
Rreth 1,200 palestinezë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Hebron, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një operacioni të ushtrisë izraelite, një ditë pasi dy ushtarë izraelitë u vranë në një sulm me armë zjarri.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte paralajmëruar të premten nisjen e një operacioni në shkallë të gjerë, pasi dy persona të armatosur palestinezë hapën zjarr në një pikë kontrolli ushtarake pranë qytetit. Sipas ushtrisë izraelite, të dy sulmuesit u vranë nga forcat e saj.
Ushtria deklaroi se operacioni në lagjet Al-Jaladah dhe Ein Deir Baha kishte për qëllim kërkimin e personave të armatosur dhe armëve, ndërsa paralajmëroi edhe shembjen e ndërtesave.
Kreu i Komunës së Hebronit, Yousef Zouhair Al-Jabari, tha se rreth 1,300 persona të tjerë rrezikojnë të humbasin shtëpitë e tyre, përveç atyre që tashmë janë zhvendosur. Ai bëri të ditur se gjatë operacionit janë shembur dyqane, fabrika, shtëpi dhe rrugë.
Autoriteti Palestinez e ka cilësuar operacionin si “ndëshkim kolektiv”, ndërsa Al-Jabari e përshkroi reagimin izraelit si joproporcional dhe të pajustifikuar.
Sipas organizatës joqeveritare Palestinian Prisoners’ Club, forcat izraelite kanë arrestuar rreth 70 palestinezë gjatë të premtes dhe të shtunës. Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar raportimet për arrestimet.
Banorët i thanë agjencisë Reuters se shumë prej personave të larguar nga shtëpitë nuk kishin lidhje me sulmuesit palestinezë. Ata gjithashtu raportuan se kishin parë ushtarët izraelitë duke shënuar me një kryq të zi shtëpitë nga të cilat ishin larguar banorët, por qëllimi i këtyre shenjave nuk është bërë i qartë.
Ndërkohë, kufizimet e vendosura nga Izraeli në hyrjet e shumicës së qyteteve dhe qytezave palestineze në Bregun Perëndimor kanë kufizuar ndjeshëm lëvizjen e banorëve. Disa prej tyre thonë se nuk po arrijnë të udhëtojnë drejt Jerusalemit për të marrë trajtim mjekësor.
Një banor nga qyteti palestinez Yatta, Yousef Mur, tha se nuk kishte mundur ta dërgonte vajzën e tij, e cila vuan nga kanceri, në Jerusalem për trajtim për shkak të bllokimeve dhe ndërhyrjeve të forcave izraelite.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali