Blog

  • A po shkaktojnë më shumë aksidente shoferët e moshuar në Zvicër? Ekspertët japin përgjigje befasuese

    A po shkaktojnë më shumë aksidente shoferët e moshuar në Zvicër? Ekspertët japin përgjigje befasuese

    Numri i personave të moshuar që vazhdojnë të drejtojnë automjete në Zvicër po rritet, ndërsa ekspertët thonë se plakja e popullsisë nuk do të thotë automatikisht se rrugët do të bëhen më të rrezikshme.

    Sipas të dhënave të publikuara nga SRF, në vitin 2024 në Zvicër ishin të regjistruar 517,754 shoferë të moshës 75 vjeç e lart. Numri i personave mbi 65 vjeç me patentë vazhdon të rritet, veçanërisht tek gratë.

    Megjithatë, kur krahasohen aksidentet me kilometrat e përshkuara, shoferët mbi 80 vjeç kanë normën më të lartë të aksidenteve.

    Ekspertët theksojnë se nuk është vetëm mosha ajo që përcakton sigurinë, por edhe aftësia individuale për të drejtuar dhe gjendja shëndetësore, shkruan SRF News, transmeton Telegrafi.

    Aktualisht, rreth 260 mijë persona në vit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të detyrueshme për aftësinë e drejtimit. Për shkak të plakjes së popullsisë, kjo shifër mund të rritet në rreth 350 mijë deri në vitin 2030.

    Ekspertët shohin gjithashtu potencial te teknologjitë e reja të automjeteve, si sistemet e asistencës dhe drejtimi i automatizuar, të cilat mund të ndihmojnë në rritjen e sigurisë në trafik.

    Në Zvicër, nuk ka një kufi të përgjithshëm moshe për drejtimin e automjetit. Për personat 75 vjeç e lart kërkohet kontroll mjekësor i aftësisë për drejtim çdo dy vjet./Telegrafi/

  • Këshilli Prokurorial liston arsyet për shkarkimin e Blerim Isufajt

    Këshilli Prokurorial liston arsyet për shkarkimin e Blerim Isufajt

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar vendimin dhe arsyet për shkarkimin e Blerim Isufaj nga pozita e Kryeprokurit të Prokurorisë Speciale.

    Në vendimin e publikuar janë përmendur disa arsye për shkarkimin e tij, ku njëra ndër to është “Keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale”.

    “1.1.Keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale;
    1.2.Jokompetenca në ushtrimin e pozitës së Kryeprokurorit:
    1.3.Dështimi në kryerjen e detyrave të pozitës së Kryeprokurorit;
    1.4.Mospërmbushja e standardeve të performancës, e vërtetuar me vlerësimin e performancës,
    të kryer në pajtim me ligjin, rrethana këto që, secila veçmas, përbëjnë shkak për largim nga
    pozita në kuptim të nenit 22 paragrafi 5 të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të
    Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-249”, thuhet në dokument.
    Isufaj u shkarkuar më 2 tetor.

    Ai nuk ishte dekretuar për Kryeprokuror të Shtetit nga Vjosa Osmani sa ishte në postin e presidentes së vendit.

  • Bahrawy: Serbia po armatoset me dronë izraelitë – Kosova është ndër vendet më pro-amerikane, pse nuk është në NATO?

    Bahrawy: Serbia po armatoset me dronë izraelitë – Kosova është ndër vendet më pro-amerikane, pse nuk është në NATO?

    Krijuesi amerikan i filmave dhe komentatori politik, Bekim Bahrawy i njohur edhe si Beck Lover, ka ngritur shqetësime lidhur me bashkëpunimin e Serbisë me Izraelin për prodhimin dhe montimin e dronëve, duke e cilësuar këtë zhvillim si pjesë të një ndryshimi të mundshëm të balancave të sigurisë në Ballkan.

    Në një intervistë me gazetarin dhe komentatorin amerikan Jimmy Dore, Bahrawy foli për hapjen e një fabrike në Serbi për montimin e dronëve të prodhuar nga një kompani izraelite, duke vënë theksin te fakti se Serbia nuk është anëtare e NATO-s dhe se tradicionalisht ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Rusinë.

    “Çfarë nuk ka kuptim është se një vend joanëtar i NATO-s, Serbia, po pajiset me teknologji të avancuar ushtarake”, tha Bahrawy.

    Ai përmendi edhe bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, si dhe lidhjet historike dhe politike ndërmjet Beogradit dhe Moskës.

    Pse Serbia po armatoset me teknologji të avancuar?

    Sipas tij, zhvillimi i industrisë së dronëve në Serbi duhet të shihet në kontekstin e ndryshimeve të mundshme strategjike në Evropën Juglindore.

    “Kur njerëzit fillojnë të armatosen, kjo nënkupton një ndryshim të madh të fuqisë. Ata po përgatiten të bëjnë një lëvizje”, tha ai.

    Ai ngriti edhe pyetjen nëse armatosja e Serbisë mund të lidhet me tensione të ardhshme në Kosovë apo në Bosnje e Hercegovinë, duke përmendur në veçanti situatën në Republika Srpska.

    “Kosova është ndër vendet më pro-amerikane”

    Në intervistë, Bahrawy e krahasoi pozicionin e Serbisë me atë të Kosovës, duke argumentuar se shqiptarët në Kosovë kanë marrëdhënie veçanërisht të afërta me Shtetet e Bashkuara.

    Ai tha se Kosova është ndër vendet më pro-amerikane dhe pro-perëndimore në Evropë dhe ngriti pyetjen pse, sipas tij, SHBA-ja dhe aleatët perëndimorë nuk kanë ndërmarrë hapa që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

    Bahrawy përmendi edhe simbolet e lidhjes së Kosovës me SHBA-në, duke thënë se në Kosovë ka rrugë dhe hapësira publike që mbajnë emrat e figurave amerikane, raporton Telegrafi.

    “Pse po e armatosin Serbinë me armët më moderne, ndërsa Kosova ende nuk është pjesë e NATO-s?”, pyeti ai.

    Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.

    Bahrawy kundërshtoi pretendimet se ndërhyrja e NATO-s ishte e bazuar në “propagandë” apo se krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës ishin të fabrikuara.

    Ai përmendi masakrën e Reçakut, dëbimin e popullsisë shqiptare dhe raportimet ndërkombëtare për krimet gjatë luftës.

    “Ka mbi një milion refugjatë. Ishte në rrugën drejt një spastrimi të plotë etnik”, deklaroi ai, duke e paraqitur ndërhyrjen e SHBA-së dhe NATO-s si faktor që, sipas tij, parandaloi një katastrofë më të madhe humanitare.

    Në të njëjtën kohë, gjatë intervistës u përmendën edhe pretendime dhe interpretime alternative lidhur me bombardimet e NATO-s dhe zhvillimet në Kosovë. Bahrawy kundërshtoi këto interpretime, ndërsa theksoi se nuk i konsideron të gjithë serbët përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ’90.

    Duke folur për rrezikun e një konflikti të ri, Bahrawy përmendi edhe situatën në Bosnje e Hercegovinë, veçanërisht Republika Srpskan.

    Ai ngriti pyetjen nëse armatosja e Serbisë mund të ketë lidhje me zhvillimet në këtë pjesë të rajonit.

    “Është një zonë ku nuk duhet të luhet me zjarrin. Shumë katastrofa kanë ndodhur atje gjatë historisë”, tha Bahrawy.

    Shqiptarët kanë bashkëjetuar me komunitete të ndryshme fetare

    Në pjesën e fundit të intervistës, Bahrawy foli edhe për historinë dhe identitetin shqiptar.

    Ai theksoi bashkëjetesën ndërfetare në mesin e shqiptarëve dhe përmendi faktin se shqiptarët kanë qenë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, ndërsa komuniteti hebre ka jetuar gjithashtu në mesin e tyre.

    Bahrawy foli edhe për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit, duke thënë se ky kapitull i historisë shqiptare nuk është trajtuar sa duhet në kulturën popullore dhe në industrinë filmike.

    Ai përmendi gjithashtu figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe rolin e tij në historinë shqiptare dhe evropiane.

    Në përfundim, Bahrawy përsëriti se Ballkani nuk duhet të kthehet në një arenë të re konflikti dhe se popujt e rajonit duhet të fokusohen në stabilitet, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim.

    Bekim Bahrawy, i njohur publikisht si Bek Lover, shqiptaro-amerikan, podkaster, krijues përmbajtjeje dhe folës motivues./Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com

  • Rreth 400 punëtorë të NPB-së pa paga, paralajmërohet protestë para Supremës

    Rreth 400 punëtorë të NPB-së pa paga, paralajmërohet protestë para Supremës

    Në Prishtinë, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore kanë mbetur pa paga për gati tre muaj, për shkak të bllokimit të llogarisë së ndërmarrjes në kuadër të procedurës përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor. Si pasojë e këtij bllokimi, nuk ka qenë e mundur ekzekutimi i pagave për muajt gusht dhe shtator. Sipas NPB-së, ndërmarrja do të vazhdojë t’i përdorë të gjitha mjetet juridike dhe institucionale në dispozicion për mbrojtjen e interesit publik dhe pasurisë publike, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.

    Rreth 400 punëtorë të Ndërmarrjes Publike Banesore të Prishtinës kanë mbetur pa paga. Kjo për shkak të bllokimit të llogarisë së ndërmarrjes në kuadër të procedurës përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor për projektin në Lakrishtë.

    Kryetari i Këshillit Organizativ të Punëtorëve të NPB-së, Valdet Sylejmani, tha se gjendja e punëtorëve është rënduar, ndërsa paralajmëroi edhe protestë të hënën para Gjykatës Supreme.

    “Ne jemi në një krizë shumë të madhe, shkak që nuk kemi pagat për t’i paguar shpenzimet që kemi. Kemi kredi, kemi faturat e rrymës, ato nuk presin 2-3 muaj. Kemi kopshte që duhet paguar, fëmijët që janë në shkolla private, do të thotë që nuk mundemi me i mbulu”, tha Valdet Sylejmani, Kryetar i Këshillit Organizativ të Punëtorëve të NPB-së.

    Ai theksoi se, pavarësisht situatës, shërbimet e NPB-së për qytetarët e Prishtinës vazhdojnë normalisht.

    Sipas NPB-së, mjetet janë të bllokuara, bazuar në një kontratë të lidhur më 17 maj 2021 nga administrata e kaluar. Ndërmarrja thotë se e ka kundërshtuar këtë çështje në të gjitha instancat, si dhe ka dërguar shkresë me urgjencë në Supreme, në mënyrë që punëtorët të mos mbesin pa paga.

    Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar sot ndërmarrjen, ku është takuar me menaxhmentin për të shprehur shqetësimin lidhur me gjendjen e pagave të punëtorëve. Sipas Ramës, kjo situatë është pasojë e një vendimi të marrë para fillimit të mandatit të tij, duke e cilësuar atë të paligjshëm.

    Rama ka kërkuar nga Gjykata Supreme që me prioritet ta shqyrtojë rastin.

    Por, kryesuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me situatën në Ndërmarrjen Publike Banesore dhe kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Supreme për shqyrtimin me prioritet të rastit.

    Sveçla ka fajësuar kryetarin Rama, për të cilin thotë se, përmes heshtjes dhe mosveprimit të tij, mban përgjegjësi për gjendjen e krijuar në NPB. Ai tha se Rama duhet të tregojë se pse përfaqësuesi ligjor i Komunës nuk ka marrë pjesë në seancën e shqyrtimit kryesor në shkallë të parë.

    Burimi: RTKLive

  • Mbrojtja Civile paralajmëron reshje intensive shiu në Shqipëri, qarqet më të rrezikuara

    Mbrojtja Civile paralajmëron reshje intensive shiu në Shqipëri, qarqet më të rrezikuara

    Moti në vend pritet të pësojë një përkeqësim të ndjeshëm gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, me reshje shiu që do të arrijnë intensitet të lartë në disa rajone. Sipas të dhënave meteorologjike, zonat më të prekura do të jenë në veri dhe në bregdetin qendror.

    “Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), gjatë pasdites së sotme, 8 tetor, dhe ditës së nesërme, 9 tetor, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Lezhë, si dhe reshje intensive në qarkun Durrës,” bën të ditur Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në një deklaratë zyrtare.

