Blog

  • Momenti i sikletshëm gjatë lamtumirës së Messit, vajza i largon dorën të dashurit pasi sheh kamerat

    Momenti i sikletshëm gjatë lamtumirës së Messit, vajza i largon dorën të dashurit pasi sheh kamerat

    Një çift i ri është bërë viral pas një momenti të sikletshëm gjatë ndeshjes së lamtumirës së Lionel Messit me kombëtaren e Argjentinës.

    Messi, 39 vjeç, bëri paraqitjen e fundit për vendin e tij, teksa Argjentina mposhti Beninin me rezultatin 3-0, në një stadium të mbushur me rreth 85 mijë tifozë në Buenos Aires.

    Fishekzjarrët shpërthyen në momentin kur Messi doli në fushë i shoqëruar nga tre fëmijët e tij, ndërsa legjenda e ish-Barcelonës u përlot kur në stadium nisi të këndohej himni kombëtar i Argjentinës.

    Ndeshja u ndërpre në minutën e 10-të, në nderim të numrit të fanellës së Messit, duke i lënë vend sërish fishekzjarreve dhe një ovacioni të jashtëzakonshëm nga tifozët.

    Por, mes mijëra të pranishmëve, vëmendjen e mori edhe një çift i ri, të dy të veshur me fanella të Argjentinës.

    Në një moment të kapur nga kamerat televizive, djali shihet me krahun rreth vajzës që kishte pranë. Megjithatë, në momentin kur ajo kthehet dhe i buzëqesh, vajza ia largon në mënyrë të tërthortë dorën nga shpatulla.

    Më pas, ajo duket sikur rregullon flokët, ndërsa të dy shkëmbejnë disa fjalë.

    Momenti është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe është parë mijëra herë në X, duke nxitur edhe reagime të shumta nga përdoruesit.

    Një komentues shkroi: “Ai djalë do të ndihet shumë në siklet.”

    Një tjetër komentoi: “E ndiej dhimbjen tënde, vëlla.”

    Të tjerë e krahasuan momentin me incidentin e famshëm të “kiss cam” në një koncert të Coldplay, ku një moment i kapur nga kamera zbuloi një drejtuese të departamentit të burimeve njerëzore dhe shefin e tij të martuar.

  • Vetëm 20 vjeç, kapiten i Kosovës U21 dhe tashmë në Bundesliga 2 – Faton Ademi po rritet me hapa drejt Kombëtares A

    Vetëm 20 vjeç, kapiten i Kosovës U21 dhe tashmë në Bundesliga 2 – Faton Ademi po rritet me hapa drejt Kombëtares A

    Faton Ademi po përjeton një rritje të jashtëzakonshme në karrierë, teksa vetëm 20-vjeçari tashmë është kapiten i Kosovës U21 dhe po konsiderohet si një prej mesfushorëve me të ardhme të rëndësishme.

    Ademi ka lënë gjurmë të forta edhe në grumbullimin e fundit të Kosovës U21, nën drejtimin e përzgjedhësit Hekuran Kryeziu. Mesfushori ishte ndër protagonistët kryesorë, duke shënuar tre gola dhe dhënë një asistim.

    Një prej paraqitjeve të tij më të mira erdhi në ndeshjen ndaj Finlandës, e cila përfundoi me rezultatin 4-4.

    Ademi shënoi një gol dhe ishte një prej lojtarëve më aktivë në mesfushën e Kosovës, duke spikatur me rikuperime të topit, driblime, duele dhe aksione të vazhdueshme.

    Kjo paraqitje kishte një rëndësi të veçantë edhe për faktin se në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ishte përzgjedhësi i Kombëtares A, Franco Foda.

    Forma e tij dhe paraqitjet e vazhdueshme kanë bërë që emri i Ademit të përmendet gjithnjë e më shumë si një kandidat për një të ardhme në ekipin senior të Kosovës, me ndeshjet e nëntorit që janë në ardhje.

    Rritja e tij nuk është e kufizuar vetëm te përfaqësuesja. Këtë vit, Ademi bëri një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë, duke u larguar nga Alemannia Aachen dhe duke iu bashkuar Greuther Furth, që garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë.

    Deri tani, 20-vjeçari ka zhvilluar tri ndeshje me klubin gjerman, ndërsa paraqitjet e tij janë vlerësuar edhe nga drejtuesit e Greuther Fürth, të cilët e shohin si një lojtar me potencial për të ardhmen.

    Në total, Ademi ka zhvilluar 11 ndeshje me Kosovën U21 dhe ka shënuar tri gola, duke konfirmuar edhe me shifra progresin e tij.

