
Hetimet për një përleshje fizike që ndodhi të enjten mbrëma në Ferizaj kanë nxjerrë në pah një tjetër element. Njëri nga personat e përfshirë ka pranuar para hetuesve policorë se gjatë incidentit kishte pasur me vete një pistoletë, të cilën më pas e ka dorëzuar në Polici.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Endrit Salihun, 26 vjeçar, i cili është intervistuar bashkë me dy persona të tjerë në kuadër të hetimeve për rastin e iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Ngjarja kishte ndodhur më 22 tetor 2026, rreth orës 23:10, në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, ku ishte raportuar një përleshje fizike.
Dy ditë pas incidentit, më 24 tetor, hetuesit e Stacionit Policor kanë siguruar praninë e tre personave të dyshuar, Endrit Salihut, Lirim Salihut dhe një të mituri me inicialet E.S.
Të tre janë intervistuar lidhur me rrethanat e përleshjes, ndërsa gjatë deklarimit të tij, Endrit Salihu ka pranuar se në kohën kur kishte ndodhur incidenti mbante me vete një pistoletë të tipit “Ekol”.
Arma është dorëzuar vullnetarisht nga i dyshuari dhe është sekuestruar nga Policia si provë materiale.
Ndërkohë, i mituri E.S. është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe prindit të tij, në përputhje me procedurat për trajtimin e personave të mitur.
Pas përfundimit të intervistimeve, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të tre të dyshuarit të lirohen në procedurë të rregullt.
Megjithatë, zbulimi i armës ka bërë që rasti të zgjerohet edhe në aspektin penal.
Krahas veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, Prokuroria ka udhëzuar që të iniciohet edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet lidhur me rrethanat e përleshjes dhe armën e sekuestruar janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali