Blog

  • “Po stërvitem fort çdo ditë”, Hysa me mesazh të veçantë para sfidës për titullin botëror

    “Po stërvitem fort çdo ditë”, Hysa me mesazh të veçantë para sfidës për titullin botëror

    Nelson Hysa po e intensifikon përgatitjen për sfidën më të madhe të karrierës së tij. Boksieri shqiptar do të ngjitet në ring më 28 nëntor në Dusseldorf, ku do të përballet me Agit Kabayel për titullin botëror të WBC-së në kategorinë e peshave të rënda.

    Hysa ka përcjellë një mesazh për fansat, duke bërë të qartë se po stërvitet maksimalisht për këtë përballje. “Po stërvitem fort çdo ditë për këtë ndeshje. Faleminderit nga zemra për gjithë mbështetjen që po më jepni!”, ka shkruar ai, duke iu bërë thirrje shqiptarëve që të jenë të pranishëm në këtë mbrëmje të rëndësishme.

    “Biletat po ikin shpejt, ndaj mos i lini për momentin e fundit. Dhe një gjë… mos harroni flamujt kuq e zi dhe plisat!”, ka shtuar Hysa, duke synuar të krijojë një atmosferë të veçantë shqiptare në Düsseldorf.

    Përballë tij do të jetë Agit Kabayel, i cili do ta mbrojë për herë të parë titullin botëror të WBC-së në peshat e rënda.

    Gjermani ka një rekord perfekt prej 27 fitoreve në po aq ndeshje, 19 prej tyre me nokaut. Ai u bë kampion i plotë i WBC-së në qershor të këtij viti, pasi titulli mbeti vakant pas largimit të Oleksandr Usykut.

    Hysa, ndërkohë, është gjithashtu i pamposhtur në karrierën profesioniste. Shqiptari ka 25 fitore në 25 përballje, me 23 prej tyre të ardhura me nokaut.

    Përballja me Kabayel përfaqëson mundësinë më të madhe të karrierës së tij dhe një rast historik për t’u bërë kampioni i parë shqiptar i botës në peshat e rënda.

    Dueli do të zhvillohet në Merkur Spiel-Arena në Dusseldorf, një stadium me kapacitet rreth 60 mijë tifozë.

    Organizatorët kanë konfirmuar se përballja do të transmetohet drejtpërdrejt në DAZN, ndërsa interesi për biletat ka qenë i madh që prej daljes së tyre në shitje.

    Kjo përballje do të zhvillohet pikërisht më 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke i dhënë edhe një simbolikë të veçantë sfidës së Hysës.

    Dy boksierët hyjnë në ring të pamposhtur, me titullin botëror të WBC-së në peshat e rënda si trofeun e madh në lojë. /Telegrafi/

  • Britania paralajmëron sanksione të reja të fuqishme ndaj Rusisë

    Britania paralajmëron sanksione të reja të fuqishme ndaj Rusisë

    Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Ed Miliband, ka njoftuar sanksione të reja kundër Rusisë, duke deklaruar se Londra do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

    “Sot po njoftojmë sanksione të reja ndaj makinerisë së luftës së Putinit, flotës së fshehtë, kompanive të naftës, kriptomonedhave dhe financimit të luftës”, tha Miliband.

    Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë pranë Ukrainës gjatë luftës kundër Rusisë.

    – YouTube www.youtube.com

    “Ne jemi vëllezërit dhe motrat tuaja në këtë konflikt. Dhe do të jemi me ju për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi ai.

    Vetëm për ndihmën ushtarake, Londra ka premtuar të vazhdojë me 3.5 miliardë euro në vit deri në vitin 2030–2031.

    Britania gjithashtu ka trajnuar më shumë se 63 mijë ushtarakë ukrainas në kuadër të Operation Interflex dhe ka premtuar të dërgojë 150 mijë dronë dhe 350 raketa të mbrojtjes ajrore gjatë vitit 2026. /Telegrafi/

  • Thyhet rekordi botëror për skuqjen e patateve

    Thyhet rekordi botëror për skuqjen e patateve

    Komisioni i Patateve të Idahos, në bashkëpunim me zinxhirin e restoranteve “Spud Daddy”, ka përgatitur një porcion me 1,474 kilogramë patate të skuqura dhe ka thyer rekordin botëror të “Guinness World Records”.