    Nga kapiteni i Kosovës U21 te një aventurë e re në Gjermani, Faton Ademi po hedh hapa të rëndësishëm në karrierë. Dhe me formën që po tregon, duket se vetëm 20-vjeçari ka nisur të trokasë seriozisht në derën e Kombëtares A. /Telegrafi/

  • Arrestohen dy rumunë në Zvicër, dyshohet se grabitën viktimat duke i shpërqendruar me “dhurata”

    Arrestohen dy rumunë në Zvicër, dyshohet se grabitën viktimat duke i shpërqendruar me “dhurata”

    Një grua 28-vjeçare dhe një burrë 30-vjeçar nga Rumania janë arrestuar në kantonin e Lucernës, nën dyshimin se kishin vjedhur bizhuteri të vlefshme duke përdorur një skemë të pazakontë.

    Sipas policisë së Lucernës, dy të dyshuarit i afronin viktimat duke nisur biseda me pretekste të ndryshme.

    Gjatë bisedës, gruaja i vendoste viktimës një gjerdan rreth qafës, duke krijuar përshtypjen se po i bënte një dhuratë. Gjerdani, megjithatë, ishte vetëm bizhuteri kostumesh, shkruan Waston, transmeton Telegrafi.

    Më pas, ajo e përqafonte viktimën dhe, gjatë këtij momenti, dyshohet se i hiqte nga qafa bizhuteritë e saj të vlefshme pa u vënë re.

    Policia ndërhyri pas marrjes së informacionit për rastet dhe një patrullë arriti t’i ndalonte dhe arrestonte dy të dyshuarit.

    Autoritetet zvicerane paralajmërojnë qytetarët që të jenë të kujdesshëm kur persona të panjohur tentojnë t’i afrohen me pretekste të ndryshme, veçanërisht kur përpiqen t’i shpërqendrojnë përmes përqafimeve ose kontakteve fizike.

    Policia e Lucernës u bën thirrje qytetarëve të mos shpërqendrohen nga bisedat e papritura me të panjohur dhe të tregojnë kujdes ndaj tentativave të tilla për vjedhje./Telegrafi/

  • Filipçe: Mickoski nuk di dhe nuk dëshiron të udhëheq shtet multietnik

    Filipçe: Mickoski nuk di dhe nuk dëshiron të udhëheq shtet multietnik

    Në emisionin “IMPAKT” në TV Shenja, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikoi kryeministrin Hristijan Mickoski për mënyrën se si, sipas tij, po i trajton çështjet ndëretnike në vend.

    “Ne jemi parti e cila në strukturat e larta udhëheqëse ka njerëz nga përkatësi të ndryshme etnike, kemi shqiptar në bordin ekzekutiv të partisë. Më lejoni të them se, me keqardhje mund të konstatoj se, Hristijan Mickoski nuk di dhe nuk ka ndjesi të asaj se si udhëhiqet shtet multietnik. E shohim se si sillet në lidhje me gjuhën, në lidhje me balancuesin, hap çështje të mbyllura”.

    “Në vend që të gjithë ne të flasim për punë të përbashkët për sistem të vërtetë të bazuar në merita, për përmirësimin e standardit të qytetarëve, për shkak të provokimeve të Hristijan Mickoskit ne kthehemi dhe hapim plagë të vjetra. Pse?! Sepse, njeriu nuk di dhe as nuk dëshiron të udhëheqë shtet multietnik dhe ai është një problem i yni serioz”.

    “Për shkak se, etnikumet e ndryshme janë pasuri për maqedonasit, kultura të ndryshme, zakone të ndryshme, tradita të ndryshme dhe mbi të gjitha raporte të mira, miqësore, vëllazërore, ne nuk kemi probleme. Vetëm partitë politike dhe politikanët e pandërgjegjshëm dhe të këqij i hapin ato çështje në mënyrë jo adekuate. Hristijan Mickoski është i tillë”, deklaroi Filipçe.

  • Januzi: Minatori i parë ka dalë nga Trepça, po dalin edhe grupet e tjera

    Januzi: Minatori i parë ka dalë nga Trepça, po dalin edhe grupet e tjera

    Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka thënë për RTK-në se minatorët kanë mbetur të ngujuar në horizontet e minierës në Stantërg, pas një defekti në sistemin e energjisë elektrike.

    Januzi ka thënë se defekti ka ndodhur rreth orës 19:30, si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një defekti në trafostacionin e tunelit të parë.

    Sipas tij, një pjesë e minatorëve kanë nisur të dalin përmes daljeve alternative, ndërsa minatori i parë tashmë ka arritur të dalë nga miniera.

