
Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje masive në Rripin e Gazës, duke përmbytur rreth 70 mijë tenda ku strehohen palestinezët e zhvendosur nga lufta.
Mijëra familje kanë mbetur pa strehim të sigurt, ndërsa afrimi i dimrit po shton frikën për përhapjen e sëmundjeve dhe humbjen e jetëve nga temperaturat e ulëta.
Situata është aq e rëndë sa banorët po përpiqen ta largojnë ujin nga tendat me tenxhere e tiganë, ndërsa shumë prej tyre kanë humbur edhe strehimin e fundit që kishin.
Përfaqësuesi i UNICEF-it për Palestinën, Jonathan Veitch, e ka cilësuar gjendjen si të tmerrshme, duke paralajmëruar se mungesa e furnizimeve dhe kufizimet për hyrjen e pajisjeve të nevojshme po e thellojnë krizën humanitare.
Sipas tij, punonjësit humanitarë përballen çdo ditë me kërkesa për ndihmë nga banorët, ndërsa pothuajse e gjithë popullsia ka nevojë për mbështetje urgjente. Veitch paralajmëroi se, pa ndërhyrje të menjëhershme, Gaza mund të përballet sërish me viktima nga hipotermia gjatë dimrit.
Rreth 90 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur nga lufta, ndërsa qasja në ujë të pastër, kanalizime dhe strehim mbetet tejet e kufizuar. Mungesa e tendave, mushamave dhe materialeve plastike për mbrojtje nga shiu, e lidhur edhe me shkurtimet e fondeve të OKB-së, po e vështirëson edhe më shumë situatën.
“Fëmijët e mi më pyesin se ku do të flemë sonte dhe unë nuk kam përgjigje”, rrëfeu 34-vjeçarja Maryam Odeh për agjencinë AFP, duke përshkruar kushtet në të cilat jeton me fëmijët e saj.
Edhe banori Khaled al-Najjar tha se familjet janë të shqetësuara jo vetëm për përmbytjet, por edhe për të ftohtin dhe sëmundjet që mund të përhapen në kampet e zhvendosjes.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë raportuar shembje muresh dhe dëmtime të çative, të cilat kanë shkaktuar disa të plagosur, përfshirë persona në gjendje kritike.
Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi në tetor 2025, sulmet ajrore izraelite kanë vazhduar, ndërsa negociatat për zbatimin e planit të paqes të ndërmjetësuar nga administrata Trump kanë ngecur.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, janë vrarë 74 mijë e 594 persona.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali