Blog

  • Pak para zyrtarizimit të dorëheqjes, kush do ta zëvendësojë Guy Parmelin në Zvicër?

    Pak para zyrtarizimit të dorëheqjes, kush do ta zëvendësojë Guy Parmelin në Zvicër?

    Ka nisur procesi për zgjedhjen e pasardhësit të Guy Parmelin në Këshillin Federal të Zvicrës, pasi ai ka njoftuar largimin nga qeveria në fund të vitit 2026.

    Parmelin do të largohet nga detyra më 31 dhjetor 2026, pas më shumë se një dekade në Këshillin Federal.

    Ai është anëtar i qeverisë zvicerane që nga viti 2016 dhe aktualisht drejton Departamentin Federal të Ekonomisë, Arsimit dhe Kërkimit. Largimi i tij hap garën për një nga shtatë vendet në Këshillin Federal.

    Partia Popullore Zvicerane (SVP/UDC) ka nisur procesin e përzgjedhjes së kandidatit. Kandidatët potencialë kanë afat deri më 23 tetor për të deklaruar interesimin.

    Partia pritet të përcaktojë kandidaturën ose kandidaturat e saj më 20 nëntor, ndërsa Parlamenti zviceran do të votojë më 9 dhjetor.

    Në mesin e emrave të përmendur si kandidatë të mundshëm janë Céline Amaudruz, Esther Friedli, Natalie Rickli, Yvan Pahud dhe Nicolas Kolly.

    Brenda SVP-së ka gjithashtu presion që këtë herë të propozohet një grua për postin në Këshillin Federal.

    Parmelin, 66 vjeç, është president i Konfederatës Zvicerane gjatë vitit 2026. Në sistemin zviceran, presidenti zgjidhet për një mandat njëvjeçar nga shtatë anëtarët e Këshillit Federal dhe nuk ka kompetenca më të mëdha ekzekutive se kolegët e tij.

    Më 9 dhjetor, Asambleja Federale pritet të zgjedhë gjithashtu presidentin dhe nënkryetarin e Konfederatës për vitin 2027./Telegrafi/

  • Lionel Messi emocionon para pensionimit: Po largohem në paqe, faleminderit që më deshët kaq shumë

    Lionel Messi emocionon para pensionimit: Po largohem në paqe, faleminderit që më deshët kaq shumë

    Lionel Messi ka përcjellë një mesazh emocional, duke thënë se ka ardhur momenti për t’u larguar dhe se e bën këtë me zemër të qetë, pasi ka dhënë gjithçka.

    Tetë herë fituesi i Topit të Artë do të pensionohet nga Argjentina, ndërsa do ta zhvillojë ndeshjen e fundit në miqësoren ndaj Benin më 7 tetor, në ora 1 të mëngjesit me kohën tonë lokale.

    Para se të zhvillohet kjo ndeshje, Messi ka dhuruar një mesazh për të gjithë argjentinasit duke i falënderuar për të gjitha.

    “Momenti ka ardhur. Largohem në paqe, sepse kam dhënë gjithçka.

    Kjo fanellë ishte ëndrra ime, krenaria ime dhe jeta ime për shumë vite.

    Faleminderit që më deshët kaq shumë, faleminderit për mbështetjen.

    Do t’ju mbaj gjithmonë me vete”, shkroi ai.

    Në përgjithësi, Messi ka zhvilluar mbi 207 paraqitje për Argjentinën, për të kontribuar me 125 gola dhe 68 asistime në proces, ndërsa fitoi Kupën e Amerikës në vitet 2021 dhe 2024 si dhe arritja më e madhe, Kupa e Botës 2022./Telegrafi/

  • Gucati nuk e lejon Baljen të dalë nga Kuvendi: Na vjen keq, me dalë nuk ban hiç!

    Gucati nuk e lejon Baljen të dalë nga Kuvendi: Na vjen keq, me dalë nuk ban hiç!

    Protestuesit që po qëndrojnë para dhe në oborrin e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar edhe sot të pengojnë deputetët të dalin nga objekti, duke kërkuar votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Në një moment, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, nuk e ka lejuar deputeten Duda Balje të largohet nga oborri i Kuvendit.

    “Na vjen keq, me dalë nuk ban hiç!”, dëgjohet duke i thënë Gucati deputetes në një video të Kallxo.com.

    Balje, deputete e komunitetit boshnjak, më pas është kthyer pa kundërshtuar, ndërsa protestuesit kanë vazhduar të qëndrojnë në hapësirat e Kuvendit.