    “Minatori i parë, sipas informacioneve të mia, ka arritur me dalë, po shpresojmë edhe janë duke dalë edhe grupet e tjera”, ka thënë Januzi.

    Ai ka bërë me dije se me minatorët ekziston komunikimi përmes linjës telefonike me tela induktiv dhe se gjendja e tyre është stabile.

    “Për gjendjen e tyre për momentin është stabile, nuk ka ndonjë shqetësim”, ka deklaruar Januzi, duke shtuar se një minator raportohet të ketë problem me këmbën, gjë që mund t’ia vështirësojë daljen në këmbë.

    Januzi ka thënë se, sipas informatave nga vendi i ngjarjes dhe komunikimit me menaxhmentin, linja që furnizon minierën nuk duket të ketë defekte të mëdha dhe mund të riparohet në një kohë më të shkurtër.

    Ai ka theksuar se defektet në pjesën e flotacionit nuk paraqesin pengesë për nxjerrjen e minatorëve, pasi nuk lidhen me liftin që përdoret për transportimin e tyre nga miniera.

    Kryetari i Sindikatës ka kritikuar mungesën e investimeve dhe gjendjen e vjetërsuar të pajisjeve, duke thënë se raste të tilla janë përsëritur edhe më parë.

    “Fatkeqësisht, mungesa e investimeve dhe trafostacionet e stërvjetëruara po bëjnë që shpesh të mbesin të mbyllur”, ka thënë Januzi.

    Sipas tij, mungesa e një alternative tjetër për furnizim me energji po bën që minatorët të mbesin të ngujuar për orë të tëra, duke e cilësuar këtë situatë si rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre.

    Burimi: RTKLive

  • Kush ia dha votën e vetme Eliza Hoxhës për Presidente?

    Kush ia dha votën e vetme Eliza Hoxhës për Presidente?

    Kundërkandidatja e Justina Shiroka-Pulës për Presidente të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka marrë vetëm një votë në procesin e zgjedhjes së Presidentes.

    Hoxha ka treguar se vota e vetme që mori në këtë proces ishte nga një koleg i saj nga radhët e PDK-së.

    Duke folur në emisionin “Frontal” në T7, Hoxha tha se bëhej fjalë për deputetin Artan Behrami, duke sqaruar se ajo vetë kishte krijuar mundësinë që votimi të formalizohej.

    “Është Artan Behrami, unë aty vetëm e krijova mundësinë e formalitetit”, tha Hoxha.

    Hoxha ishte kandidatja e PDK-së për Presidente, përballë kandidates së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Justina Shiroka-Pula.

    Në votimin për Presidenten, Shiroka-Pula u zgjodh në krye të shtetit, ndërsa Hoxha mori vetëm një votë.

  • Bebe Rexha e ‘kall’ atmosferën, këndon shqip “Hajde halla e madhe” (VIDEO)

    Bebe Rexha e ‘kall’ atmosferën, këndon shqip “Hajde halla e madhe” (VIDEO)

    Bebe Rexha e ‘kall’ atmosferën, këndon shqip “Hajde halla e madhe” (VIDEO)

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka surprizuar të pranishmit në një organizim, duke kënduar në gjuhën shqipe.

    Rexha është shfaqur duke interpretuar këngën “Hajde halla e madhe”, duke krijuar një atmosferë të veçantë mes të pranishmëve.

    E njohur ndërkombëtarisht për hitet e saj, këngëtarja me origjinë shqiptare ka treguar edhe një herë lidhjen e saj me kulturën dhe muzikën shqiptare./Klankosova.tv

  • “Më telefonoi para se të vdiste por s’arrita t’ia hapja”, flet nëna e muzikantit zviceran që vdiq nga zjarri

    “Më telefonoi para se të vdiste por s’arrita t’ia hapja”, flet nëna e muzikantit zviceran që vdiq nga zjarri

    Personi që humbi jetën në zjarrin e një pallati në Obereinterthur të martën është identifikuar. Bëhet fjalë për producentin muzikor zviceran Marco Heer, 47 vjeç.

    Zjarri shpërtheu të martën, më 6 tetor, në një ndërtesë banimi në Oberwinterthur. Flakët përfshinë katin e papafingos dhe gjatë operacionit të shuarjes zjarrfikësit gjetën një person të pajetë në njërin prej apartamenteve.

    Fillimisht identiteti i viktimës nuk ishte bërë i ditur, ndërsa policia kishte konfirmuar se bëhej fjalë për banorin që ishte raportuar i zhdukur. Më vonë u konfirmua se viktima ishte Marco Heer.

