Florian Wirtz u transferua verën e kaluar nga Bayer Leverkusen te Liverpooli për 125 milionë euro, por mesfushori gjerman ende nuk ka arritur të tregojë në “Anfield” formën që e bëri një nga futbollistët më të kërkuar në Evropë.
Wirtz shkëlqeu te Bayer Leverkuseni, me të cilin fitoi titullin e kampionit të Gjermanisë dhe u shndërrua në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së drejtuar atëherë nga Xabi Alonso. Para transferimit të tij, për të interesoheshin disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë Bayern Munichun dhe Real Madridin.
Në fund, Wirtz zgjodhi Liverpoolin, i cili pagoi 125 milionë euro për kartonin e tij. Megjithatë, aventura e tij në “Anfield” nuk ka shkuar sipas pritshmërive.
Liverpooli gjen alternativën e Wirtz, interesohet për ish-yllin e Bayern Munichut telegrafi.com
Bierhoff e sheh në Barcelonë
Për situatën e Wirtzit ka folur edhe legjenda e futbollit gjerman, Oliver Bierhoff, i cili ka zbuluar klubin ku do të dëshironte ta shihte mesfushorin në të ardhmen.
Ish-sulmuesi i Milanit mendon se Barcelona do të ishte destinacioni ideal për Wirtzin, sidomos për shkak të stilit të lojës që aplikon trajneri Hansi Flick.
“Do të doja ta shihja Wirtzin te Barcelona. Jam i sigurt se ai do të ishte fantastik nën urdhrat e Flickut në atë klub. Do të kishte shumë hapësirë për të luajtur, ndërsa do të kishte edhe bashkëlojtarë fantastikë. Shpresoj që kjo të ndodhë një ditë”, ka thënë Bierhoff.
🚨🚨🎙️| Oliver Bierhoff on Florian Wirtz: “I can very well see him succeeding with Hansi Flick at Barcelona. There will be space and excellent teammates.”[@SPORTBILD] https://t.co/JH0tGCVdIC — Living Liverpool (@Livin_Liverpool) October 7, 2026
E ardhmja e Wirtzit në pikëpyetje
Wirtz ka kontratë me Liverpoolin edhe për katër vite të tjera, por paraqitjet e tij kanë bërë që tashmë të flitet edhe për një largim të mundshëm. Sipas raportimit të mediave, vlera e tij në treg ka rënë në rreth 80 milionë euro, pas një sezoni ku nuk arriti të justifikojë pritshmëritë e mëdha.
Në sezonin aktual, Wirtz ka regjistruar gjashtë paraqitje për Liverpoolin, por ende nuk ka shënuar gol.
Megjithatë, një transferim te Barcelona duket i vështirë për momentin, pasi katalunasit kanë disa alternativa të rëndësishme në pozicionet ku luan gjermani.
Në futboll, megjithatë, asgjë nuk mund të përjashtohet, dhe mbetet të shihet nëse Wirtz do të arrijë ta ndryshojë situatën te Liverpooli apo do të kërkojë një sfidë të re. /Telegrafi/
Një nga legjendat më të njohura të traditës shqiptare ka marrë formë krejtësisht të re përmes teknologjisë së inteligjencës artificiale.
“BESA”, filmi i realizuar nga ekipi OLL KORRECT, i frymëzuar nga rrëfimi i Kostandinit dhe Doruntinës, ka arritur të futet në Top 50 të “Higgsfield Global Film Festival”, një prej garave ndërkombëtare që eksplorojnë potencialin e kinemasë së krijuar me inteligjencë artificiale.
Nga mijëra projekte të dorëzuara në këtë kompeticion, “BESA” ka kaluar në fazën vendimtare të vlerësimit nga juria ndërkombëtare.
Pjesë nga filmi “Besa”Foto: YouTube
Filmi garon në një festival me një fond total çmimesh prej 1 milion dollarësh, ku çmimi i parë është 500 mijë dollarë.
Për ekipin shqiptar, megjithatë, rëndësia e këtij rrugëtimi nuk lidhet vetëm me garën dhe çmimet, por edhe me mundësinë për ta prezantuar një histori shqiptare përballë një audience ndërkombëtare.
