Blog

  • Hargreaves uron Shiroka-Pulën: Pres të punoj me presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës

    Hargreaves uron Shiroka-Pulën: Pres të punoj me presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës

    Hargreaves uron Shiroka-Pulën: Pres të punoj me presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Përmes një mesazhi, Hargreaves i ka uruar Shiroka-Pulës suksese në detyrën e re, duke theksuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me presidenten e re dhe institucionet e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

    “Urimet e mia të përzemërta për Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj si Presidente e Republikës së Kosovës. I uroj çdo sukses në këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar Hargreaves.

    Ai ka thënë se pret të punojë me presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës për të thelluar partneritetin afatgjatë mes dy vendeve.

    “Pres të punoj me Presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës për të thelluar partneritetin tonë të kahershëm, ndërsa Kosova ecën drejt së ardhmes së saj multietnike, demokratike dhe euroatlantike”, thuhet në mesazhin e ambasadorit britanik.

    Mund të jetë një imazh i teksti

  • Onkologu Bislimi në podcastin “Shëndeti në rend të parë”: Çdo ndryshim i pazakontë në trup nuk duhet të neglizhohet

    Onkologu Bislimi në podcastin “Shëndeti në rend të parë”: Çdo ndryshim i pazakontë në trup nuk duhet të neglizhohet

    Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një periudhë që rikthen vëmendjen te rëndësia e informimit, njohjes së faktorëve të rrezikut, simptomave që nuk duhen neglizhuar dhe kontrolleve të rregullta shëndetësore.

    Për këto tema ka folur Arben Bislimi, onkolog në episodin e 91-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit Kubati.

    Në këtë episod u diskutua për kancerin, parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimet moderne, rolin e familjes dhe rëndësinë e mbështetjes psikologjike për pacientët.

    – YouTube www.youtube.com

    Bislimi tha se përballja me një pacient të diagnostikuar me sëmundje malinje është një nga pjesët më sfiduese të profesionit, jo vetëm për shkak të seriozitetit të diagnozës, por edhe për shkak të ngarkesës emocionale që e shoqëron atë.

    “Kisha me u drejtu më tepër se sa është e vështirë dhe sa është sfiduese të kemi përpara një pacient që është diagnostikuar me sëmundje malinje, që është diagnostikuar me kancer”, tha ai.

    Sipas tij, në vendin tonë ende ka raste kur familjarët kërkojnë që diagnoza të mos i tregohet pacientit, apo e kundërta, çka tregon se kanceri vazhdon të mbetet temë e ndjeshme dhe shpesh tabu.

    Duke folur për diagnostikimin e hershëm, Bislimi theksoi se sa më herët të identifikohet sëmundja, aq më të mira janë mundësitë për trajtim dhe menaxhim.

    “Sa më herët që e identifikojmë, në stad sa më të mirë, edhe potenciali i trajtimit, i kurimit është më i favorshëm dhe më i mirë”, u shpreh ai.

    Onkologu tha se çdo ndryshim i pazakontë në trup nuk duhet të neglizhohet. Në rastin e kancerit të gjirit, ai përmendi ndryshimet në strukturë, prekjen e ndonjë mase apo kokrre, ndryshimet në simetri dhe çdo shenjë që nuk ka qenë më herët.

    “Në fakt, çdo ndryshim që e vërejmë në organizmin tonë, diçka që po ndodh e pazakontë dhe të cilën nuk e kemi pas më herët, nuk duhet ta neglizhojmë”, tha Bislimi.

    Ai theksoi se gratë duhet të fillojnë me njohjen e trupit të tyre dhe vetëekzaminimin, ndërsa pas moshës 40-vjeçare rekomandohet mamografia si pjesë e skriningut.

    “Me rekomandimet janë pas moshës dyzet vjeçare, çdo grua duhet të bëjë mamografi”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk do të thotë që duhet pritur medoemos mosha 40 vjeç nëse vërehet një ndryshim më herët.

    Për gratë më të reja, Bislimi tha se vetëkontrolli, shikimi në pasqyrë, vëzhgimi i simetrisë dhe ultrazëri janë hapa të rëndësishëm për identifikim më të hershëm.

    Sipas tij, ultrazëri është i mirëseardhur në çdo periudhë, ndërsa nëse identifikohet diçka, mund të vazhdohet me procedura të tjera diagnostike si mamografia apo rezonanca magnetike.

    Ai foli edhe për sekrecionin nga gjiri, duke sqaruar se nuk është gjithmonë shenjë e kancerit, por nuk duhet injoruar.

    “Sekrecioni nga mamilla mund të jetë një sinjal që na çon diku dhe nuk duhet neglizhuar. Jo gjithmonë na orienton se po zhvillohet një kancer apo sëmundje malinje”, tha Bislimi.

    Në lidhje me stilin e jetës, Bislimi tha se disa faktorë të rrezikut mund të menaxhohen, përfshirë mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik dhe stresin. Ai theksoi se obeziteti mendohet se rrit rrezikun për sëmundje malinje, në veçanti për kancerin e gjirit, ndërsa aktiviteti fizik lidhet me një mbrojtje më të mirë të organizmit.

    Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe mitit se pacientët me kancer duhet ta ndalojnë plotësisht sheqerin. Bislimi tha se organizmi ka nevojë për gjithçka, por ushqimi duhet të jetë i balancuar.

    “Në fakt, organizmi ka nevojë për të gjitha. Ka nevojë edhe për sheqer, ka nevojë edhe për yndyrën, për gjithçka. Po duhet të jetë i balancuar”, tha ai.

    Sipas tij, krijimi i një sëmundjeje malinje është proces kompleks dhe nuk mund të thjeshtohet vetëm te konsumimi apo moskonsumimi i sheqerit.

    “Është më komplekse krijimi i një, dëmtimi i një qelize, i një bërthame, krijimi i mutacionit se sa aq e thjeshtë të thuhet se konsumimi apo moskonsumimi i sheqerit mund të favorizojë një sëmundje malinje”, u shpreh ai.

    Bislimi foli edhe për trajtimet moderne në onkologji, duke theksuar se sot qasja ndaj pacientit është gjithnjë e më shumë e personalizuar. Ai tha se dy pacientë me diagnozë dhe stad të njëjtë mund të kenë përgjigje të ndryshme në terapi, prandaj trajtimi duhet përshtatur me karakteristikat individuale të pacientit dhe tumorit.

    Ai përmendi imunoterapinë, target terapinë dhe terapitë biologjike si trajtime inovative që po bëjnë diferencë dhe kanë përmirësuar rezultatet krahasuar me një dekadë më parë.

    Duke folur për trashëgiminë, Bislimi tha se potenciali gjenetik ekziston, sidomos kur bëhet fjalë për vijën e parë të familjes, si nëna apo motra. Në këto raste, sipas tij, masat e kujdesit duhet të jenë më të mëdha, ndërsa testet gjenetike, përfshirë BRCA 1 dhe BRCA 2, mund të japin informata të rëndësishme.

    Ai foli edhe për mendimin e gabuar të disa qytetarëve që, nëse ndihen mirë dhe nuk kanë dhimbje, nuk kanë pse të kontrollohen. Sipas tij, kontrolli nuk duhet të lidhet vetëm me dhimbjen, pasi skriningu dhe depistimi synojnë identifikimin e hershëm të sëmundjeve.

    Një nga mesazhet më të forta të Bislimit ishte se kanceri nuk duhet të shihet menjëherë si dënim fatal.

    Ai tha se kjo tabu duhet të zbutet dhe të rrëzohet, ndërsa pacientët duhet të shikojnë mundësitë e ballafaqimit dhe trajtimit.

    “Të mos mendohet menjëherë fataliteti. Mos të mendohet më e keqja, por të shikojmë mundësitë e ballafaqimit”, tha ai.

    Ai theksoi se trajtimi i kancerit ka ecur shumë përpara, jo vetëm për kancerin e gjirit, por për sëmundjet malinje në përgjithësi.

    Sipas tij, sot mblidhen parametra klinikë, laboratorikë, patologjikë dhe gjenetikë për të krijuar një pasqyrë më të saktë për pacientin dhe mënyrën e trajtimit.

    Bislimi shpjegoi edhe imunoterapinë, duke thënë se ajo nuk e lufton drejtpërdrejt tumorin, por nxit mekanizmat imunë të organizmit që të detektojnë dhe të pengojnë zhvillimin e qelizave malinje.

    “Nuk është se e luftojmë direkt tumorin përmes imunoterapisë, por përmes nxitjes së këtyre mekanizmave imunë”, tha ai.

    Në aspektin emocional, Bislimi tha se mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme për pacientët me kancer, por në shumë raste nevojitet edhe mbështetje profesionale nga psikologu.

    “Mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme”, tha ai, duke shtuar se në shumicën e rasteve pacientët kanë nevojë edhe për mbështetje psikologjike gjatë periudhës së trajtimit.

    Në fund, Arben Bislimi dha një mesazh për të gjithë qytetarët: të mos frikësohen nga kontakti me mjekun dhe të mos e neglizhojnë asnjë ndryshim të pazakontë në trup.

    “Çdo ndryshim, çdo e pazakontë që vërejmë në organizmin tonë, të kërkohet ndihma e mjekut”, tha ai.

    Sipas tij, gjithçka fillon nga njohja e trupit dhe kujdesi për shëndetin.

    “Ta njohim trupin tonë fillimisht, pastaj të vazhdojmë më tutje”, përfundoi Bislimi. /Telegrafi/

  • Mbyllet përkohësisht një segment i rrugës “Sadik Rama” në Klinë

    Mbyllet përkohësisht një segment i rrugës “Sadik Rama” në Klinë

    Një segment i rrugës “Sadik Rama” në Klinë do të mbyllet përkohësisht për qarkullim për shkak të punimeve në rrugë.

    Sipas njoftimit, mbyllja do të bëhet sot, më 7 tetor 2026, nga ora 17:00, në segmentin nga pika e karburantit “Petrol Company”, përballë rrugës “Prend Prendi”, deri te hyrja në rrugën “Haxhi Zeka”, përballë vetëshërbimit “Viva Fresh”.

    Ky segment do të jetë i mbyllur deri më 8 tetor 2026, në orën 07:00.

    Qytetarët dhe pjesëmarrësit në komunikacion janë bërë thirrje që gjatë kësaj periudhe të përdorin rrugët alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren.

    Nga qytetarët është kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë zhvillimit të punimeve, të cilat, sipas njoftimit, synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e Klinës. /Telegrafi/

  • Pse Ermal Sadiku nuk pati votë për presidenten e re? (VIDEO)

    Pse Ermal Sadiku nuk pati votë për presidenten e re? (VIDEO)

    Pse Ermal Sadiku nuk pati votë për presidenten e re? (VIDEO)

    Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku është deklaruar rreth mosvotimit për presidenten e re të vendit, Justina Shiroka-Pula.

    Në emisionin “Kosova Today”, Sadiku tha se ai është pozicionuar me vendimin e mendimin e partisë së tij, transmeton Klankosova.tv.

    “Unë kam hy në seancë se unë mendoj që ne të gjithë u dashtë me hy aty, nuk kemi pse me ikë prej askujt, unë mendoj që duhet me qenë pjesë kur bëhen votime, por nuk e kam votuar, pasi si parti politike ne kemi thënë që nuk marrim pjesë në këtë proces dhe e kemi shpjeguar arsyen pse”, u shpreh Sadiku në Klan Kosova.

  • Policia deklarohet për rastin ku u sulmua ekipi i "Kiks Kosova"

    Policia deklarohet për rastin ku u sulmua ekipi i “Kiks Kosova”

    Policia deklarohet për rastin ku u sulmua ekipi i "Kiks Kosova"

    Një ekip i emisionit ‘Kiks Kosova’ në Klan Kosova është sulmuar para pak kohësh gjatë kryerjes së detyrave profesionale.

    Derisa ekipi ka qenë në terren, dy automjete tjera ua kanë bllokuar rrugën derisa ishin në lëvizje me automjetin e punës.

    Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar Policia përmes zëdhënësit rajonal të Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Ju njoftojmë se sot, më 07.10. 2026, rreth orës 11:40, në fshatin Doganaj të Ferizajt, katër operatorë të një televioni vendor dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga një person. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa i dyshuari është paraqitur në stacionin policor Ferizaj, ku ka dorëzuar edhe një kamerë të dëmtuar, që dyshohet se u përket operatorëve. Për rastin janë njoftuar hetimet rajonale, të cilët në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore policore. Për detaje tjera do të njoftoheni me raport vijues”, tha Veseli për Klankosova.tv.