    Kërkesa kryesore e protestuesve është që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet dhe të miratohet edhe në lexim të dytë. Kuvendi e miratoi të hënën, me 91 vota për, në lexim të parë, Projektligjin për ndryshimin e këtij ligji./Telegrafi/

  • Katër raunde IVF-i dhe një rrëfim i veçantë, Xhuli Nura zbulon detaje nga rrugëtimi drejt mëmësisë, një javë pasi u bë nënë

    Katër raunde IVF-i dhe një rrëfim i veçantë, Xhuli Nura zbulon detaje nga rrugëtimi drejt mëmësisë, një javë pasi u bë nënë

    Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Xhuli Nura, u bë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë binjakët e saj.

    Së fundmi, përmes një shkrimi të gjatë, ajo vendosi të ndajë një përmbledhje të rrugëtimit të saj, duke nisur nga periudha e shtatzënisë dhe deri te momenti kur u bë nënë.

    Ajo solli në jetë binjakët përmes metodës IVF, një proces për të cilin ishte komentuar edhe më herët. Përmes shkrimit të saj, Xhuli zbuloi se për një vit iu desh t’i nënshtrohej katër raundeve të IVF-it.

    “Nuk muj mos me postu diçka që për mua kaq shumë rëndësi… Sot dua me i thanë FALIMINDERIT nga zemra Spitalit Amerikan 2 në Prishtinë dhe në veçanti Dr. Goksu, për mundësinë që ma dhatë me u ba nanë përmes metodës IVF. Një ëndërr që për mua u shndërrua në realitet dhe sot është dhurata më e madhe e jetës sime”.

    “Një falënderim i veçantë shkon për krejt qikat e mija aty — Klajda, Blerta, Ornela, Vjosa — dhe për krejt stafin e spitalit. E di që për një vit, me 4 round-e IVF, ju kam lodhë… Ma bani hallall! Por ju falënderoj për çdo telefonatë, çdo këshillë, çdo fjalë, çdo kujdes dhe për durimin që patët me mu gjatë krejt këtij rrugëtimi”.

    “Por mbi të gjitha, një SUPER FALËNDERIM shkon për krejt ata njerëz që më kanë mbështetë, pa marrë parasysh a kanë qenë familjarë, shoqëri apo thjesht njerëz që më kanë dashtë dhe kanë besu në mua. Me ba diçka që tek ne ende konsiderohet tabu, nuk është e lehtë”.

    Përmes shkrimit, ajo tregoi gjithashtu se i qëndron besnike qëllimeve të saj, teksa ndau një mesazh emocionues për të gjitha gratë.

    “Sepse kur je femër, kur je e arritur, e pavarur dhe e përmbushur si individ, fatkeqësisht ende ka njerëz që e shohin forcën e një gruaje si kërcënim për “burrninë” e tyre. Do të shahesh. Do të gjykohesh. Do të ofendohesh. Do të coptohesh nga fjalët e njerëzve të ligj”.

    “Por unë tashmë e di shumë mirë se çfarë karakteri kam. Unë jam Juliana. Kur ia vendosi vetes një qëllim, e çoj deri në fund. Me mbështetje apo pa mbështetje. Me njerëz pranë apo krejt vetëm. Sepse kur Zoti ta fal një dëshirë kaq të madhe, ta fal edhe fuqinë me e përballu krejt rrugën deri te ajo”.

    Në fund të shkrimit, Xhuli shprehu mirënjohje edhe për veten, duke reflektuar mbi sfidat dhe momentet e vështira që ka kaluar gjatë këtij rrugëtimi.

    “Dhe sot dua me falënderu edhe VETEN. Për çdo ëndërr së cilës i kam qëndru besnike. Për çdo qëllim që nuk e kam braktisë. Për çdo herë që jam rrëzu dhe jam çu përsëri. Për çdo natë që kam qarë në heshtje, por të nesërmen kam vazhdu. Sepse sot e di… Një grua mundet me qenë gjithçka që dëshiron. Një grua mundet me kriju jetë. Një grua mundet me e ndërtu vetveten. Një grua mundet me ia dalë — edhe kur krejt bota i thotë që nuk mundet. Sot jam nanë e dy mrekullive”, përfundoi Xhuli në shkrimin e saj.

  • Çlirim Haziri me ‘selam’ përsëri: Lojërat e Kurtit nuk kanë me ecë

    Çlirim Haziri me ‘selam’ përsëri: Lojërat e Kurtit nuk kanë me ecë

    Çlirim Haziri me ‘selam’ përsëri: Lojërat e Kurtit nuk kanë me ecë

    Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka bërë sot thirrje që Kuvendi i Kosovës urgjentisht të miratojë në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Specialen.

    Gjatë protestës së sotme, Haziri tha se zhvillimet e fundit janë lojëra të kryeministrit Albin Kurti me liderë të partive tjera, gjë për të cilën, ai thotë se atyre nuk u interesojnë.