Në një intervistë për Telegrafin, krijuesit e filmit, Elena Kelmendi dhe Lirim Berisha, kanë rrëfyer se si lindi ideja për të sjellë pikërisht historinë e Kostandinit dhe Doruntinës në një festival të tillë, pse zgjodhën të përfaqësohen përmes një historie shqiptare dhe sa e vështirë ishte të ndërtohej një film i tërë me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Pjesë nga filmi “Besa”Foto: YouTube
“Nuk donim të përfaqësonim vetëm veten, por një histori shqiptare”, nis Elena.
Për Kelmendin, zgjedhja e historisë së Kostandinit dhe Doruntinës nuk ishte një vendim i rastësishëm.
Sipas saj, ekipi e ka menduar gjatë se çfarë duhej të sillte në një festival ndërkombëtar të këtij niveli dhe nëse do të mjaftohej me një ide që do t’i përfaqësonte vetëm ata si krijues, apo do të përpiqej të prezantonte diçka që lidhet drejtpërdrejt me identitetin shqiptar.
“Për Kostandinin dhe Doruntinën nuk ka qenë vetëm një ide e zakonshme. E kemi menduar shumë gjatë se me çfarë duhet të marrim pjesë në një festival të tillë. A duam të përfaqësojmë vetëm veten tonë apo, në një festival ku nuk kisha besuar që do të merrnin pjesë shqiptarët, të ecim me diçka shqiptare”, ka thënë Kelmendi për Telegrafin.
Elena KelmendiFoto: Telegrafi
Nuk kanë dashur ta riprodhojnë thjesht historinë ashtu siç njihet, por kanë synuar të sjellin perspektivën e tyre.
“Kemi dashur të japim një perspektivë tonën për Kostandinin dhe Doruntinën, jo siç është e shpjeguar në libër. Kemi vendosur, bashkë me Lirimin, ta bëjmë këtë histori për disa arsye”, ka treguar ajo.
Një prej arsyeve kryesore, sipas Kelmendit, ka qenë edhe sfida artistike që paraqet një histori e tillë për inteligjencën artificiale.
Ekipi ka dashur të shmangë elementet e zakonshme që mund të përdoren për ta bërë një projekt vizualisht spektakolar, si luftërat apo skenat e ekzagjeruara, dhe në vend të tyre të fokusohet te emocionet, veshjet tradicionale dhe autenticiteti.
“Është sfidë shumë e madhe me AI që të bësh diçka me veshje tradicionale, pa lufta, pa ekzagjerime, por të japësh emocion. Kjo është pika më e dobët e AI-së. Nuk është e lehtë me AI të paraqesësh diçka emocionale. Për këtë kemi pasur shumë qejf të shkojmë me tokë, me diçka autentike shqiptare. Mund të fusnim luftë, gjithçka tjetër, por esenca ka qenë të sjellim diçka autentike shqiptare, që të japë emocion dhe të shkojmë të përfaqësohemi si një vend, e jo si individë”, është shprehur tutje ajo.
Edhe për Lirim Berishën, zgjedhja për ta ndërtuar filmin mbi një histori shqiptare ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me identitetin dhe vlerat që ekipi dëshiron t’i përcjellë përmes projektit.
Lirim BerishaFoto: Telegrafi
“Ne vetë jemi shqiptarë dhe kemi dashur, tek e fundit, që në sytë e botës të paraqesim një histori shqiptare, edhe një histori që i paraqet vlerat, vlerat e vendit tonë”, ka deklaruar Berisha.
Sipas tij, “BESA” nuk është thjesht një projekt i realizuar për të testuar mundësitë e inteligjencës artificiale, por një mënyrë për ta përdorur këtë teknologji të re për të treguar një histori që lidhet me kulturën shqiptare.
AI (Inteligjenca Artificiale) ka qenë vetëm mjeti
Pas pamjeve që shihen në ekran qëndron një proces shumë më i ndërlikuar se sa një kërkesë e thjeshtë për inteligjencën artificiale.
Elena tregon po ashtu se çdo element i filmit është menduar me detaje nga ekipi, nga veshjet dhe lokacionet, deri te drita dhe karakteret.
