Blog

  • Gashi me delegacionin e Këshillit të Evropës: Decentralizimi është një parim i rëndësishëm demokratik

    Gashi me delegacionin e Këshillit të Evropës: Decentralizimi është një parim i rëndësishëm demokratik

    Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, si dhe Kryetarja e Komisionit për Financa dhe Buxhet, Sanja Lukarevska, dhe Nënkryetari i Komisionit për Vetëqeverisje Lokale, Pece Milevski, u takuan me një Delegacion nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, i përbërë nga dy bashkëraportuesit për demokracinë lokale, Anders Knape nga Suedia dhe Matthias Gissin nga Zvicra, njoftojnë nga Kuvendi.

    Në takim, siç njoftojnë nga Kuvendi, u diskutua zbatimi i Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në nivel lokal.

    “Gashi theksoi se decentralizimi është një parim i rëndësishëm demokratik, i cili kontribuon në vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët, kur është e mundur dhe e përshtatshme, që merren në nivel lokal, duke marrë parasysh nevojat e tyre dhe specifikat e komuniteteve lokale.

    Në këtë kontekst, ai theksoi se decentralizimi është një nga aspektet kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001, e cila parashikonte forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe pjesëmarrjen më të madhe të qytetarëve dhe komuniteteve në proceset e vendimmarrjes lokale”, thuhet në njoftim.

    Në takim u diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me pavarësinë e autoriteteve lokale dhe procesin e decentralizimit, me fokus të veçantë në decentralizimin financiar dhe autonominë financiare, si dhe kompetencat e kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiake.

    Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu sfidat me të cilat përballen bashkitë në aspektin e qëndrueshmërisë financiare, mbrojtjes së mjedisit, ndryshimeve demografike dhe kapaciteteve të tyre administrative dhe institucionale, si dhe mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të vetëqeverisjes lokale./Telegrafi/

  • Gjyqtarët kosovarë në Ligën e Kombeve për herë të parë: Kosova e 36-ta, por me një moment historik

    Gjyqtarët kosovarë në Ligën e Kombeve për herë të parë: Kosova e 36-ta, por me një moment historik

    Katër xhirot e para të Ligës së Kombeve 2026/27 kanë sjellë edhe angazhimet e para të gjyqtarëve kosovarë në këtë garë.

    Deri në këtë fazë, UEFA ka përdorur pesë gjyqtarë nga Kosova, ndërsa të gjithë kanë qenë pjesë e të njëjtit ekip gjyqtarësh në një ndeshje.

    Por për herë të parë, një ekip i plotë gjyqtarësh nga Kosova drejtoi një ndeshje të Ligës së Kombeve. Bëhet fjalë për Genc Nuzën, i cili ishte gjyqtar kryesor në përballjen mes Gjibraltarit dhe Andorrës, të zhvilluar më 27 shtator dhe të përfunduar 0-0.

    Në këtë ndeshje, Nuzës iu bashkuan si asistentë Granit Hyseni dhe Arbnor Bullatovci, ndërsa Rrezart Hasanaj ishte gjyqtar i katërt dhe Erdall Zasella AVAR. Ndërsa në VAR ishte francezi Benoît Millot, si pjesë e ekipit.

    Pra, në katër xhirot e para, një ndeshje është drejtuar nga një ekip gjyqtarësh nga Kosova, ndërsa në total janë pesë gjyqtarë kosovarë që UEFA i ka përfshirë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

    Kosova në vendin e 36-të në UEFA

    Sipas listës së publikuar, Kosova renditet e 36-ta, me pesë gjyqtarë të përdorur në Ligën e Kombeve, aq sa kishte edhe Republika Çeke.

    Në këtë statistikë UEFA llogarit gjyqtarët kryesorë, asistentët, gjyqtarët e katërt dhe zyrtarët e VAR/AVAR, ndaj numri nuk i referohet vetëm gjyqtarëve kryesorë. Rregullorja e UEFA-s përcakton se Komiteti i Gjyqtarëve cakton ekipin e gjyqtarëve për secilën ndeshje.

    Në rajon, Kroacia ka 20 gjyqtarë të përdorur, Serbia 18, ndërsa Shqipëria 11. Bosnja dhe Hercegovina ka 10, ndërsa Kosova është me pesë.

