Vala e madhe e popullaritetit të videolojës “Grand Theft Auto VI” (GTA VI) ka nxitur shumë biznese vendore dhe ndërkombëtare që të përdorin elemente vizuale të saj në postime dhe fushata reklamuese.
Megjithatë, njohësit e pronësisë intelektuale tërheqin vërejtjen se përdorimi i paautorizuar i këtyre materialeve për qëllime komerciale përbën shkelje ligjore dhe mund të sjellë pasoja të kushtueshme.
Ditëve të fundit, në rrjetet sociale është vërejtur një prirje e theksuar, ku kompani të ndryshme kanë integruar estetikën e “GTA VI”, përfshirë imazhet, kombinimet karakteristike të ngjyrave, dizajnet dhe simbolet e lojës, me synimin për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për të rritur ndërveprimin me klientët.
Sado tërheqëse dhe kreative që mund të duken këto reklama në pamje të parë, ekspertët e fushës theksojnë se përdorimi i paautorizuar i elementeve të tilla mund të cenojë të drejtat autoriale dhe ato të pronësisë intelektuale.
Këto elemente janë pjesë e pronësisë intelektuale të kompanisë amerikane Take-Two Interactive Software, Inc., me seli në New York, e cila zotëron të drejtat dhe markat tregtare që lidhen me universin e kësaj videoloje.
Precedenti i Botërorit 2026
Kjo nuk është hera e parë që entuziazmi rreth ngjarjeve apo produkteve globale i shtyn bizneset drejt shkeljeve të mundshme të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Një dukuri e ngjashme u vërejt edhe gjatë Botërorit të Futbollit 2026, kur biznese të shumta përfshinë në komunikimet e tyre komerciale logo, simbole dhe elemente të tjera vizuale që janë pronë intelektuale e FIFA-s, duke u ekspozuar ndaj rreziqeve ligjore.
Sipas njohësit të kësaj fushe, Kristijan Ramaj, fakti që një trend bëhet viral në internet nuk nënkupton se ai mund të përdoret lirisht për qëllime komerciale.
Përgjegjësia e agjencive kreative dhe këshillat për bizneset
Paralajmërimi nuk u drejtohet vetëm pronarëve të bizneseve, por edhe agjencive kreative dhe të marketingut. Ramaj thekson se agjencitë kanë përgjegjësi profesionale që t’i shqyrtojnë me kujdes aspektet e pronësisë intelektuale përpara se të krijojnë dhe t’ua dorëzojnë përmbajtjet klientëve, në mënyrë që të mos i ekspozojnë ata ndaj pasojave ligjore.
Për të shmangur gjobat e larta, paditë gjyqësore apo edhe mbylljen e llogarive zyrtare në rrjetet sociale, bizneset dhe krijuesit e përmbajtjes këshillohen të konsultohen paraprakisht me ekspertë të pronësisë intelektuale, përpara se të publikojnë fushata reklamuese që mbështeten në marka të njohura botërore.
Kristijan Ramaj, IP avokat