Blog

  • 63 minatorë të Trepçës mbeten të ngujuar në tunel pas një defekti me energjinë elektrike

    63 minatorë të Trepçës mbeten të ngujuar në tunel pas një defekti me energjinë elektrike

    63 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar të mërkurën mbrëma, pas një defekti në furnizimin me energji elektrike.

    Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për punëtorët e ndërrimit të dytë.

    Sipas tij, minatorët kanë mbetur të ngujuar në tunelin e parë të minierës, ndërsa ekipet përkatëse janë duke punuar për nxjerrjen e tyre.

    “Për shkak të një defekti me energjinë elektrike, rreth 60-63 minatorë të ndërrimit të dytë kanë mbetur të ngujuar”, ka thënë Januzi.

    Ai ka shtuar se aktualisht po punohet për nxjerrjen e minatorëve nga tuneli.

    Deri në publikimin e lajmit nuk janë dhënë detaje të tjera për gjendjen e minatorëve apo kohën e nevojshme për nxjerrjen e tyre.

    Telegrafi do t’ju mbajë të informuar…

  • WhatsApp përgatit ndryshime të mëdha, kanalet mund të zhvendosen te bisedat

    WhatsApp përgatit ndryshime të mëdha, kanalet mund të zhvendosen te bisedat

    WhatsApp po përgatit disa ndryshime të rëndësishme, ndërsa njëri prej tyre lidhet me mënyrën se si përdoruesit i qasen kanaleve në aplikacion.

    Kompania po teston mundësinë që kanalet të zhvendosen drejtpërdrejt në skedën “Chats”, pra të shfaqen së bashku me bisedat. I njëjti ndryshim po zhvillohet si për pajisjet Android, ashtu edhe për iPhone.

    Në versionin beta të WhatsApp për Android, 2.26.39.1, kompania po teston tri mënyra të ndryshme për shfaqjen e kanaleve në skedën e bisedave.

    Përdoruesve që tashmë ndjekin kanale do t’u ofrohet mundësia që ato t’i shohin drejtpërdrejt në listën e bisedave ose që aplikacioni t’i arkivojë automatikisht.

    Për momentin nuk dihet se cilin prej këtyre opsioneve WhatsApp do ta zgjedhë për versionin përfundimtar. Vendimi pritet të merret bazuar në rezultatet e testimeve dhe reagimet e përdoruesve.

    Ndryshimi do të prekë edhe skedën “Updates”, e cila aktualisht përmban kanalet dhe statuset. Sipas planit që po testohet, kjo skedë pritet të hiqet dhe të zëvendësohet me një skedë të re të quajtur “Contacts”.

    I njëjti funksion është duke u zhvilluar edhe për iPhone, ku WhatsApp po teston gjithashtu tri konfigurime të ndryshme. Megjithatë, ndryshimi ende nuk është vënë në dispozicion për testuesit beta në iOS.

    Kjo do të thotë se WhatsApp po përgatit një riorganizim të plotë të skedave kryesore të aplikacionit, por përdoruesit do të duhet të presin edhe pak për versionin përfundimtar. /Telegrafi/

  • Garazhi në Bullgari bëhet hit në Facebook, “vetëm ballkanasi mund ta bëjë këtë”

    Garazhi në Bullgari bëhet hit në Facebook, “vetëm ballkanasi mund ta bëjë këtë”

    Një pamje nga një garazh në Bullgari është bërë virale në rrjetet sociale, duke shkaktuar të qeshura dhe komente të shumta.

    Fotografia tregon mënyrën e pazakontë se si është shfrytëzuar hapësira e garazhit, ndërsa përdoruesit e Facebookut e kanë cilësuar si një shembull tipik të kreativitetit ballkanik.

    “Vetëm një ballkanas mund ta bëjë këtë”, është një nga komentet që shoqëron pamjen virale.

    Me humor është komentuar edhe mundësia që hapësira të marrë një tjetër funksion në të ardhmen, duke u shndërruar në një “apartament të gjerë me dy dhoma”.

    Pamja ka marrë vëmendje të madhe në Facebook, ndërsa komentuesit kanë vijuar ta shoqërojnë me batuta për mënyrën se si ballkanasit dinë të shfrytëzojnë çdo hapësirë në dispozicion. /Telegrafi/

  • Zogaj: Zgjedhja e presidentes në Kosovë, një akt pjekurie i elitës politike

    Zogaj: Zgjedhja e presidentes në Kosovë, një akt pjekurie i elitës politike

    Analisti Preç Zogaj komentoi zhvillimet politike në Kosovë dhe mënyrën se si u zgjidh kriza institucionale përmes zgjedhjes së presidentes së vendit.

    Sipas Zogajt, Kosova ndodhej përballë një situate mjaft të vështirë politike, ku ekzistonte rreziku real që vendi të shkonte për herë të pestë në zgjedhje të parakohshme.