    Sa u përket rajoneve të tjera, IGJEO njofton se reshje mesatare deri lokalisht intensive do të regjistrohen në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë, ndërsa në pjesën tjetër të territorit intensiteti i reshjeve do të mbetet i dobët deri mesatar.

    Rreziqet nga vërshimet e ujit dhe rrëshqitjet e dherave

    Reshjet e parashikuara do të shoqërohen me shtrëngata në shumicën e qarqeve, gjë që rrit mundësinë për probleme në infrastrukturë dhe në zonat banuese. Rreziku më i lartë paraqitet në Veriperëndim të vendit, ku prurjet e ujit mund të shkaktojnë bllokime apo përmbytje të shpejta lokale.

    “Reshjet, të cilat në shumicën e qarqeve pritet të jenë në formë shtrëngatash, mund të shkaktojnë vërshime të ujit në zonat urbane, përmbytje lokale dhe rrëshqitje të dherave, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës,” nënvizojnë strukturat e Mbrojtjes Civile.

    Udhëzimet e autoriteteve dhe apeli për sigurinë e qytetarëve

    Për shkak të rreziqeve që sjell përkeqësimi i motit, struktura e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë vigjilencë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

    “Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, përrenjve dhe zonave të rrezikuara, si dhe të mos kalojnë në rrugë të përmbytura. Lutemi të ndiqni me vëmendje njoftimet zyrtare dhe udhëzimet e autoriteteve vendore dhe strukturave të mbrojtjes civile,” thuhet në apelin zyrtar.

    Autoritetet rikujtojnë gjithashtu se në rast se përballen me situata emergjente, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë numrat pa pagesë të shërbimeve të emergjencës për të kërkuar ndihmë./RTSH

  • Shpërthen kaosi sërish te Reali: Tjetër përplasje fizike mes dy yjeve, nisin tensionet edhe te Mourinho – Mbappe

    Shpërthen kaosi sërish te Reali: Tjetër përplasje fizike mes dy yjeve, nisin tensionet edhe te Mourinho – Mbappe

    Jose Mourinho raportohet se nuk ka arritur ende ta shuajë tensionin në dhomat e zhveshjes së Real Madridit, pasi detaje për një përplasje të fundit mes dy lojtarëve janë bërë publike.

    Mourinho u rikthye në krye të Real Madridit gjatë verës, me drejtuesit e klubit që i besuan detyrën për të vendosur disiplinë në një skuadër që sezonin e kaluar pati probleme të shumta me egot dhe hierarkinë brenda grupit.

    Real Madridi e përfundoi sezonin 2025/26 pa trofe, duke e mbyllur La Ligën pas Barcelonës, ndërsa u eliminua nga Liga e Kampionëve në çerekfinale dhe nga Kupa e Mbretit në fazën e 1/8 së finales.

    Sezoni u mbyll me tensione të mëdha, ndërsa Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde u gjobitën me nga 500 mijë euro pas një përleshjeje në stërvitje.

    Presidenti Florentino Perez shpresonte se Mourinho dhe stili i tij autoritar do të ndryshonin kulturën brenda skuadrës, por sipas Cadena SER, situata vazhdon të jetë e tensionuar.

    Sipas radios spanjolle, atmosfera në dhomat e zhveshjes është “e akullt”, pasi dy lojtarë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, janë përplasur fizikisht së fundmi.

    Në qendër të disa prej tensioneve është edhe Kylian Mbappe. Francezi kishte shkaktuar pakënaqësi sezonin e kaluar pasi mungoi në disa ndeshje të rëndësishme për shkak të një dëmtimi misterioz, ndërsa së fundmi është bërë sërish temë diskutimi pasi vizitoi një klub nate në Paris me të dashurën e tij dhe më pas publikoi video duke çikluar në Alpe, pak pasi kishte refuzuar grumbullimin me Kombëtaren e Francës për shkak të dëmtimit.

    Veprimi i Mbappes është parë si problematik edhe për shkak të rregullit të vendosur nga Mourinho, i cili ua ka ndaluar lojtarëve çiklizmin.