“Për të bërë një film të nivelit të tillë dhe të vlerësohesh prej një kompeticioni siç jemi vlerësuar ne, fatmirësisht, nuk është punë hiç e lehtë. Gjithçka duhet të mendohet në detaje: veshjet, lokacionet, drita, karakteret, gjithçka që ka brenda është e menduar jo nga AI, por prej nesh”, ka shpjeguar në vazhdim.
Pjesë nga filmi “Besa”Foto: YouTube
Një tjetër sfidë ka qenë edhe gjuha.
Kelmendi tregon se ekipi kishte dëshirë që filmi të ishte tërësisht në shqip, por rregullat e kompeticionit kërkonin që materiali të krijohej brenda ekosistemit të inteligjencës artificiale, pa përdorur elemente të gatshme.
“AI nuk ka, fatmirësisht ose fatkeqësisht, kapacitet që të mendojë shqip. Ne jemi dashur të mendojmë dhe për këtë ka qenë më sfiduese. Kemi dashur që gjithë filmin ta bëjmë në shqip, por AI nuk na e ka mundësuar këtë. Një prej kritereve kryesore të kompeticionit ka qenë që gjithçka të jetë AI. Asnjë audio, asnjë zë, asnjë karakter apo asgjë tjetër nuk ka mundur të merret e gatshme. Për këtë arsye është dashur ta bëjmë në gjuhën angleze, me titra shqip”, ka treguar Kelmendi.
Krijimi i një filmi përmes AI mund të duket më i thjeshtë nga jashtë, pasi nuk kërkon një ekip të madh në lokacione, por për krijuesit e “BESA”-s procesi ka qenë po aq kërkues, vetëm në një formë tjetër.
“Për dallim prej filmit normal tradicional, edhe mënyra se si zhvillohet një film tradicional ka të mirat dhe të këqijat. Ti je mbrapa një kompjuteri, ulesh pas një kompjuteri, ky është plusi. Nuk del në lokacione, nuk merresh me 20-30 veta ose edhe më shumë, sepse në filma mund të ketë edhe më shumë”, ka thënë Kelmendi.
Pjesë nga filmi “Besa”Foto: YouTube
Por ky avantazh, sipas saj, shoqërohet me një tjetër sfidë: kohën dhe vëmendjen që duhet t’i kushtohet çdo detaji.
“Këtu e kemi një plus që rrimë ulur, por 24 orë mendon për çdo detaj. Nuk është një prompt, ose diçka e shkruar aq thjeshtë për të dhënë një vizualizim për një skenë specifike. Nuk është e lehtë hiç. Ndoshta është më e lehtë të dalësh të xhirosh kur e di se çfarë do të bësh. Të dyja i kanë të këqijat dhe të mirat, por për ne është një plus i madh që në ditët e sotme jo gjithkush ta jep mundësinë të bësh diçka që e ke në kokë”, tha mes tjerash.Për Berishën, puna me inteligjencën artificiale nuk e ka ndryshuar në thelb procesin krijues të një filmi.
Sipas Berishës, ndryshimi më i madh që ka sjellë AI në këtë proces është eliminimi i nevojës për xhirime tradicionale.
“Pjesa e vetme që e ka zëvendësuar AI është pjesa e xhirimeve. Çdo pjesë tjetër duhet të mendohet sërish, të mendohet në mënyrë tradicionale”, ka shtuar Berisha.
Nga 6800 filma në Top 50Për ekipin e “OLL KORRECT”, arritja në Top 50 përbën një nga momentet më të rëndësishme të këtij projekti.
Sipas Kelmendit, në garë kanë qenë rreth 6800 pjesëmarrës dhe po aq projekte, ndërsa “BESA” ka arritur të pozicionohet mes 50 filmave më të mirë.
“Fakti që kemi hyrë në Top 50-shen, për ne është, mos të them, mjaftueshëm, por jemi shumë të lumtur, pasi kanë qenë 6800 pjesëmarrës, 6800 filma dhe prej 6800 filmave në Top 50 jemi ne. Jemi në një renditje shumë, shumë të lartë”, ka thënë Kelmendi.
Ajo e cilëson këtë rezultat si një prej momenteve më të mira për ekipin, sidomos pas një procesi të gjatë dhe të lodhshëm krijues.
“Kjo ka qenë një prej gjërave më të mira që na ka ndodhur pas një procesi shumë të lodhshëm”, ka përfunduar Kelmendi.
Tashmë, “BESA” vijon garën në fazën e vlerësimit nga juria ndërkombëtare.
Përtej rezultatit final, projekti i Elena Kelmendit dhe Lirim Berishës ka arritur ta çojë një prej rrëfimeve më të njohura shqiptare në një hapësirë të re të kinemasë, duke përdorur inteligjencën artificiale jo vetëm si teknologji, por si një mjet për ta treguar kulturën dhe historinë shqiptare para një audience globale. /Telegrafi/
Zvicra do të votojë më 29 nëntor për ndryshimin e rregullave që përcaktojnë eksportin e materialeve ushtarake, në një referendum që ka nxitur debat të fortë për industrinë e mbrojtjes, neutralitetin dhe politikën humanitare të vendit.
Reforma, e mbështetur nga qeveria dhe shumica e partive të krahut të djathtë në parlament, synon t’i bëjë më fleksibile rregullat për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake drejt shteteve partnere.
Sipas propozimit, materialet ushtarake mund të eksportohen edhe në shtete partnere që janë të përfshira në konflikte të armatosura, nëse një veprim i tillë është në përputhje me neutralitetin zviceran dhe interesat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që shtetet që blejnë materiale ushtarake zvicerane të mos jenë gjithmonë të detyruara të kërkojnë miratimin e Bernës për t’ia ritransferuar ato një shteti tjetër. Megjithatë, qeveria zvicerane do të mund ta kërkojë një deklaratë të tillë në raste të veçanta, për arsye të politikës së jashtme, neutralitetit ose sigurisë, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi
Debati për Ukrainën dhe neutralitetin
Çështja është bërë veçanërisht e ndjeshme që nga pushtimi rus i Ukrainës. Rregullat aktuale kanë shkaktuar përplasje mes Zvicrës dhe disa prej partnerëve të saj evropianë, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Holandën dhe Danimarkën, të cilat kanë kërkuar mundësinë për t’ia transferuar Ukrainës materiale ushtarake të prodhuara në Zvicër.
Berna deri tani ka refuzuar autorizime të tilla.
Edhe nëse reforma miratohet, eksportet e drejtpërdrejta të armëve nga Zvicra drejt Ukrainës do të mbeten të ndaluara, për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga ligji zviceran i neutralitetit.
Përplasja politike
Mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se rregullat aktuale po e dëmtojnë industrinë zvicerane të armëve në një kohë kur vendet evropiane po rrisin shpenzimet për mbrojtje.
Ata paralajmërojnë se kufizimet e rrepta mund t’i bëjnë kompanitë zvicerane më pak konkurruese dhe të dobësojnë kapacitetet e industrisë vendore të mbrojtjes, e cila konsiderohet e rëndësishme edhe për sigurinë e vetë Zvicrës.
Në anën tjetër, kundërshtarët e reformës, mes tyre partitë e majta, organizatat pacifiste dhe grupe të shoqërisë civile, frikësohen se lehtësimi i eksporteve mund të rrisë rrezikun që armët zvicerane të përfundojnë në zona konflikti.
Ata argumentojnë gjithashtu se ndryshimi mund të dobësojë neutralitetin tradicional të Zvicrës dhe karakterin e saj humanitar.
Eksportet e armëve në rritje
Eksportet zvicerane të materialeve të luftës arritën në rreth 950 milionë franga zvicerane gjatë vitit 2025, rreth 43 për qind më shumë se një vit më parë.
Gjermania mbetet blerësi më i madh i materialeve ushtarake zvicerane.
Tash vendimi përfundimtar u takon qytetarëve zviceranë, të cilët më 29 nëntor do të përcaktojnë nëse vendi do t’i zbusë rregullat për eksportin e armëve apo do t’i mbajë në fuqi kufizimet aktuale./Telegrafi/
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka komentuar shtrëngimin e duarve me kryeministrin Albin Kurti, dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, pasi mbrëmë arritën të merren vesh për cështjen e Ligjit të Speciales dhe emrin e presidentit.