    Për këtë humbje të rëndë, nëna e viktimës, ka rrëfyer momentet e dhimbshme pas tragjedisë.

    Nëna e 47-vjeçarit, Gabriella Heer, ka treguar se djali i saj kishte tentuar ta telefononte rreth orës 09:07 të mëngjesit, pak para se të raportohej zjarri, shkruan Blick, transmeton Telegrafi.

    Ajo nuk arriti t’i përgjigjej telefonatës dhe kishte planifikuar ta merrte më vonë. Pak pas kësaj, ajo mori vesh për zjarrin në Oberëinterthur dhe pa nga afër tymin që ngrihej mbi ndërtesë.

    Gjatë pasdites, kur ekipet e emergjencës gjetën trupin, nëna tha se menjëherë kishte kuptuar se mund të ishte djali i saj.

    “E dija se mund të ishte vetëm Marco. Që nga ai moment vetëm dridhesha”, ka rrëfyer ajo.

    Më vonë, policia shkoi në banesën e saj dhe mori një mostër ADN-je për identifikim.

    Kishte probleme shëndetësore dhe varësi

    Nëna e Marco Heer ka treguar gjithashtu për vështirësitë me të cilat ai ishte përballur gjatë jetës.

    Sipas saj, ai kishte vuajtur nga skizofrenia dhe rreth një muaj para vdekjes kishte ndërprerë vetë marrjen e ilaçeve, pas së cilës gjendja e tij ishte përkeqësuar.

    Ajo kishte dashur të kërkonte ndërhyrjen e autoriteteve për ta ndihmuar, por djali i saj nuk kishte pranuar.

    Heer kishte filluar të konsumonte drogë dhe alkool që në moshën 15-vjeçare, ndërsa problemet e shëndetit mendor ishin shfaqur më vonë.

    Megjithatë, nëna e përshkruan atë si një person shumë kreativ, të ndjeshëm dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët.

    Ishte duke punuar në muzikë deri një ditë para vdekjes

    Një prej personave që e kishte parë Marco Heer për herë të fundit ishte DJ Mr. Pink, emri i vërtetë i të cilit është Andreas Pereira.

    Të dy ishin njohur rreth një vit më parë në një klinikë për trajtimin e varësisë, ku kishin kryer trajtim për varësinë nga kokaina.

    Pas trajtimit, ata kishin vazhduar të mbanin kontakte dhe të punonin së bashku në muzikë.

    Pereira ka treguar se ata kishin prodhuar pesë këngë në një periudhë të shkurtër, me të duke luajtur meloditë në tastierë dhe Heer duke u marrë me ritmet dhe aranzhimet.

    Ai e kishte vizituar për herë të fundit më 5 tetor, një ditë para zjarrit.

    Sipas tij, atë ditë Heer ishte nervoz dhe kishte treguar se po dëgjonte sërish zëra dhe se kishte nevojë t’i rifillonte ilaçet.

    Të nesërmen, ai dhe Marco kishin planifikuar të takoheshin përsëri.

    Ndërkohë, policia kantonale e Cyrihut vazhdon hetimet për shkakun e zjarrit, i cili ende nuk është bërë i ditur. Dëmet materiale nga zjarri vlerësohen në më shumë se një milion franga, ndërsa disa apartamente mbeten të pabanueshme./Telegrafi/

  • Rusia përballet me mbi 1600 sanksione të reja të BE-së

    Rusia përballet me mbi 1600 sanksione të reja të BE-së

    Ambasadorët e Bashkimit Evropian kanë miratuar unanimisht një paketë me më shumë se 1600 sanksione ndaj individëve dhe subjekteve të lidhura me kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë.

    Bëhet fjalë për listën më të madhe të vetme të sanksioneve të reja që BE-ja ka propozuar që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

    Megjithatë, vendimi i ambasadorëve nuk përbën ende miratimin përfundimtar të sanksioneve. Paketa pritet t’u dërgohet ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, të cilët do të votojnë për miratimin formal të saj të hënën, shkruan skynews.

    Sipas listës së siguruar nga The Kyiv Independent, masat synojnë një gamë të gjerë kompanish dhe individësh të industrisë së mbrojtjes ruse, nga kantieret e ndërtimit të anijeve dhe kompanitë e aviacionit, deri te prodhuesit e pajisjeve elektronike, objektet për riparimin e automjeteve të blinduara dhe kompanitë e industrisë hapësinore.