    Përpjekja për vendosjen e rekordit u zhvillua më 2 tetor në festivalin “Boise Potato Days” në Boise të Idahos, ku një ekip prej rreth 50 personash përgatiti patatet.

    Për këtë rekord u përdorën rreth 1,700 kilogramë patate të papërpunuara të Idahos, të cilat u përpunuan dhe u skuqën në gjashtë fritezë. Pas përfundimit të procesit, pesha e patateve të skuqura ishte 1,474 kilogramë.

    – YouTube www.youtube.com

    Me këtë rezultat, Idaho e tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 1,452.85 kilogramësh, i vendosur në Indi në vitin 2018.

    Jamey Higham, president dhe drejtor ekzekutiv i Komisionit të Patateve të Idahos, tha se rekordi duhej të kthehej në Idaho, duke theksuar rëndësinë e patateve të prodhuara në këtë shtet.

    Pas matjes dhe certifikimit zyrtar të rekordit, patatet e skuqura iu shpërndanë falas pjesëmarrësve të festivalit.

    Sipas “Guinness World Records”, porcionin rekord e përbëjnë 668.6 kilogramë patate të skuqura, ndërsa rekordi u vendos zyrtarisht më 2 tetor 2026 në Boise. /Telegrafi/

  • Spiropali kritikon reformën territoriale në Kuvend: Nuk diskutojmë një reformë të vërtetë, do të votoj kundër

    Spiropali kritikon reformën territoriale në Kuvend: Nuk diskutojmë një reformë të vërtetë, do të votoj kundër

    Deputetja e Partisë Socialiste në Shqipëri, Elisa Spiropali, ka shprehur kritika ndaj mënyrës se si po trajtohet reforma e re territoriale, duke vënë në pikëpyetje mungesën e decentralizimit, përqendrimin e pushtetit dhe funksionimin e sistemit zgjedhor.

    Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku sot pritet të votohet reforma e re territoriale, Spiropali ka shprehur shqetësimin për mungesën e besimit të qytetarëve në institucione, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.

    “Me keqardhje shumë të madhe po e marr fjalën, kur shoh se jo vetëm në këtë Parlament vazhdohet të bëhet teatër, por edhe kemi jashtë njerëz që protestojnë. Po edhe më gjerë kemi një mungesë absolute kohezioni, besimi te institucionet, te partitë politike, te ne që jemi këtu, te kontrata sociale, te shtyllat e shtetit”, ka deklaruar Spiropali.

    Ajo ka vlerësuar se reforma territoriale nuk duhet të kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës së bashkive, por duhet të shoqërohet me një decentralizim të mirëfilltë dhe me kompetenca më të mëdha për pushtetin lokal.

    “Unë besoj se sot, Reforma Territoriale, nuk është një reformë. Duhet ta themi këtu hapur. Nuk diskutojmë një reformë territoriale, sepse nuk është pyetja sa bashki kemi, por sa pushtet duhet të ketë një bashki. A duhet të ketë një reformë territoriale pa një decentralizim të vërtetë?”, ka thënë ajo.

    Sipas Spiropalit, ndryshimi i kufijve administrativë është i lehtë, por sfida e vërtetë qëndron te mënyra se si konceptohet dhe ushtrohet pushteti, si dhe te afërsia e qytetarëve me vendimmarrjen.

    Ajo ka theksuar se decentralizimi duhet të përfshijë edhe autonominë e institucioneve dhe përgjegjësinë e të gjitha niveleve të qeverisjes.

    “Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi për bashkitë, duhet të diskutojmë edhe për autonominë e institucioneve. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi nga kryetarët e bashkive, duhet të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga çdo nivel qeverisjeje. Nuk mund të flasim për shpërndarjen e pushtetit në territor, pa u folur për përqendrimin e pushtetit”, ka deklaruar deputetja socialiste.