Para gazetarëve, Hamza tha se me liderët e partive tjera janë kundërshtarë në politikë, por nuk e sheh si formë që populli të polarizohet deri në armiqësi, transmeton Klankosova.tv
“Unë mendoj që komunikimi duhet të ekzistojë. E kam thënë edhe dje, ne do të konkurrojmë me ide e programe, edhe me kritika të bazuara e konstruktive. Ne jemi kundërshtarë politikë, por jo me polarizu popullin, qytetarët e Kosovës deri në armiqësi”, tha Hamza. /Klankosova.tv
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka reaguar pas zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Artistja me origjinë nga Kosova ka shpërndarë në rrjetet sociale një video nga momenti i betimit të presidentes së re, e cila bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke nisur zyrtarisht ushtrimin e detyrës së saj në krye të shtetit.
Rita Ora, e cila prej vitesh është një nga figurat shqiptare më të njohura në skenën ndërkombëtare, ka treguar vazhdimisht lidhjen e saj të veçantë me Kosovën.
Foto: Rita Ora / Instagram
Ajo është shpallur edhe Ambasadore Nderi e Kosovës dhe në shumë raste ka përdorur famën dhe ndikimin e saj për të promovuar vendin në arenën ndërkombëtare.
Përmes paraqitjeve të saj publike, intervistave dhe rrjeteve sociale, këngëtarja ka folur shpesh për origjinën e saj, Kosovën dhe kulturën shqiptare, ndërsa në disa raste ka prezantuar edhe elemente të gjuhës dhe kulturës shqiptare para audiencave të huaja.
Reagimi i fundit i Ritës vjen në një moment të rëndësishëm politik për Kosovën, pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes.
Zgjedhja e saj erdhi pas një periudhe të gjatë ngërçi politik, gjatë së cilës institucionet e vendit u përballën me vështirësi në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me zëvendësministren për çështje të Bashkimit Evropian të Mbretërisë së Holandës, Heleen Bakker. Në fokus të bisedimeve ishin procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, zbatimi i reformave dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Siç njoftojnë nga kabineti i tij, Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për perspektivën evropiane të vendit dhe për kontributin në forcimin e sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe kapaciteteve administrative. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit përmes programit holandez për transformim shoqëror MATRA, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, si dhe të shkëmbimit të ekspertizës ndërmjet institucioneve.
Ministri nënvizoi se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, me kritere të qarta që vlerësojnë reformat dhe rezultatet konkrete.
Gjatë takimit, Sali prezantoi progresin në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe prioriteteve të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se integrimi gradual duhet të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset dhe të shërbejë si nxitës për përshpejtimin e reformave drejt anëtarësimit të plotë.
U diskutuan edhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në forcimin e institucioneve, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se Kuvendi i Kosovës se ka aprovuar Ligjin për Dhomat e Specializuara në mënyrë të rregullt.
Ai këto komente i bëri pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula.
“Konsiderojmë që Kuvendi e ka aprovuar Ligjin në mënyrë të rregullt. E kam thënë që Ligji është i zbatueshëm për të gjithë, në të kundërtën Kuvendi ka të drejtë edhe me ndërru Kushtetutën, ka të drejtë edhe me i shfuqizu marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Hamza.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë projektligjin për plotësim ndryshimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, kurse pas kësaj u votua me sukses edhe presidentja, Justina Shiroka Pula.
Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, përveç një karriere të gjatë akademike dhe institucionale, ka deklaruar edhe një numër të konsiderueshëm të pasurive të paluajtshme, aksione në një kompani dhe detyrime financiare.
Të dhënat e fundit të deklaruara para marrjes së detyrës së presidentes i përkasin vitit 2024, të cilat janë publikuar në media, transmeton Klankosova.tv.
Deklarimi ishte dorëzuar më 29 mars të atij viti, kur Shiroka-Pula ishte anëtare e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ndërsa njëkohësisht mbante edhe pozitën e nënkryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).
