
Paul McCartney i është bashkuar radhëve të miliarderëve në botë. Revista Forbes e ka vlerësuar pasurinë neto të ish-anëtarit të grupit “The Beatles” në 1,4 miliardë dollarë duke e bërë atë muzikantin e tretë më të pasur në botë, pas Jay-Z (2,8 miliardë dollarë dhe Taylor Swift (2 miliardë dollarë).
Revista ia atribuon pasurinë e McCartneyt katalogut të tij muzikor, manovrave ligjore, turneve dhe koleksionit të tij të artit.
84-vjeçari e siguron pjesën më të madhe të pasurisë së tij përmes “MPL Communications”, kompanisë botuese që ai themeloi në vitin 1969, e cila menaxhon katalogun e tij, si dhe ato të artistëve të tjerë, shkruan The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Blerja e të drejtave të autorit nga artistë si Buddy Holly, si dhe partiturave të muzikoreve të Broadëay-t dhe këngëve klasike të Krishtlindjeve – si “It’s Beginning to Look a Lot Like Christmas” apo “The Christmas Song (Chestnuts Roasting On An Open Fire)” – përbën pothuajse një çerek miliardë dollarë nga vlera e kompanisë. Sipas Forbes, sa herë që një shkollë e mesme vë në skenë muzikalin “Grease”, ose dikush dëgjon këngën “Blue Suede Shoes” në platformat dixhitale, McCartney fiton para.
Përveç kësaj, si ish-anëtar i “The Beatles”, McCartney përfiton 25% të të ardhurave nga kompania “Apple Corps” – shoqëria që zotëron të drejtat e grupit – e cila gjeneron rreth 50 milionë dollarë në vit nga të drejtat e transmetimit si dhe nga shitjet e pllakave vinil dhe produkteve të tjera të lidhura me grupin. Ai gjithashtu fiton rreth 10 milionë dollarë në vit nga të drejtat e autorit për këngët e grupit – një pasuri e vërtetë në fushën e botimeve muzikore, për të cilën ai ka bërë beteja ligjore si në SHBA, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar gjatë dy dekadave të fundit. Sipas vlerësimit të revistës, kjo pjesë kap vlerën e 200 milionë dollarëve.
Përllogaritjet e revistës për pasurinë e McCartney-t përfshijnë gjithashtu të ardhurat nga turnetë e tij – më së fundmi 79 shfaqje në kuadër të turneut “Got Back” midis viteve 2022 dhe 2025 – si dhe pasuri të paluajtshme në mbarë botën dhe piktura të artistëve të mëdhenj e me vlerë të lartë, si Magritte dhe Picasso.