    “Je futbollist 24 orë në ditë. Gjithçka lidhet me profesionin. Çfarë ha, çfarë pi, si fle, madje edhe gjërat në jetën private. Nuk mund të bësh ski. Nuk mund të ngasësh biçikletë.

    Mund të biesh nga biçikleta dhe të mos luash tri ndeshje, ose edhe më keq, mund ta thyesh këmbën. Ka shumë gjëra nga të cilat duhet të heqësh dorë për të qenë futbollist”, kishte thënë Mourinho./Telegrafi/

  • Trump: Nuk do ta sulmojmë Iranin para zgjedhjeve të 3 nëntorit, po zhvillojmë bisedime produktive me Teheranin

    Trump: Nuk do ta sulmojmë Iranin para zgjedhjeve të 3 nëntorit, po zhvillojmë bisedime produktive me Teheranin

    Trump: Nuk do ta sulmojmë Iranin para zgjedhjeve të 3 nëntorit, po zhvillojmë bisedime produktive me Teheranin

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA-ja nuk do të ndërmarrë sulm ushtarak ndaj Iranit përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, të planifikuara për 3 nëntor.

    Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se Uashingtoni po zhvillon “bisedime produktive” me Teheranin, duke lënë të hapur mundësinë e vijimit të përpjekjeve diplomatike mes dy vendeve.

    “Ne po zhvillojmë bisedime produktive me Republikën Islamike të Iranit”, shkroi Trump, ndërsa e përshkroi situatën në Iran si jashtëzakonisht të vështirë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak.

    Presidenti amerikan theksoi njëkohësisht se bllokada ndaj Iranit do të vijojë të jetë në fuqi. Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se Irani nuk do të lejohet të pajiset me armë bërthamore.

    Trump pretendoi se, pavarësisht bllokadës, transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit po vijon me ritme të larta. Sipas tij, rreth 22 milionë fuçi naftë kanë kaluar nëpër ngushticë vetëm gjatë natës së fundit dhe, sipas pretendimit të tij, asnjë prej tyre nuk ishte me origjinë nga Irani apo me destinacion Iranin.

    Deklarata e Trump vjen në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta, ndërsa palët kanë zhvilluar përpjekje për të rifilluar negociatat. Në ditët e fundit janë diskutuar edhe propozime që lidhen me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimin e bisedimeve për çështjen bërthamore të Iranit.

    Në përfundim të postimit, Trump e përsëriti në mënyrë të prerë qëndrimin e administratës së tij për programin bërthamor iranian: “Irani nuk do të pajiset me armë bërthamore”. /Panorama

    The post Trump: Nuk do ta sulmojmë Iranin para zgjedhjeve të 3 nëntorit, po zhvillojmë bisedime produktive me Teheranin appeared first on Insajderi.

  • KPK publikon arsyet e shkarkimit të Blerim Isufajt, përmend “keqmenaxhimin” e Prokurorisë Speciale

    KPK publikon arsyet e shkarkimit të Blerim Isufajt, përmend “keqmenaxhimin” e Prokurorisë Speciale

    KPK publikon arsyet e shkarkimit të Blerim Isufajt, përmend “keqmenaxhimin” e Prokurorisë Speciale

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar vendimin dhe arsyet për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

    Në vendimin e publikuar, KPK ka renditur disa arsye për largimin e tij nga pozita, ndër to “keqmenaxhimin e Prokurorisë Speciale”, “jokompetencën në ushtrimin e pozitës së Kryeprokurorit”, “dështimin në kryerjen e detyrave të pozitës së Kryeprokurorit”, “Mospërmbushja e standardeve të performancës, e vërtetuar me vlerësimin e performancës”, të kryer në pajtim me ligjin, rrethana këto që, secila veçmas, përbëjnë shkak për largim ngapozita në kuptim të nenit 22 paragrafi 5 të Ligjit nr. 06/L056 për Këshillin Prokurorial tëKosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-249”, thuhet në dokument.

    Sipas KPK-së, këto rrethana, secila veçmas, përbëjnë shkak për largim nga pozita, në bazë të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Isufaj u shkarkua nga pozita më 2 tetor.

