Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit londinez dëshirojnë ta zgjasin bashkëpunimin me mesfushorin norvegjez, kontrata aktuale e të cilit në “Emirates Stadium” është e vlefshme deri në verën e vitit 2028.
Bisedimet paraprake kanë dhënë sinjale pozitive dhe ekziston optimizëm se palët mund të arrijnë marrëveshje për një kontratë të re. Arsenali nuk është nën presion për ta përfunduar menjëherë procesin, por dëshiron të veprojë me kohë për ta siguruar të ardhmen e kapitenit.
Odegaard është shndërruar në një prej figurave kryesore të skuadrës që prej transferimit të tij nga Real Madridi. Norvegjezi fillimisht u bashkua me Arsenalin në formë huazimi, por paraqitjet e mira bënë që klubi ta transferonte përfundimisht.
Me kalimin e kohës, ai fitoi një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, duke u emëruar edhe kapiten i skuadrës. Përveç cilësive teknike dhe ndikimit në lojë, mesfushori vlerësohet edhe për lidershipin dhe standardet që vendos brenda ekipit.
Arsenali synon që Odegaardin ta ketë pjesë të projektit edhe gjatë viteve më të mira të karrierës së tij. Madje, sipas raportimeve, kapiteni norvegjez është i përfshirë edhe në planet afatgjata të klubit për përforcime, duke mbështetur interesimin për bashkëkombësin e tij, Antonio Nusa, i cili është në mesin e objektivave të mundshëm për vitin 2027.
Me Mikel Artetën të siguruar me kontratë të re dhe Declan Rice të lidhur me klubin deri në vitin 2031, Arsenali dëshiron që edhe Odegaard të jetë pjesë e këtij projekti afatgjatë, me synimin për të ndërtuar një skuadër që do të luftojë vazhdimisht për trofe të rëndësishëm.
Burimi: RTKLive