    Interesant është edhe fakti se Anglia, një prej vendeve më të mëdha të futbollit evropian, është me 24 gjyqtarë të përdorur, pra më pak se Spanja, Gjermania dhe Italia.

    Spanja në krye, Gjermania dhe Italia pas saj

    Në krye të kësaj liste është Spanja me 48 gjyqtarë, e ndjekur nga Gjermania me 46 dhe Italia me 43.

    Pas tyre vijnë Holanda me 35, Franca me 29 dhe Belgjika me 26, ndërsa Anglia renditet më poshtë me 24 gjyqtarë të përdorur.

    Lista tregon në një mënyrë edhe shpërndarjen e gjyqtarëve të UEFA-s në katër xhirot e para të Ligës së Kombeve, ku Kosova deri tani ka pasur një ekip të plotë gjyqtarësh në një ndeshje. /Telegrafi/

  • Tahiri alarmon: Kurti po përgatitet për seancën për president, ndoshta kanë plan të na largojnë me gaz

    Tahiri alarmon: Kurti po përgatitet për seancën për president, ndoshta kanë plan të na largojnë me gaz

    Tahiri alarmon: Kurti po përgatitet për seancën për president, ndoshta kanë plan të na largojnë me gaz

    Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në një lidhje direkte për Klan Kosova ka ngritur dyshime se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, mund të jetë duke u përgatitur për zhvillimin e seancës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

    Sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm për ‘show e teatër’.

     “Me gjasë Kryeministri Kurti mund të jetë duke i bërë përgatitjet që të fillojë seancën për zgjedhjen e Presidentit, të fillojë show-n e tij, teatrin e tij”, deklaroi Tahiri.

    Ai shprehu shqetësimin se mund të përdoret sërish gaz lotsjellës për t’i larguar protestuesit nga sheshi.

    “Dhe siç duket i pengon prezenca e qytetarëve rreth Kuvendit dhe ndoshta e kanë edhe një plan që të na largojnë përmes gazit lotsjellës, në mënyrë që kur ta zhvillojnë seancën të mos ketë qytetarë, të mos ketë protesta dhe të mos ketë përplasje”, tha Tahiri.

  • Veteranët kërkojnë veprime lidhur me Ligjin për Specialen (VIDEO)

    Veteranët kërkojnë veprime lidhur me Ligjin për Specialen (VIDEO)

    Veteranët kërkojnë veprime lidhur me Ligjin për Specialen (VIDEO)

    Një veteran i UÇK-së, i cili po proteston në shesh, ka thënë për Klan Kosova se veteranët kanë dalë në protestë për të shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zhvillimet e fundit dhe vendimin ndaj krerëve të UÇK-së.

    Ai tha se nga data 16, kur u mor vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kanë kaluar disa ditë dhe tashmë, sipas tij, janë në orët e fundit kur presin veprime nga Kuvendi i Kosovës lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    “Ne si veteranë kemi dalë këtu sepse kemi një shqetësim të jashtëzakonshëm. U bën shumë ditë nga data 16 që u mor një vendim i rëndë ndaj krerëve të UÇK-së dhe ne sot jemi në orët e fundit, ku po presim nga Parlamenti, nga njerëzit që ne menojmë se duhet bërë një kthesë të jashtëzakonshme rreth Ligjit për Gjykatën Speciale”

    “Ne jemi afruar te Parlamenti për të treguar se kemi shqetësime të mëdha dhe nëse këta mendojnë që nuk është shqetësim, atëherë e kanë gabim”, tha ai./Klankosova.tv

  • AMD planifikon të rrisë ndjeshëm furnizimin me çipa në vitin 2027

    AMD planifikon të rrisë ndjeshëm furnizimin me çipa në vitin 2027

    Gjiganti AMD planifikon të rrisë ndjeshëm furnizimin me çipa në vitin 2027, ndërsa prodhuesi amerikan i çipave përpiqet të përmbushë kërkesën në rritje të shpejtë që vjen nga sektori i inteligjencës artificiale (IA), deklaroi të martën CEO-ja, Lisa Su.