  • AGK dënon ashpër sulmin fizik ndaj ekipit të Klan Kosovës në Ferizaj

    AGK dënon ashpër sulmin fizik ndaj ekipit të Klan Kosovës në Ferizaj

    AGK dënon ashpër sulmin fizik ndaj ekipit të Klan Kosovës në Ferizaj

    Një ekip i emisionit Kiks Kosova në Klan Kosova është sulmuar këtë të mërkurë në qytetin e Ferizajt, në kohën që ishin në terren për kryerjen e punës së tyre profesionale.

    Kameramanët Erand Hyseni dhe Gramos Shala, si dhe gazetarja Arbenita Ilazi dhe shoferi Sefer Xhema janë sulmuar fizikisht nga disa persona të paidentifikuar, brenda veturës së televizionit.

    Hyseni, Shala dhe Xhema kanë marrë lëndime serioze nga sulmi dhe po trajtohen në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt.

    Përmes një reagimi, AGK-ja e dënon në termat më të ashpër këtë sulm brutal fizik dhe kërkon nga Policia identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorëve.

    “Sulme si këto shpërfaqin sërish ambientin e vështirë të të bërit gazetari në Kosovë. AGK-ja bën thirrje për hetime të shpejta e efikase dhe gjithashtu bën thirrje për respektimin e punës së rëndësishme të gazetarëve për informimin e opinionit publik”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.

    https://klankosova.tv/klan-kosova-denon-sulmin-ndaj-ekipit-te-emisionit-kiks-kosova

    https://klankosova.tv/policia-deklarohet-per-rastin-ku-u-sulmua-ekipi-i-kiks-kosova

  • Mbi 1 milion euro investim në rrugën R118 në Mushtisht

    Mbi 1 milion euro investim në rrugën R118 në Mushtisht

    Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se punimet në rrugën brenda fshatit Mushtisht, në kuadër të rrugës R118, po avancojnë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha ka thënë se aktualisht po punohet në betonimin e urës dhe ndërtimin e trotuareve, ndërsa segmenti po përgatitet për nisjen e asfaltimit.

    “Për momentin po punohet aktualisht në betonimin e urës dhe ndërtimin e trotuareve, ndërsa segmenti po përgatitet që në ditët në vijim të nisë asfaltimi”, ka shkruar Basha.

    Ai ka bërë të ditur se gjatë realizimit të projektit janë trajtuar edhe çështjet pronësore dhe dislokimi i trafos, duke theksuar se tashmë punimet në terren janë intensifikuar.

    “Kemi punuar ngushtë për zgjidhjen e çështjeve pronësore dhe dislokimit të trafos, kështu që puna në terren tani është intensifikuar për ta çuar projektin drejt fazës përfundimtare”, ka deklaruar ministri.

    Sipas Bashës, në këtë projekt janë investuar mbi 1 milion euro, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës, rritjes së sigurisë në qarkullim dhe krijimit të kushteve më të mira për banorët e Mushtishtit dhe përdoruesit e kësaj rruge. /Telegrafi/

  • “Nuk është paga arsyeja e largimit” - Berisha tregon pse qytetarët po e largohen nga Kosova

    “Nuk është paga arsyeja e largimit” – Berisha tregon pse qytetarët po e largohen nga Kosova

    Paga nuk është faktori i vetëm që po i shtyn qytetarët të largohen nga Kosova, sipas ekonomistes Brikena Berisha.

    Në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”, Berisha ka folur për emigrimin dhe rezultatet e hulumtimeve të realizuara lidhur me tregun e punës, duke thënë se problemet sistemike kanë rol të rëndësishëm në vendimin e njerëzve për t’u larguar.

    Ajo mori si shembull një hulumtim në sektorin e gastronomisë, ku, sipas saj, është parë se paga nuk është domosdoshmërisht arsyeja kryesore për largim.

    “Na, kur e kemi bo në 2022 dhe 2025 një hulumtim në sektorin e gastronomisë në Kosovë, na ka dalë, domethënë, një sektor i cili ka fillu me u pagu në Kosovë, edhe pse ka shumë probleme të përgjegjësive profesionale, sepse mirë është, domethënë, prej punës në kuzhinë deri ndoshta edhe pastrimi i tualetit”, tha Berisha.

    Megjithatë, sipas saj, përgjigjet e punëtorëve kanë nxjerrë në pah probleme të tjera.