    Spiropali ka kritikuar gjithashtu mënyrën e trajtimit të kryetarëve të bashkive nga partia në pushtet, duke kërkuar që ata të kenë më shumë autonomi dhe të mos trajtohen si vartës politikë.

    “Kryetarët e bashkive nuk mund të përdoren as si prefektë, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Unë jam pjesë e kësaj shumice. Duhet t’u japim atyre kompetencën dhe peshën, sepse i përfaqësojnë të gjithë. Nuk mund të thirren nëpër takime dhe të trajtohen si vartës”, ka thënë ajo.

    Një tjetër çështje e ngritur nga Spiropali ka qenë sistemi zgjedhor, për të cilin ajo ka kërkuar reformim, duke kritikuar sistemin aktual të listave pjesërisht të hapura dhe pjesërisht të mbyllura.

    “Nuk duhet të reformojmë vetëm pushtetin lokal, por dhe sistemin zgjedhor, që nuk prodhon asgjë. Me lista treçerek të mbyllura, çerek të hapura. Qytetari duhet ta dijë për kë voton. Ne s’jemi as kartona, as njerëz pa përgjegjësi”, ka deklaruar Spiropali.

    Ajo ka kritikuar edhe qëndrimet e disa kolegëve të saj lidhur me pritshmëritë për fitimin e të gjitha bashkive, duke theksuar se institucionet duhet të jenë më të forta se individët që i drejtojnë.

    “Nuk është normale që t’i fitosh të gjitha bashkitë. Ne duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë”, ka thënë ajo.

    Në fund të fjalës së saj, Spiropali ka kërkuar më shumë demokraci të brendshme në partitë politike dhe përzgjedhjen e kandidatëve përmes proceseve të mirëfillta, duke theksuar se reforma duhet të nisë edhe brenda vetë partive.

    Ajo ka bërë të ditur se qëndrimi i saj nuk lidhet me çështje personale, por me mënyrën se si po trajtohen reformat dhe përgjegjësitë institucionale.

    Spiropali ka paralajmëruar votën kundër reformës së re territoriale, në një kohë kur Kuvendi pritet të votojë për ndryshimet e propozuara./Telegrafi/

  • Apple vendos rregull të ri - çdo aplikacion duhet ta plotësojë këtë kusht

    Apple vendos rregull të ri – çdo aplikacion duhet ta plotësojë këtë kusht

    iPhone Duo i ri pritet të jetë së shpejti i disponueshëm, ndërsa Apple tashmë u ka bërë thirrje zhvilluesve që t’i përshtatin dhe optimizojnë aplikacionet e tyre për këtë pajisje.

    Apple ka publikuar udhëzime dhe rekomandime për përshtatjen e aplikacioneve me modelin e ri iPhone Duo.

    Aplikacionet duhet të ndërtohen duke përdorur versionin e ri të Xcode 27.1, të cilin Apple tashmë e ka publikuar dhe e ka bërë të disponueshëm për shkarkim.

    Zhvilluesit tani mund t’i dërgojnë aplikacionet dhe lojërat e tyre përmes platformës App Store Connect. Nëse një aplikacion është krijuar ose rikompiluar me Xcode 27.1, në App Store do të shfaqet një shenjë që u tregon përdoruesve se aplikacioni është optimizuar për iPhone Duo.

    Apple ka vendosur edhe një rregull të ri, sipas të cilit çdo aplikacion i ri, duke filluar nga prilli i vitit 2027, do të duhet të përmbajë një fotografi të ekranit të aplikacionit në pajisjen iPhone Duo.