    Ai më herët ishte propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, por nuk ishte dekretuar nga atëherë-presidentja Vjosa Osmani.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post KPK publikon arsyet e shkarkimit të Blerim Isufajt, përmend “keqmenaxhimin” e Prokurorisë Speciale appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Vazhdojnë konsultimet me mësimdhënësit për Strategjinë e Arsimit 2035+

    Vazhdojnë konsultimet me mësimdhënësit për Strategjinë e Arsimit 2035+

    Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, kanë vazhduar në Mitrovicë ciklin e konsultimeve me mësimdhënësit për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.

    Para bashkëbisedimit me mësimdhënësit e rajonit të Mitrovicës, ministri Çeku, zëvendësministri, Muhedin Nushi dhe kryetari Jasharaj janë pritur nga rektorja e Universitetit “Isa Boletini”, Nurten Deva. Më pas, kanë vizituar laboratorët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, ku janë njohur me hapësirat dhe pajisjet që shërbejnë për mësimin praktik dhe veprimtarinë shkencore.

    Takimi me mësimdhënësit është zhvilluar në kuadër të konsultimeve të përbashkëta të MASh-it dhe SBAShK-ut, me qëllim përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit arsimor në përcaktimin e prioriteteve dhe orientimeve të strategjisë së re.

    Diskutimi është përqendruar në katër shtyllat kryesore të strategjisë: edukimin në fëmijërinë e hershme, arsimin parauniversitar, arsimin dhe aftësimin profesional, si dhe arsimin e lartë dhe shkencën. Në këtë kuadër, është theksuar nevoja për përmirësimin e cilësisë së arsimit, zhvillimin institucional dhe përshtatjen e programeve arsimore me nevojat e shoqërisë dhe të tregut të punës.

    Gjatë bashkëbisedimit është vlerësuar rëndësia e kontributit të mësimdhënësve dhe sindikatës në hartimin e politikave arsimore, duke e vendosur interesin e nxënësve dhe zhvillimin afatgjatë të arsimit në qendër të reformave.

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vlerësuar frymën e bashkëpunimit me Ministrinë dhe ka shprehur gatishmërinë e sindikatës për të kontribuar me kapacitetet e saj në këtë proces. Ai ka theksuar edhe rëndësinë e punës së përbashkët për kontratën kolektive dhe përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e arsimit, nga çerdhet deri në universitete.

    Konsultimet rajonale do të vazhdojnë në të gjitha rajonet e Kosovës, duke krijuar hapësirë për propozimet dhe rekomandimet e mësimdhënësve në hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+

    Burimi: RTKLive

  • Droni i dështuar i GRU-së: Si dështoi inteligjenca ruse në operacionin e sabotimit në aeroportin e Leipzigut

    Droni i dështuar i GRU-së: Si dështoi inteligjenca ruse në operacionin e sabotimit në aeroportin e Leipzigut

    Pas operacionit të dështuar të sabotimit në aeroportin Leipzig/Halle të Gjermanisë, në fillim të gushtit, shumë media, duke iu referuar burimeve nga organet e zbatimit të ligjit, raportuan për përfshirjen e mundshme të shërbimit ushtarak rus të inteligjencës, GRU-së.

    Megjithatë, në atë kohë nuk ishin publikuar prova konkrete. Sipas hetimit të “The Insider”, tashmë janë siguruar prova që tregojnë se operacioni i sabotimit ishte organizuar nga GRU-ja, ndërsa janë identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në plan, të cilët më parë ishin lidhur me operacione sabotimi në Poloni.

    Më 4 gusht, një dron që transportonte eksplozivë u përplas me krahun e një aeroplani ukrainas të tipit An-124, i cili ndodhej i parkuar në aeroportin Leipzig/Halle, në landin gjerman të Saksonisë.

    Pajisja nuk arriti të shpërthente dhe droni ra në tokë, ku disa orë më vonë u gjet nga një shofer autobusi. Në atë kohë aeroplani ishte bosh, por pak para incidentit kishte transportuar municion nga Franca përmes Leipzigut.

    Sipas hetimit, nëse sabotimi do të kishte pasur sukses dhe eksplozivi do të kishte shpërthyer në një aeroplan të ngarkuar me municion, pasojat mund të ishin shumë më të mëdha.

    Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, kishte deklaruar se hetimi policor dhe të dhënat e shërbimeve të inteligjencës tregonin drejt përgjegjësisë ruse për tentativën e sulmit. Në raportimet e mëparshme mediatike ishin identifikuar dy të dyshuar, Oleg L. dhe Andrei K., të cilët dyshohej se kishin lidhje me GRU-në. Njëri prej tyre raportohej se kishte shtetësi letoneze, gjë që ishte konfirmuar edhe nga autoritetet e inteligjencës së Letonisë.

    Si u organizua operacioni

    Sipas hetimit, në janar të vitit 2026, koloneli i GRU-së, Denis Smolyaninov, u pa në Moskë së bashku me Vladimir Trofimovin, trajner i hedhjes së thikave dhe njëkohësisht dhjak i Kishës Ortodokse, si dhe me tregtarin e armëve Andrei Usachev.

    Usachev, 54 vjeç, e kishte nisur karrierën ushtarake në Forcat Ajrore të Rusisë. Në vitin 2000, ai u dënua me nëntë vjet burg për një grabitje të armatosur në një pikë këmbimi valutor. Pas lirimit, ai u përfshi në prodhimin dhe tregtimin e armëve.

    Kompania e tij, “Oruzheynaya Palata”, fillimisht u zhvillua pasi u bë furnizuese e Gardës Kombëtare ruse. Por në vitin 2023 u raportua se një sistem i prodhuar nga kompania, i quajtur “Vyzhigatel”, ishte në fakt një dron i lirë kinez, SkyfendHunter SHH100, i importuar ilegalisht në Rusi.

    Usachev më pas u largua nga kompania, por njohuritë e tij për dronët ushtarakë vazhduan të ishin të kërkuara, duke tërhequr vëmendjen e inteligjencës ushtarake ruse.

    Të dhënat e faturimeve të siguruara dhe analizuara nga “The Insider” tregojnë se më 13 korrik 2026, Usachev telefonoi Oleg Levushkinin, një të njohur të tij nga qyteti i Pskovit.

    Në jetën e përditshme, Levushkin njihej si motoçiklist dhe biznesmen i vogël, i cili drejtonte një kompani që importonte çaj, kafe dhe erëza. Por, sipas hetimit, për GRU-në ai kishte një tjetër veçori të rëndësishme: shtetësinë letoneze, e cila i mundësonte të udhëtonte lirshëm në Bashkimin Evropian.

    Dyshohet se përdorën persona me të kaluar kriminale

    Sipas hetimit, bashkëpunëtori i Levushkinit ishte Andrei Karshakov, shtetas i Bjellorusisë që jetonte në Rusi dhe personi që dyshohet se e kreu drejtpërdrejt operacionin e dështuar në Leipzig.

    Mediat gjermane kishin raportuar më herët se gjurmë të ADN-së së Karshakovit ishin gjetur në një antenë, e cila, sipas hetuesve, ishte përdorur për të përforcuar sinjalin e dronit ndërsa operatori e drejtonte atë drejt objektivit.

    Hetimi zbuloi se kjo nuk ishte hera e parë që Karshakovi dyshohej se ishte përfshirë në një akt sabotimi.

    Më 25 korrik 2024, një raft me produkte për mbrojtjen e bimëve dhe insekticide u përfshi nga zjarri në një supermarket “Leroy Merlin” në qytetin polak Łódź. Zjarri u shua brenda një ore dhe dëmi u vlerësua në rreth 200 mijë zlotë, ose afërsisht 45 mijë euro. Në atë kohë, shkaku i mundshëm u përshkrua si shkelje e rregullave të magazinimit.

    Megjithatë, autoritetet kishin vërejtur dy persona të dyshimtë që ndodheshin në Łódź në kohën e zjarrit. “The Insider” i identifikoi ata përmes videove ku shiheshin duke tërhequr para nga një bankomat lokal.

    Njëri prej tyre rezultoi të ishte Karshakovi, ndërsa tjetri një shtetas tjetër bjellorus, Maksim Lapunov.

