse opozita arrin vërtet të

    marrë drejtimin, gjë që mund të ndodhë, ekziston edhe mundësia që zgjedhjet të manipulohen

    sërish, ndërsa pushteti të bëjë pothuajse gjithçka për ta ruajtur fitoren në zgjedhje. Por, nëse

    ndodh një ndryshim i qeverisë, atëherë ka të ngjarë që të keni një partner tjetër politik. Dhe

    ndoshta, nëse opozita fiton vërtet zgjedhjet dhe merr drejtimin e qeverisë në Beograd, mund të

    ketë edhe një qëndrim të ndryshëm ndaj Kosovës.

    Radio Kosova: Ju jeni e njohur me sulmin e Banjskës, këto ditë Milan Radojçiq, i cili është

    përgjegjës për këtë sulm, është parë në Serbi, në afërsi të djalit të Aleksandër Vuçiqit. Për këtë në

    Kosovë ka një perceptim që BE-ja është mjaft tolerante ndaj Serbisë, a nuk mendoni se BE-ja

    duhet të jetë më strikte në raport me Serbinë, ndaj të cilës duhet të kërkohen disa kompromise në

    raport me Kosovën?

    Johanna Deimel: Së pari, dua të them se përshtypja që ka Kosova se po trajtohet në mënyrë të

    padrejtë është, në njëfarë mase, e bazuar. Kjo për shkak të masave, përkatësisht sanksioneve të

    vendosura ndaj Kosovës, ndërkohë që Radojçiqi vazhdon të lëvizë lirshëm dhe madje është

    shfaqur edhe në një fushatë zgjedhore. Mendoj se bëhej fjalë për një familjar të Vuçiqit.

    Megjithatë, ajo që shoh unë është se, sipas mendimit tim, ka pasur shumë më tepër tolerancë sesa

    duhet ndaj Serbisë. Por mendoj se Vuçiqi i ka kaluar tashmë disa vija të kuqe. Një rast i tillë

    ishte funerali i Radiqit, i cili shkaktoi zemërim të madh brenda Bashkimit Evropian dhe në

    kryeqytetet evropiane. Pastaj ishte edhe mënyra se si u trajtuan protestat dhe reagimi i dhunshëm

    ndaj tyre. Ka shumë zhvillime të tjera që duhen marrë parasysh, përfshirë zgjedhjet e ardhshme,

    ku mund të presim manipulime zgjedhore, si dhe rënien e vazhdueshme të sundimit të ligjit dhe

    të demokracisë, por edhe konsolidimin gjithnjë e më të madh të një sistemi vërtet autokratik.

    Edhe Serbia, më falni, ndodhet tani në një fazë kritike, sepse nuk është e qartë se çfarë do të

    ndodhë pas zgjedhjeve nëse Vuçiqi i humb ato. Ai tashmë ka kërcënuar se do të ndërhyjë nëse ka

    trazira publike për shkak të pretendimeve se zgjedhjet janë manipuluar dhe nëse qytetarët dalin të

    kërkojnë llogari për këto manipulime. Mendoj se durimi ka marrë fund. Këtë e shohim edhe në

    procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian: paketa është pezulluar, por dyert në kryeqytetet

    evropiane mbeten të hapura dhe asgjë nuk është mbyllur përfundimisht. Prandaj, mendoj se

    Vuçiqi do të përballet tani me një reagim më të ashpër. Besoj se durimi i partnerëve evropianë ka

    marrë fund.

    Radio Kosova: SHBA-ja e ka bërë të qartë që rikthimi te dialogu strategjik me Kosovën mund të

    bëhet vetëm pasi Kosova të përmbushë zotimet në raport me komunitetin serb. Si e shihni këtë?

    Johanna Deimel: Çfarë mund të them? Mendoj se dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara

    ishte pezulluar. Natyrisht, kjo ishte e vështirë. Por ajo që ka rëndësi për Uashingtonin tani është

    arritja e marrëveshjeve. Megjithatë, nuk mendoj se bota duhet të funksionojë në këtë mënyrë, pra

    vetëm përmes marrëveshjeve. Zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është

    kërkesë vetëm e Shteteve të Bashkuara, por edhe e Bashkimit Evropian. Nga këndvështrimi im,

    kjo çështje është edhe më e rëndësishme për Bashkimin Evropian sesa për Shtetet e Bashkuara.

    Edhe për Kosovën, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm,

    veçanërisht në aspektin e sigurisë. Do të shqetësohesha shumë më tepër nëse SHBA-ja do të

    vazhdonte të tërhiqte personelin e saj nga NATO-ja dhe, për shembull, do të tërhiqte edhe

    KFOR-in nga Kosova. Kjo do të përbënte një rrezik për sigurinë.

    Burimi: RTKLive

  • Raportohet i zhdukur një person në Suharekë

    Raportohet i zhdukur një person në Suharekë

    Një grua nga Kosova ka raportuar në Polici se bashkëshorti i saj është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet se ku ndodhet.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 19 tetor, në orën 12:57, në rrugën “Avdyl Ramaj” në Suharekë.

    Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon të hetohet.

    Burimi: Dukagjini

  • Shtetasi turk nën ndikim të alkoolit sulmon dy policë në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

    Shtetasi turk nën ndikim të alkoolit sulmon dy policë në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

    Një shtetas turk është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari ishte nën ndikimin e alkoolit.

    Dy zyrtarët policorë të sulmuar dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor.
    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Burimi: Dukagjini

  • Sulmohet fizikisht një shtetas turk në Qendrën e Azilit në Lipjan, arrestohet i dyshuari algjerian

    Sulmohet fizikisht një shtetas turk në Qendrën e Azilit në Lipjan, arrestohet i dyshuari algjerian

    Një shtetas turk është sulmuar fizikisht nga një shtetas algjerian në Qendrën e Azilit në Magure të Lipjanit.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 19 tetor, rreth orës 18:30, ndërsa i dyshuari ishte nën ndikimin e alkoolit.

    Viktima, i cili qëndron përkohësisht në këtë qendër, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim mjekësor.

    I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    Burimi: Dukagjini