    Krahas materialeve dhe udhëzimeve për zhvilluesit, Apple po organizon edhe punëtori të drejtpërdrejta të dedikuara për iPhone Duo, me qëllim që t’i ndihmojë zhvilluesit t’i përshtatin aplikacionet e tyre me pajisjen e re.

    iPhone Duo është modeli i parë iPhone me ekran të palosshëm dhe Apple po përgatitet që aplikacionet të jenë të optimizuara për formatin e ri që në fazat e para të shitjes së pajisjes. /Telegrafi/

  • Gruda: Specialja mund të bëjë obstruksione, por Kosova do ta detyrojë ta zbatojë ligjin

    Gruda: Specialja mund të bëjë obstruksione, por Kosova do ta detyrojë ta zbatojë ligjin

    Gruda: Specialja mund të bëjë obstruksione, por Kosova do ta detyrojë ta zbatojë ligjin

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është hartuar, sipas tij, në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

    Gruda ka thënë se pret që Gjykata Speciale të kundërshtojë zbatimin e ligjit, por është shprehur i bindur se institucionet e Kosovës mund të gjejnë rrugë juridike dhe institucionale për ta detyruar atë ta zbatojë.

    “Pres që të bëjë obstruksione edhe ndaj zbatimit të këtij ligji. Por pyetja është: a mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë? Po. Absolutisht po”, ka deklaruar Gruda.

    Ai ka argumentuar se ndryshimet nuk prekin Kushtetutën, por përcaktojnë më qartë juridiksionin përmes ligjit të veçantë, siç parashihet në nenin 162 dhe Amendamentin 24 të Kushtetutës.

    Sipas Grudës, Dhoma e Specializuar Kushtetuese në Hagë vazhdon të ketë kompetencë për vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e Dhomave të Specializuara, ndërsa kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjit të ri i takon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë.

    “Ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale. Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet”, ka thënë Gruda.

    The post Gruda: Specialja mund të bëjë obstruksione, por Kosova do ta detyrojë ta zbatojë ligjin appeared first on Insajderi.

  • Gruda: Specialja duhet ta zbatojë ligjin e Kosovës

    Gruda: Specialja duhet ta zbatojë ligjin e Kosovës

    Në një reagim në Facebook, Gruda është ndalur veçanërisht te çështja nëse Dhomat e Specializuara në Hagë do ta zbatojnë ligjin e ri.

    “Është ngritur me të drejtë një shqetësim: a do ta zbatojë Gjykata Speciale këtë ligj?”, ka shkruar Gruda.

    Sipas tij, Dhomat e Specializuara deri më tani kanë treguar se janë të gatshme të interpretojnë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës në mënyrën e tyre, ndaj ai pret që të ketë kundërshtime edhe ndaj zbatimit të ligjit të ri.

    “Por pyetja është: a mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë? Po. Absolutisht po.”, ka deklaruar Gruda.

    Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do ta gjejnë rrugën juridike dhe institucionale për të kërkuar zbatimin e ligjit.

    “Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë”, thekson ai.

    Gruda ka paralajmëruar se ligji mund të sjellë një përplasje juridike dhe institucionale ndërmjet Kosovës dhe Dhomave të Specializuara.

    “Ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale. Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet. Jam i bindur se në fund Gjykata Speciale do të duhet ta zbatojë atë”, tha ai.

    Duke shpjeguar argumentin e tij juridik, Gruda ka thënë se ndryshimet nuk prekin Kushtetutën, por specifikojnë me ligj juridiksionin e Dhomës së Specializuar Kushtetuese në Hagë.

    Ai i është referuar Amendamentit nr. 24 dhe nenit 162 të Kushtetutës, duke theksuar se organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar rregullohen me Kushtetutë dhe me ligj të veçantë.

    “Këto janë fjalët kyçe: ‘në përputhje me ligjin e veçantë’. Pra, vetë Kushtetuta ia lidh juridiksionin kësaj Dhome me ligjin e veçantë”, ka shkruar ai.

    Sipas Grudës, ndryshimi i nenit 23 përcakton se Dhoma e Specializuar Kushtetuese në Hagë mund të shqyrtojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por nuk ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së vetë ligjit të ri.

    “Pra, nuk ia kemi hequr Dhomës Kushtetuese funksionin e saj. Ajo vazhdon të kontrollojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e institucioneve të Speciales. Por ligji vendos një kufi të qartë”, ka thënë Gruda.