    Ai e cilësoi zgjedhjen e presidentes si një kompromis të arritur në momentet e fundit, i cili shmangu një krizë të re politike dhe institucionale.

    “Situata ishte mjaft pesimiste, pasi Kosova rrezikonte të shkonte për të pestën herë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhja e presidentes ishte një kompromis i orëve të fundit, por një kompromis i domosdoshëm për të dalë nga ngërçi politik”, u shpreh Zogaj për RTSH.

    Analisti theksoi se ky vendim përbën një shenjë pjekurie nga elita politike kosovare, e cila për muaj të tërë ishte përballur me një krizë që kishte vënë në pikëpyetje kapacitetin shtetformues të institucioneve të vendit.

    “Zgjedhja e saj është një kompromis, por mbi të gjitha është një akt pjekurie dhe një akt pozitiv i elitës politike të Kosovës. Përgjatë disa muajve, kriza politike po vinte në dyshim, në një farë mënyre, edhe kapacitetin shtetformues të vetë Kosovës”, deklaroi ai.

    Zogaj nënvizoi se mosarritja e zgjedhjes së presidentit po jepte një mesazh negativ si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, duke krijuar përshtypjen e një sistemi politik të paaftë për të zgjidhur çështjet themelore institucionale.

    “Ishte një lajm shumë i keq fakti që Kosova nuk po arrinte të zgjidhte Presidentin dhe për këtë arsye kalonte nga zgjedhjet në zgjedhje. Madje edhe formimi i qeverisë është realizuar me shumë vështirësi”, tha ai.

    Në përfundim të analizës së tij, Zogaj vlerësoi se tejkalimi i kësaj situate përbën një zhvillim pozitiv për stabilitetin politik të Kosovës.

    “Kalimi i kësaj situate është një gjë pozitive dhe kriza u zgjidh. Një element tjetër për t’u përmendur është fakti se kjo është presidentja e tretë grua në krye të shtetit të Kosovës, një tregues i rëndësishëm i përfaqësimit të grave në institucionet më të larta të vendit”, përfundoi Zogaj.

    Burimi: RTKLive

  • 63 minatorë ngujohen në horizontin e 11-të Trepçës, Ibishi: S`ka vend për panik

    63 minatorë ngujohen në horizontin e 11-të Trepçës, Ibishi: S`ka vend për panik

    Komandanti i Zjarrfikësve të Mitrovicës, Bekim Ibishi, tha për RTKLive se është djegur trafo kryesore e këtij horizonti.

    Ai tha se ekipet janë duke punuar për nxjerrjen e tyre, kurse minatorët aktualisht mbeten ende të ngujuar. “63 minatorë janë ngujuar.Trafo është djeg. Jemi duke punuar për nxjerrjen e tyre”, tha ai. Ibishi tha se nuk ka vend për panik dhe se po shikohen alternativa për nxjerrjen e tyre.

    Burimi: RTKLive

  • Hyseni: Zgjedhja e presidentes nuk ka shkelje kushtetuese

    Hyseni: Zgjedhja e presidentes nuk ka shkelje kushtetuese

    Profesori i së drejtës, Flamur Hyseni, ka thënë në RTK Prime se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente e Kosovës nuk përbën shkelje kushtetuese.

    Duke komentuar procesin e zgjedhjes së presidentes, Hyseni tha se në parlamentarizëm marrëveshjet politike mund të arrihen në çdo moment, edhe në fund të një afati.

    “Gjithnjë është e mundur në çdo moment të arrihet një marrëveshje për të prodhuar pastaj një vendim, i cili edhe ndodhi mbrëmë. Nuk ka shumë rëndësi në cilin minut, në fillim, në mes apo në fund, por me rëndësi është që marrëveshja është arritur dhe ka pasur një dakordancë të plotë të qëndrimeve për të zhvilluar një procedurë pastaj të garantuar, për të siguruar atë shumicën e lartë që kërkon Kushtetuta”, tha Hyseni.

    Sipas tij, me zgjedhjen e presidentes është krijuar një fakt i ri dhe ajo ka marrë mandatin zyrtarisht nga momenti i zgjedhjes.

    Hyseni e cilësoi zgjedhjen e presidentes si përmbyllje të procesit të krijimit të institucioneve qendrore shtetërore, pas konstituimit të Legjislaturës së 11-të dhe zgjedhjes së Qeverisë.

    Ai theksoi se nuk sheh problem të natyrës kushtetuese, duke vlerësuar se procedura është zhvilluar brenda afateve.

    “Jemi brenda afateve. Kushtetuta vazhdon me vlejt, është akti kryesor në hierarkinë e akteve juridike në fuqi”, tha Hyseni.

     

     

     

    Burimi: RTKLive

  • Mbi 60 minatorë mbesin të ngujuar në Trepçë për shkak të një defekti me energji

    Mbi 60 minatorë mbesin të ngujuar në Trepçë për shkak të një defekti me energji

    Rreth 60 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar të mërkurën mbrëma në horizontin e 11-të të minierës.

    Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka thënë për Dukagjinin se ngujimi ka ndodhur për shkak të një defekti me energjinë elektrike.

    Sipas tij, minatorët janë pjesë e ndërrimit të dytë, por ende nuk dihen detaje tjera pasi ai tha se nuk është në vendngjarje.

    “Për shkak të një defekti me energjinë elektrike, rreth 60 minatorë të ndërrimit të dytë kanë mbetur të ngujuar”, ka deklaruar Januzi për Dukagjinin.

    Burimi: Dukagjini

  • Menaxhmenti i Trepçës tregon për gjendjen shëndetësore të minatorëve të ngujuar

    Menaxhmenti i Trepçës tregon për gjendjen shëndetësore të minatorëve të ngujuar

    Menaxhmenti i Trepçës tregon për gjendjen shëndetësore të minatorëve të ngujuar

    63 minatorë të Trepçës janë ngujuar në horizontin e 11-të të Trepçës, pasi është djegur trafo kryesore e këtij horizonti.

    Drejtori i prodhimit në Trepçë, Bujar Jashari tha për Klan Kosovën se po punohet në sanimin e defektit, derisa u shpreh se gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë.

    “Janë duke punuar ekipet në sanimin e defektit. Gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë. Besojmë që shumë shpejt do ta rregullojmë problemin, do të rikthehet energjia dhe minatorët do të dalin”, deklaroi ai.

    Lidhur me këtë, për Klankosova.tv ka folur edhe drejtoresha e Drejtorive për Siguri dhe Emergjenca në Mitrovicë,  Fitore Mehmeti-Behmari, e cila poashtu tha se gjendja e tyre është e mirë.

    “Zjarrfikësit janë tentuar të hyjnë brenda. Momentalisht, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, por shpresojmë të mos zgjasë shumë”, thuhet në konfirmim./Klankosova.tv

  • Të gjithë e uruan Shiroka Pulën, Arta Bajrami ka një kërkesë për presidenten e re

    Të gjithë e uruan Shiroka Pulën, Arta Bajrami ka një kërkesë për presidenten e re

    Të gjithë e uruan Shiroka Pulën, Arta Bajrami ka një kërkesë për presidenten e re

    Pas zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pasur reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.

    Përveç liderëve institucionalë, kanë qenë edhe personalitete dhe figura nga fusha të ndryshme shoqërore që kanë uruar akademiken për zgjedhjen e saj në krye të shtetit.

    Në mesin e atyre që kanë reaguar ka qenë edhe këngëtarja Arta Bajrami.

    Madje, ajo nëpërmjet një postimi në Instagram, ka bërë një kërkesë për presidenten dhe krerët e tjerë institucionalë.

    “Tash që Kosova ka Presidenten dhe institucionet po funksionalizohen, kërkesa jonë është e qartë: Projektligji për fëmijët me nevoja të veçanta (Autizmin) të jetë menjëherë ndër pikat e para të rendit të ditës në Kuvend. Fëmijët nuk presin”, ka shkruar Bajrami.

  • Promitheas i prish festën Trepçës, kampionia e Kosovës e nis me humbje në Evropë

    Promitheas i prish festën Trepçës, kampionia e Kosovës e nis me humbje në Evropë

    Kampionia në fuqi e Kosovës, Trepça, e ka nisur me humbje sezonin e rregullt në FIBA Europe Cup.

    Mitrovicasit u mposhtën të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” nga Promitheas Patras me rezultat 91:77, në ndeshjen e parë të Grupit A.

    Skuadra greke e nisi furishëm takimin dhe krijoi epërsi të madhe që në çerekun e parë, të cilin e fitoi 28:12.

    Trepça reagoi në periudhën e dytë dhe arriti ta fitojë atë me rezultat 27:17, duke e mbyllur pjesën e parë me 45:39 në favor të mysafirëve.

    Megjithatë, mitrovicasit nuk arritën ta vazhdonin ritmin e njëjtë pas pushimit. Promitheas fitoi çerekun e tretë 22:18, ndërsa në të fundit triumfoi 24:20, për ta siguruar fitoren e parë në grupin A.

    Kevin Bracy-Davis ishte basketbollisti më efikas te Trepça me 25 pikë, dy kërcime dhe një asistim.

    Paraqitje të mira patën edhe Shawn Jones dhe Dardan Kapiti. Jones kontribuoi me 13 pikë, tri kërcime dhe tri asistime, ndërsa Kapiti e mbylli ndeshjen me 11 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime.

    Matt Mobley shtoi dhjetë pikë për Trepçën. Te Promitheas, më i dalluari ishte Kendal Coleman me dyshifror të dyfishtë, duke regjistruar 14 pikë, 11 kërcime dhe një asistim.

    Ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup, Trepça do ta zhvillojë më 14 tetor në Kroaci, ku do të përballet me BC Splitin./Telegrafi/