Në deklarimin e pasurisë figurojnë disa prona të paluajtshme, në pronësi individuale, të përbashkët ose të trashëguara.
Ajo kishte deklaruar një banesë prej 69 metrash katrorë, të blerë në vitin 1996, me vlerë të deklaruar prej 34 mijë eurosh. Po ashtu, figuron edhe një banesë prej 140 metrash katrorë, e përfituar përmes trashëgimisë.
Në listën e pasurive është edhe një shtëpi prej 135 metrash katrorë në lagjen “Marigona”, e blerë në vitin 2017 përmes kredisë, me vlerë të deklaruar prej 130 mijë eurosh.
Shiroka-Pula kishte deklaruar edhe një shtëpi prej 174 metrash katrorë, të blerë në vitin 2019 dhe me vlerë prej 250 mijë eurosh. Kjo pronë figuron si pronësi e përbashkët dhe, sipas deklarimit, është krijuar përmes kompensimit të një banese, kursimeve nga qiraja, trashëgimisë dhe të ardhurave nga biznesi.
Në deklarim janë përfshirë edhe një shtëpi prej 358 metrash katrorë, e trashëguar në masën 1/3, me vlerë të deklaruar prej 100 mijë eurosh, si dhe 1/4 e pronësisë së një shtëpie prej 126 metrash katrorë, e vlerësuar në 110 mijë euro.
Një tjetër pronë e deklaruar është një banesë prej 120 metrash katrorë, e blerë në vitin 2022, me vlerë prej 200 mijë eurosh.
Në vitin 2023, Shiroka Pula kishte deklaruar edhe 30 ari tokë, të blerë përmes kredisë, me vlerë të deklaruar prej 120 mijë eurosh.
Përveç pasurive të paluajtshme, ajo kishte deklaruar edhe 52 për qind të aksioneve në kompaninë “DLLL”, me vlerë të deklaruar prej 2,600 eurosh.
Në llogaritë bankare, sipas deklarimit të vitit 2024, Shiroka Pula kishte 668.33 euro në Raiffeisen Bank, 2,740.69 euro në Bankën për Biznes dhe 2,049.57 euro në ProCredit Bank.
Sa u përket detyrimeve financiare, ajo kishte deklaruar dy kredi.
E para ishte marrë për blerjen e shtëpisë në lagjen “Marigona”. Kredia kishte qenë në vlerë fillestare prej 120 mijë eurosh, ndërsa në momentin e deklarimit borxhi i mbetur ishte 40 mijë euro.
Kredia e dytë ishte marrë për blerjen e tokës. Nga shuma fillestare prej 120 mijë eurosh, në kohën e deklarimit kishin mbetur për t’u paguar 114,217 euro.
Ndërkohë, pas zgjedhjes së saj si presidente e Republikës së Kosovës, Shiroka-Pula pritet të bëjë deklarimin e ri të pasurisë në përputhje me detyrimet që burojnë nga pozita e saj e re.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente më 6 tetor, duke marrë 81 vota në Kuvendin e Kosovës. Ajo paraprakisht kishte drejtuar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka treguar se si akademikes Justina Shiroka Pula iu propozua kandidatura për presidente të Republikës së Kosovës, të martën mbrëma.
I pyetur nëse kishte biseduar personalisht me Shiroka Pulën, Hamza tha se ai nuk e ka telefonuar, por dikush tjetër.
“E kanë ftu në fakt, në telefon. I kanë thënë: zonja Shiroka-Pula, të cilën profesoreshë e kam pasë, i kanë thënë jemi në mundësi me të propozu dhe me qenë presidente. Pas atyre bisedave ka pranu dhe ne jemi pajtu”, tha Hamza.
Ai theksoi se emri i Shiroka-Pulës nuk ishte diskutuar zyrtarisht në PDK para këtij propozimi.
“Asnjëherë në PDK zyrtarisht nuk është diskutu emri i profesoreshës për me qenë presidente”, deklaroi Hamza.
Ndryshe, Shiroka Pula mori 81 vota për dhe u zgjodh kryetare e shtetit në minutat e parë të 7 tetorit. /Klankosova.tv