    Ai pretendon se kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.

    “Kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053 mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë”, thekson ai.

    Gruda ka përfunduar se ligji duhet të mbrohet në aspektin juridik, institucional dhe publik, ndërsa ka përsëritur bindjen e tij se institucionet e Kosovës do të mund të sigurojnë zbatimin e tij.

    “Prandaj, ky ligj duhet të mbrohet juridikisht, institucionalisht dhe publikisht. Këtu do të jemi. Do ta mbrojmë dhe do t’i shohim efektet e tij”, tha ai.

    Qëndrimet e Grudës vijnë pas miratimit në lexim të parë të projektligjit, i cili synon ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Vetë Kuvendi e ka paraqitur nismën si ndryshim që nuk synon zhbërjen e Speciales, por ndryshimin e kuadrit ligjor dhe të mandatit të saj.

    Burimi: RTKLive

  • Gruda: Ligji për Specialen nuk e shkel Kushtetutën, Kosova mund ta detyrojë ta zbatojë

    Gruda: Ligji për Specialen nuk e shkel Kushtetutën, Kosova mund ta detyrojë ta zbatojë

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk e shkelin Kushtetutën dhe as detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Gruda ka thënë se shqetësimi kryesor tash është nëse Gjykata Speciale do ta zbatojë ligjin e miratuar nga Kuvendi.

    Megjithatë, ai është shprehur i bindur se Kosova mund të gjejë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin.

    Gruda argumenton se ndryshimet nuk e prekin Kushtetutën, por specifikojnë juridiksionin përmes ligjit të veçantë, siç parashihet në nenin 162 të Kushtetutës dhe Amendamentin 24.

    Sipas tij, Dhoma Kushtetuese e Speciales në Hagë vazhdon të ketë kompetencë për kontrollin e vendimeve, urdhrave dhe aktgjykimeve të Speciales, ndërsa kontrollin e kushtetutshmërisë së vetë ligjit e ushtron Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.

    Postimi i plotë i Grudës:

    Ligji për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është shkruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk e shkel Kushtetutën dhe nuk i shkel detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
    Është ngritur me të drejtë një shqetësim: a do ta zbatojë Gjykata Speciale këtë ligj?
    Gjykata Speciale deri më sot ka treguar se është e gatshme ta interpretojë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës sipas mënyrës së vet. Prandaj, pres që të bëjë obstruksione edhe ndaj zbatimit të këtij ligji.
    Por pyetja është: a mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë?
    Po. Absolutisht po.
    Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë.
    Ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale. Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet. Jam i bindur se në fund Gjykata Speciale do të duhet ta zbatojë atë.
    Tani t’i kthehemi argumentit juridik.
    A është shkruar ligji siç duhet? Po.
    A e pengon ligji Dhomën Kushtetuese në Hagë që ta rrëzojë këtë ligj? Po.
    A e shkel kjo Kushtetutën? Jo.
    Sepse këtë e thotë vetë Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës.
    Neni 162, paragrafi 1, përcakton se “organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të specializuar rregullohen me këtë nen dhe me ligj të veçantë.”
    Ndërsa paragrafi 3 përcakton se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese vendos mbi referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar “në përputhje me ligjin e veçantë”.
    Këto janë fjalët kyçe: “në përputhje me ligjin e veçantë”.
    Pra, vetë Kushtetuta ia lidh juridiksionin kësaj Dhome me ligjin e veçantë.
    Dhe çfarë kemi bërë ne?
    Nuk e kemi ndryshuar Kushtetutën. Kemi ndryshuar ligjin, pikërisht aty ku Kushtetuta përcakton se çështja rregullohet dhe specifikohet me ligj.
    Neni 23 tashmë e përcakton qartë se Dhoma e Specializuar Kushtetuese vendos “ekskluzivisht dhe vetëm” për referimet që kontestojnë vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
    Pra, nuk ia kemi hequr Dhomës Kushtetuese funksionin e saj. Ajo vazhdon të kontrollojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e institucioneve të Speciales.
    Por ligji vendos një kufi të qartë: “Dhoma e Specializuar Kushtetuese nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt, konkret, incidental dhe asnjë formë tjetër të kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053.”
    Dhe për të mos lënë asnjë dilemë, paragrafi 2 i nenit 23 përcakton:
    “Kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053 mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë.”
    Ndërsa paragrafi 3 e thotë edhe më shprehimisht:
    “Asnjë palë e autorizuar nga neni 113 dhe Amendamenti 24 i Kushtetutës nuk mund të kërkojë kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji në Dhomën Kushtetuese në Hagë, por vetëm në Gjykatën Kushtetuese në Prishtinë.”
    Pra, argumenti është shumë i thjeshtë:
    Kushtetuta thotë se juridiksioni ushtrohet “në përputhje me ligjin e veçantë”, ndërsa ligji i veçantë përcakton se çfarë kontrollon Dhoma Kushtetuese në Hagë dhe çfarë kontrollon Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.
    Kjo është arsyeja pse nuk kemi ndryshuar Kushtetutën me ligj. Kemi specifikuar me ligj juridiksionin, pikërisht sepse vetë Kushtetuta përcakton që ai rregullohet edhe me ligjin e veçantë.
    Një vendim, urdhër apo aktgjykim i Dhomave të Specializuara vazhdon t’i nënshtrohet kontrollit të Dhomës Kushtetuese atje. Por kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas nenit 23, e ushtron Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
    Ky është dallimi thelbësor.
    Prandaj, ky ligj duhet të mbrohet juridikisht, institucionalisht dhe publikisht.
    Këtu do të jemi. Do ta mbrojmë dhe do t’i shohim efektet e tij.