    “Mirëpo është thënë që nuk është paga arsyeja e largimit. Janë qeto probleme sistemike: shëndetësia, shkollimi, mbrojtja sociale dhe për shkak të këtyre arsyeve zgjedhin për me e lanë Kosovën”, deklaroi ajo.

    Berisha tha se liberalizimi i vizave ka krijuar gjithashtu më shumë mundësi që qytetarët të shkojnë jashtë vendit dhe ta provojnë jetën dhe punën në një shtet tjetër.

    Çështja e emigrimit, sipas saj, duhet parë përtej krahasimit të thjeshtë të pagave ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera.

    Gjatë podcastit ajo argumentoi se siguria që një qytetar e ka për shëndetësinë, shkollimin, mbrojtjen sociale dhe të ardhmen e familjes ndikon drejtpërdrejt në vendimin nëse do të vazhdojë jetën në Kosovë apo do të largohet. /Telegrafi/

    – YouTube www.youtube.com

  • Trump do të flasë me Putinin për vdekjen e punonjëses së laboratorit të murtajës në Rusi

    Trump do të flasë me Putinin për vdekjen e punonjëses së laboratorit të murtajës në Rusi

    Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se së shpejti do të zhvillojë një bisedë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për vdekjen e një punonjëseje në një qendër kërkimore për murtajën në Siberi.

    “Deri tani jemi në diskutime shumë të thella”, tha Trump, duke shtuar se për bisedën me Putinin do të mund të japë informacione të reja “ndoshta” të enjten, transmeton Telegrafi.

    Punonjësja 28-vjeçare, e identifikuar nga mediat ruse si Darya Shipilova, punonte në Institutin e Kërkimeve kundër Murtajës të Siberisë dhe Lindjes së Largët, në rajonin e Irkutskut. Ajo vdiq pasi u sëmur me pneumoni me origjinë të papërcaktuar. Autoritetet ruse po hetojnë shkakun e vdekjes, por deri tani nuk kanë konfirmuar se ajo ishte prekur nga murtaja pneumonike.

    Autoritetet ruse kanë thënë se të gjithë personat që kishin pasur kontakt me viktimën rezultuan negativë për patogjenë të rrezikshëm. Rospotrebnadzor, shërbimi rus për mbikëqyrjen shëndetësore dhe epidemiologjike, ka deklaruar se gruaja vdiq nga “pneumoni me etiologji të papërcaktuar”.

    Megjithatë, rasti ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar nga Rusia transparencë dhe shkëmbim të plotë të informacionit, në mënyrë që të vlerësohet saktë rreziku i mundshëm për shëndetin publik. Sipas OBSH-së, rreziku i përhapjes jashtë Rusisë aktualisht vlerësohet si shumë i ulët.

    “Shkëmbimi në kohë, i plotë dhe transparent i informacionit është thelbësor për të sqaruar raportet kontradiktore dhe për të mundësuar një vlerësim të saktë të rreziqeve të mundshme për shëndetin publik”, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    Murtaja pneumonike është një formë e rëndë e sëmundjes që prek mushkëritë dhe konsiderohet forma më virulente e murtajës. Sipas OBSH-së, periudha e inkubacionit mund të jetë shumë e shkurtër, në disa raste vetëm 24 orë, dhe sëmundja mund të jetë fatale nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet me kohë.

    Sëmundja mund të transmetohet përmes pikimeve respiratore, kontaktit me lëngje trupore ose materiale të kontaminuara, ndërsa forma të tjera të murtajës mund të transmetohen përmes pickimit të pleshtave të infektuar.

    Simptomat e murtajës pneumonike përfshijnë vështirësi në frymëmarrje dhe kollë, e cila mund të shoqërohet me pështymë me gjak.

    Raportimet për rastin u shfaqën fillimisht të premten, kur u bë e ditur se rreth 200 persona në rajonin e Irkutskut ishin vendosur nën vëzhgim pas vdekjes së punonjëses së laboratorit. Sipas Reuters, një pjesë e tyre më vonë u liruan nga mbikëqyrja.