    Sipas të dhënave më të fundit, paketa përfshin 743 individë dhe 826 subjekte, ndërsa 77 persona të tjerë që morën pjesë në zgjedhjet ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës janë gjithashtu në shënjestër.

    Sanksionet përfshijnë masa si ngrirja e aseteve, ndalimi i udhëtimit dhe ndalimi i ofrimit të fondeve për personat dhe subjektet e përfshira në listë.

    Që nga viti 2022, rreth 3000 individë dhe subjekte janë sanksionuar nga BE-ja në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. /Telegrafi/

  • Zhegrova shpërtheu me Kosovën dhe i prin listës së driblimeve - tani mediat italiane e shohin në garë për formacionin e Juventusit

    Zhegrova shpërtheu me Kosovën dhe i prin listës së driblimeve – tani mediat italiane e shohin në garë për formacionin e Juventusit

    Edon Zhegrova po tregon edhe një herë se driblimi mbetet një prej armëve të tij më të forta. Ylli i Kosovës është në krye të renditjes për driblime të tentuara në Ligën e Kombeve, duke lënë pas disa prej emrave më të njohur të futbollit evropian.

    Në katër ndeshjet e para të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve, Zhegrova ka tentuar 27 driblime, më shumë se çdo futbollist tjetër në Ligën B. Pas tij renditet Khvicha Kvaratskhelia me 21, ndërsa Johan Manzambi ka 17.

    Në grafikën e pesë lojtarëve me më së shumti driblime të realizuara, Zhegrova është gjithashtu në krye me 18 driblime të suksesshme, pesë më shumë sa norvegjezi Antonio Nusa.

    Pas tyre vijnë Arda Güler me 11, Nuno Mendes me 11 dhe Tomas Suslov me 11.

    Këto shifra tregojnë ndikimin që Zhegrova ka pasur në lojën e Kosovës, sidomos në situatat një kundër një, ku aftësia e tij për të kaluar kundërshtarin vazhdon të jetë një prej elementeve më të rrezikshme të lojës së “Dardanëve”.

    Gol dhe asistim me Kosovën

    Zhegrova e mbylli këtë cikël të ndeshjeve të Ligës së Kombeve me një gol dhe një asistim në katër paraqitje. Ai realizoi gol në humbjen 3-1 ndaj Austrisë dhe më pas kontribuoi me asistim në barazimin 1-1 ndaj së njëjtës përfaqësuese.

    Në total, ai luajti 211 minuta në këto katër ndeshje, ndërsa regjistroi nëntë goditje dhe 12 harkime, duke qenë një prej lojtarëve më aktivë të Kosovës në fazën ofensive.

    Paraqitjet me përfaqësuesen kanë ardhur në një moment të rëndësishëm edhe për vetë Zhegrovën, i cili po kërkon të fitojë gjithnjë e më shumë hapësirë te Juventusi.

    Zhegrova po rikthehet në versionin e tij më të mirë telegrafi.com

    Tani radha është e Juventusit

    Pas përfundimit të angazhimeve me Kosovën, Zhegrova është rikthyer në Torino me një gol dhe një asistim dhe me një formë që ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane.

    “JuventusNews24” e ka cilësuar atë si kandidat për të nisur nga minuta e parë ndaj Cagliarit, ndërsa edhe “La Gazzetta dello Sport” e sheh si një lojtar që mund të ketë hapësirë në ndeshjen e së dielës.

    Zhegrova ka pasur gjithashtu një ndikim pozitiv me Juventusin para pauzës së kombëtareve. Sipas të dhënave të sezonit, ai ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asistim në Serie A.

    Juventusi do të përballet me Cagliarin të dielën, më 11 tetor, në transfertë, dhe kjo mund të jetë një mundësi e rëndësishme për Zhegrovën që ta shfrytëzojë formën e mirë të treguar me Kosovën.

    Megjithatë, gara për një vend në formacion mbetet e hapur. “Gazzetta dello Sport” raporton se Francisco Conceição shihet si favorit për të nisur nga minuta e parë, ndërsa Zhegrova është një prej alternativave kryesore për trajnerin Luciano Spalletti.

    Nëse vazhdon me të njëjtin ritëm, Zhegrova mund ta shfrytëzojë pikërisht këtë periudhë për të kaluar nga një lojtar që pret mundësinë te një prej alternativave të rëndësishme të Juventusit në krahun e djathtë.

    telegrafi.com

    Dhe pas asaj që tregoi me Kosovën – 13 driblime të realizuara, një gol dhe një asistim – sinjalet janë të qarta: Zhegrova po kërkon që formën e tij nga fanella “Dardane” ta marrë me vete edhe në Torino. /Telegrafi/