    AMD, rivali më i afërt i Nvidia-s në fushën e procesorëve grafikë për IA, e ka zgjeruar me shpejtësi biznesin e saj të çipave për IA, me vlerën e tregut që së fundmi kaloi shifrën prej 1 trilion dollarësh mes një rritjeje të vrullshme të nxitur nga inteligjenca artificiale.

    “Kemi arritur ta rrisim furnizimin gjatë vitit 2026 dhe do ta rrisim atë ndjeshëm në vitin 2027”, u tha Su gazetarëve në Taipei.

    Su theksoi se një nga qëllimet e vizitës së saj në Tajvan ishte të siguronte që zinxhiri i furnizimit i AMD-së të mund të rriste prodhimin e CPU-ve dhe GPU-ve për të përmbushur kërkesën në rritje për IA.

    Ajo është takuar me përfaqësues të Foxconn dhe pritet të takohet me ata të TSMC si pjesë e diskutimeve me partnerët lokalë.

    AMD po punon gjithashtu ngushtë me prodhuesit e çipave të memories për të siguruar furnizime të mjaftueshme, tha Su, përpara një vizite në Korenë e Jugut më vonë gjatë së martës. /Telegrafi/

  • Protestat në Prishtinë: Shqetësime për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

    Protestat në Prishtinë: Shqetësime për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

    Thirrjet në hapësirën online për djegien e ndërtesës së Kuvendit, rrahjen e protestuesve dhe etiketimet ndaj policëve i kanë shoqëruar protestat që u përshkallëzuan në dhunë më 5 tetor në Prishtinë.

    Njohës të sigurisë dhe dezinformimit thonë se kjo gjuhë thellon ndarjet dhe rrezikon ta kthejë pakënaqësinë në dhunë.

    “Me kall deri kuvend atje duhet flaka me i dal”, shkruan një komentues. Një tjetër kërkon që protestuesit që shajnë e shkaktojnë dëme të bëhen “per spital”.

    Këto mesazhe janë pjesë e diskursit online rreth protestave në Kosovë, të cilat më 5 tetor u përshkallëzuan në përplasje mes protestuesve dhe policisë në Prishtinë. Nga përplasjet mbetën të lënduar persona nga të dyja anët, përfshirë edhe gazetarë që po ndiqnin ngjarjet.

    Radio Evropa e Lirë i ka monitoruar disa prej hapësirave të komenteve kryesisht nëpër postime të mediave në rrjete sociale. Komentet shkruhen si nga profile reale, ashtu edhe nga profile anonime apo të dyshimta.

    Në këto komente, krahas thirrjeve për djegien e ndërtesave të institucioneve publike, ka nxitje për rrahjen e protestuesve dhe etiketime ndaj policëve si fëmijë “të spiunëve” e “të tradhtarëve”. Thirrjet janë shpërndarë edhe nëpër faqe të Facebook-ut, të cilave nuk u dihet pronësia apo qëllimi.

    Sipas njohësve të dezinformimit dhe sigurisë, kjo gjuhë rrezikon ta thellojë ndarjen shoqërore dhe ta legjitimojë dhunën si reagim të pranueshëm.

    Bardh Dema, udhëheqës i verifikimit të fakteve në platformën Hibrid.info, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë monitorimit të zhvillimeve të fundit kanë identifikuar përmbajtje online që mund të interpretohen si nxitje për dhunë, përleshje fizike apo reagime agresive.

    Ai argumenton se shprehja e pakënaqësisë, edhe kur është e ashpër, nuk përbën vetvetiu thirrje për dhunë dhe se qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë institucionet, policinë, protestuesit, partitë politike apo individë të caktuar.

    “Problemi fillon kur mesazhi kalon nga kritika te dehumanizimi, kërcënimi ose nxitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për dhunë”, tha Dema për REL-in.

    Protestat disa-javëshe kundër verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve tjerë të UÇK-së u përshkallëzuan më 5 tetor, pasi disa protestues kërkuan që projektligji, i miratuar po atë ditë në lexim të parë, të kalonte menjëherë edhe në lexim të dytë.

    Ata bllokuan hyrjen e ndërtesës së Kuvendit, duke synuar të mos i lejonin deputetët të dilnin pa e votuar përfundimisht ligjin, sulmuan një deputet dhe disa zyrtarë publikë, si dhe hodhën shishe e mjete piroteknike drejt ndërtesës, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit.

    Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, të paktën 20 policë, 12 protestues dhe një gazetar kanë marrë trajtim mjekësor pas lëndimeve që kanë pësuar të hënën gjatë protestës para Kuvendit. Kritika të shumta ka pasur nga PDK dhe figura tjera publike për, siç e vlerësojnë ata, dhunën joproporcionale të Policisë ndaj protestuesve. Në lidhje me këto akuza, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur hetim preeliminar.

    Në një reagim publik, Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) ka thënë se protesta është mjet legjitim demokratik, por se kërcënimi, dhuna apo pengimi fizik i deputetëve cenon ushtrimin e lirë të mandatit të tyre. IDK u ka bërë thirrje krerëve politikë dhe organizatorëve të protestave që të marrin përgjegjësi dhe të kërkojnë që protestat të vazhdojnë pa dhunë dhe pa pengim fizik të deputetëve.

    Polarizimi mes “nesh” dhe “atyre”

    Për Ramadan Ilazin, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), aktgjykimi kundër Thaçit dhe të tjerëve ishte nxitësi i menjëhershëm i protestave, por pakënaqësitë e protestuesve lidhen edhe me krizat e zgjatura politike, zgjedhjet e përsëritura dhe pasigurinë institucionale.

    “Shoqëria është lodhur nga bllokadat, pasiguria dhe ndjenja se institucionet nuk po arrijnë të prodhojnë zgjidhje”, thotë ai për REL-in.

    Në këtë klimë, të dy bashkëbiseduesit e shohin si shqetësues polarizimin që po krijohet si mes deputetëve, ashtu edhe në publik, ku njerëzit po ndahen në dy kampe: “ose je me UÇK-në, ose me Serbinë”.

    Sipas Demës, kjo i vendos qytetarët përballë një zgjedhjeje artificiale, duke lënë jashtë qëndrimet kritike apo të ndërmjetme.

    “Kemi parë përmbajtje që paraqesin në mënyrë të njëanshme zhvillimet e protestave dhe publikime që përdorin një gjuhë shumë të polarizuar ndaj njërës apo tjetrës palë. Në disa raste, përmbajtja shoqërohet edhe me thirrje për reagim, përballje apo ndëshkim të personave që paraqiten si kundërshtarë”, tha ai.

    Sipas tij, duhet bërë dallimi mes kritikës legjitime dhe gjuhës që mund të kontribuojë në tensionimin e situatës. Ai thotë se personat publikë kanë të drejtë të kritikojnë institucionet apo protestuesit, por për shkak të ndikimit që kanë, mënyra se si i formulojnë mesazhet është veçanërisht e rëndësishme.

    “Në një situatë të tensionuar, deklaratat që krijojnë ndarje të forta mes ‘nesh’ dhe ‘atyre’, apo që i paraqesin kundërshtarët si armiq, mund të kontribuojnë në polarizim dhe të ndikojnë në mënyrën se si publiku i percepton zhvillimet”, tha Dema për REL.

    Ndërkohë, Ilazi e lidh atë me ‘polarizimin afektiv’, ku kundërshtari politik trajtohet si kërcënim.

    “Ato e mbyllin hapësirën për mendim të pavarur dhe e bëjnë çdo thirrje për përmbajtje, ose kompromis të duket si tradhti”, thotë Ilazi për formulime të tilla.

    Dezinformimi në hapësirën online, ndërkaq, ka nisur që një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së më 16 shtator. Një hulumtim i Hibrid.info, ka përmbledhur 20 raste të verifikuara në gjysmën e dytë të shtatorit, që përfshijnë lajme të rreme, deklarata të fabrikuara dhe përmbajtje të manipuluara me inteligjencë artificiale. Sipas platformës, këto përmbajtje tregojnë një prirje për të shfrytëzuar ndjeshmërinë publike rreth procesit gjyqësor në prodhimin e përmbajtjeve dezinformuese.

    Si po shpërndahet thirrja për dhunë?

