
Policia e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) dhe shërbimet shëndetësore kanë zhvilluar ushtrimin e përbashkët operacional “Shpata e artë”, në kampin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë.
Sipas njoftimit të Policisë, qëllimi i këtij ushtrimi ishte forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional për reagim në raste emergjente dhe incidente kritike, ku kërkohet angazhim i përbashkët për ruajtjen e sigurisë publike.
Përmes këtij aktiviteti synohet të sigurohet reagim i shpejtë, efikas dhe efektiv ndaj sfidave të mundshme të sigurisë, si dhe të kontribuohet në krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët.
Ushtrimi “Shpata e artë” është përcjellë nga afër nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Onur Çakici, shefi i EULEX-it, Antero Lopes, si dhe përfaqësues të FSK-së, AME-së, shërbimeve shëndetësore dhe zyrtarë të lartë policorë.
Në përfundim të ushtrimit, pjesëtarët e institucioneve pjesëmarrëse janë përgëzuar për angazhimin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe për gatishmërinë e treguar për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