    Të dhënat e fluturimeve tregojnë se Lapunovi ishte i përfshirë edhe në operacionin në Leipzig. Më 19 korrik 2026, dy javë para zbulimit të dronit në aeroportin gjerman, ai udhëtoi nga Shën Petersburgu në Ankara dhe më pas në Beograd, të gjitha brenda së njëjtës ditë.

    Sipas burimeve të “The Insider” në një agjenci evropiane të zbatimit të ligjit, Lapunovi ka të ngjarë të ketë udhëtuar nga Serbia drejt Gjermanisë.

    Hetimi nuk përjashton mundësinë që në operacion të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë. Të dhënat e kalimeve kufitare tregojnë se Karshakovi udhëtonte shpesh me bashkëpunëtorë të tjerë bjellorusë që jetonin në Rusi: Vyacheslav Aysin, ish-policin Denis Shulgan dhe Roman Kovalevskyn, i cili ka precedentë penalë në Rusi për vjedhje dhe grabitje.

    Roli i tyre në operacionin e Leipzigut mbetet i paqartë. Megjithatë, hetuesit kanë vënë në dukje se Aysin udhëtonte rregullisht në Gjermani, përfshirë edhe në qytetin e Leipzigut.

    GRU-ja dhe rekrutimi i personave me precedentë penalë

    Koloneli i GRU-së Denis Smolyaninov ka lindur në vitin 1976 në Çeljabinsk dhe është diplomuar në Shkollën e Lartë Ushtarake të Aviacionit për Navigatorë në Çeljabinsk.

    Ai më pas shërbeu në Smolensk dhe mori trajnim të mëtejshëm në Akademinë e GRU-së në Moskë. Më vonë u transferua në Shën Petersburg, ku punoi në Qendrën e 172-të të Komandës dhe Zbulimit të GRU-së, me fokus kryesisht te Ukraina.

    Sipas hetimit, Smolyaninov ishte i përfshirë në rekrutimin e personave me të kaluar kriminale për të kryer misione jashtë Rusisë.

    Që në vitin 2023, një hetim i pavarur rus kishte raportuar se ai kishte rekrutuar neonazistë të dënuar më parë për vrasje për të vepruar si agjentë në Ukrainë.

    Ndër personat e rekrutuar nga Smolyaninovi, sipas hetimit, kishte edhe figura të njohura të botës kriminale ruse.

    Njëri prej tyre ishte ish-oficeri i GRU-së Vladimir Borisov, i njohur me nofkën “Praporshchik”. Ai kishte themeluar në vitet ’90 grupin kriminal të organizuar Falcon-95 në Shën Petersburg dhe kishte përdorur disa metoda të mësuara gjatë shërbimit në inteligjencën ushtarake, përfshirë teknika të avancuara të përgjimit.

    Grupi kriminal ishte përfshirë në disa vrasje, rrëmbime dhe marrje të paligjshme të bizneseve. Megjithatë, drejtuesi i tij kishte shmangur dënimet e rënda dhe ishte dënuar vetëm me një dënim me kusht.

    Në vitin 2014, Borisovi tentoi të krijonte kompaninë e tij private ushtarake. Sipas hetimit, kjo përpjekje hodhi bazat për bashkëpunimin e tij me Smolyaninovin, në një kohë kur GRU-ja po ndihmonte në krijimin e kompanive private ushtarake si mbulesë për operacionet e saj.

    Në vitin 2017, Borisovi u shpall në kërkim për një rast të marrjes së paligjshme të kontrollit mbi Institutin Shtetëror të Projektimit Arkitektonik dhe të Ndërtimit. Ai u fsheh në Bullgari dhe u ekstradua në Rusi në vitin 2021.

    Besohej se po vuante dënimin në një burg rus. Megjithatë, “The Insider” thotë se ka konfirmuar se ai u lirua menjëherë pas burgosjes fillestare dhe mori një pasaportë të re, të cilën më pas e përdori për udhëtime të shumta jashtë vendit.

    Hetimi i “The Insider” dhe “Der Spiegel” arrin në përfundimin se operacioni i dështuar në aeroportin Leipzig/Halle ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë aktivitetesh sabotimi, ku, sipas provave të publikuara nga hetuesit, inteligjenca ushtarake ruse përdori persona me lidhje kriminale për të kryer operacione në Evropë. /Telegrafi/