    Sipas një hulumtimi të ekspertit të sigurisë kibernetike, Halil Berisha, një grup llogarish të dyshimta në Facebook ka shpërndarë në mënyrë të koordinuar mesazhe nxitëse para dhe pas zhvillimeve rreth vendimit të 16 shtatorit. Ai thotë se llogaritë përdornin emra shqiptarë, por ishin regjistruar si faqe “Musician/Band” dhe publikonin komente të njëjta ose shumë të ngjashme në postime të mediave dhe subjekteve politike, përfshirë thirrje për djegie institucionesh, përplasje dhe ndëshkim të kundërshtarëve.

    Berisha thotë se intensiteti i këtyre mesazheve është rritur me afrimin e vendimit të Gjykatës Speciale dhe se modeli i veprimit tregon elemente të një fushate të koordinuar. Ai e krahason këtë mënyrë funksionimi me taktika të përdorura në operacione të njohura të ndikimit rus, por kjo lidhje nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga REL-i.

    Pas publikimit të hulumtimit, sipas Berishës, disa prej profileve të identifikuara janë mbyllur, ndërsa të tjera kanë ndryshuar emrat. Ai thotë se dy profile që kishin publikuar thirrje për djegie dhe paralajmërime për “luftë civile” janë mbyllur, ndërsa disa të tjera kanë ndryshuar identitetin e tyre në Facebook. Berisha e sheh këtë si tregues shtesë se profilet nuk kanë vepruar në mënyrë autentike.

    Berisha i tha REL se ditëve te fundit është vërejtur një rritje e dukshme e thirrjeve dhe nxitjeve për dhunë në hapësirën online që shenjestrojnë institucione, deputetë, protestues dhe gazetarë, dhe variojnë nga thirrjet për djegie institucionesh e sulme fizike deri te kërcënimet për vrasje.

    “Thirrjet për dhunë nuk janë vetëm ndaj njërës palë, por drejtohen ndaj të gjithëve, në mënyrë që të krijohet përplasje në rrjete sociale dhe, rrjedhimisht, të nxitet dhuna”, tha Berisha për REL-in.

    Dema, megjithatë, vlerëson deri në këtë fazë, nuk do të ishte e saktë që të gjitha këto përmbajtje të karakterizohen si pjesë të një fushate të koordinuar.

    “Ajo që mund të themi është se shohim sjellje të ngjashme dhe narrativa që përsëriten, ndërsa një pjesë e tyre më pas amplifikohen nga përdorues të tjerë”, tha ai.

    Rreziku, sipas Demës, shtohet kur gjuha nxitëse shoqëron fotografi apo video të vjetra, të manipuluara ose jashtë kontekstit, të cilat mund të krijojnë përshtypje të rreme për veprimet e njërës palë.

    Ai kërkon reagim institucional ndaj kërcënimeve konkrete dhe kujdes nga mediat që të mos u japin hapësirë përmbajtje të paverifikuara vetëm sepse janë virale.

    Ilazi, ndërkaq, thekson se zemërimi publik dhe e drejta për protestë duhet të respektohen.

    “Në të njëjtën kohë, dhuna dhe thirrjet për dhunë nuk mund të arsyetohen”, thotë ai.

    Në Kosovë, thirrjet publike për dhunë, urrejtje apo përçarje mund të përbëjnë vepër penale, varësisht nga përmbajtja dhe pasojat e tyre. Kodi Penal parasheh dënime për nxitjen e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, si dhe për nxitjen e personave të tjerë për të kryer vepra penale.

    Radio Evropa e Lirë e pyeti Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë nëse po i monitorojnë postimet dhe komentet në rrjete sociale që përmbajnë thirrje për dhunë, si dhe nëse kanë nisur ndonjë procedurë lidhur me to. Policia e Kosovës nuk dha detaje shtesë, përveçse tha se ka njësi, përfshirë ato hetimore dhe të inteligjencës, që trajtojnë informatat e pranuara nga qytetarët apo ato që identifikohen gjatë punës së tyre, kur përmbajnë elemente të veprave penale. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit.

  • Dani Carvajal pranë rikthimit në La Liga

    Dani Carvajal pranë rikthimit në La Liga

    Dani Carvajal pranë rikthimit në La Liga

    Dani Carvajal është pranë rikthimit në La Liga, këtë herë me fanellën e Getafes.

    Mbrojtësi 34-vjeçar, i cili u nda nga Real Madridi në fund të qershorit dhe aktualisht është lojtar i lirë, ka avancuar negociatat me klubin madrilen.

    Sipas raportimeve të fundit, Carvajal tashmë ka kryer edhe testet mjekësore, ndërsa mbetet vetëm miratimi i La Ligas për regjistrimin e tij.

    Trajneri Jose Bordalas ka qenë një nga figurat kryesore në bindjen e mbrojtësit për t’iu bashkuar Getafes.

    Carvajal, i cili gjatë karrierës me Real Madridin fitoi 27 trofe, përfshirë gjashtë Champions League, pritet të sjellë eksperiencë të madhe në skuadrën e Getafes./Klankosova.tv

  • Nasim Haradinaj: “Sonte ka me qenë qetë, deputetët s’na bëjnë lazëm për protestë të ashpër”

    Nasim Haradinaj: “Sonte ka me qenë qetë, deputetët s’na bëjnë lazëm për protestë të ashpër”

    Nasim Haradinaj: “Sonte ka me qenë qetë, deputetët s’na bëjnë lazëm për protestë të ashpër”

    Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj, ka thënë se pret që situata sonte të jetë e qetë.

    Ai u shpreh se nuk beson që deputetët do t’i shtyjnë protestuesit drejt një proteste të ashpër.

    “Unë mendoj që ka me qenë sonte qetë. Mendoj që deputetët nuk na bëjnë neve me pasë lazëm (nevojë) për protestë të ashpër”, ka deklaruar Haradinaj./Klankosova.tv

  • Bildt paralajmëron për rritje të tensioneve në Ballkan, në fokus zgjedhjet në Serbi

    Bildt paralajmëron për rritje të tensioneve në Ballkan, në fokus zgjedhjet në Serbi

    Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, ka paralajmëruar për rritje të paqëndrueshmërisë politike në Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar se zhvillimet në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë mund të ndërthuren dhe të prodhojnë pasoja përtej kufijve të këtyre vendeve.

    Në një analizë të publikuar në “Radar”, Bildt ka theksuar se tensionet nacionaliste po rikthehen në rajon, ndërsa marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës janë përkeqësuar dhe procesi i integrimit evropian ka humbur një pjesë të rëndësishme të vrullit.

    Sipas tij, “politika e zymtë” po rikthehet në Ballkan, ndërsa mungesa e një angazhimi të fortë ndërkombëtar po krijon hapësirë për rritjen e pasigurive politike.

    Bildt ka përmendur si një nga zhvillimet shqetësuese edhe funeralin gjysmëzyrtar në Beograd të Ratko Mladiçit, ish-komandantit ushtarak serb të Bosnjës, i dënuar për krime lufte.

    Ai vlerëson se ky zhvillim ka rikthyer në vëmendje traumat e luftërave të viteve ’90 dhe ka ushqyer tensionet nacionaliste, veçanërisht për shkak të figurës së Mladiçit dhe perceptimit të tij ende pozitiv në mesin e një pjese të serbëve të Bosnjës.

    Sipas Bildt, këto zhvillime nuk duhet të shihen të izoluara, pasi ato mund të ndikojnë në klimën e përgjithshme politike në rajon.

    Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij Bildt ia kushton Bosnjës dhe Hercegovinës, ku zgjedhjet e tetorit, sipas tij, mund të kenë pasoja të mëdha për të ardhmen politike dhe kushtetuese të vendit.

    Ai paralajmëron për mundësinë e bashkëpunimit mes forcave nacionaliste serbe dhe kroate që kërkojnë ndryshime në strukturën kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Një skenar i tillë, sipas Bildt, mund të perceptohet si kërcënim nga komuniteti boshnjak dhe të nxisë një cikël të ri përplasjesh politike.

    Ish-kryeministri suedez e lidh këtë rrezik edhe me atë që e konsideron si një angazhim më të dobët të Shteteve të Bashkuara në çështjet e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Në fokusin e analizës së Bildt është edhe situata politike në Serbi, ku protestat e gjata studentore kanë krijuar një lëvizje të gjerë kundër pushtetit.

    Bildt përmend organizimin e protestuesve përmes të ashtuquajturës Listë e Studentëve dhe ngre shqetësimin për mënyrën se si mund të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

    Sipas tij, ekziston rreziku që një rezultat i kontestuar zgjedhor të pasohet nga shpallja e fitores së qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, gjë që do të mund të thellonte edhe më tej krizën politike në vend.

