Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e kanë lëshuar sallën gjatë seancës së 13-të të rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, në shenjë proteste ndaj, siç thanë, gjuhës fyese dhe linçuese të kryetarit të komunës, Faton Peci.
Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, tha se vendimi për ta lëshuar seancën erdhi pas deklarimeve publike të Pecit dhe mënyrës se si, sipas tij, kryetari po u drejtohet asamblistëve të opozitës.
Ibrahimi, duke iu referuar një sekuence në emisionin “Context”, ku Peci kishte folur për një fotografi të tij, tha se në mandatin e kaluar, pavarësisht arrestimit të dy asamblistëve të opozitës, përfaqësuesit e PDK-së nuk kishin përdorur gjuhë fyese apo nuk kishin paragjykuar përfundimin e rastit.
“Për një sekuencë në emisionin ‘Context’, që e ka pasur kryetari në lidhje me një foto timen dhe që e ka keqinterpretuar. Por fillimisht dua të flas për normën që ka qenë në mandatin e kaluar, domethënë komunikimin mes asamblistëve të opozitës, pozitës dhe ekzekutivit në raport me opozitën. Vetëm dua t’ia tregoj një fakt kryetarit: në mandatin e kaluar janë arrestuar dy asamblistë të opozitës në Kuvend, ndërsa ne kemi qenë 14 asamblistë. Ekzekutivit dhe kryetarit kurrë nuk ua kemi dhënë të drejtën të dalin publikisht për ta linçuar dikë, për ta etiketuar, për të përdorur gjuhë fyese apo për ta shfrytëzuar politikisht situatën e tyre, për shkak të identitetit njerëzor, respektimit të institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, respektimit të prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kryetar, dua të ta rikujtoj se ka pasur lajme të ndryshme para fushatës lokale për ju. Mund ta shikosh Facebook-un tim personal gjatë gjithë kohës. Ti mund ta shikosh timin, ndërsa unë tëndin nuk mundem, sepse më ke bllokuar. Po ta tregoj si fakt. Mund të kërkosh lirisht dhe, nëse gjen një rast kur ju kemi linçuar publikisht, ju kemi etiketuar apo kemi paragjykuar përfundimin e rastit, unë marr përgjegjësi të kërkoj falje publike në emër të secilit. Ndërsa ti, kryetar, në shumë seanca na je drejtuar me shprehjet ‘xhepa të mëdhenj’, ‘asambleisti me syza’, ‘korrupsion’ dhe të tjera, pa asnjë fakt. Kulminacioni ishte rasti i fundit, kur e shfrytëzove hapësirën mediale, more një status publik dhe i shtove përmbajtje duke e kthyer fletën para kamerave dhe duke e shtrembëruar si fakt, ndonëse emri yt nuk përmendet askund…”, tha Ibrahimi.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i ka mohuar akuzat e Ibrahimit, duke thënë se nuk është në dijeni për etiketimet e përmendura nga shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së.
“Me thënë të drejtën, kam filluar të mos habitem me asnjërin prej fenomeneve, as me mënyrën e diskursit dhe as me atë që po ndodh me politikën tonë të përditshme.E para, do të thotë, zoti Ibrahimi, krejt çka diskutoi janë të pavërteta. Unë nuk po e di as për çka po flet. Për këto epitete, ‘cuba’, janë krejt të panjohura për mua dhe nuk e di as çfarë ka thënë. Nuk e di dhe nuk kam dëgjuar, së paku në seanca e as në diskurs publik.Tash, pse dikush, një asamblist, qenka aq i prekur pse dikush prej administratorëve të mi në Facebook, që janë pesë, ia paska bërë bllok? Unë kam pasur vetëm një sugjerim për ta: ‘Ata që ofendojnë dhe shpifin’. Do të thotë, Facebook-u e ka paraparë që ka njerëz të tillë që abuzojnë me postimet në Facebook dhe pason një bllokim. As nuk e shikoj unë se cili është postimi i tij, as nuk e di kush e merr bllokim nga Facebook-u im, për shkak se nganjëherë e përdori edhe unë, por janë edhe pesë të tjerë që janë administratorë të faqes sime. Tjetra, në rast se dikush në Kosovë, në këto pesë vite, nuk mund t’i bëjë konkurrencë vetëm Albin Kurtit për sa i përket linçimit, fyerjeve dhe shpifjeve, jam unë. Edhe gjatë fushatës për të cilën foli ky zotëri, nuk kanë pasur vetëm lajme, por ka pasur linçime, shpifje dhe gënjeshtra rreth meje”, tha Peci.
Ndërkaq, nënkryetari i komunës, Enis Osmani, tha se largimi i asamblistëve të PDK-së lidhet me përpjekjet për rrëzimin e kryesuesit të Kuvendit dhe përfshirjen e aksionarëve.
“Për ta rrëzuar kryesuesin e Kuvendit, po ashtu edhe për përfshirjen e aksionarëve, kjo ka ardhur si frustrim i tyre për ta lëshuar seancën dhe jo për këto gjëra që i ceki zoti Ibrahimi. Sa i përket pjesës tjetër, i falënderoj asamblistët Flamur Vojvoda, Xhyljeta Ymeri dhe Arta Azemi, që nuk janë bërë pjesë e këtyre manipulimeve, po ashtu edhe Jeton Ujkanin. Edhe ata që tentojnë të bëjnë ‘puç’, kështu do ta kenë deri në fund të mandatit”, tha Osmani. /kp/