Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me gjendjen në sistemin shëndetësor. Vitia ka pretenduar se Reshitaj më parë e kishte lavdëruar për investimet në shëndetësi, ndërsa deputetja i ka mohuar këto deklarata.
Gjatë interpelancës në Kuvend, Vitia tha se Reshitaj kishte marrë pjesë në disa takime në Ministrinë e Shëndetësisë, ku, sipas tij, kishte shprehur vlerësime pozitive për punën e këtij institucioni. Ai pretendoi gjithashtu se deputetja kishte paraqitur edhe kërkesa personale, të cilat nuk ishin realizuar.
“Ju keni ardhur e më keni lavdëruar se çfarë investimesh të jashtëzakonshme po i bënë, lumët ne që të kemi, në shumë takime të cilat i kemi mbajtur në zyrën e Ministrisë së Shëndetësisë, ju vetëm lëvdata keni pasur për sistemin shëndetësorë, në fakt keni pasur edhe kërkesa personale që të kam thënë se nuk munden me u përfundua mirëpo kurrë nuk keni ngritur çështjen e ndonjë dështimi, vetëm keni uruar”, tha Vitia.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar deputetja Reshitaj, e cila mohoi se e kishte lavdëruar ministrin për punën e tij. Ajo kundërshtoi edhe pretendimet e Vitisë për bisedat dhe kërkesat e saj gjatë takimeve.
“Albena Reshitaj nuk të ka vlerësuar, e nuk të ka thënë se po bëni punë të mirë. Unë kam qenë opozitë për katër vite dhe me juve nuk kam qeverisur, vetëm kemi shkuar në zgjedhje. Asnjëherë unë me ty nuk kam diskutuar për të arritur atë që ju po e proklamoni. Më keni përzi me dikë, mos krijoni të pavërteta”, tha ajo.
Në këtë debat është përfshirë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, i cili ka përmendur një postim të Reshitajt të datës 19 dhjetor 2025, duke pretenduar se përmes tij ajo kishte vlerësuar investimet në shëndetësi.
“Është normale meqenëse e keni lavdëruar vet siç tha ministri, nëse nuk i besoni as ministrit as mua, ua gjeta postimin me datë 19 dhjetor 2025 publikoni vet dhe thoni shëndetësia që po merr formë konkrete në Prizren. Pra me fakte konkrete e keni pranuar edhe vet, sot po bëheni si të jeni person tjetër, është tepër e ulët për një deputete, është krejt në rregull t’i ndërroni partitë çdo ditë por jo qëndrimet”, tha ai.
Përplasja erdhi pasi deputetja Reshitaj kritikoi gjendjen në sistemin shëndetësor, duke thënë se problemet shtrihen nga kujdesi parësor deri te Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK). /kp/