    Bildt e sheh si problematike edhe gjendjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas tij, procesi i normalizimit mes Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur, ndërsa çështjet e pazgjidhura në Mitrovicë dhe problemet e tjera politike në Kosovë po shtojnë pasigurinë në rajon.

    Ai ka përmendur gjithashtu zhvillimet që lidhen me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe proceset në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke argumentuar se ato kanë ndikuar në marrëdhëniet e Kosovës me disa prej partnerëve të saj ndërkombëtarë.

    Një nga shqetësimet kryesore të Bildt është edhe dobësimi i perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Ai vlerëson se strategjia e ndërtuar gjatë dekadave të fundit, e cila mbështetej në integrimin në Bashkimin Evropian dhe në proceset ndërkombëtare të drejtësisë si mjete për stabilizimin dhe pajtimin e rajonit, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.

    Sipas tij, përjashtime të mundshme janë Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat vazhdojnë të kenë një perspektivë më të qartë evropiane.

    Megjithatë, Bildt paralajmëron se edhe progresi i Malit të Zi mund të vihet në rrezik në rast të një krize të re rajonale.

    Bildt argumenton se rreziku kryesor nuk qëndron domosdoshmërisht te shpërthimi i një lufte të re në Ballkan, por te mundësia që krizat e veçuara politike të ndikojnë te njëra-tjetra.

    “Çdo vend në rajon po kalon nëpër proceset e veta politike, por rreziku që ato të përhapen tek njëri-tjetri dhe të kenë një ndikim negativ është i konsiderueshëm”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, edhe një përplasje e kufizuar mund të ketë pasoja më të gjera dhe ta shtyjë të gjithë Ballkanin Perëndimor drejt një periudhe më të pasigurt.

    Në këtë kontekst, Bildt u bën thirrje veçanërisht liderëve evropianë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimeve në rajon dhe të mos lejojnë që sinjalet e hershme të destabilizimit të injorohen.

    Ai e sheh situatën aktuale si veçanërisht të ndjeshme, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë më të përqendruara në interesat e tyre ekonomike, ndërsa Bashkimi Evropian është i angazhuar fuqishëm me luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe pasiguritë në marrëdhëniet transatlantike.

    Në përfundim, Bildt paralajmëron se mungesa e një politike të koordinuar ndërkombëtare për Ballkanin mund të krijojë hapësirë për rritjen e nacionalizmit dhe tensioneve politike, duke e bërë stabilitetin e rajonit më të brishtë.

  • Formacionet zyrtare, Kosovë U21 – Finlandë U21: “Dardanët” e rinj synon t’i mbyllin me rezultat pozitiv kualifikueset e Evropianit

    Formacionet zyrtare, Kosovë U21 – Finlandë U21: “Dardanët” e rinj synon t’i mbyllin me rezultat pozitiv kualifikueset e Evropianit

    Kombëtarja e Kosovës U21 do të provojë t’i mbyllë me rezultat pozitiv kualifikueset për Kampionatin Evropian që zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi, ndaj favoriti Finlandë U21.

    Finlanda është favorit në këtë sfidë, ngase po lufton për pozitën e parë si dhe shpreson që Spanja të gabojë për t’u kualifikuar direkt.

    Përzgjedhësi Hekuran Kryeziu ka bërë disa ndryshime në formacion për dallim nga ndeshja me Qipron, ku ka vendosur të rreshtohet në sistemin 4-1-4-1.

    Formacionet zyrtare:

    Kosovë U21: Seji; Parduzi, Shala, Lleshi, Sahitaj; Ademi; Xhylani, Jashari, Zeqiri, Sadriu; Gashi

    Finlandë U21: Jantunen; Ylitova, Lotjonen, Kangasniemi, Galvez; Hyrylainen, Siltanen; Soderback, Mentu, Korkko; Moller

    Përballja do të nisë nga ora 19:00 dhe zhvillohet në “Fadil Vokrri”. Rikujtojmë, hyrja është falas për të gjithë tifozët që duan t’i mbështesin “Dardanët” e rinj./Telegrafi/