    Burimi: Dukagjini

  • Limaj: Pa protestë s’do kishte as ligj as president

    Limaj: Pa protestë s’do kishte as ligj as president

    Limaj: Pa protestë s’do kishte as ligj as president

    Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka deklaruar se protestuesit janë meritorët që Kosova ka presidente.

    Sipas tij, presioni i protestuesve bëri që politikanët të arrijnë kompromis për projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara dhe votimit të presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula.

    “Edhe fatkeqësisht, ka mujtë krejt me dështu, me hy në një terren krejt pa njohur. Por unë dua të them që, merita e krejt kësaj që ndodhi në sekondat e fundit, që Kosova me pasë president edhe ligjin, është meritë e qytetarëve të Kosovës… E protestuesve… Kjo është meritë e qytetarëve, ju i detyruat, qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata qindra, mijëra djem e vajza të reja, burra, gra e pleq, të gjithë ata që pandërprerë prej kësaj dite kanë qenë në protestë, ata përfundimisht ata e detyruan me ardhë tek kjo zgjidhje e ky kompromis… Asnjëherë! S’do të kishim… Nuk do të kishte asnjë marrëveshje, nuk do të kishte votim po mos të ishin protestuesit”, tha Limaj në “Klan Kosova”.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Limaj: Pa protestë s’do kishte as ligj as president appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Fejza për Shiroka-Pulën: Bëmë një presidente që nuk është e përfshirë në politikën ditore

    Fejza për Shiroka-Pulën: Bëmë një presidente që nuk është e përfshirë në politikën ditore

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se përafrimi mes LVV-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës ka të bëjë me qëndrimin ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për krerët e UÇK-së.

    Duke folur në Debat Plus, Fejza tha se ky është një prej qëndrimeve ku dy subjektet politike janë përafruar.

    Ajo foli edhe për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes, duke theksuar se ajo nuk është e përfshirë në politikën ditore.

    “Përafrim me PDK ka në një çështje. Dhe kjo ka të bëjë me qëndrim që e kemi ne sa i përket verdiktit, i cili është marrë në Hagë, në raport me dënimin e padrejtë të krerëve të UÇK… ne bëmë një presidente, e cila nuk është e përfshirë në politika ditore. E cila nuk është aktive në politik…”, deklaroi Fejza.

    Burimi: Dukagjini