    “Duhet të votohet. Ne do të jemi këtu edhe pak orë dhe Kuvendi do të shpërbëhet, nuk do të ketë as qeveri, e UÇK ka nevojë për institucionet  Kosovës. Lojërat e Kurtit me liderët e partive tjera nuk na interesojnë dhe as nuk do të na interesojnë… Ai thotë se ligji për UÇK është urgjencë e ligji për presidentin emergjencë. Lojërat e tij me këta qytetarë nuk do t’i ecin. I ka mbetur edhe pak kohë dhe ne po presim dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë”, ka thënë Haziri në protestën e sotme, sipas KosovaPress.

  • Forca të shtuara policore te Kuvendi i Kosovës (VIDEO)

    Forca të shtuara policore te Kuvendi i Kosovës (VIDEO)

    Forca të shtuara policore te Kuvendi i Kosovës (VIDEO)

    Protestat po vazhdojnë edhe sot, ndërsa protestuesit po kërkojnë votimin e Ligjit për Specialen.

    Ndërkohë, te objekti i Kuvendit të Kosovës janë parë forca të shtuara policore.

    Afati për zgjedhjen e presidentit skadon sot, 6 tetor, ndërsa në Kuvend mbetet pezull edhe procedura për miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Specialen./Klankosova.tv

  • Tërheqja e Sejdiut, Murati: Le të thotë Hamza PO, Kurti dhe Abdixhiku e bindin

    Tërheqja e Sejdiut, Murati: Le të thotë Hamza PO, Kurti dhe Abdixhiku e bindin

    Tërheqja e Sejdiut, Murati: Le të thotë Hamza PO, Kurti dhe Abdixhiku e bindin

    Deputeti Hekuran Murati, i cili ka qenë krah shefit të partisë, Albin Kurtit, në takimet me partitë për presidentin, ka reaguar pasi ish-kandidati për këtë post, Bekim Sejdiu, e rikonfirmoi se është tërheqeur nga gara.

    Atij duket se i pengoi që mediat e kontaktuan Sejdiun, duke thënë se përgjigjen duhet ta kërkojnë nga kreu i PDK-së, Bedri Hamza.

    “Disa medie u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti:

    edhe me vetëm gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së që e votojnë qoftë edhe kundër Bekim Sejdiun për President, ne i japim votat tona për Projektligjin mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë!”

    Bile, sipas tij, nëse Hamza thotë ‘PO’, atëherë Sejdiun mund ta bindin Kurti dhe lideri i LDK-së.

    “Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën. Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja.”

  • Ndalohen dy zyrtarë nga "Lotaria Shtetërore" e RMV-së, dyshohen për përvetësimin e 1.3 milionë eurove

    Ndalohen dy zyrtarë nga “Lotaria Shtetërore” e RMV-së, dyshohen për përvetësimin e 1.3 milionë eurove

    Dy punonjës të Lotarisë Shtetërore dyshohen se gjatë vitit 2024 kanë përvetësuar pothuajse 1.3 milionë euro, njoftoi Prokuroria Themelore Publike Shkup.

    I dyshuari i parë ishte drejtori i Departamentit të Financës dhe Kontabilitetit, dhe i dyshuari i dytë ishte kreu i çështjeve financiare në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë, një shoqëri aksionare për organizimin e lojërave të fatit.

    Sipas prokurorisë, gjatë gjithë vitit 2024, të dy abuzuan me autoritetin e tyre për të përvetësuar paratë që u ishin besuar në shërbim.

    “Si persona të autorizuar për tërheqjen e parave të gatshme të destinuara për pagesën e fitimeve të vogla dhe persona përgjegjës për pranimin dhe pagesën e qarkullimit ditor të realizuar nga pikat e shitjes së kompanisë, ata nuk e kanë paguar të gjithë qarkullimin ditor për vitin 2024 që u është besuar nga pikat e shitjes së SH.A. Lotaria Shtetërore e RMV-së dhe nuk e kanë depozituar atë në llogaritë transaksionale të kompanisë në bankat komerciale, por e kanë përvetësuar për vete. Përveç kësaj, ata kanë tërhequr fonde nga llogaritë bankare të SH.A. Lotaria Shtetërore e RMV-së, të cilat gjithashtu i kanë përvetësuar për vete.

    Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për fshehje dhe ikje, ekziston frika e bazuar se të dyshuarit do të përpiqen të fshehin, falsifikojnë ose shkatërrojnë gjurmët e krimit, si dhe rrethana të veçanta që tregojnë se ata do ta pengojnë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët, ekspertët, bashkëpunëtorët ose fshehësit, por edhe rrethana që tregojnë mundësinë e përsëritjes së krimit, prokurori publik i ka paraqitur një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale në Shkup për të përcaktuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit”, thuhet në deklaratë.