    Në rrjetet sociale dhe mediat ruse janë publikuar pretendime të pakonfirmuara se Shipilova mund të ishte sëmurë pasi kishte thyer një epruvetë që përmbante patogjenin e murtajës në laborator, ose pas një ekspedite në terren në një zonë ku sëmundja shfaqet natyrshëm te brejtësit e egër. Nuk ka prova të pavarura që konfirmojnë një aksident laboratorik, ndërsa autoritetet ruse i kanë minimizuar këto pretendime.

    Rasti ka shkaktuar gjithashtu një përplasje të re diplomatike mes Moskës dhe Uashingtonit. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kërkuar që Rusia të japë më shumë informacion, duke thënë se SHBA-ja po e ndjek situatën “me shumë kujdes”. Ai tha gjithashtu se Uashingtoni ka masa në dispozicion për të ndihmuar Rusinë nëse situata rezulton më serioze nga sa është bërë e ditur deri tani.

    Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Uashingtoni i ka kërkuar zyrtarisht Moskës informacione shtesë për rastin. Kërkesa është bërë përmes një komunikimi diplomatik formal, ndërsa SHBA-ja ka thënë se po komunikon edhe me vende të tjera për shkëmbimin e informacionit.

    Bakteri që shkakton murtajën është Yersinia pestis, i cili gjendet te brejtësit e egër dhe pleshtat që infektohen prej tyre. Murtaja shkaktoi një nga pandemitë më vdekjeprurëse në historinë njerëzore, Vdekjen e Zezë, e cila në shekullin XIV vrau deri në gjysmën e popullsisë së Evropës.

    Instituti i Kërkimeve kundër Murtajës të Siberisë dhe Lindjes së Largët u krijua pas shpërthimeve të murtajës në rajon në fillim të shekullit XX dhe prej dekadash merret me studimin dhe parandalimin e sëmundjes dhe patogjenëve të tjerë të rrezikshëm.

    Trump pritet të zhvillojë bisedën me Putinin në ditët në vijim, ndërsa autoritetet ruse dhe ndërkombëtare vazhdojnë hetimet për shkakun e saktë të vdekjes së punonjëses së laboratorit. /Telegrafi/

  • A e dini se djali i presidentes Justina Shiroka-Pula, ka qenë futbollist i njohur në futbollin kosovar?

    A e dini se djali i presidentes Justina Shiroka-Pula, ka qenë futbollist i njohur në futbollin kosovar?

    Gjatë orës së fundit të mbrëmjes të së martës dhe orës së parë të së mërkurës, Kuvendi i Kosovës votoi akademiken Justina Shiroka-Pula si presidente të vendit. Por, a e keni ditur se njëri nga djemtë e saj ishte një futbollist i njohur në futbollin e Kosovës?

    Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidentja e shtatë e Kosovës, pasi u votua me 81 vota pro në raundin e parë nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës.

    Megjithatë, presidentja e re e vendit në të kaluarën është hasur shpesh edhe në shkallët e stadiumeve duke shikuar futboll.

    Lekë Pula së bashku me presidenten Justina Shiroka-Pula

    Arsyeja është e thjeshtë. Djali i saj i madh, Lekë Pula, ishte një futbollist i njohur në futbollin e Kosovës, duke bërë karrierë në disa prej klubeve më të njohura, shkruan Telegrafi.

    Leka karrierën e kishte nisur në vitet para luftës në shkollën e futbollit 2 Korriku, ku u formua si lojtar dhe kaloi grupmoshat deri në ekipin e parë.

    Lekë Pula te 2 Korriku

    Paraqitjet e tija të mira si mbrojtës, zakonisht në qendër të mbrojtjes bënë që Leka të ngjitet edhe më lartë.

    Ai bëri karrierë për disa vite edhe te klubi më i madh kosovar, Prishtina, ku ndër tjerash fitoi edhe titullin kampion.

    Lekë Pula duke festuar një gol gjatë kohës te Prishtina

    Më vonë, djali i presidentes luajti edhe me klubin tjetër kryeqytetas, Flamurtari, për shumë vite.

    Megjithatë, Leka, edhe pse një lojtar me cilësi të larta dhe karrierë të pëlqyeshme, vendosi të pensionohet nga futbollit rreth të 30-tave.

    Arsyeja e pensionimit ishte fokusimi në studime dhe botën akademike, ku tani punon me shumë sukses.

    Lekë Pula është Doktor i Shkencave Ekonomike në fushën Ekonomiks dhe tash e shumë vite është profesor i asociuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. /Telegrafi/