    Si pjesë e hetimit, policia dje kreu kontrolle në pesë lokacione në Shkup dhe Vallandovë. Gjatë kontrolleve, përveç dokumentacionit origjinal kontabël, u gjetën telefona, kompjuterë dhe disqe, para, ar dhe bizhuteri ari, bizhuteri nga marka Swarovski, ora të shtrenjta, si dhe çanta luksoze nga Hermes, Louis Vuitton, Dior dhe marka të tjera të famshme.

    Të të dyshuarit janë ndaluar në polici./Telegrafi/

  • Përkundër tërheqjes nga gara, Murati thotë se Kurti mund ta bindë Bekim Sejdiun të ndërrojë mendje

    Përkundër tërheqjes nga gara, Murati thotë se Kurti mund ta bindë Bekim Sejdiun të ndërrojë mendje

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas raportimeve për tërheqjen e profesorit Bekim Sejdiu nga gara për president të Kosovës.

    Murati ka kritikuar mediat për, siç tha, nxitimin për ta konfirmuar tërheqjen e Sejdiut, duke kërkuar që fillimisht të merret një përgjigje nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me ofertën e re të kryeministrit Albin Kurti.

    Sipas Muratit, oferta e Kurtit parasheh që edhe nëse vetëm gjysma e grupit parlamentar të PDK-së votojnë pro ose kundër Bekim Sejdiut, LVV-ja do t’i japë votat e saj për Projektligjin për Gjykatën Speciale në lexim të dytë.

    “Disa media u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti”, ka shkruar Murati.

    Ai u ka bërë thirrje gazetarëve që fillimisht ta pyesin Hamzën për ofertën.

    “Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën. Le të thotë Bedri Hamza PO”, ka shkruar Murati.

    Më tej, Murati ka thënë se, në rast të një përgjigjeje pozitive nga Hamza, Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mund të bisedojnë me Sejdiun për ta bindur atë që të rikonsiderojë qëndrimin e tij.

    “Dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”, ka deklaruar Murati.

    Reagimi i tij vjen në një situatë të tensionuar politike, në ditën kur përfundon afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe partitë politike po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për shmangien e zgjedhjeve të reja./Telegrafi.

  • “Kokëdhimbje” për Jose Mourinhon, ylli i ekipit merr ofertë për t’u larguar nga Real Madridi

    “Kokëdhimbje” për Jose Mourinhon, ylli i ekipit merr ofertë për t’u larguar nga Real Madridi

    Brahim Diaz mund të largohet nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi Fenerbahçe e ka vendosur sulmuesin maroken në listën e objektivave për përforcimin e repartit ofensiv.

    Sipas gazetarit Niccolo Righi, klubi turk pritet të nisë kontaktet fillestare në fund të tetorit dhe po përgatit një ofertë për 27-vjeçarin. Fenerbahçe synon gjithashtu të përdorë Arda Gulerin për të ndihmuar në bisedimet me lojtarin dhe Real Madridin.

    Brahim ka kontratë me Real Madridin deri më 30 qershor 2027 dhe vlera e tij e përllogaritur në treg është rreth 35 milionë euro.

    Interesimi i Fenerbahçes lidhet edhe me situatën e tij aktuale në Madrid. Brahim nuk e ka një vend të garantuar në formacionin e Jose Mourinhos dhe duhet të luftojë për minuta me disa alternativa të tjera në repartin ofensiv.

    Fenerbahçe dëshiron ta përforcojë sulmin gjatë dimrit, ndërsa paraqitjet e Kerem Akturkoglut dhe Oguz Aydinit kanë bërë që stafi teknik të kërkojë një tjetër lojtar për atë pozitë.

    Një tjetër faktor që mund ta bindë Brahimin është roli që ai ka me Kombëtaren e Marokut. Atje 27-vjeçari ka një rol më të rëndësishëm sesa te Real Madridi dhe Fenerbahçe mund ta përdorë këtë si argument për t’i ofruar një rol më të madh duke filluar nga janari.

    Përveç Fenerbahçes, Brahimi ka interesim edhe nga ish-klubi i tij, Milani.

    Marokeni ka zhvilluar mbi 160 paraqitje zyrtare me Real Madridin në periudhat e tij të ndryshme te klubi dhe ka shënuar rreth 20 gola. Pas rikthimit nga Milani në vitin 2023, ai ka qenë pjesë e rregullt e rotacionit, por nuk ka arritur të sigurojë një vend të përhershëm në formacionin titullar.

    Real Madridi, megjithatë, ende nuk ka marrë vendim për shitjen e Brahimit. Kontrata e tij skadon në vitin 2027 dhe prej muajsh është diskutuar mundësia e vazhdimit të saj, ndonëse klubi nuk ka bërë ende ndonjë njoftim zyrtar.

    Largimi në janar do të varet nga disa faktorë, përfshirë ofertën financiare të Fenerbahçes, qëndrimin e Mourinhos dhe transferimet që Real Madridi mund të realizojë gjatë të njëjtit afat kalimtar./Telegrafi/